Fitorja e atyre që kërkojnë faljen e Zotit

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    10-06-1448 H     20-11-2026 D

Shejh   Salah Ibn Muhamed El Budejri 

Tema   Fitorja e atyre që kërkojnë faljen e Zotit

Lavdërimet janë për Allahun, Ai i Cili na ka siguruar nga fatkeqësitë dhe frikët, na ka mbuluar me hijen e Tij të gjerë dhe të begatë. Atë e lavdëroj për mirësitë e Tij të shumta, të pafundme dhe të njëpasnjëshme dhe e falënderoj për dhuntitë e Tij madhështore dhe mirësitë e panumërta.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi që do t’i rëndojë peshoret dhe do t’i mbushë fletët e veprave të mira.

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij,  me këtë dëshmi shpresojmë të fitojmë shpërblim të madh e të shumëfishuar. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij fisnikë e trima.

Në vijim

O ju muslimanë! Kini frikë Zotin me frikën e atij që është penduar dhe qëndron i palëkundur në rrugën e drejtë, dhe që ka braktisur gjynahet dhe gabimet. “Frikësojuni Allahut dhe dijeni se Allahu është me ata që ruhen nga të këqijat.” (El-Bekare 194)

O ju muslimanë! Nga shenjat e suksesit dhe udhëzimit hyjnor është që njeriu t’i korrigjojë gabimet e së kaluarës, të pendohet për lëshimet, të braktisë gjynahet dhe të kërkojë falje për gabimet. Në tekstet e qarta dhe argumentet e ndritshme fetare është nxitur vazhdimisht kërkimi i faljes nga Zoti. Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “Kërko ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (En-Nisa’ 106) Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “Dhe thuaj (o Muhamed!): “O Zoti im, fal dhe mëshiro, se Ti je më i miri i mëshiruesve!” (El-Mu’minun 118) Ibn Kethiri ka thënë: “Ky është një udhëzim nga Zoti për këtë lutje.” Nga Shedad Ibn Eusi, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Zotëria, forma më e mirë, e kërkimit falje tek Zoti është që njeriu të thotë: “O Allah Ti je Zoti im, s’ka Zot tjetër përveç Teje, Ti më ke krijuar dhe unë jam robi Yt. Unë jam në besën dhe në premtimin Tënd, aq sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtjen Tënde kundrejt së keqes që e kam vepruar. Begatitë e Tua unë i pranoj dhe gjynahet e mia unë i pranoj para Teje,  andaj më fal mua, sepse askush nuk i falën gjynahet e mia përveç Teje.”  Hadithin e ka transmetuar Buhariu.

Nga Abdullah Ibn Amri transmetohet se Ebu Bekri, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “O i dërguari i Allahut! Më mëso një lutje me të cilën të lutem në namazin tim.” Ai tha: “Thuaj: “O Zot, unë i kam bërë shumë padrejtësi vetes sime dhe askush nuk i fal gjynahet përveç Teje. “Thuaj: O Allah, unë i kam bërë padrejtësi vetes sime shumë, dhe askush nuk i fal mëkatet përveç Teje. Prandaj më fal me një falje nga ana Jote dhe më mëshiro, vërtet Ti je Falësi i Madh, Mëshirëploti.” Muttefekun alejhi.

Shejhul Islam Ibn Tejmije ka thënë: “Disa prej njerëzve të njohur për urtësinë dhe devotshmërinë kanë thënë: Robi duhet të kujdeset që të gjitha frymëmarrjet e tij të jenë dy llojesh: Një frymëmarrje në të cilën e falënderon Zotin e tij dhe një tjetër në të cilën kërkon falje për gjynahin e tij.”

O ju muslimanë! Kërkimi i faljes tek Zoti është tradita njerëzve të mirë dhe rruga e të zgjedhurve.

Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, prijësi i besimtarëve në Një Zot dhe babai i profetëve, ka thënë: “O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën, kur do të jepet llogari!” (Ibrahim 41)

Musai, bashkëbiseduesi i Allahut, dhe pse kishte pozitë të lartë dhe gradë madhështore, lutej: “O Zot! Më fal mua dhe vëllanë tim dhe na prano në mëshirën Tënde! Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve.” (El-A’raf 151)

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, shpeshtonte kërkimin e faljes, pendimin dhe kthimin tek Zoti në çdo kohë, ndonëse Allahu e kishte mbrojtur nga ndëshkimi dhe ia kishte falur gjynahet e kaluara dhe të ardhshme. Ai e bënte këtë për të shfaqur robërinë dhe përulësinë e tij ndaj Allahut, si dhe që umeti i tij ta merrte atë si shembull në vazhdimësinë e kërkimit të faljes dhe kthimit tek Allahu, i Vetmi dhe Ngadhënjimtari. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmeton se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “Pasha Zotin, unë i kërkoj falje Zotit dhe pendohem tek Ai më shumë se shtatëdhjetë herë në ditë.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu. Ebi Burdete transmeton nga një burrë prej muhaxhirëve, se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “O ju njerëz! Pendohuni tek Zoti dhe kërkoni falje prej Tij, sepse unë pendohem tek Zoti dhe kërkoj falje prej Tij njëqind herë në çdo ditë.” Hadithin e  ka transmetuar Ahmedi.

LEXO  Lutja: Etika, rregullat dhe vlerat e saj

Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të ata të dy, tregon se: “Ne i numëronim të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në një tubim të vetëm duke thënë njëqind herë: “Zoti im, më fal dhe ma prano pendimin, sepse Ti je Pranuesi i pendimit dhe Mëshiruesi.” Hadithin e  transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe.

Nëse kjo ishte gjendja e profetëve dhe të dërguarve, atëherë si duhet të jetë gjendja e atyre që neglizhojnë, shpërdorojnë, ata që zhyten në gjynahe dhe lënë pas dore bindjen ndaj Zotit?!

O ju muslimanë! Kërkimi i faljes tek Zoti është burim i të gjitha të mirave dhe origjina e veprave të mira. Përmes tij kërkohen furnizimi dhe begatitë. Istigfari, kërkimi falje tek Zoti, është shtim i besimit, gëzim për zemrën, rëndim i peshores së veprave të mira, forcim i trupit, shtim i pasurisë dhe i pasardhësve, si dhe mbrojtje nga të rëndat, brengat, vështirësitë dhe privimi. Nuhu, paqja e Zotit qoftë mbi të, duke këshilluar popullin e tij, ka thënë: “ E u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh 10–12) Transmetohet se Shabiu ka thënë: Omer Ibn Hatabi, Zoti qoftë i kënaqur me të, doli me njerëzit për të kërkuar shi nga Zoti dhe nuk bëri gjë tjetër veçse kërkoi falje, derisa u kthye. Njerëzit i thanë: “O prijësi i besimtarëve! Nuk të pamë duke kërkuar shi!” Ai u përgjigj: “Unë e kërkova shiun përmes çelësave të qiellit, me të cilët zbret shiu.” Këtë e transmeton Abdurezaku.

Një burrë iu ankua Hasanit El Basriut për thatësirën, ndërsa ai i tha: “Kërko falje nga Zoti!” Një tjetër iu ankua për varfërinë dhe ai i tha: “Kërko falje nga Zoti!” Një tjetër i tha: “Lute Zotin që të më furnizojë me një fëmijë!” Ai iu përgjigj: “Kërko falje nga Zoti!” Ndërsa një tjetër iu ankua për tharjen e kopshtit të tij dhe ai i tha: “Kërko falje nga Zoti!”

O ju muslimanë! Shpeshtimi i kërkimit të faljes është siguri nga frika, dritë në regjistrin e veprave dhe fshirje e gjynaheve të kaluara. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre dhe, Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij.” (El-Enfal 33) Disa nga njerëzit e dijes kanë thënë: “ Zoti ka zbritur dy garanci sigurie. Njëra prej tyre ka kaluar: I Dërguari i Allahut. Ndërsa tjetrën Zoti e ka lënë mes jush si mëshirë, kërkimin e faljes dhe pendimin.” Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Çudi me atë që shkatërrohet, ndërkohë që e ka shpëtimin pranë!” E pyetën: “ Kush është ai shpëtim?” Ai u përgjigj: “Kërkimi i faljes nga Zoti!” Nga Abdullah Ibn Busri, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Lum për atë që gjen në regjistrin e veprave të tij shumë kërkim falje tek Zoti!” Hadithin e ka transmetuar Ibn Maxhe.

O ju muslimanë! Zoti ka thirrur ata që bëjnë gjynahe dhe kanë kaluar kufijtë në gjynahe, të cilët e kanë tepruar në padrejtësi dhe janë zhytur në humbje, duke i ftuar të kthehen tek Ai, i ka thirrur në derën e mëshirës së Tij, i ka nxitur të afrohen pranë Tij dhe  ua ka bërë të ditur se dera e pendimit është e hapur. Robi nuk duhet të humbasë shpresën në mëshirën e Zotit, sado të mëdha të jenë të këqijat  e tij. Asnjë njeri që bën gjynahe nuk duhet të humbë shpresën nga mëshira dhe lehtësimi i Zotit,  sado të shumta të jenë gjynahet, sado të rënda të jenë veprat e këqija dhe sado shpesh të jenë përsëritur gabimet, qofshin ato edhe si shkuma e detit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Thuaju robërve të Mi, që i kanë bërë keq vetes me gjynahe, të mos e humbin shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Ez-Zumer 53)

LEXO  Zoti të sheh vazhdimisht - Shejh Husejn ibn Abdilazijz al Shejh - 14.09.2018

Zoti ka njoftuar robërit e Tij për faljen, butësinë, bujarinë, mëshirën dhe faljen e Tij të pakufishme. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Por Zoti yt është Falësi plot mëshirë.” (El-Kehf 58) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Zoti yt është Falës për njerëzit pavarësisht gjynaheve të tyre…” (Er-Ra’d 6) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (En-Nisa’ 110)  Kush bën një gjynah, qoftë i vogël apo i madh, pastaj pendohet sinqerisht, Zoti ia pranon pendimin.

Enesi, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmeton se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: Zoti i Madhëruar ka thënë: “O biri i Ademit! Përderisa ti më lute Mua dhe shpreson tek Unë, Unë do t’i fal të gjitha gjynahet që ke bërë dhe nuk më vjen vështirë (nuk më bëhet vonë). O biri i Ademit! Edhe sikur gjynahet e tua të arrijnë deri në retë e qiellit, e pastaj të më kërkosh falje, Unë do të të fal. O biri i Ademit! Edhe sikur të më vish me gjynahe sa e gjithë sipërfaqja e Tokës, e pastaj më takon pa më bërë shok në adhurim (pa shirk), Unë do të të vij me falje sa e gjithë ajo.”  Hadithin e transmeton Tirmidhiu dhe ka thënë se hadithi është i mirë.

“Kërkoj falje nga Zoti për gjynahet që kam shfaqur hapur, dhe për ato që kam fshehur në thellësinë e shpirtit.

Kërkoj falje nga Zoti për sa net që kanë kaluar, në të cilat kam bartur barrë të rëndë gjynahesh.

Kërkoj falje nga Zoti për shikimet e syve të mi, për pëshpëritjet e zemrës dhe për gjithçka që kam fshehur brenda vetes.

Kërkoj falje nga Zoti për sa herë e kam lënë pas dore bindjen ndaj Tij, me vetëdije, duke parapëlqyer dëshirat e mia.

Kërkoj falje nga Zoti  me besim dhe bindje të plotë, se Ai gjithmonë ka qenë Falës i madh i gjynaheve.”

Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” (Ta-Ha 82)

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë fitorja është për ata që tek Zoti kërkojnë falje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili i ka dhënë mbrojtje çdo njërit që tek Ai ka kërkuar mbrojtje. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai i trajton me mirësitë e Tij ata që kishin humbur shpresën për shërim nga sëmundja.

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Kush e pason atë është në rrugë të drejtë, e kush e kundërshton atë ka devijuar dhe në turpin e të kotës ka humbur. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, lutje dhe përshëndetje të përhershme dhe të vazhdueshme.

Në vijim

O ju musliman! Frikësojuni Allahut, ndiqeni Atë, binduni dhe mos e kundërshtoni Atë. “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” (Et-Teube 119)

LEXO  Zoti është Shëruesi ynë - Medina

O rob i Zotit! Sa gjynahe ke bërë dje, ndërkohë që Zoti t’i ka mbuluar, fshehur, me mëshirën e Tij! Frikësoju Zotit, të Cilit nuk i fshihet asgjë nga veprat e tua të dukshme dhe të fshehta, dhe pendohu për gjynahin tënd, sepse Zoti, pas pendimit, ta fal atë.

Ata që kërkojnë falje me sinqeritet janë ata që kërkojnë falje dhe pastaj nuk kthehen më tek ai gjynah,  pendohen dhe nuk e prishin pendimin e tyre, heqin dorë nga gjynahet dhe nuk u rikthehen atyre, marrin vendim të vendosur dhe nuk tërhiqen prej tij. Kush kërkon falje vetëm me gjuhën e tij ndërsa zemrën e ka të lidhur me gjynahin dhe vendosmërinë për t’u kthyer përsëri tek gjynahet, atij i është mbyllur dera e suksesit dhe udhëzimit.

Ai që nga kërkimi i faljes nuk nxjerr si fryt shpejtimin drejt pendimit, braktisjen e këmbënguljes në gjynah, largimin nga padrejtësia dhe shtypja, si dhe heqjen dorë nga gjynahet dhe gënjeshtrat, ai është i paditur dhe i mashtruar. Abdullah Ibn Shekik ka thënë: “Njerëzit janë tre llojesh: Njeriu që bën një vepër të mirë dhe shpreson shpërblimin e saj. Njeriu që bën një vepër të keqe, pastaj pendohet dhe shpreson faljen. Ndërsa i treti është njeriu gënjeshtar, i cili vazhdon të zhytet në gjynahe dhe thotë: “Shpresoj faljen e Zotit.”

Kush e njeh veten për shkak të gabimeve dhe gjynaheve të tij, duhet që frika nga Zoti të jetë për të më e madhe se shpresa tek Ai.

O ju muslimanë! Kush pendohet sinqerisht, por më pas mposhtet nga shejtani dhe kthehet përsëri tek gabimet dhe gjynahet, le të kthehet sërish tek pendimi dhe kërkimi i faljes nga Zoti. Hasan El Basriut i kanë thënë: “A nuk turpërohet ndonjëri prej nesh para Zotit të tij, kur kërkon falje për gjynahet, pastaj kthehet përsëri tek ato, kërkon falje sërish dhe pastaj përsëri kthehet në gjynahe?” Ai ka thënë: “Shejtani do të dëshironte shumë që t’ia arrinte këtë qëllim me ju! Prandaj, mos u lodhni kurrë nga kërkimi i faljes tek  Zoti!” Gjithashtu ka thënë: “Shtojeni kërkimin e faljes në shtëpitë tuaja, pranë sofrave tuaja, në rrugët tuaja, në tregjet tuaja dhe në tubimet tuaja, kudo që të gjendeni, sepse ju nuk e dini se kur do të zbresë falja e Zotit.”

Transmetohet se Rabi Ibn Huthejmi shokëve të tij u ka thënë: “Kush është sëmundja? Kush është ilaçi? Dhe kush është shërimi?” Ai vetë u përgjigj: “Sëmundja janë gjynahet, ilaçi është kërkimi i faljes nga Zoti, ndërsa shërimi është të pendohesh dhe të mos kthehesh më tek gjynahet.”

Lutuni dhe dërgoni selame për të lavdëruarin, udhëzuesin dhe ndërmjetësuesin e vetëm për nevojtarët. Kush bie salavat një herë për të, Allahu do bie dhjetë herë salavat për të. O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin dhe zotërinë tonë Muhamedin, përgëzuesin e mëshirës dhe shpërblimit, paralajmëruesin e ndëshkimit dhe dënimit, ndërmjetësuesin të cilit do t’i pranohet ndërmjetësimi në Ditën e Gjykimit.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë, udhëheqësit e  drejtë, njerëzit e nderuar dhe të ngritur, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë familjarët dhe shokët e tij, dhe me ne së bashku me ta, o Bujar, o Dhurues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë, politeistët  dhe  shkatërro armiqtë e fesë.

O Zot, ruaj vendin tonë, mbretërinë e Arabisë Saudite, dhe të gjitha vendet muslimane nga intrigat e intrigantëve dhe kurthet e komplotistëve, o Zot i botëve!

O Zot, jepi sukses udhëheqësit  dhe kujdestarit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Ti do dhe je i kënaqur me të, udhëzoje atë drejt mirësisë dhe devotshmërisë!

O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në atë që është lavdia e Islamit  dhe përmirësimi i muslimanëve, o Zoti i Botëve.

O Zot, ruaj ushtarët tanë, mbro kufijtë tanë, ndihmo ushtritë tona, forco vendosmërinë e tyre, drejto shënjestrën e tyre, forco këmbët e tyre,  mbushi zemrat e tyre me qëndrueshmëri dhe ndihmoji ata përballë popullit  zullumqarë, të padrejtë!

O Zot, shëro të sëmurët e tyre, shpëto të plagosurit e tyre, prano të vdekurit e tyre në mesin e dëshmorëve dhe ruaj bashkëshortet, fëmijët, familjarët dhe prindërit e tyre, o Ti që i dëgjon lutjet!

O Zot, të lutemi të jesh kundër huthijëve keqbërës dhe shkatërrimtarë!

O Zot, mposht huthijinët, përkrahësit, ndihmësit, ithtarët dhe aleatët e tyre! O Zot, mos lejo që ata të ngrenë më flamur në Jemen,  bëj që të mos realizohen qëllimet e tyre dhe bëj ata shembull dhe mësim për ata që vijnë pas tyre!

O Zot, shpërndaj bashkimin e tyre, përçaj radhët e tyre, asgjëso intrigat e tyre dhe krijo përçarje ndërmjet zemrave të tyre!

O Zot, kthe kurthin e tyre kundër vetë atyre, bëj që në zjarrin e tyre të digjen ata vetë dhe shkatërroji plotësisht!

O Zot, bëj komplotin e tyre shkatërrim për ta, çështjet e tyre në rënie dhe përpjekjet e tyre në humbje. Vërtet, Ti je i Larti, Madhështori!

O Zot, të lëmë Ty përballë tyre dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga të këqijat e tyre!

O Zot, shëro të sëmurët tanë, jepu shëndet atyre që janë të sprovuar dhe mëshiro të vdekurit tanë, o Zot i botëve!

O Zot, pastroje xhaminë Aksa nga ndyrësia e pushtuesve dhe agresorëve!

O Zot, bëj lutjet tona të dëgjuara dhe thirrjet tona të ngritura lart tek Ti, o Bujar, o i Madhërishëm, o Mëshirues.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1751595650300441/1830475365753984

Post Author: endrit