Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 21-06-1447 H 12-12-2025 D
Shejh Abdul Bari Ibn Avad Eth-Thubejti
Tema Njohja e Zotit rruga drejt shpëtimit
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, lavdia e të Cilit është e madhe, sundimi i Tij është suprem, të gjitha krijesat shpallin, tregojnë për madhështinë e Tij. Zotin e Madhërishëm e lavdërojmë, lavdërime që mbushin horizontin me tinguj kumbues dhe që arrijnë thellësitë me dritë dhe shkëlqim. Atë e falënderojmë me falënderimet e robërve që e njohën Zotin e tyre dhe i përulen, që meditojnë në mirësitë e Tij dhe përkulen para Tij, dëshmojnë, shikojnë ndikimin e favorit të Tij ndaj tyre dhe i nënshtrohen Atij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, e njohim Atë nëpërmjet shenjave para të cilave përulen shpirtrat dhe krijesave që flasin për fuqinë e Tij çdo mëngjes dhe mbrëmje.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, me mesazhin e tij u ndriçuan rrugët e njerëzve të udhëzuar. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjne dhe shokët e tij, fenarët ndriçues të errësirës, ata që ndoqën rrugën e tyre dhe u mjaftuan me të.
Në vijim
Këshilloj juve dhe veten time që ta kemi frikë Zotin, sepse është furnizimi më i plotë që shëron zemrën dhe udhëzon hapat.
Në çdo zemër ka një mall që nuk shuhet kurrë dhe një pyetje të fshehtë që kthehet sa herë që njeriu është vetëm me veten e tij: A e ke njohur Zotin? A e ke njohur Atë vërtetë? Kurani që kemi në duart tona është i mbushur plot me ajete që na njohin me Zotin: Ai është Zoti! Ai është Zoti! Ai është Zoti! Ai është Zoti, i Plotfuqishmi. Madhështia e Tij manifestohet në këtë univers të gjerë, në qiejt e ngritur pa shtylla, në yjet që lëvizin me masa të përcaktuara që nuk devijojnë, në malet e palëkundura që ruajnë ekuilibrin e tokës dhe në detet që mbajnë sekrete fuqie para të cilave mendjet qëndrojnë me admirim. Ju e shihni këtë në ndërrimin e natës dhe të ditës, në shfaqjen e jetës nga pikat e ujit dhe në rregullsinë e diellit dhe të hënës. “…të gjitha këto rrotullohen për një kohë të caktuar.”(Er-Ra’d 2) Që i gjithë krijimi të dëshmojë se pas këtij sistemi të saktë është Një Zot i Madh, shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve.
Zoti i Mahdërishëm menaxhon gjithçka me një urtësi që nuk lë asgjë të humbur, asnjë rrahje zemre nuk ndodh përveçse me lejen e Tij, asnjë gjethe nuk bie përveçse Ai e di, asnjë pikë shiu nuk bie përveçse me urdhrin e Tij, asnjë hap nuk hidhet përveçse me caktimin e Tij, dhe asnjë shqetësim nuk të ngushton gjoksin përveçse Ai është i mirëinformuar me të.
Ai është Zoti i Gjithëmëshirshëm, i Cili ka thënë: “ … ndërsa mëshira Ime përfshin çdo gjë.”(El-A’raf 156) Medito, merre parasysh mirë këtë: “Gjithçka”. Mëshira e Tij përfshin ata që nuk i binden Atij, ata që nuk e njohin Atë dhe ata që e mohojnë Atë. Po ata që i binden Atij dhe e duan Atë?! Mëshira e Tij nuk është vetëm në dhurim por edhe në vuajtje, fatkeqësi. Sa sëmundje kanë afruar zemrën tënde me Zotin, sa humbje të kanë kujtuar kalimtarinë e kësaj bote dhe sa shqetësime të kanë shtyrë të biesh në sexhde, duke u bërë kështu shkak i mëshirës së fshehur. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur pa një nënë që përqafonte fëmijën e saj nga frika dhe dhembshuria, tha: “Zoti është më i Mëshirshëm me robërit e Tij sesa kjo grua me fëmijën e saj.” Muttefikun Alejhi.
Ai është Zoti, Ruajtësi; mbrojtja e të Cilit nuk të lë kurrë për asnjë moment. Ai të mbron në natën dhe ditën tënde, në udhëtimin tënd dhe në qëndrimin tënd, në zemrën dhe trupin tënd, në pasurinë dhe familjen tënde, madje, në besimin tënd, i cili është bekimi më i madh që ke. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Allahu është Ruajtësi më i mirë dhe Ai është më i Mëshirshmi i mëshiruesve!”(Jusuf 64)
Sa të këqija ishin gati të të godisnin, por Zoti i shmangu nga ti! Sa rreziqe ishin gati të të afroheshin, por Zoti i mbajti larg prej teje! Sa fatkeqësi u shkruan dhe pastaj u hoqën prej teje për shkak të një loti, një lutjeje apo një bamirësie që nuk i kushtove vëmendje!
Ai është Zoti, është afër dhe që përgjigjet, i Cili të dëgjon kur i lutesh Atij. Ai është Afër që nuk ka nevojë për ndërmjetës për t’iu lutur, as për takime për të qëndruar para Tij dhe as për porta që të trokitur në to. Mjafton që të pëshpërisësh, të thuash me zë të ulët, emrin e Tij në zemrën tënde, Ai të dëgjon dhe e di nevojën tënde para se ta shqiptosh. Sa herë e ke thirrur Atë në një moment dobësie dhe ke gjetur një përgjigje që rrjedh në zemrën tënde para të shqiptohet nga gjuha jote?!
Ekziston një sekret i madh nga sekretet e afërsisë me Zotin: Zoti pëlqen t’ju shikojë të ktheheni tek Ai, pëlqen që t’i besosh Atij shqetësimet e tua, t’i tregosh hidhërimet e tua, kështu që dhe nëse përgjigjja vonohet, dije se në vonesë ka një mirësi të fshehur që mendjet nuk mund ta kuptojnë. Zoti i Lartësuar është Ai që ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” (Gafir 60) E gjitha çfarë duhet të bësh është të ngrish duart sinqerisht dhe të hapësh zemrën, sepse Zoti yt nuk e kthen një lutës, as nuk zhgënjen një person shpresëplotë, as nuk e mbyll portën e Tij në fytyrën e një robi që i drejtohet Atij.
Ai është Zoti, Falësi, Mëshirëploti, i Cili gëzohet me pendimin e robit të Tij. Kush jemi ne pa faljen e Tij?! Nëse do të na mbante përgjegjës për çdo gjynah, rrëshqitje, shkelje, dhe mangësi, nuk do të kishim vend në tokë. Por Ai është Falësi, i Cili i shndërron veprat e këqija në të mira, i Buti, i Cili nuk e përshpejton ndëshkimin, Mbuluesi, i Cili i mbulon gjynahet e robërve të Tij. Ai është që ka thënë: “ Thuaju robërve të Mi, që i kani bërë keq vetes me gjynahe, të mos e humbin shpresën në mëshirën e Allahut!”(Ez-Zumer 53) Një fjalë e vetme nga mëshira e Tij mund të fshijë vite gjynaahe dhe një lot i vetëm i sinqertë mund të fshijë faqe shkeljesh. Çfarë Zoti është ky që i do ata që pendohen! Çfarë Zoti është ky që falën gjynahet dhe gëzohet me ata që kthehen tek Ai! Ai është Zoti, i Dashuri, Bujari, i Cili jep me bollëk dhe nuk kursen. Nëse Zoti e do një rob i jep nga bujarinë e Tij. Zoti i jep atij furnizim pa masë, derdhën mbi të qetësi pa shkak, arsye, dhe mbushën zemrën e tij me dritë. Zoti, i Dashuri, që të jep ndërsa ti e harroni Atë, të jep afat ndërsa ti nuk i bindeni, Ai është i mirë me ty ndërsa ti gaboni në të drejtën e Tij. Zoti është Bujari, që të jep para se të kërkosh, është i mirë me ty para se të veprosh. Mendo se si Ai të jep qindra herë në ditë: zgjohesh i sigurt, merr frymë pa dhimbje, gjenë kafshatën e bukës, ushqimin, që të ngopesh dhe ujë që të shuash etjen, që zemra jote të gjejë paqe pas shqetësimit. Ai është Zoti, i Urti dhe i Gjithëdijshmi, i Cili menaxhon me një urtësi që mendjet nuk mund ta kuptojnë. Sa gjëra që mendoje se ishin të këqija, dolën të mira! Sa ëndrra vonuan në realizim, vetëm për të zbuluar se vonesa e tyre ishte për një të mirë më të madhe sesa shpresoje! Sa ndalesa që dukeshin si zhgënjime, dolën të ishin mbrojtje në zemër dhe mëshirë e fshehur! Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju…” ( El-Bekare 216) Çdo vonesë në furnizimin tënd, çdo devijim në rrugën tënde dhe çdo ndryshim në hapat tuaj, në zemrën tënde pëshpërit një mesazh i butë se sovraniteti, pushteti i përket Zotit dhe se nëse je i kënaqur me urtësinë dhe vendimin e Tij, Ai do të tregojë mirësi të tillë sa do t’ju mahnisin.
Zoti është i Pasuri, nuk ka nevoj për diçka. Kur e di se Zoti është i Pasuri, nevoja jote për krijesat zhduket, nuk lidhesh pas askujt tjetër përveç Tij dhe nuk pret dhuratë apo shpërblim nga askush. Ai është Pasuruesi yt që të pasuron me pranim, kënaqësi dhe afërsi me Të. Ai mund të të japë furnizim të bollshëm dhe mund të privojë me të për të të pasuruar në shpirtin tënd, e të dyja janë dhurata. Sa të varfër kanë zemër të vetëmjaftueshme dhe të kënaqur me Zotin! Ata jetojnë në një qetësi që të pasurit nuk e njohin. Sa të pasur janë të ngopur me para, por zemrat e tyre janë të uritura për dashuri! Të etur për qetësi shpirtërore, të humbur midis thesareve të tyre, sepse pasuria e vërtetë është që Zoti të jetë në zemrën tënde.
Ai është Udhëzuesi, do të udhëzojë nëse humbën rrugën e drejtë, do të marrë për dore nëse hapat tuaj shpërndahen gjithandej, dhe do të kthejë në rrugën e drejtë dhe nëse largimi yt është i madh.
O Zot, mbush zemrat tona me dijen, njohjen Tënde, bëj gjuhët tona të lagura me përmendjen Tënde, bëj veprat tona ti kryejmë vetëm për hatrin Tënd, na bëj nga robërit e Tu që të deshën Ty dhe i udhëzove ata, të kujtuan Ty dhe i afrove ata pranë Teje, derisa të të takojmë dhe Ti të jesh i kënaqur me ne.
Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, tek Zoti kërkoni falje, vërtet, Ai është Falësi i madh, Mëshirëploti.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, Madhështia e të Cilit është e dukshme në çdo gjë, argumentat e pushtetit të Tij shkëlqenë në çdo shenjë dhe efektet e Mëshirës së Tij shfaqen në çdo shpirt. Zotin e Madhërishëm e lavdërojmë për mirësitë e panumërta dhe Atë e falënderojmë për bekimet e pafundme.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, e njohëm Atë nëpërmjet ajeteve që jehojnë në zemra para veshëve, nëpërmjet krijesave që e lavdërojnë Atë mëngjes e mbrëmje dhe nëpërmjet caktimeve që shpalosen me mirësinë dhe urtësinë e Tij.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Me mesazhin e tij Zoti ndriçoi errësirën e injorancës. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjarët dhe të gjithë shokët e tij.
Në vijim
Këshilloj juve dhe veten time që ta kemi frikë Zotin.
Ky është Zoti. Kush e do Zotin e tij dhe e adhuron pa e parë Atë. Zemra e tij përmallohet dhe dëshiron ta takojë Atë. Atë takim që e kanë pritur shpirtrat që kur janë krijuar dhe që e duanë shumë zemrat. Në Xhenet ka lumenj, fruta dhe pallate që nuk zhduken kurrë. Por mbi të gjitha këto është një lumturi që nuk mund të matet me asgjë: Të shikuarit e Fytyrës së Zotit të Madhërishëm, me një shikim i vërtetë dhe i qartë, sikur shikon hënën natën e hënës së plotë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Do ta shikoni Zotin tuaj ashtu siç shikoni hënën natën e hënës së plotë.” Muttefikun Alejhi.
Xheneti është bekim, mirësi, ndërsa afërsia me Zotin është mëshirë, por shikimi i Tij është nderi më i madh që kurorëzon çdo lumturi. Kjo është arsyeja pse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është lutur duke thënë: “Të kërkoj kënaqësinë e të parit të Fytyrës Tënde dhe dëshirën për t’u takuar me Ty.” Kënaqësi që i jep fund çdo dhimbjeje dhe bën të harrohet çdo lodhje, pas së cilës nuk mbetet asnjë mirësi tjetër për t’u kërkuar, as ndonjë lumturi për t’u krahasuar. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë dhe Zotin e tyre do të shohin.”(El-Kijame 22-23)
Lutuni dhe përshëndeteni krijesën më të mirë të Zotit, sepse Ai ju ka urdhëruar ta bëni këtë në librin e Tij, në Kuran, kur ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me familjarët dhe shokët e tij të nderuar, dhe me ne së bashku me ta me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, përmirëso gjendjen e tyre, largo prej tyre të gjitha sprovat, të dukshmet dhe të fshehurat. O Zot, bekoji ata në fenë e tyre dhe në punët e tyre të kësaj bote, udhëzo të rinjtë e tyre, mbro gratë dhe pasardhësit e tyre, shëro të sëmurët e tyre, mëshiro të vdekurit e tyre, merr nën kujdesin Tënd punët e tyre, fal gabimet e tyre, lehtëso punët e tyre dhe mbush zemrat e tyre me dritë, qetësi dhe qëndrueshmëri.
O Zot, përhap siguri dhe besim në tokat e muslimanëve, bëj të vazhdueshme, të përhershme mirësitë e Tua mbi ta dhe largo zemërimin Tënd prej tyre, jepu atyre lehtësim të menjëhershëm, lehtësim pas vështirësive, lajme të mira pas frikës dhe bekime në jetë, në furnizim dhe në veprat e tyre.
O Zot, Ty të lutemi sepse Ti je Zoti, s’ka Zot tjetër përveç Teje, Ti je i pasur, nuk ke nevojë për diçka, ndërsa ne jemi të varfër, kemi nevojë për Ty, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj nga të dëshpëruarit. O Zot, zbrit mbi ne shi! O Zot, zbrite atë shi mëshire, jo mundimi, as fatkeqësie, as shkatërrimi dhe as përmbytje. O Zot, bëj që të ringjallet me të toka, lehtëso me të njerëzit, bëje atë burim jetese për të tashmit dhe për ata që vijnë, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit dhe kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta në atë që do dhe je i kënaqur. Jepi sukses në udhëzimin Tënd dhe bëj që punët e tij të meritojnë kënaqësisë Tënde, o Zoti i botëve. O Zot, jepi sukses zvendësit të fronit të tij në çdo të mirë, o më i Madhi Mëshirues. Jepu sukses të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve që të punojnë me librin Tënd, Kuranin, dhe të gjykojnë me legjislacionin Tënd, o Zoti i botëve.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.
“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj