Arsimi dhe ndërtimi i së ardhmes

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    22-03-1448 H     04-09-2026 D

Shejh Abdul Bari  Ibn Avad Eth-Thubejti 

Tema     Arsimi dhe ndërtimi i së ardhmes

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili e ka bërë dijen rrugë drejt Xhenetit. Zotin e Lartësuar e falënderojmë dhe e lavdërojmë, Atij i takon mirësia dhe begatia. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, durimi i çdo të mire dhe çdo begatie.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, udhërrëfyesi ynë drejt udhëzimit të drejtë dhe sunetit. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, pishtarët e dijes dhe dritat e krenarisë.

Në vijim

Këshilloj ju dhe veten time me porosinë më madhështore, devotshmërinë ndaj Zotit, këshillë me të cilën Allahu ka porositur të parëve dhe të fundit dhe e ka përjetësuar në Librin e Tij të qartë, për shkak të madhështisë, rëndësisë dhe ndikimit të saj të madh. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush dhe juve: “Frikësojuni Allahut!” (En-Nisa, 131)

Kush e përmbush këtë porosi, shpëton, kush i përmbahet asaj, ngrihet në gradë, ndërsa kush e neglizhon e humbet rrugën dhe bie.

Me agimin e vitit të ri shkollor, institucionet e dijes janë përgatitur për të pritur nxënësit dhe nxënëset, shpresën e umetit dhe ndërtuesit e së ardhmes. Fjala e parë që zbriti nga shpallja ishte: “Lexo me emrin e Zotit tënd…” (El- ‘Alek 1)

Kjo sepse ndërtimi i besimit dhe i njeriut të mirë fillon nga dija. Përmes dijes nxënësi njeh Zotin e tij, kupton fenë e tij, dallon të vërtetën nga e pavërteta dhe atë që është e dobishme nga ajo që është e dëmshme. Nëpërmjet saj i shtohet besimi dhe frika ndaj Zotit, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët…” (El-Fatir 28)

Çdo dije e dobishme mbi të cilën mbështetet jeta e njerëzve, me të cilën ruhen interesat e tyre dhe i shërbehet njeriut, atdheut dhe umetit, është fushë nga fushat e mirësisë.  Nëse qëllimi në të është i sinqertë shpërblim bëhet më i madh, përpjekja bëhet e mirë dhe ndikimi i saj shndërrohet në shpërblim të vazhdueshëm.

Mësuesi është zemra që pulson në procesin arsimor. Puna e tij nuk kufizohet vetëm në përcjelljen e informacionit dhe me përfundimin e programeve mësimore, por është një mision më i lartë dhe më i qëndrueshëm. Ai pastron shpirtrat, mbjell vlerat, zgjon ambiciet dhe forcon lidhjen e nxënësve me Krijuesin dhe Furnizuesin e tyre.

Ndikimi i këtij misioni forcohet përmes sinqeritetit të qëllimit për Zotin, ndjenjës së nderit të këtij profesioni dhe madhështisë së kësaj detyre. Sa fjalë mund të ketë mësuesi me të cilën i ka mësuar diçka një të padituri, sa vlerë mund të ketë mbjellë tek një i ri, sa këshilla mund t’i ketë dhënë një të hutuarit dhe sa herë mund ta ketë nxjerrë një nxënës nga një brengë apo vështirësi! Allahu nuk e humb shpërblimin e atij që bën mirë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush udhëzon për në një të mirë, do të ketë shpërblim të ngjashëm me atë të vepruesit të saj.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

LEXO  Shlyerja e Borxhit - Shejh Dr. Husejn Ali Esh-Shejh

Nga lumturia dhe krenaria më e madhe e mësuesit në këtë botë është të shikojë një ditë frytin e asaj që ka mbjellë në fushat e jetës: Një mjek që shëron dhe i shërben vendit të tij, një inxhinier që ndërton dhe zhvillon, një punonjës që e përmbush amanetin e tij, një dijetar që mëson dhe udhëzon umetin e tij. Këto fryte të bukura janë nga gjurmët më të mrekullueshme që mbeten nga mësuesi në këtë botë, përveç shpërblimit të vazhdueshëm që ai do të ketë në botën tjetër. Mësuesi është njeri me vlera të larta dhe cilësi fisnike. Ai kujdeset për drejtësinë mes nxënësve të tij, i mëshiron ata, tregohet i durueshëm ndaj tyre dhe e bën butësinë shoqëruese të tij. Butësia hapën zemrat dhe zbukuron gjërat, çështjet.  I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Butësia nuk gjendet në diçka veçse e zbukuron atë, dhe nuk hiqet nga diçka veçse e shëmton atë.” Hadithin e transmeton Muslimi.

Andaj ti, o mësues! Ji shembull për nxënësit e tu në moralin dhe sjelljen tënde. Sytë e tyre të vëzhgojnë dhe ndonjëherë ndikimi i veprës në shpirtrat e tyre është më i madh se ndikimi i fjalës. I bëjmë thirrje shoqërisë, me të gjitha shtresat e saj, institucioneve, mjeteve të informimit dhe personaliteteve me ndikim, që ta lartësojnë çështjen e dijes dhe ta nderojnë pozitën e mësuesit, edukatorit të brezave dhe ndërtuesit të së ardhmes.

Pastaj vjen radha jote, ti o nxënës! Të gjitha këto përpjekje që bëhen, mundësitë që përgatiten, shkollat dhe universitetet që ndërtohen,  të gjitha janë për ty. Shpresat janë të varura tek t,i sepse me dijen dhe punën tënde ndërtohet vendi dhe përparon umeti.

Prandaj, preke vlerën e dijes, shfrytëzo ditët e saj, bëje dijen një shtyllë që pastron shpirtin tënd dhe përmes së cilës përmirëson moralin tënd. Pi nga burimi i dijes dhe njohurisë, duke qenë krenar për fenë tënde, i sigurt në identitetin tënd, i lartë në moralin tënd dhe i palëkundur në parimet e tua.

LEXO  Namazi lidhja më e fortë me Zotin e botëve

Nga frytet më të bukura të dijes është ndikimi që ajo shfaq tek ai që e zotëron atë. I dituri i vërtetë është ai që ka mbledhur dituri, ndërsa karakteri dhe sjellja e të cilit pasqyrojnë efektin e saj. Ndikimi i dijes nuk plotësohet kur ajo vetëm mbush mendjen me informacione, pastaj nuk shfaqet në moralin e bukur dhe sjelljen e mirë.

Nga cilësitë e bukura të nxënësit është që të njohë vlerën e mësuesit të tij, të ruajë pozitën e tij dhe të sillet me edukatë ndaj tij. Respektimi i mësuesit është pjesë e respektimit të dijes dhe e edukatës së mirë.

Shoqëria që zgjedh njeriu ka ndikim të madh në rrugëtimin e nxënësit. Shoku i mirë, i devotshëm dhe serioz të ngre ambicien, të ndihmon në të mirë,  të kujton kur ti harron dhe të nxit drejt përpjekjes dhe këmbënguljes. Ndërsa, në anën tjetër, disa shoqëri mund të bëhen shkak për humbjen e kohës, për dobësimin e vullnetit dhe për largimin e nxënësit nga qëllimi i tij.

Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija.”  (El-Muxhadile, 11)

Zoti na bekoftë të gjithëve me Kuranin e Madhërishëm, na bëftë dobi me ajetet dhe përkujtimin e urtë që gjenden në të.

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë, Ai është Falës i madh, Mëshirues.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, lavdërime numri i të cilave nuk mbaron, Atë e falënderoj me mirënjohje që nuk shterojnë kurrë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, Ai është Zoti Madhështor, lavdia e të Cilit është sublime në krijim.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është robi  i Zotit dhe i dërguari i Tij,  profet fisnik, lavdërimi për të cilin në botë është më i miri. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshtë mbi të, familjen dhe shokët e tij, sa kohë që lind dielli, sa kohë që bie nata dhe sa kohë që në univers alternohet njëra kohë pas tjetrës.

Në vijim

Këshilloj ju dhe veten që t’i frikësohemi Zotit.

Sot teknologjia është bërë pjesë e jetës dhe e edukimit tonë, ka hapur porta të gjera për të mësuar dhe është bërë një shoqëruese e rëndësishme në rrugëtimin e nxënësit dhe mësuesit. Njeriu i mençur di ta përdorë dhe ta shfrytëzojë siç duhet, njeh vendet ku ajo sjell dobi dhe i pason, ndjek ato, vendet ku sjell dëm dhe i shmangën ato.

LEXO  Haxhi: Uniteti i muslimanëve dhe mbështetje për të shtypurit

Ai përfiton nga shkencat dhe dijet pa humbur identitetin e tij dhe pa hequr dorë nga parimet e veta. Ai verifikon atë që lexon dhe dëgjon, dallon midis dijes së dobishme dhe informacionit çorientues. Sikurse ai, u paraqet njerëzve, në hapësirën e teknologjisë, një pamje të ndritur të fesë, atdheut dhe umetit të tij, përmes dijes dhe moralit të tij të mirë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” (El-Isra’ 36)

Lutuni dhe dërgoni përshëndetje mbi më të mirin e krijesave të Zotit, Muhamedin, të birin e Abdullahut.

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë sa numri i lutjeve të ofruara nga ata që e kujtojnë atëdhe sa ata që harrojnë dhe neglizhojnë ta përmendin atë. O Zot, fale dhe mëshiroje atë në të parët dhe në të fundit, si dhe në tubimin më të lartë, deri në Ditën e Gjykimit.

O Zot, na dhuro ndërmjetësimin e tij, na mundëso ta ndjekim atë në mënyrën më të mirë dhe na bëj prej pasuesve të sunetit të tij, që ecin sipas udhëzimit të tij.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifët e drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, dhe me ne bashkë me ta, me faljen Tënde, o më i Madhi Bujarë.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, përmirëso gjendjen e tyre, bashko fjalën e tyre në të vërtetën dhe udhëzim.

O Zot, ruaj vendet muslimane, ji për ata në Palestinë dhe në çdo vend, përkrahës, ndihmës dhe mbështetës.

O Zot, atyre që dëshirojnë të keqen për ne dhe vendet muslimane bëj që të merren me veten e tyre, bëj planifikimin e tyre shkatërrim për ta, kthe komplotin e tyre kundër veteve të tyre.

O Zot, ruaj sigurinë e këtij vendi, vend strehimin e besimit dhe ku drejtohen zemrat e muslimanëve. Ruaje atë nga çdo e keqe, bëje të qëndrueshme në të sigurinë dhe stabilitetin, ruaj ushtarët e saj, forco kufijtë e saj, largo prej saj komplotet e komplotuesve dhe kurthet e atyre që ngrenë kurthe. Përhap të mirën, begatinë dhe lumturinë në të gjitha vendet e muslimanëve dhe vishi ato me petkun e sigurisë dhe stabilitetit.

O Zot, përmirëso zemrat tona, pastro shpirtrat tanë dhe na udhëzo në rrugën e drejtë.

O Zot, bëj përpjekjet tona për kënaqësinë Tënde, pranoje prej nesh, na fal dhe na mëshiro.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur, jepi sukses princit të kurorës së tij në atë që është në të mirë të vendit dhe popullit.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)   

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1671956254931048/1007936872269624

Post Author: endrit