Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 05-05-1448 H 16-10-2026 D
Shejh Abdullah El Xhuhenij
Tema Namazi: shtylla e fesë, mburoja e besimtarëve
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili i urdhëroi robërit e Tij që t’i ruajnë namazet, për ata që i falin ato në mënyrën më të përsosur ka përgatitur shpërblime të mëdha dhe i ka vendosur ata që e kryejnë këtë adhurim në mënyrën më të mirë nën hijen e mëshirës së Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi përmes së cilës shpresojmë të ngrihemi në shkallët më të larta në botën Tjetër, Ahiret.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit, lutje dhe përshëndetje të shumta.
Në vijim
O ju njerëz! Kini frikë Zotin e Lartësuar në çdo gjendje dhe ruajini detyrimet fetare, sepse ato janë rruga drejt arritjes së synimeve. Largohuni veprave të turpshme, qofshin ato të dukshme apo të fshehta, sepse afrimi drejt tyre sjell dënim dhe ndëshkim.
Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se shtylla mbi të cilën qëndron feja dhe ngrihet ndërtesa e Islamit është namazi, që është shtylla e dytë nga shtyllat e Islamit dhe nuk ka Islam të plotë për atë që e braktis namazin. Nga Xhabir Ibn Abdullahu, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Ndërmjet njeriut dhe shirkut e kufrit është braktisja e namazit.” Hadithin e transmeton Muslimi.
Namazi është edhe matësi i veprave. Nëse ai është i mirë, të mira do të jenë edhe veprat e tjera; e nëse ai është i prishur, atëherë veprat e tjera kanë edhe më shumë gjasa të jenë të prishura. Prijësi i besimtarëve, Omer Ibn El Hatabi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Gjëja më e rëndësishme për të cilën shqetësohem lidhur me ju është namazi. Kush e ruan dhe kujdeset për të, ka ruajtur fenë e tij. Ndërsa kush e shpërfill atë, ka edhe më shumë gjasa t’i shpërfillë gjërat e tjera.”
Namazi është lidhja ndërmjet krijesës dhe Krijuesit, lidhja e drejtpërdrejtë ndërmjet muslimanit dhe Zotit të tij. Namazi e ngre njeriun mbi joshjet dhe kënaqësitë e kësaj bote, drejt asaj që Zoti ka përgatitur për robërit e Tij të devotshëm në vendbanimin e nderimit, Xhenet, begati që “asnjë sy nuk i ka parë, asnjë vesh nuk i ka dëgjuar dhe që asnjë qenieje njerëzore nuk i kanë shkuar në mendje.”
Muslimani e fal namazin duke qenë i pastër, duke marrë abdes me ujë për t’u pastruar nga papastërtitë. Nëse nuk gjen ujë ose nuk mund ta përdorë atë, atëherë i mjafton tejemumi me dhe të pastër. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Dhe, nëse jeni të sëmurë ose gjendeni në rrugë ose keni kryer nevojën natyrore, ose keni bërë marrëdhënie me gra dhe nuk gjeni ujë, atëherë fërkoni fytyrën dhe duart tuaja me dhé të pastër.” (En-Nisa’ 43)
Kusht është mbulimi i pjesëve të turpshme të trupit me rroba që i fshehin ato nga shikimet e të tjerëve. Namazi duhet të falet duke u drejtuar nga kibla, kudo që të jetë njeriu, me sinqeritet në nijetin e tij kur hyn në namaz dhe duke ruajtur shtyllat e tij, në leximin e Kuranit, rukunë, sexhden, uljen, drejtimin e trupit pas rukusë dhe qetësinë në çdo veprim. Namazi nuk duhet falur me nxitim, siç çukit sorra, dhe nuk duhen lënë pas dore sunetet dhe rregullat e tij. Namazi është lidhja e robit me Zotin e të gjitha krijesave dhe është vepra e parë për të cilën robi do të pyetet Ditën e Llogarisë.
Adhurues të Zotit! Namazi është çelësi i zemrës për të medituar mbi këtë Kuran madhështor, për të shijuar ëmbëlsinë e besimit, për ta kuptuar jetën dhe përfundimin e saj, si dhe për të kujtuar atë që vjen pas saj. Kështu, njeriu i mençur përgatitet me vepra që e shpëtojnë dhe e bëjnë të lumtur.
Namazi është forcë për muslimanin në sprovat e tij, në situatat e vështira, në rrethanat e sikletshme dhe gjatë punëve të lodhshme. Ai e nxit njeriun drejt durimit dhe qëndrueshmërisë, ia forcon vendosmërinë dhe ia qetëson zemrën. Namazi është burim i ëmbël në çastet e etjes, furnizim në kohën e urisë dhe forcë në momentet e dobësisë. Kur sprovat rëndohen dhe fuqia njerëzore dobësohet, muslimani duhet t’i drejtohet Zotit të Lartësuar dhe të afrohet tek Ai përmes namazit.
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, sa herë që përballej me ndonjë çështje të vështirë, nxitonte të falej. Namazi është forcë dhe vendosmëri, sepse përmes tij njeriu i drejtohet Zotit të Madhërishëm në lutje dhe bisedë të përulur. Ai sjell qetësi për shpirtin dhe zemrën.
Namazi është gjithashtu një pengesë që e frenon njeriun nga e keqja, që hap zemrën e mbyllur dhe e zgjon zemrën e shkujdesur, duke e nxitur të meditojë mbi pasojat dhe rezultatet e veprimeve të tij. Pikërisht për këtë arsye, namazi e ndalon njeriun nga veprat e turpshme dhe të këqija. “Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar…” (El ‘Ankebut 45) Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, ka thënë: “Në namaz gjendet ajo që e ndalon dhe e pengon njeriun nga gjynahet ndaj Zotit.”
Namazi që e largon njeriun nga veprat e turpshme dhe të këqija është ai që falet sinqerisht për Zotin, larg sy faqësisë dhe pa vetëpëlqim për shkak të adhurimit të kryer. Në namaz, zemra duhet të jetë e pranishme dhe njeriu duhet ta kuptojë atë që thotë. Namazi duhet të jetë në përputhje me udhëzimin e profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
Në këtë mënyrë, ai që fal namazin bëhet i afërt me Zotin. Afërsia me Zotin e pastron njeriun, ia largon mbulesën nga zemra dhe bën që ta përfshijnë kujdesi i Zotit dhe mirësia e Tij. Zoti e mbron atë nga rënia në vepra të turpshme dhe të këqija.
Namazi ka kohë të përcaktuara dhe duhet të falet brenda tyre. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “…sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” (En-Nisa’ 103)
Namazi duhet falur në kohën e vet dhe, sipas gjendjes e mundësisë së besimtarit, me xhemat në xhami. Ai duhet falur në kohë edhe në rrethana lufte, kur ushtritë përballen me njëra-tjetrën. “Kur të jesh ti (Muhamed) në mes të besimtarëve dhe të drejtosh faljen e namazit (në luftë), atëherë njëri grup prej tyre le të falet me ty dhe le t’i mbajnë pranë edhe armët e veta!” (En-Nisa’ 102) Deri dhe në rast sëmundjeje, përderisa i sëmuri është i vetëdijshëm dhe kupton atë që i thuhet e atë që thotë vetë, ai duhet të falet sipas mundësive të tij. Ai duhet të kryejë aq sa mundet nga kushtet dhe veprimet e namazit, ndërsa ajo që nuk ka mundësi ta kryejë, i falet. “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka.” (El-Bekare 286)
Kush fle dhe i kalon namazi, ose e harron atë, le ta falë sapo t’i kujtohet. Në dy koleksionet e sakta të haditheve, Buhariu dhe Muslimi, transmetojnë nga Enesi, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nëse ndonjërit prej jush i kalon namazi për shkak të gjumit ose e harron atë, le ta falë sapo t’i kujtohet, sepse Zoti i Madhërishëm thotë: “…dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!”(Ta-Ha 14)
Sa u përket veprimtarive tregtare, punëve të profesioneve të ndryshme, lojërave sportive, mbledhjeve dhe festimeve, asnjëra prej tyre nuk përbën arsye të vlefshme për ta shtyrë namazin sa t’i dalë koha. Muslimani nuk arsyetohet për lënien e namazit jashtë kohës së tij për shkak të ndonjë çështjeje të kësaj bote. Çdo individ është përgjegjës për namazin e vet, dhe po ashtu është përgjegjës organizatori i një feste apo i një mbledhjeje. Nëse ai krijon mundësinë që njerëzit të falen dhe ua kujton kohën e namazit, atëherë e ka kryer detyrën e tij para Zotit të Madhërishëm.
Zoti ju mëshiroftë, falini namazet tuaja sa më mirë e Allahu do t’jua përmirësojë gjendjen. Qëndroni të qetë gjatë rukusë dhe sexhdes, gjatë drejtimit të trupit pas rukusë dhe gjatë uljes ndërmjet dy sexhdeve. Mungesa e qetësisë së duhur dhe e përqendrimit në namaz e cenon rëndë vlefshmërinë e tij, sepse këto janë shpirti i namazit.
Kini frikë Zotin, o ju muslimanë! Kushtojini namazit vëmendjen që meriton, urdhërojini fëmijët tuaj të falen dhe këmbëngulni që edhe gratë e familjes suaj ta kryejnë këtë detyrim. Zbatoni urdhrat e Zotit, largohuni nga ndalesat e Tij dhe përgatitni furnizimin e mjaftueshëm për Ditën e Ringjalljes dhe të Llogarisë. “…prandaj të mos ju gënjejë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun.” (El-Fatir 5)
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht.” (El-Mu’minun 9–11) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “E që i falin namazet rregullisht. Pikërisht ata do të jenë të nderuar në kopshtet e Xhenetit.” (El-Me’arixh 34–35)
Zoti na dhëntë sukses të gjithëve të ndjekim rrugën më të mirë! Zoti na frymëzoftë të gjithëve të meditojmë mbi atë që na është shpallur nga Kurani Famëlartë dhe mbi hadithet e ndershme që na lexohen! Zoti më faltë mua, ju dhe të gjithë muslimanët!
Hutbeja e dytë
Zoti është më i Madhi! Lavdërimet janë për Zotin, të Vetmin, Ngadhënjyesin, të Plotëfuqishmin, Falësin e Madh, i Cili i drejton çështjet ashtu siç dëshiron dhe zgjedh. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Njohësi i të padukshmes dhe së dukshmes. “Çdo gjë tek Ai është me masë.” (Er-Ra‘d 8)
Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, me dërgimin e të cilit Zoti na çliroi nga prangat dhe barrët e rënda. O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, për aq kohë sa ndërrohen nata dhe dita.
Në vijim
O vëllezër në Islam! Ajo që ka bërë grupi terrorist i Huthive, duke derdhur gjak dhe duke shënjestruar Aeroportin Ndërkombëtar Mbret Halid në Riad, duke sulmuar udhëtarët, mes të cilëve njerëz që kishin ardhur për të kryer umren dhe civilë të pafajshëm, është krim i rëndë, i lig, dhe shkelje flagrante e shenjtërisë së jetës njerëzore. Në çdo rrethanë, kjo është vepër e dënueshme, sjellje e ulët dhe e shëmtuar, dhe akt terrorist frikacak, të cilin nuk e justifikon as feja dhe as ndonjë kauzë. Kjo është përhapje e shkatërrimit në tokë: “Allahu nuk i do ngatërrestarët.” (El-Ma’ide 64)
Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se namazi është nga shkaqet më të dobishme shpirtërore për lehtësimin e brengave dhe për përhapjen e ndjenjës së sigurisë e të qetësisë në zemrat e besimtarëve. Namazi është streha dhe siguria e tyre, si dhe lidhja e shtrirë mes robit dhe Zotit të botëve. Krijuesi i Madhëruar dhe i Lartësuar na ka urdhëruar të kërkojmë ndihmë me namaz për lehtësimin e brengave dhe t’i drejtohemi atij kur na godasin fatkeqësitë dhe sprovat. Zoti i Madhëruar dhe i Lartësuar ka thënë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (El-Bekare 153)
Adhurues të Zotit! Kini frikë Allahun, drejtojuni namazit, lutuni Zotit me sinqeritet e përkushtim, me shpresën që Ai ta largojë fatkeqësinë dhe, me mirësinë e mëshirën e Tij, ta shndërrojë vështirësinë e të rëndën në lehtësi dhe begati, Zoti i Madhëruari dhe i Lartësuar, është më i Madhi Mëshirues.
Adhurues të Zotit! “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë, Muhamedin, zotëruesin e pozitës së lavdëruar dhe luginës ku do mblidhen njerëzit.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet e parë dhe të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tjerë të profetit Tënd, me tabi’inët dhe me ata që i ndjekin në mirësi deri në Ditën e Gjykimit. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me ne së bashku me ta me mirësinë dhe begatinë Tënd, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, bashko fjalën e muslimanëve rreth së vërtetës dhe shkatërro armiqtë e fesë!
O Zot, ndëshko huthitë agresorë dhe përkrahësit e tyre zullumqarë! O Zot, bëj shkatërrimin e tyre në planet dhe kurthet e tyre! O Zot, përçaji në fjalët dhe qëndrimet e tyre, shpërndaje bashkimin e tyre, mposhti mbetjet e forcave të tyre dhe shpërndaji ushtritë e tyre! Mbushi zemrat e tyre me frikë! O Zot, mos lejo që flamuri i tyre të ngrihet dhe bëj ata mësim e shembull për ata që vijnë pas tyre! O Zot, na i trego shenjat e mrekullueshme të fuqisë Tënde, madhështinë e forcës Tënde dhe urtësinë Tënde të pakufishme!
O Zot, ruaj vendin tonë, Mbretërinë e Arabisë Saudite, nga planet e atyre që kurdisin të keqen, nga zilia e ziliqarëve dhe nga padrejtësia e zullumqarëve!
O Zot, këdo që synon të na bëjë keq, zbulo qëllimet, nxirre në shesh të fshehtën e tij, prish planet e tij, na ruaj nga e keqja e tij dhe bëje atë shembull për të tjerët, o Zot i botëve!
O Zot, mos na lër të zhytur në pakujdesi, mos na zër në befasi dhe mos na bëj prej të shkujdesurve!
O Zot, ji mbështetës dhe përkrahës i udhëheqësve tanë, ndihmues dhe mbrojtës i tyre!
O Zot, forco zemrat e ushtarëve tanë që qëndrojnë roje në kufij, që mbrojnë vendet tona të shenjta! O Zot, forco vendosmërinë e tyre, drejto goditjet e tyre, mposht armiqtë e tyre dhe zbrit qetësi mbi ta! Jepu fitore kundër popullit agresor, o Zot i botëve!
O Zot, prano të vrarë prej tyre në radhët e dëshmorëve dhe shëro të sëmurët e tyre, o Ti që i dëgjon lutjet!
O Zot, na jep siguri në atdheun tonë! Ndihmo dhe ruaj udhëheqësit tonë, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, Mbretin Selman Bin Abdulaziz, dhe princin e kurorës, Muhamed Bin Selman!
O Zot, drejto hapat e tyre, forco vendosmërinë e tyre dhe kurorëzo përpjekjet e tyre me sukses e mbarësi! Ndihmo ata të dy me fuqinë Tënde të pamposhtur dhe dhuroju këshilltarë të devotshëm e të sinqertë, të cilët i udhëzojnë drejt së mirës dhe i afrojnë tek ajo!
O Zot, fali besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet, të gjallët prej tyre dhe të vdekurit!
O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve.
O Zot, na dhuro shi dhe mëshirë dhe mos na bëj prej atyre që humbin shpresën!
O Zot, të kërkojmë falje, sepse Ti je Falës, prandaj dërgo nga qielli shi të bollshëm mbi ne.
O Zot, ne jemi krijesa nga krijesat Tua, mos na privo nga Mirësitë e Tua për shkak të gjynaheve tona.
O Zot, mëshiro robërit e Tu, vendet e Tua dhe kafshët e Tua! Përhape mëshirën Tënde dhe gjallëroje tokën e vdekur! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërueshëm Ai ju kujton ju. Falënderojeni Atë për mirësitë dhe begatitë e Tij që t’i shtojë ato për ju!
“…vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj