Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 26-05-1448 H 06-11-2026 D
Shejh Mahir El Muajkili
Tema Kërkimi i shpërblim nga Zoti… kur e gjithë jeta shndërrohet në adhurim
Lavdërimet janë për Zotin, Bujarin dhe Dhuruesin e Madh, Zotëruesi i mirësive dhe bamirësive të pakufishme, i Cili shumëfishon shpërblimin e veprave të mira dhe bekon punët sipas qëllimeve, nijeteve. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj për begatitë e Tij të njëpasnjëshme dhe mirësitë e Tij të panumërta.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Ai u ka premtuar robërve të Tij besimtarë shpërblim të madh, dhe u ka dhuruar mirësi duke ua shumëfishuar sevapet dhe u përgatitur përfundim të mirë.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Njeriu që më së shumti i frikësohej Zotit të tij dhe më i sinqeriteti prej tyre në qëllimet e tij dhe njeri që ishte më i përkushtuari në kërkimin e shpërblimit të Zotit. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Kijametit.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Këshilloj ju dhe veten time që të kemi frikë Zotin sepse frika ndaj Tij, devotshmëria, është furnizimi më i mirë, rruga drejt udhëzimit dhe shkaku i shpëtimit në Ditën, kur do të sillen dëshmitarët, Ditën e Gjykimit. “ O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al Imran 102)
Umeti Islam! Nga mëshira e Zotit të Madhëruar ndaj robërve të Tij është se Ai ua ka hapur dyert e shpërblimit, ua ka lehtësuar rrugët e mirësisë dhe i ka dhënë rëndësi të jashtëzakonshme nijetit të sinqertë. Sikurse ka ardhur në hadithin e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Veprat shpërblehen vetëm sipas qëllimeve dhe çdo njeriu i takon ajo që ka pasur për qëllim.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Përmes nijetit të mirë, njeriu mund të shpërblehet për një vepër të vetme me shumëfishim të sevapeve. Sikurse një veprim i zakonshëm dhe i lejuarmund të shndërrohet në një nga veprat më të mëdha të adhurimit dhe afrimit tek Zoti. Sa shumë vepra të vogla janë bërë të mëdha në shpërblim për shkak të nijetit të mirë! Dhe sa shumë vepra të mëdha u është mohuar shpërblimi atyre që i kanë kryer për shkak të prishjes së nijetit! Madje, njeriut mund t’i shkruhet shpërblimi i një vepre që nuk e ka kryer, për shkak të nijetit të sinqertë dhe dëshirës së tij për të fituar kënaqësinë e Zotit.
Në Sahihun e Buhariut, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kur robi sëmuret ose udhëton, shpërblimi i shkruhet njësoj siç ka punuar sa ka qenë vendas, në shtëpi, dhe i shëndoshë.” Hadithin e tansmeton Buhariu.
Vëllezër të besimit! Vërtetë përmes nijetit të sinqertë për shpërblimin nga Zoti ndaj veprave të mira realizohet qëllimi madhështor për të cilin jemi krijuar. “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Edh-Dharijat 56) Adhurimi nuk është i kufizuar vetëm në veprat e dukshme, si namazi, agjërimi, haxhi dhe zekati, por se e gjithë jeta e muslimanit mund të jetë adhurim, nëse me fjalët dhe veprat e tij synon kënaqësinë e Zotit të tij. “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.” (El-En’am 162–163)
Shokët e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e kishin kuptuar mirë pozitën dhe rëndësinë e kërkimit të shpërblimit të Zotit në çdo vepër. Në Sahihun e Buhariut transmetohet se Muadhi i tha Ebu Musa El-Esh’ariut: “Si e lexon Kuranin?” Ai u përgjigj: “E lexoj duke qëndruar në këmbë, ulur dhe kur jam mbi kafshën time të udhëtimit.” Muadhi, i cili ishte nga më të diturit e këtij umeti për çështjet e hallallit dhe haramit, tha: “Sa për mua, unë fle dhe ngrihem për namaz, dhe shpresoj të shpërblehem për gjumin tim ashtu siç shpresoj të shpërblehem për namazin tim.” D.m.th ai shpreson shpërblimin e Zotit dhe për gjumin e tij sikurse shpreson shpërblimin e të qëndruarit zgjuar, sepse ai me gjumin synon të marri fuqi dhe energji për t’u ngritur në namaz nate.
Kështu ishin shokët e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ata jepnin pasuritë më të dashura për ta, duke kërkuar kënaqësinë e Zotit të tyre. Nga format më madhështore të kërkimit të shpërblimit është altruizmi kur njeriu vetë ka nevojë, si dhe ofrimi i mirësisë pa pritur shpërblim apo falënderim nga njerëzit. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se një burrë erdhi tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe i tha: “Jam shumë i lodhur dhe i rraskapitur.” D.m.th, unë jam në vështirësi, i lodhur dhe në vuajtje nga uria e madhe. I dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dërgoi dikë tek gratë e tij, për të kërkuar për të. Por të gjitha thanë: “Pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, nuk kemi asgjë tjetër përveç ujit!” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha: “Kush mund ta presë sonte këtë mysafir, Zoti e mëshiroftë?” Një burrë nga Ensarët u ngrit dhe tha: “Unë, o i dërguari i Allahut!” Ai e mori mysafirin dhe shkoi në shtëpinë e tij. Pastaj e pyeti gruan: “A kemi diçka për të ngrënë?” Ajo iu përgjigj: “Jo, përveç ushqimit që kemi për fëmijët tanë.” Ai i tha: “Gjej diçka për t’i mbajtur fëmijët të zënë dhe, kur të hyjë mysafiri ynë, fike kandilin dhe bëje të mendojë se edhe ne po hamë.” Kështu, ata u ulën së bashku dhe mysafiri hëngri, ndërsa ata vetë nuk hëngrën. Të nesërmen në mëngjes, burri shkoi tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha: “ Zoti është mahnitur nga ajo që keni bërë ju të dy me mysafirin tuaj mbrëmë!” Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
O besimtarë! Kërkimi i shpërblimit të Zotit nuk kufizohet vetëm tek sadakaja dhe dhurimet, por se portat e tij janë shumë më të gjera, nëse nijeti është i sinqertë. Në dy koleksionet e sakta të haditheve, Buhariu dhe Muslimi, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kur njeriu shpenzon për familjen e tij, duke shpresuar shpërblimin e Zotit, ajo i llogaritet si sadaka.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i tha Sa’d ibn Ebi Vekkasit, Zoti qoftë i kënaqur me të: “Ti nuk do të shpenzosh asnjë pasuri duke kërkuar me të kënaqësinë e Zotit, përveçse do të shpërblehesh për të, madje edhe për kafshatën që vendos në gojë të gruas tënde.”
Shpenzimi për familjen është detyrim, por megjithatë i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na ka treguar se ky shpenzim bëhet sadaka dhe vepër me shpërblim, nëse njeriu e bën me nijet të mirë duke kërkuar kënaqësinë e Zotit.
Prandaj, fjala e mirë është sadaka, sjellja e mirë me bashkëshorten dhe familjen është vepër afrimi tek Zoti, përkujdesja për nevojat e familjes është adhurim dhe çdo gjë që njeriu e bën nga veprat e lejuara mund të shndërrohet, përmes nijetit të mirë, në vepra të mira dhe adhurime.
Madje, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u tha shokëve të tij: “Edhe marrëdhënia intime e secilit prej jush është sadaka.” Ata pyetën: “O i Dërguari i Allahut! A edhe kur ndonjëri prej nesh e përmbush dëshirën e tij intime, merr shpërblim për këtë?” Ai u përgjigj: “Çfarë mendoni, nëse ai do ta bënte këtë në mënyrë të ndaluar, a do të kishte gjynah? Po kështu, kur e bën në mënyrë të lejuar, ka shpërblim.” Hadithin e transmeton Muslimi.
Vëllezër në besim! Vërtet është humbje e madhe që njeriu të shpenzojë kohën, mundin dhe pasurinë e tij në vepra bamirësie dhe mirësi, e pastaj neglizhojnë llogarinë e shpërblimit të Zotit për to, duke e lidhur zemrën e tij me lavdërimet dhe falënderimet e njerëzve. Nëse njerëzit nuk ia njohin të mirën, nuk ia vlerësojnë mundin apo nuk e falënderojnë siç duhet, atij mund t’i dobësohet vullneti dhe madje mund të heqë dorë nga bamirësia.
Prandaj, o adhurues të Zotit! Ripërtërini qëllimet tuaja dhe llogarisni shpërblimin e Zotit në të gjitha veprat tuaja, sepse Zoti juaj është Bujar dhe nuk ia humb shpërblimin askujt që bën vepra të mira. “Por shpërblimi i Allahut është më i mirë dhe më i përhershëm…” (Esh-Shura 36)
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (En-Nahl 97)
Zoti na begatoftë të gjithëve në Kuranin Famëlartë dhe sunet, na bëftë dobi të gjithëve nga argumentet dhe urtësitë e tyre të qarta.
Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju. “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh.” (Nuh 10)
Hutbeja e dytë
Zotin e lavdërojmë për mirësitë e Tij, falënderimet i takojnë Allahut për suksesin dhe bujarinë e Tij. Ai ka bërë të shumta dyert e mirësisë dhe të lehta rrugët e shpërblimit.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.
Në vijim
O besimtarë! Nga fushat ku njeriu mund të shpresojë shpërblimin e Zotit është fusha e sprovave dhe fatkeqësive, kur shqetësimet shtohen, brengat grumbullohen dhe robi nuk gjen strehim tjetër përveçse tek Zoti.
Nga mënyrat për të shpresuar robi shpërblimin e Zotit është që ai të bëjë durim ndaj asaj që e godet, të mos kundërshtojë caktimin dhe paracaktimin e Zotit dhe të mos e humbasë shpresën në mëshirën e Zotit të tij.
Në Sahihun e Buhariut transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: Robi Im besimtar nuk ka tek Unë shpërblim tjetër, kur ia marr të dashurin e tij nga njerëzit e kësaj bote dhe ai bën durim duke shpresuar shpërblimin Tim, përveçse Xhenetit.” Ndërsa tek dy koleksionet autentike, të sakta, Buhari dhe Muslimi, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Muslimanin nuk e godet as lodhja, as sëmundja, as shqetësimi, as pikëllimi, as dëmtimi dhe as brenga, madje as gjembi që e shpon, veçse Allahu ia shlyen me të disa prej gjynaheve të tij.”
O ti që të janë ngushtuar rrugët dhe të kanë shteruar mundësitë! Ki mendim të mirë për Zotin tënd, ndërmerr shkaqet që të çojnë drejt lehtësimit dhe kujtoje përgëzimin e Zotit për ata që bëjnë durim dhe shpresojnë shpërblimin e Tij. Zoti i nderon ata me bekimet, mëshirën dhe udhëzimin e Tij, ua ngre gradat dhe ua shlyen gjynahet. Zoti ka thënë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” (El-Bekare 155–157)
O besimtarë! Një nga gjërat më të mëdha që e nxit besimtarin të kërkojë shpërblimin e Allahut është krahasimi ndërmjet kënaqësive kalimtare të kësaj bote dhe shpërblimit të përhershëm të botës Tjetër, Ahiretit. “Por shpërblimi i Allahut është më i mirë dhe më i përhershëm…” (Esh-Shura 36) Ajo është më e mirë për nga cilësia dhe vlera, dhe më e qëndrueshme për nga ndikimi. Është më e mirë për nga shpërblimi dhe më e përhershme për nga vazhdimësia. Ajo është më e mirë se gjithçka për të cilën garoni në këtë botë dhe më e qëndrueshme se gjithçka që frikësoheni se mund t’ju humbasë.
Sado që të zgjasë kjo botë është e shkurtër, sado që të ndriçojë do të perëndojë. Njeriu sado që të ketë në të shkaqe të rehatisë dhe kënaqësisë, patjetër do të vijë dita kur ai do të ndahet prej saj ose ajo do të ndahet prej tij. Ndërsa ajo që Zoti ka përgatitur për besimtarët është një mirësi që nuk ndërpritet dhe një begati që nuk shteron. “Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore.” (Et-Teube 72)
O besimtarë, dijeni se Allahu ju ka urdhëruar për një vepër fisnike, të cilën e ka nisur me Veten e Tij, ku i Plotëfuqishmi dhe Bujari ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e mëshirove familjen e Ibrahimit.
O Zot, bekoje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e bekove familjen e Ibrahimit, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhërishëm.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij dhe tabi’inët, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Kijametit, dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, bëj këtë vend të begatë, të siguri, të qetë dhe të stabilizuar dhe të gjitha vendeve muslimane.
O Zot, na jep siguri në vendit tonë, jepu sukses udhëheqësve dhe kujdestarëve të çështjeve tona, mbështet me të vërtetën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Ti do dhe je i kënaqur me të. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij besnik, në atë që është lavdia e Islamit dhe përmirësimi i muslimanëve, dhe në atë që është në të mirë të vendit dhe popullit.
O Zot, shpërbleji ata të dy me shpërblimet më të mira për atë që ata japin në shërbim të dy xhamive të shenjta dhe për ata që synojnë vizitat e tyre. O Zot, shpërbleji ata të dy me shpërblimet më të mira për atë që japin për Islamin dhe muslimanët, me Mëshirën, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, ruaj tek ne fenë tonë, udhëheqësit tanë dhe sigurinë tonë. O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë dhe mbrojtjes tonë dhe atyre që vigjilojnë në kufijtë tanë. O Zot, jepu atyre fitore mbi armikun Tënd dhe armikun e tyre, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar, o Zotërues i Madhërisë dhe Nderit.
O Zot, të lutemi të jesh kundër huthijive agresorë dhe atyre që i ndihmojnë ata! O Zot, kthe komplotin e tyre kundër vetë atyre dhe bëje planifikimin e tyre shkatërrim për ta!
O Zot, largo fatkeqësitë nga banorët e Jemenit, ndihmoi ata kundër huthijive zullumqarë dhe dhuroju siguri e stabilitet, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues!
O Zot, lehtëso vuajtjet e vëllezërve tanë në Palestinë. O Zot, të lutemi që të jesh për ata mbrojtje dhe ndihmues, mbështetës dhe përkrahës. O Zot, ruaj xhaminë Aksa nga sulmet e shtypësve dhe agresioni i pushtuesve, bëje atë krenare dhe të nderuar deri në Ditën e Gjykimit.
O Zot, na dhuro sinqeritet në qëllime, përmirësim në vepra dhe pastërti të nijetit në fshehtësi dhe në publik, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues!
O Zot, të lutemi për udhëzim, devotshmëri, dëlirësi dhe pavarësi nga njerëzit!
O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj