Fjalë të mira për të arritur vepra të mira

Hutbe e ditës së xhuma nga  Meka e bekuar      03- 03-1446  H    06-09-2024 D

Shejh Salih Ibn Abdullah Ibn Humejd 

Tema Fjalë të mira për të arritur vepra të mira

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Allahun, Dhuruesi dhe Bujari  më i Madh, Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj, e Ai është i lavdëruar nga çdo gjuhë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi e të vërtetës, sigurisë dhe njohjes, e çliruar nga dyshimi dhe mohimi.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, poseduesi i pozitës së lavdëruar  dhe i luginës së premtuar në Xhenet.  Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, ata ishin ndihmuesit e fesë dhe dëshmitarët e të vërtetës, mbi tabi’inët dhe pasuesit e tyre në mirësi deri në ditën e Kijametit.

Në vijim

O ju njerëz, porosis veten dhe ju që të kemi frikë Allahun. Zoti ju mëshiroftë, frikësojuni Allahut, kërkoni strehim pranë Tij, sepse Ai është Falës i gjynaheve dhe lehtësues i shqetësimeve. Përmendeni shpesh Atë, sepse me përmendjen e Tij qetësohen zemrat, mos u mashtroni nga jeta e kësaj bote, sepse mirësia e saj nuk zgjatën, ruhuni, bëni kujdes nga shpresat e gjata. Afati, exheli, është afër dhe i pashmangshëm,  lavdërojeni Zotin për ripërtëritjen e shëndetit dhe vazhdimin e mirësive.  Mirësia nëse zgjatën zhvleftësohet, injorohet, e nëse humbet, mungon, vlerësohet. O Zot, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga humbja e Mirësive Tua, nga përkeqësimi i shëndetit që na ke dhënë,  nga ndëshkimi Yt i papritur. “Kujtoni begatitë që ju ka dhënë Ai, si dhe Librin (Kuranin) dhe diturinë e hollësishme, që jua ka zbritur për t’ju këshilluar. Kini frikë Allahun dhe ta dini se Allahu është i Dijshëm për çdo gjë!” (El-Bekare 231)

O ju muslimanë! E vërteta ka drita dhe virtyti ka bukuri. Urtësia e madhe dhe këshilla e mira kur shprehet me fjalë të matura dhe të ligjërim të ëmbël pranohen nga shpirtrat dhe njihen prej mendjeve. Në to ka argumente të qarta dhe prova të dukshme, në edukatë dhe moral, që tregojnë se çdo pozicion ka një konstatim dhe se në çdo nivel ka një diskurs. “ Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!” (En-Nahl 125)

Të nderuar vëllezër! Këto janë fjalë gjithëpërfshirëse nga ato që kanë vendosur njerëzit e dijes dhe dijetarët, në të cilat ka përkujtim që zbutën zemrat, qetëson shpirtrat dhe kthen të larguarin, humburin. Udhëzime për një jetë dhe të ardhme më të mirë, për fitimin e dy botëve dhe arritjen e dy lumturive.  “Vetëm njerëzit e mençur i pranojnë këshillat!”(Ez-Zumer 9) “Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve.”(Edh-Dharijat 55)

O ju muslimanë! Në këto udhëzime, këshilla, dijetarët thonë: Qëndrueshmëria në pasimin e të vërtetës është në ndjekjen e rrugës së udhëzimit, në të ushqyerit me të mirën, në të qenit i zellshëm në arritjen e devotshmërisë, në vazhdueshmërinë e dhikrit, përmendjes së Zotit, në respektimin e legjislacionit fetar, Sheriatit, dhe në nderimin, vlerësimin e gjërave të shenjta të muslimanëve. Kush ka brendësi, qëllim të shëndoshë punët e tij janë të shëndosha, të drejta.

LEXO  Këshilla për të fituar dy botët

Mirësia ndodhet në pesë cilësi: Rroba e devotshmërisë, besimin, bindja në Zot, fitimi hallall, në të lejuar, pasuria e shpirtit dhe largimi nga dëmet, të këqijat. Ndërsa sëmundja më e keqe është morali i keq dhe gjuha e ndyrë.

Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se të toleruarit e Allahut nuk është nga neglizhenca. Robi është përgjegjës dhe i shpërblyer, e prej tij mësojnë vetëm ata që kanë frikë dhe respekt. “ Atë do ta dëgjojë ai që (i) frikësohet (Allahut).” (El-A’la 10) Njeriut është mjaftueshëm i ditur nëse i frikësohet Zotit dhe mjaftueshëm i pa ditur,  injorant nëse admiron, pëlqen punën e tij.

Robi që këshillon veten le të ruhet nga përulësia e jashtme, e dukshme dhe shthurja e zemrës, dhe të turpërohet njeriu që të korrigjojë atë që është e dukshme tek krijesat, e të mos korrigjojë atë që e di Krijuesi, Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar.  “ Vërtetë Zoti nuk shikon në fytyrat tuaja e as në veprat tuaja, por Ai shikon zemrat tuaja.”  “Kush përmirëson të fshehtën, të brendshmen, e tij, Allahu do të ja përmirësojë të dukshmen e tij.” “ Kush mbulon të metat e vëllait të tij, Allahu do të mbulojë të metat e tij. Kush zbulon të metat e vëllait të tij Zoti do të zbulojë të metat e tij, e pastaj e turpëron atë edhe nëse është brenda shtëpisë së tij.”

O ju muslimanë! Sinqeriteti të shpie në drejtësi, ndërsa drejtësia të shpie për në Xhenet. Gënjeshtra të shpie në imoralitet ndërsa imoraliteti të shpie për në zjarr të Xhehenemit. Shoqërimi me njerëz të këqinjë trashëgon mendim të keq për njerëzit e mirë. Zilia gjeneron mungesë dhembshurie për muslimanët, ndërsa përgatitja më e keqe për në ditën e Fundit është armiqësia ndaj njerëzve.

Nga padrejtësitë e njeriut ndaj vetes është të gjeturit e justifikimit për veten e tij në çdo gjë, dhe mos justifikimi i vëllezërve të tij në asgjë. Nuk kërkojnë falje vetëm se të fortët, nuk tolerojnë vetëm se më të guximshmit dhe nuk harrojnë vetëm se më të lumturit.

Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se njerëzit nuk e nënçmojnë robin vetëm se me masën që Zoti e ka vendosur në zemrat e tyre.  Kush i frikësohet Zotit atij askush nuk do t’i bëjë keq. Kush i frikësohet dikujt tjetër përveç Zotit, atij nuk i bën dobi askush. Njeriu në varësi të dashurisë për Zotin e tij, ai bëhet i dashur për të krijesat, dhe sa më e madhe që të jetë frika e tij ndaj Zotit, Ai do të hedh frikën e Tij tek njerëzit.

O rob i Zotit! Thuaj të vërtetën, përmbaju të vërtetës dhe bëj atë që është e mirë, sepse njerëzit do të pranojnë, do jetë të kënaqur me ty, qoftë dhe pas një kohe. Shqetësimi për këtë botë është errësirë në zemër ndërsa shqetësimi për botën Tjetër, Ahiretin,  është dritë në zemër. Zemërimi është dënim me të cilin njeriu dënon vetveten, ndërsa fajin e ka dikush tjetër.

Adhurues të Zotit! Le ta dini se shkaku i mosmarrëveshjes mes njerëzve ose  është qëllim që nuk u kuptua, ose mirëkuptim që nuk është synuar.

LEXO  Shpresë dhe optimizëm pavarësisht fatkeqësive dhe vështirësive

Vëllezër të nderuar! Kush merret me mjetet e komunikimi, le të kujtojë një obligim, le të tregojë një sunet, të tregojë një gabim, të këshillojë duke kërkuar shpërblim tek Zoti dhe të llogarisë sevapin dhe shpërblimin. Le të jetë i kujdesshëm në bashkim e fjalës, të ketë mendim të mirë për vëllain e tij, të dojë për vëllain e tij atë që do për veten e tij, të shpresojë mirë për vëllain e tij të shpresojë mirë për vëllain e tij dhe le të shmangë të keqen e mendimeve të  tij. Le të jetë i kujdesshëm që të  jetë këshilltari i vetes në lidhje me këto mjete, të kujdeset, që të mos  jetë nga ata që ecin me kova boshe, pa argumente, dhe e bën mendjen e tij të lejuar për ndërhyrësit, përdoruesit  e këtyre mjeteve, që flasin për atë që nuk ka dobi.

Në vijim

Zoti ju ruajte! Çfarë lumturie është për një njeri të cilin Zoti e ka furnizuar me pendim që e mbron nga këmbëngulja në gabim, me frikë që e ruan nga zvarritja, në shlyerjen e një borxhi ose diçka të ngjashme, me dëshirë që kufizon tek ai shpresat,  dhe e mbushën kohën e tij me përmendje të Zotit të tij,  në monoteizëm të pastër dhe sinqeritet të vërtetë. Çdo njeriu që ka shuar etjen dikujt do ti shuhet etja me atë masë që ai ka shuar etje. K Kush këshillohet dhe nuk ndryshon, nuk bën kthesë, ai është i privuar, e kush hynë në diçka që nuk i intereson ai është fajtor. Prandaj, kini frikë ditën në të cilën robi do t’i thotë Zotit të tij: “ Ai do të thotë: “Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!” (El-Fexhr 24)

Zoti na bëftë dobi me udhëzimet e librit të Tij, Kuranin Famëlartë, dhe me synetin e të dërguarit të Tij, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

Zotit  i kërkoj falje për  vete, ju dhe të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, Zotit kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirues.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, Bujarin dhe Dhuruesin e Madh, Ai që i jep nga mirësitë e Tij atij që dëshiron pa llogari.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, tek Ai jam mbështetur dhe tek ai është pendimi.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i përzgjedhuri nga prejardhja më e nderuar. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, familjarët më të nderuar dhe shokët më fisnik, mbi tabi’inën dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Fundit, ditën e Kijametit.

Në vijim

Zoti të ruajt, bëj kujdes  që të jesh nga ata që kur dinë janë të sjellshëm dhe kur ju kërkohet japin. Bëhu ndihmues  për atë që kërkon udhëzim, aleati i së vërtetës për atë që kërkon këshilla dhe depozitues i drejtësisë për atë që kërkon të përfitojë. Mundohu që të jesh afër kënaqësisë, larg ankthit dhe shqetësimit. Le të jetë e vërteta qëllimi yt, modestia dhe turpi,  mbulesa jote dhe devotshmëria mirazhi yt në njohuritë e dritës që shikon dhe në të vërtetat e dijes nga e cila merr.  Nëse rrëshqet, kthehu, nëse gabon kërko falje, nëse bën gjynah hiq dorë prej tij,  nëse je i pa ditur pyet dhe nëse zemërohesh përmbahu, kontrollo zemërimin tënd. Dije se ke vlera për sa kohë nuk shikon vlerat e tua,  e nëse shikon vlerat e tua nuk ke më vlera.

LEXO  Mësime nga shkatërrimi i tiranëve... dhe mbështetje për popullin e Palestinës

Zoti ju mëshiroftë, frikësojuni Allahut dhe dijeni se: “ …mbi ju ka rojtarë (që ju vëzhgojnë), shënues të nderuar, që dinë gjithçka që bëni.” (El-Infitar 10-12)

Lutuni dhe përshëndeteni mëshirën e dhuruar, mirësinë e dhënë, të dërguarin tuaj, Muhamedin, të dërguarin e Zotit, për këtë ju ka urdhëruar Zoti juaj, Allahu i Madhërishëm dhe i Gjithëdijshëm ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin,  familjen e tij, bashkëshortet e tij dhe pasardhësit e tij.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabi’inë dhe ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit,  dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujarë.

O Zot, na jep siguri në vendin tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët  e çështjeve tona.

O Zot, mbështete me të vërtetën, me sukses dhe me drejtësi udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, jepi sukses atij në atë që do dhe je kënaqur, furnizoje atë me mbështetës të mirë, ndero me të fenë Tënde, lartëso me të fjalën Tënde,  bëje atë ndihmë për Islamin dhe muslimanët dhe bashko me të fjalën e muslimanëve në të vërtetën dhe në udhëzim.

O Zot, jepi sukses atij,  zëvendësit të tij, vëllezërve dhe ndihmësve të tyre, në atë që do dhe je i kënaqur, drejtoi ata në të mirë dhe devotshmëri, dhe ndihmoi ata në atë që është në të mirë të vendit dhe popullit.

O Zot, jepu sukses kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve që të punojnë me Librin Tënd, dhe me synetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Bëji ata mëshirë për njerëzit e tyre dhe për robërit e Tu besimtarë, bashko fjalën e tyre në të vërtetën dhe në udhëzim, o Zoti i Botëve.

O Zot, ruaj  vëllezërit tanë në Palestinë. O Zot, ruaj ata me ruajtjen Tënde, mbroji me mbrojtjen Tënde dhe mbuloi me Kujdesin Tënd. O Zot, përmirëso dobësinë e tyre, streho të dëbuarit e tyre dhe liro të burgosurit e tyre. O Zot, shëro të sëmurët e tyre, mëshiro të vdekurit e tyre dhe pranoi ata dëshmorë tek Ti.

O Zot, çliro xhaminë e Aksasë nga pushtuesit tiranë. O Zot, ngri lartë çështjen e saj, lartëso pozitën e saj, forco qëndresën e saj, bëj të qëndrueshme shtyllat e saj, o Ti që i përgjigjesh lutjeve.

O Zot, ndihmo ushtarët tanë që janë të lidhur dhe vigjilojnë në kufijtë  tanë.

O Zot, forco gjykimin e tyre, saktëso goditjet e tyre, shtrëngo rrallët e tyre, forco vendosmërinë e tyre,  forco këmbët e tyre, stabilizo zemrat e tyre dhe ndihmoi  kundra atyre që i sulmojnë. O Zot, mëshiro dëshmorët e tyre, shëro të plagosurit e tyre, ruaj ata në familjet dhe pasardhësit e tyre, me të vërtetë Ti je që i dëgjon lutjet.

O Zot, na ruaj nga e keqja e të këqijve dhe kurthet e të pa feve, dhe nga e keqja e atyre që këpusin rrugën natën dhe ditën.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/511944904763327

Post Author: endrit