Haxhi dhe manifestimet e mëshirës së Zotit

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    17-12-1446H   13-06-2025 D

Shejh Ali Hudhejfi

Tema  Haxhi dhe manifestimet e mëshirës së Zotit

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin e botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotin, të Plotfuqishmin, të Gjithëdijshmin,  për Zotit tonë, të Madhërishmin dhe të Lartësuarin, janë emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta. Allahun e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj për mirësitë e Tij që i dimë dhe për ato që nuk i dimë, lavdërime dhe falënderime të cilat e kënaqin Atë.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, i Atij është pushteti dhe për Atë janë lavdërimet, Ai është i Larti i Madhërishmi.

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, profeti i nderuar. O Zot fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij të cilët ndihmuan fenë e drejtë.

Në vijim

Frikësojuni Allahut duke bërë vepra të mira dhe duke u shmangur nga gjërat e ndaluara,  që të jeni nga ata që fitojnë kënaqësinë e të Gjithëmëshirshmit dhe lumturinë e përjetshme në mirësitë e Xhenetit.

O ju njerëz! Ju kujtoj me mëshirën e madhe të Zotit dhe të mirat e Tij të shumta mbi ju, të cilat askush përveç Tij nuk mund t’i numërojë dhe që obligojnë falënderimin dhe kujtimj tuaj për Zotin tuaj, Allahun e Madhërishëm. Zoti i Lartësuar ka thënë: “ (Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë.”(Ibrahim 7)

A e dini lajmin e mirë më të madh, përgëzimin, nga Zoti i Plotfuqishëm? Lajmi i mirë më i madh për njerëzit nga Zoti i tyre është se Zoti i Plotfuqishëm i informoi ata përmes shpalljes se marrëdhënia midis Zotit të botëve dhe krijesave të Tij është mëshira. Mëshira e përgjithshme me të cilën Zoti mëshiron të mirët dhe të këqijtë, besimtarin dhe jobesimtarin në jetën e kësaj bote. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde…” (Gafir 7) Allahu i Lartësuar ka thënë: “ Por Zoti yt është Falësi plot mëshirë.” (El-Kehf 58) Allahu i Lartësuar ka thënë: “Zoti juaj ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën.” (El-En’am 54)

Ndërsa në botën Tjetër, në Ahiret, Zoti i ka veçuar besimtarët me këtë mëshirë, për shkak të të qenit e tyre të bindur dhe shmangien nga gjërat e ndaluara. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Ai është i Mëshirshëm me besimtarët.” (El-Ahzab 43) Zoti nuk i bën padrejtësi asnjë krijese të Tij as sa grimca e një atomi.

Mëshira është atribut, cilësi e vërtetë e Zotit të Plotfuqishëm specifike për Zotin, siç i përshtatet Fuqisë së Zotit të Lartësuar dhe Madhështisë së Tij. Ne e dimë dhe e njohim kuptimin e saj dhe natyra e saj i përket vetëm Zotit të Vetëm, i Gjithëdijshmi për të vërtetat e atributeve të Tij, ashtu siç janë ato. Mirësia është në ndjekjen e atyre që ishin më parë, dhe e keqja është në bidatet, shpikjen  e atyre që vijnë më pas. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtet, Zoti ka njëqind mëshira, nga të cilat Ai zbriti një mëshirë në mes të xhindëve, njerëzve, kafshëve dhe insekteve, me të cilën ata sillen mirë dhe mëshirojnë njëri-tjetrin, dhe me të kafsha e egër mëshiron, sillet butë me, të voglin e saj. Zoti ka rezervuar nëntëdhjetë e nëntë mëshira, me të cilat Ai do të mëshirojë robërit e Tij në Ditën e Gjykimit.”  Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi. Zoti i plotësoi njëqind mëshirat me mëshirën me të cilën krijesat tregojnë mëshirë ndaj njëra-tjetrës në këtë botë, në mënyrë që Ai të mëshirojë  robërit e  Tij në Ditën e Gjykimit.

LEXO  Këshilla dhe mësime nga vapa e madhe

Jeta bëhet e mirë me mëshirë,  shoqëritë bëhen më të mira me mëshirë. Të dobëtit, të varfrit dhe të shtypurit jetojnë nën mbrojtjen e të fortëve, të pasurve dhe atyre që janë të aftë për drejtësi, këta njerëz jetojnë me mëshirë. Nëse humbet mëshira, njerëzit humbasin gëzimin, lumturinë e jetës, ekspozohen ndaj mizorisë dhe fatkeqësive të saj, dhe preken nga të këqijat në varësi të masës së mëshirës që kanë humbur. Zoti juaj, i Mëshirshmi, i Madhërishmi dhe i Lartësuar, i përshkruar me Mëshirsë, zbriti Librin, Kuranin, mëshirë për njerëzimin. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Këto janë vargje të Librit plot Urtësi, udhërrëfyes dhe mëshirë për punëmirët.” (Lukman 2-3) Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Ky Kuran është tregues i qartë, udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzit që kanë besim të patundur.” (El-Xhathije 20)

Zoti ynë, Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka hapur çdo sure me “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”,  për t’u dhënë njerëzve lajmin e mirë se i gjithë legjislacioni i Tij është mëshirë dhe përsosmëri, se të gjitha urdhrat e Tij janë mëshirë, mirësi dhe ngritje, përmes kryerjes së veprave të mira. Sikurse ndalesat e Tij janë mëshirë, sepse parandalojnë nga të këqijat dhe shkatërrimi, dhe se historitë e Tij janë mësime dhe këshilla. Ai dërgoi zotërinë e të dërguarve, të dërguarin tonë Muhamedin, paqja dh shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mëshirë për njerëzimin mbarë, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.”(El-Enbija’ 107)

Zoti është mëshirë për besimtarët në këtë botë dhe në botën Tjetër, në Ahiret, mëshirë për jobesimtarët me pakësimin dhe zbutjen e të këqijave të tyre, të cilat prishën tokën dhe munduan të shtypurit. Zoti vendosi prova për njerëzit dhe informoi se shtigjet, rrugët e mëshirës janë të shtruara dhe të qarta për këdo që dëshiron të punojë në to dhe t’i ndjekë ato, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ …ndërsa mëshira Ime përfshin çdo gjë. Atë do t’ua jap atyre që ruhen (nga gjynahet) dhe japin zeqatin, atyre që u besojnë shpalljeve Tona dhe atyre që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur.”(El-A’raf 156-157) Shtyllat e Islamit dhe urdhrat e ndalesat që i pasojnë ato nuk janë gjë tjetër veçse veprime të bazuara në mëshirën e Zotit të Plotfuqishëm. Haxhi që u krye në ditët e fundit është plotësimi i këtyre shtyllave që i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e kreu vetë dhe përmes të cilit u plotësuar kjo fe. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” ( Al ‘Imran 133-134)                                                                            Zoti na begatoftë të gjithëve me Kuranin Famëlartë, na bëftë dobi me sunetin e të dërguarit të Tij të nderuar.                                                                                                                                                                Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për muslimanët mbarë.

LEXO  Mësime nga shkatërrimi i tiranëve... dhe mbështetje për popullin e Palestinës

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, Krijuesi i shtatë qiejve të fuqishëm, Krijuesi i tokës dhe ngriti mbi të male, Ai i Cili legjitimoi sunetet, xhumanë dhe festat.                                                                  Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, nuk ka të barabarë dhe nuk ka rival me Atë.  

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i cili ngriti fenë Islame, poshtëroi mosbesimin dhe politeizmin, idhujtarinë, dhe u përpoq në rrugë të Zotit me përpjekje të vërtetë. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, dhe familjen e tij, yjet e udhëzimit dhe modelin e adhurimit.

Në vijim

Frikësojuni Zotit në të gjitha punët tuaja, në fshehtësi dhe në publik, hapur, do të jeni ndër ata që Zoti i udhëzon, u jep një përfundim të mirë, që u ndriçon mendjen, është i kënaqur me ta dhe i pranon në Xhennetin e Tij.

Adhurues të Zotit! Ju jeni të  mbuluar nga Zoti juaj me të mira mëshirë për ju,  dhe bekime nga punët e mira, ku shkallën e efektit të plotë të tyre nuk e di dikush tjetër përveç Zotit të tokës dhe qiejve. Si mund ta dijë dikush tjetër përveç Zotit të Plotfuqishëm shkallën e këtyre bekimeve, dhuratave dhe mirësive hyjnore për ata që kryen Haxhin në shtëpinë e Zotit, Qabe, qëndruan në Arafat, ju luten Zotit Dhurues dhe Bujar në ato vende të shenjta dhe ofruan akte të sinqerta adhurimi ndaj Zotit të Plotfuqishëm në dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes? Si mund ta dijë dikush tjetër përveç Zotit të Plotfuqishëm se çfarë i ka dhuruar Zoti çdo muslimani në faqen e dheut, në aspektin e shpërblimeve të dyfishta dhe veprave të mira të njëpasnjëshme, për shkak të agjërimit të tij në Ditën e Arafatit, përkujtimit në dhjetë ditët e Dhul Hixhes, namazet, lutjet dhe sakrificat me të cilat Zoti rrit shpërblimet për çdo musliman në faqen e dheut dhe me të cilat Zoti i largon ndëshkimet. Njerëzit janë mirë për sa kohë që i përmbahen ligjeve të fesë, dhe për sa kohë që Haxhi vazhdon, njerëzit janë mirë.

LEXO  Mirësia e arritjes së Ramazanit

O ju muslimanë! Ditët që kaluan kanë qenë të të mbushura për ju me vepra të mira, adhurime, e të gjithë jeni kthyer me mirësi nga Zoti juaj dhe me falje, me lejen e Zotit të Plotfuqishëm, pas muajit të Haxhit, çdo njëri me atë që Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar i ka caktuar. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Ata u kthyen me dhuntitë dhe mirësitë e Allahut, nuk i gjeti asgjë e keqe dhe fituan kënaqësinë e Allahut. Allahu është Zotërues i mirësive të mëdha.” (Al ‘Imran 174) Prandaj, ruani veprat e mira që keni bërë dhe mos i fshini vepra të mira me të këqija. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit dhe mos i çoni dëm veprat tuaja!” (Muhammed 33)

Luteni Allahun për vetet tuja dhe për kujdestarët e çështjeve tuaja, udhëheqësit tuaj që të jeni mirë, dhe për muslimanët që të jenë të qëndrueshëm në këtë fe.

Adhurues të Zotit: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij.

O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar. Atyre u dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

O Zot,  të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me shokët e tij dhe tabiinët, pasuesit e tyre.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe jobesimtarët dhe politeistët, dhe asgjëso planet dhe komplotet e jobesimtarëve me të cilat ata komplotojnë kundër Islamit. O Zot, poshtëro risitë që bien ndesh me fenë Tënde dhe sunetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

O Zot, na ruaj ne dhe pasardhësit tanë nga lbisi, shejtani, pasardhësit  dhe pasuesit e tij, nga shejtanët njerëz dhe xhind, dhe ruaj muslimanët nga shejtanët.

O Zot, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve, fal të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve.

O Zot, na mundëso që veprat tona të kenë përfundim të mirë. O Zot, të lutemi për më të mirën e asaj që Ti e di dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga e keqja e asaj që Ti e di. O Zot, mbro këtë vend të bekuar me kufijtë dhe ushtarët e tij, mbroje atë me sigurinë, begatinë dhe lulëzimin e tij. Mbro vendet muslimane nga çdo e keqe, o Zot i botëve.

O Zot, jepi sukses kujdestarit e çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Ti do dhe je i kënaqur, bëj që veprat e tij të fitojnë kënaqësinë Tënde dhe ndihmo me të fenë Tënde. Jepi sukses zëvendësit të tij  në atë që do dhe je i kënaqur dhe mbështete atë në çdo të mirë.

O Zot, ruaj Palestinën dhe Bejtul Makdis, Kudsin,  mos lejo sionistët uzurpues të sundojnë mbi ta, jepu besimtarëve të tyre, Kudsit dhe Aksasë, mëshirë dhe lehtësim, mbroji ata nga të këqijtë e tyre, ushqeji kur janë të uritur dhe jepu siguri kur janë të frikësuar.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)

Përmendeni Allahun e Madhërishëm dhe të Lartësuar Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

” …vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/1051491340460936

Post Author: endrit