Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 03-06-1448 H 13-11-2026 D
Shejh Urvetu Ikrime Sabri
Tema “ Prandaj, a po hiqni dorë? ”
Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë, udhëzim dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. “Sa për atë, që Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë, pikërisht ai është i udhëzuari. E sa për atë, që Ai e lë në humbje, ti, me siguri, nuk do të mund t’i gjesh mbrojtës që ta udhëzojë.” (El-Kehf 17)
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na bekoi me mirësinë e Islamit dhe na dërgoi më të mirin e njerëzimit, Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili nderoi bijtë e Ademit dhe i dalloi nga krijesat e tjera me anë të mendjes dhe të kuptuarit.
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili lejoi për ne ushqimet dhe pijet e mira dhe ndaloi gjërat e ndyra.
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ndaloi për ne alkoolin, pijet dehëse, drogat dhe tregtinë me to.
“Kam parë alkoolin të shfrenuar, e në të ka cilësi që shkatërrojnë dhe njeriun më të urtë.
Jo, për Zotin, nuk do e pi kur jam i shëndetshëm dhe nuk do kërkoj shërim me të kur të jem i sëmurë.
Nuk do jap jetën time si çmim për të dhe kurrë nuk do ftoj askënd të më shoqërojë në të.”
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Atij i takon pushteti dhe lavdërimi, Ai është i fuqishëm për të bërë çdo gjë.
Dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Zotit, udhëheqësi i njerëzve të devotshëm, modeli i njerëzve të ditur puntorë dhe shembulli i thirrësve të sinqertë deri në ditën e Kijametit. O Zot, fale dhe mëshiroje zotërinë tonë, Muhamedin në këtë botë, fale dhe mëshiroje atë në botën Tjetër, Ahiret, fale dhe mëshiroje atë në pozitën më të lartë deri në Ditën e Gjykimit.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71)
Në vijim
Zoti i Lartësuar dhe Fuqiplotë në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, thotë: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?” (El-Ma’ide 90–91)
Adhurues të Zotit! Nga bukuritë dhe veçoritë e fesë madhështore Islame është fakti se ajo ka ardhur për të ruajtur interesat e ligjshme të njerëzve dhe për t’i mbrojtur ata nga dëmet dhe të këqijat. Për këtë arsye, Islami ka ruajtur pesë domosdoshmëritë themelore të jetës së njeriut, të cilat janë: feja, jeta, pasardhësit, mendja dhe pasuria. Me ruajtjen e këtyre domosdoshmërive, jeta e njerëzve është e qëndrueshme, e rregullt, ndërsa me humbjen e tyre ajo çrregullohet.
O ju muslimanë! Mendja është njëra ndër domosdoshmëritë që Islami ka ardhur për ta mbrojtur. Mendja është ajo që e dallon njeriun nga krijesat e tjera dhe mbi të mbështetet përgjegjësia e tij fetare. Për këtë arsye, Islami ia ka ndaluar muslimanit konsumimin e çdo gjëje që dëmton mendjen e tij, si pijet dehëse dhe drogat, në mënyrë që ai të ruajë pjesën njerëzore të tij dhe dinjitetin e tij dhe të jetë pjesëtar i dobishëm dhe prodhimtar për shoqërinë e vet. Gjithashtu, Islami e ka mbrojtur mendjen nga bestytnitë dhe mendimet e devijuara, duke ndërtuar një mendim të shëndoshë dhe besim të drejtë.
Adhurues të Zotit! Ndalimi i konsumimit të alkoolit dhe i pijeve dehëse është vërtetuar me argumente të prera nga Kurani Famëlartë dhe suneti i profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Sikurse ligjshmëria e dënimit për veprën e pirjes së alkoolit është vërtetuar përmes sunetit praktik të përcjellë në rrugë të shumta dhe të vazhdueshme në kuptim. E kjo me qëllim të parandalimit të kësaj vepre dhe mbrojtjes së shoqërisë nga rreziqet e saj. Shtuar kësaj, pirja e alkoolit konsiderohet nga gjynahet e mëdha, për të cilat Zoti ka kërcënuar vepruesin me dënim në Ahiret. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Çdo gjë dehëse është e ndaluar. Zoti i Madhëruar ka premtuar se atij që pi pije dehëse do t’i japë për të pirë nga Tinëtul-Habal.” Sahabet pyetën: “O i dërguari i Allahut, çfarë është Tinëtul-Habal?” Ai u përgjigj: “Është djersa e banorëve të Zjarrit të Xhehenemit.” Në një transmetim tjetër: “ose shtrydhja (lëngu i qelbit dhe gjakut) nga banorët e Zjarrit.”
Gjithashtu, ai që pi alkool privohet nga kënaqësia e Xhenetit. Abdullah Ibn Omeri transmeton se profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush pi alkool në këtë botë dhe nuk pendohet prej tij, do të privohet nga ai në Ahiret, nuk do të pijë nga ai.”
Alkooli është cilësuar gjithashtu si nëna e të gjitha të këqijave. Othmani, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: “Largohuni nga alkooli, sepse ai është nëna e të gjitha të këqijave.” Ai gjithashtu ka thënë: “Largohuni nga alkooli, sepse, për Zotin, alkooli dhe imani nuk mund të bashkohen kurrë.”
O ju muslimanë! Ndalimi i alkoolit përfshin të gjitha llojet e pijeve dehëse dhe të drogave, pavarësisht emërtimeve të ndryshme që mund të kenë, qofshin në formë të lëngshme apo të ngurtë. Ndalimi përfshin, të gjitha mënyrat e përdorimit të tyre: pirjen, ngrënien, injektimin apo thithjen përmes hundës. Po ashtu, nuk ka rëndësi nëse konsumohen veçmas apo të përziera me ushqime dhe pije të tjera.
Abdullah Ibn Omeri transmeton se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Çdo gjë dehëse është alkool dhe çdo gjë dehëse është e ndaluar.”
Sikurse pijet dehëse kanë të njëjtin gjykim fetar, pavarësisht nga lënda prej së cilës prodhohen. Nga Nu’man Ibn Beshiri transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtet, nga rrushi prodhohet alkooli, nga hurmat prodhohet alkooli, nga mjalti prodhohet alkooli, nga gruri prodhohet alkooli dhe nga elbi prodhohet alkooli.”
Ndalimi i pijeve dehëse vlen si për sasi të vogla ashtu edhe për sasi të mëdha, madje edhe nëse sasia e vogël nuk shkakton dehje. Nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, transmetohet se ka thënë: “Ajo që në sasi të madhe shkakton dehje, edhe në sasi të vogël është e ndaluar.” Sikurse ndalimi përfshin gjithashtu të gjitha lëndët, preparatet dhe barnat që shkaktojnë mpirje, dobësim të vetëdijes dhe që mund të çojnë drejt gjendjes së dehjes. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka ndaluar çdo gjë dehëse dhe çdo gjë që shkakton mpirje e dobësim të vetëdijes.
Adhurues të Zotit!! Për ta theksuar dhe më shumë ndalimin e alkoolit, Sheriati islam ka ndaluar çdo veprimtari që lidhet me të. Pra, ndalimi nuk kufizohet vetëm te pirja e tij, por përfshin prodhimin, shitjen, blerjen dhe transportimin e tij. Transmetohet se Enesi ka thënë: “I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka mallkuar dhjetë persona që kanë lidhje me alkoolin: Prodhuesin e tij, atë që kërkon të prodhohet për të, atë që e pi, atë që e transporton, atë tek i cili transportohet, atë që e shërben, shitësin e tij, atë që e konsumon fitimin e tij, blerësin e tij dhe atë për të cilin blihet.” Ebu Hurejra transmeton se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtet, Zoti ka ndaluar alkoolin dhe çmimin e tij, ka ndaluar të ngordhurën dhe çmimin e saj, dhe ka ndaluar mishin e derrit dhe çmimin e tij.”
Duke u bazuar në këtë, shitja e alkoolit, pijeve dehëse dhe drogave, si dhe pjesëmarrja në veprimtari që lidhen me to në restorante dhe hotele, konsiderohen nga rrugët e ndaluara për fitimin e pasurisë. Kjo është pasuri e pisët, e cila i sjell pronarit të saj fatkeqësi në këtë botë dhe dënim në Ahiret.
O ju muslimanë! Nga rreziqet që kërcënojnë shoqërinë tonë të Kudsit, veçanërisht rininë, është dukuria e konsumimit të drogës. Dukuri kjo që është përhapur kohët e fundit ku droga ka filluar të shitet haptazi në rrugët e qytetit tonë të shenjtë.
Rreziku i drogës, përveç ndalimit të saj të prerë në fe, qëndron edhe në faktin se këto lëndë shkaktojnë varësi dhe sjellin dëmtime të shumta në sistemin nervor të njeriut. Gjendja e përdoruesit mund të përfundojë deri në çrregullime të rënda mendore apo edhe në vdekje. Përdorimi i drogës sjell gjithashtu dëme ekonomike dhe shoqërore. Sa e sa njerëz të varur nga droga kanë humbur punën dhe mendjen e tyre, duke u bërë barrë për të tjerët dhe duke lypur para për të siguruar lëndën që ua qetëson përkohësisht vuajtjet e varësisë!
Sa e sa familje janë shkatërruar dhe shpërngulur, ndërsa fëmijët e tyre kanë devijuar për shkak të kësaj dukurie!
O ju muslimanë! Nga format e përdorimit të drogës në ditët e sotme është konsumimi i tabletave narkotike, të cilat në rrethana normale shiten në farmaci me receta mjekësore për qëllime terapeutike.
Kjo bëhet në përpjekje për t’i dhënë kësaj vepre mbulesë të ligjshme nga ana juridike dhe shoqërore. Për këtë arsye, nga pikëpamja fetare, nuk lejohet lëshimi i recetave mjekësore për barna narkotike pa shqyrtuar me kujdes gjendjen shëndetësore të pacientit dhe pa pasur një arsye bindëse mjekësore. Sikurse nuk lejohet që këto barna të jepen në farmaci pa recetë mjekësore dhe pa verifikuar gjendja e personit që dëshiron t’i blejë ato.
O ju muslimanë! Ekzistenca e dukurisë së përdorimit të drogës përbën një sfidë dhe rrezik serioz për të ardhmen e rinisë sonë. E kjo kërkon që të bëhet një përforcim i besimit dhe i sjelljes së drejtë, në mënyrë që të përballemi me këtë dukuri. Sepse arsyeja pse disa të rinj bien në kënetën e drogës është boshllëku shpirtëror dhe fetar, si dhe mungesa e ndërgjegjes fetare, e cila duhet ta pengojë të riun që t’i bëjë dëm vetes dhe familjes së tij.
Prandaj, kërkohet prej nesh që t’i lidhim të rinjtë tanë me xhamitë dhe me qendrat e mësimit të Kuranit Famëlartë, sepse ato janë mjedise të sigurta për edukimin e shëndoshë.
Krahas kësaj, rolin kryesor dhe të pazëvendësueshëm duhet ta luajë edhe familja. Edukimi mbi bazat e besimit dhe ndihma e Zotit, para së gjithash, janë garancia për parandalimin e dukurisë së përdorimit të drogës dhe të dukurive të tjera negative, të cilat përbëjnë një rrezik të vërtetë për shoqërinë tonë.
Zoti na bëftë dobi të gjithëve përmes Kuranit Famëlartë dhe ajeteve e këshillave të tij të urta.
Kërkoni falje prej Zotit, sepse Ai është Falësi i Madh dhe Mëshirëploti.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë Allahun, Zotin e botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi të dërguarin e Zotit, besnikun, mbi familjen e tij, të gjithë shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Ajo që kërkohet nga të gjithë ne për të kuruar dukurinë e përdorimit të drogës është përhapja e vetëdijesimit tek fëmijët dhe të rinjtë tanë, duke i paralajmëruar për rreziqet dhe dëmet e kësaj fatkeqësie. Kjo duhet të bëhet përmes aktivizimit të rolit të shkollave, institucioneve arsimore, xhamive dhe figurave me ndikim në rrjetet sociale.
Sikurse është e domosdoshme që organet e drejtësisë të kenë një rol ndikues dhe aktiv në përballjen me këtë dukuri. Po ashtu, duhet të punohet për trajtimin mjekësor dhe përcjelljen shëndetësore të atyre që janë prekur nga varësia, përmes qendrave të specializuara. Kjo kategori njerëzish nuk duhet të lihet në mëshirë të fatit, drejt çmendurisë apo vdekjes. Po ashtu është e domosdoshme që familjarët të bashkëpunojnë dhe të mbështesin familjet e zhytura në problemin e varësisë, me qëllim që t’i shpëtojnë dhe t’i ndihmojnë të përmirësojnë gjendjen e tyre. O Zot, ruaj të rinjtë tanë nga sprovat, ato që janë të dukshme dhe ato që janë të fshehta!
O Zot, ruaj ata nga rreziku i drogës dhe i pijeve dehëse!
O Zot, ruaj muslimanët nga kurthet e tregtarëve dhe shpërndarësve të drogës, dhe nga kurthet e armiqve të fesë!
O Zot, na fal, na mëshiro, na udhëzo dhe lehtëso rrugën e udhëzimit për ne!
O Zot, bëj Kuranin pranverë të zemrave tona, dritë të kraharorëve tanë, largues të pikëllimeve tona dhe zhdukësi i brengave tona!
O Zot, ruaj për ne xhaminë e bekuar Aksa nga çdo e keqe, bëje atë të mbushur me Islam e muslimanë! O Zot, na shkruaj shpërblimin e atyre që qëndrojnë në mbrojtje të saj deri në Ditën e Gjykimit!
O Zot, na dhuro dituri të dobishme, zemër të përulur, gjuhë që të përmend Ty dhe vepra të mira të pranuara!
O Zot, mëshiro të dobëtit dhe të shtypurit kudo që ndodhen, largo fatkeqësinë prej tyre, o Zot i botëve! O i Gjallë, o Mbajtës i gjithçkaje, me mëshirën Tënde kërkojmë ndihmë!
O Zot, fali besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre, dhe bëje që përfundimi i veprave tona të jetë me vepra të mira!
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju. Falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.
Lutja jonë e fundit është: Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve.
Fto për namazin, Zoti të mëshiroftë.
Afrim Smakaj