Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 17-09(Ramazan)-1447 H 06-03-2026 D
Shejh Dr. Husejn Bin Abdulaziz Ali Shejh
Tema Dhjetë ditët e fundit: Tregti përfituese
Lavdërimet i takojnë Allahut, i Cili u ka dhënë sukses atyre që përpiqen në binden ndaj Tij dhe u ka dhuruar atyre nga bekimet e Tij të bollshme dhe të pafundme.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Unik në përsosmëri dhe plotësinë e Tij.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i miri nga ata që është lutur dhe ka agjëruar. O Zot, fale dhe mëshiroje atë, familjen dhe shokët e tij, të drejtë dhe fisnikë.
Në vijim
O ju njerëz! Kini frikë Zotin e Lartësuar dhe të Madhërishëm, në mënyrë që Ai t’ju ngrejë në gradë, t’ju falë gjynahet dhe t’ju shpërblejë me bollëk përpjekjet tuaja. “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e këqija dhe do t’ia shtojë shpërblimin.”(Et-Talak 5)
Nga bekimet më të mëdha që Zoti i Plotfuqishëm të dhuron ty, o rob i Zotit, është arritja e dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, për të cilat tekstet tregojnë se kanë vlerë të madhe dhe se pozita e adhurimit gjatë tyre është e lartë. Këto janë netë që Bujari i Plotfuqishëm i ka favorizuar me Natën e Kadrit, e cila ka rëndësi të madhe dhe meritë të pamasë. “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.”(El-Kader 1-3)
Prandaj, dhe i dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, përpiqej dhe ishte bujarë në të më shumë sesa në kohë të tjera. Në dy Sahihët, Buhariu dhe Muslimi, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të: “Kur fillonin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, ai qëndronte zgjuar gjithë natën, zgjonte familjen e tij dhe shtrëngonte brezin, rripin, e tij.”
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit.” Në një transmetim tjetër: “Kërkojeni atë në dhjetë netët e fundit, në netët teke.” Muttefikun Alejhim.
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, e kishte zakon të qëndronte në itikaf, veçim në xhami, gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, duke kërkuar Natën e Kadrit. Prandaj, Zoti ju mëshiroftë, shfrytëzoni këtë kohe përfitimi dhe mundësi të bollshme për sukses. Këto sezone të bekuara janë të numëruara, prandaj shfrytëzoni sa më shumë atë që ka mbetur nga muaji juaj dhe përpiquni të fitoni shpërblime duke fituar gjëra të mira dhe kryer vepra bamirësie.
O ju muslimanë! Vërtetë Zoti ynë i Madhërishëm dhe i Lartësuar është Bujar, kush kërkon udhëzim prej Tij, Ai e udhëzon, kush i drejtohet Atij, Ai i mjafton atij, kush kërkon strehim tek porta e Tij, Ai e strehon atë, dhe kush ia kthen shpinën Atij, Ai përsëri e thërret atë. Prandaj, përpiquni të arrini vepra të mira, nxitoni të kryeni punë të mira dhe pendohuni tek Zoti i qiejve dhe i tokës.
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush falet Natën e Kadrit me besim dhe shpresën për shpërblim tek Zoti, do ti falen gjynahet e të kaluarës.”
O vëlla musliman! Qëndro në arenën e përpjekjeve me të devotshmit dhe të drejtët, sepse ky është tregu i njerëzve të virtytshëm, fusha e devotshmërisë për Ditën e Gjykimit dhe vendi për të mbledhur furnizime për udhëtimin e pashoq. Sa i mjerë është ai që jeton në pakujdesi dhe neglizhencë, dhe sa i pafat është ai që i humbën këto vlera hyjnore dhe bekime qiellore.
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, u ngjit në minber një ditë dhe tha: “Amin.” Sahabët e pyetën për këtë, e ai ka thënë: “Erdhi tek unë Xhibrili dhe më tha: “Qoftë i poshtëruar ai person që e përjeton Ramazanin dhe nuk hyn në Xhenet! Thuaj: “Amin!” Kështu që unë thashë: “Amin.” Hadithi ka zinxhir të mirë transmetimi.
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtet, në muajin e Ramazanit ka një natë që është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga të mirat e saj, është vërtet i privuar nga të gjitha të mirat.” Ndërsa në një transmetim tjetër: “Askush nuk privohet nga të mirat e saj përveç atij që është vërtet i privuar.”
O ju që keni aspirata të mëdha dhe kërkesa të larta e sublime! Kërkoni përfitimet e këtyre netëve, të cilat janë të mbushura me vlera të panumërta dhe me bekime të pafundme, sepse kush e di se çfarë kërkon, çdo gjë nga e cila ai heq dorë bëhet e lehtë për të. “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.” (Al ‘Imran 133)
O Zot, na bëj prej atyre që janë të bekuar duke e arritur Natën e Kadrit dhe fitojnë shpërblimin e madh. Lavdërimet janë vetëm për Allahun në fillim dhe në fund.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë vetëm për Zotin!
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok.
Dëshmoj se i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij.
Në vijim
O ju muslimanë! Vërtetë Ramazani është muaji i afrimit dhe adhurimit të Zotit të Plotfuqishëm. Është e lavdërueshme që njeriu të mos jetë i preokupuar me pajisjet e komunikimit në dëm të qëllimeve të namazit dhe agjërimit. Përkundrazi, është e papranueshme sipas legjislacionit Islam të preokupohesh me to në vendet e adhurimit. Xhamitë janë ndërtuan për lutje, përkujtim të Zotit dhe lexim të Kuranit.
O ju muslimanë! Kini frikë Zotin, sepse të preokupuarit me këtë është privim nga synimet më të mëdha të adhurimit dhe nga qëllimet më të larta të afrimit me Zotit. Pastaj Zoti i Lartësuar ka thënë: “Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.”(El-Haxhxh 32) “(Kjo dritë ndriçon) në xhamitë që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij.”(En-Nur 36)
Nga veprat më të mëdha është të dërgojmë sa më shumë lutje dhe përshëndetje mbi të dërguarin fisnik. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin Tënd, familjarët dhe të gjithë shokët e tij.
O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
O Zot, mbroje vendin tonë dhe vendet e muslimanëve nga çdo e keqe dhe dëm. O Zot, të kërkojmë Ty për vendin tonë dhe vendet e muslimanëve, siguri të qëndrueshme dhe paqe të përhershme, o më i Madhi dhe më Bujari. O Zot, na mbro nga e keqja e të ligjve, nga komplotet e të korruptuarve dhe nga e keqja e atyre që këpusin rrugën natën dhe ditën, o më i Madhi dhe më Bujari.
O Zot, bashko fjalën e muslimanëve në të mirë dhe udhëzim. O Zot, bashko radhët e tyre dhe forco goditjen e tyre, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar.
O Zot, ruaj kujdestarin e dy xhamive të shenjta dhe princin e tij të kurorës. O Zot, të lutemi të jesh për ata të dy mbështetje dhe ndihmë, o i Plotëfuqishëm o i Drejtë.
O Zot, jepu sukses të gjithë sundimtarëve të muslimanëve në atë që është në dobi të popullit të tyre.
O Zot, na furnizo me shi! O Zot, na fresko me shi, o më i Madhi dhe më Bujari, o i Pasur, o i Lavdëruar. O Zot, na fresko me shi ne dhe vendet muslimane.
O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, profetin tonë Muhamed.
Afrim Smakaj