Besëlidhja e besimit mes përmbushjes së premtimit dhe thyerjes së tij

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     05-07-1448 H    16-10-2026 D

Shejh Muhamed Selim 

Tema   Besëlidhja e besimit mes përmbushjes së premtimit dhe thyerjes së tij

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka thënë: “Zbatoni besëlidhjen e Allahut, kur ta merrni mbi vete…” (En-Nahl 91) Disa komentues të Kuranit kanë thënë: “Ky ajet ka zbritur në lidhje me betimin për besnikëri ndaj Islamit nga profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.” Prandaj, o muslimanë, ripërtërini besën e Islamit me Zotin dhe të dërguarin e Tij, sepse ajo është një marrëveshje mes jush dhe Zotit.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Nuk ka Zot tjetër përveç Tij, tek i Cili shpresohet, dhe nuk ka të adhuruar Zot tjetër përveç Tij, të Cilit i kushtohet adhurimi. Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Ai lidhi me shokët e tij marrëveshjen e besimit, në të cilën ndër të tjera u kërkoi që të mos i bënin Zotit shok në adhurim, të mos vidhnin dhe të mos kryenin imoralitet. Ai u tha: “Kushdo prej jush që i përmbahet kësaj besëlidhjeje, shpërblimin do e ketë tek Zoti.” O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin tonë, i cili na njohu me besëlidhjen e besimit dhe na udhëzoi që t’i qëndrojmë besnikë asaj! O Zot, fali dhe mëshiroji familjarët dhe shokët e tij dhe ata që i pasuan me mirësi!

Në vijim

O ju muslimanë! Kini frikë Zotin dhe nënshtrojuni Atij në të gjitha detyrimet, urdhrat dhe ndalesat e Tij, sepse ky nënshtrim është ri afirmim nga ana juaj i besëlidhjes së besimit, për të cilën Zoti ju ka marrë zotimin që të mos e shkelni.

O ju muslimanë! Këshilloni veten tuaj për besëlidhjen e besimit dhe këshilloni njëri-tjetrin që t’i përmbaheni. Të dërguarit e Zotit i kanë porositur për këtë vetet dhe familjet e tyre. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë të nënshtruar ndaj Atij!” (El-Bekare 132)

O ju besimtarë! Kur secili prej jush, mashkull apo femër, arrin moshën e pjekurisë, duke qenë i arsyeshëm dhe me mendje të shëndoshë, bëhet detyrim për të që t’i qëndrojë besnik besëlidhjes së besimit që ka lidhur me Zotin, i Cili e ka krijuar dhe i ka dhënë formën më të bukur. Kush beson në Zotin, Melaiket e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij dhe Ditën e Fundit, është zotuar para Zotit se do t’i bindet Atij, duke zbatuar urdhrat e Tij, duke iu larguar ndalesave të Tij, duke e lejuar atë që Ai e ka lejuar dhe duke e ndaluar atë që Ai e ka ndaluar.

Prandaj, jepini besëlidhjes së besimit hakun, të drejtën që i takon! Binduni Zotit dhe binduni të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Mos u largoni shumë prej fesë suaj dhe mos u shkëputni nga besëlidhja e besimit ashtu siç shkëputen devetë nga litarët me të cilët janë lidhur.

O ju besimtarë! Ju jeni të bindur se një nga detyrimet e besëlidhjes së besimit mes jush dhe Zotit është që gjykimin tuaj ta ktheni tek Sheriati, legjislacioni  i Tij. Kjo është nga detyrat më të rëndësishme për të gjithë muslimanët. Gjykimi sipas Sheriatit, legjislacionit të Zotit është një marrëveshje mes Zotit dhe sundimtarit, si dhe mes umetit dhe Zotit e Krijuesit të tij. Të gjithë janë të detyruar ta përmbushin atë plotësisht. Ku është gjykimi sipas Sheriatit, legjislacionit dhe fesë së Zotit në institucionet e pushtetit sot? Ku është kthimi tek Zoti dhe i dërguari i Tij për gjykim në tubimet tona, në shtëpitë tona dhe në shoqëritë tona? A nuk na arrin zemra në grykë kur dëgjojmë fjalën e Zotit tonë: “Ai që e prish betimin, e prish në dëm të vetes…” (El-Fet’h 10) O ju muslimanë! Përmbushja e besëlidhjes së besimit me Zotin ju çon në Xhenet, ndërsa shkelja e saj sjell mallkimin, zemërimin dhe ndëshkimin e Zotit.

Prandaj, zbatoni Sheriatin, legjislacionin e Zotit, në jetën tuaj, si individë dhe si shtete, si sundimtarë dhe si popuj, dhe përmbajuni shtyllave të fesë. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Dhe tani, Ne të kemi vendosur ty në rrugën e drejtë të fesë, andaj ndiqe atë dhe mos shko pas dëshirave të atyre që nuk dinë!” (El-Xhathije 18)

O ju besimtarë! Kur dikush prej jush dëshiron të blejë një apartament banimi, shitësi merr përsipër t’ia dorëzojë atë sipas specifikimeve më të mira, ndërsa blerësi merr përsipër ta paguajë çmimin e plotë, pa i munguar asgjë. Pastaj shitësi zotohet ta regjistrojë apartamentin në kadastër, në mënyrë që blerësi ta ketë të garantuar plotësisht të drejtën e tij ndër vite.

LEXO  Allahu na ka nderuar me Kuran - Aksa 29.11.2019

O ju muslimanë! Ky është një shembull i kontratës së shitblerjes, e cila i përket marrëdhënieve të kësaj bote. Një kontratë e tillë, me këto kushte, i ngjan besëlidhjes së besimit që keni lidhur me Zotin tuaj. Zoti i Lartësuar ju ofron Xhenetin dhe begatitë e përhershme në botën Tjetër. E gjithë kjo është shpërblimi për angazhimin e muslimanit që t’i qëndrojë besnik besëlidhjes së tij me Zotin dhe të ngrihet në shkallët më të larta të fesë, në Islam, iman, ihsan, devotshmëri dhe bindje të palëkundur. Ky është çmimi që duhet të paguani. Prandaj, ngrihuni të gjithë për t’ia paguani Zotit tuaj atë që kërkohet prej jush, në mënyrë që të merrni shpërblimin tuaj prej Zotit sikurse Ai ju ka premtuar dhe ka thënë:  “Këta janë ata që i përmbahen besëlidhjes me Allahun dhe nuk e prishin premtimin.” (Er-Ra‘d 20)  “Këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e fundit, Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit) (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!”  ” (Er-Ra‘d 22–24)

O ju muslimanë! Ejani ta ripërtërijmë besëlidhjen e besimit në zemrat dhe në jetën tonë, sepse ajo është besëlidhja që na shpëton nga çdo brengë, vështirësi dhe fatkeqësi. A nuk i shihni fatkeqësitë që ju rrethojnë nga të gjitha anët, ashtu siç e rrethon byzylyku kyçin e dorës? O adhurues të Zotit, kërkoj strehim për ju nga të qenët prej atyre që Zoti ynë i ka qortuar dhe ka thënë për ta: “Arabët e shkretëtirës deklarojnë: “Ne besojmë”. Thuaju: “Ju nuk keni besuar! Por më mirë thoni: ‘Ne përulemi’, pasi besimi ende nuk ka hyrë  (si duhet) në zemrat tuaja.” (El-Huxhurat 14)

O ju besimtarë! Në një shprehje popullore thuhet: “Uji nxjerr në shesh aftësinë e notarit.” Po kështu, realiteti i njerëzve sot e përgënjeshtron pretendimin e shumëkujt se i përmbahen besëlidhjes së besimit ashtu siç e kërkon Zoti prej tyre. Secili prej nesh le ta pyesë veten: Cila është e vërteta e besimit tim? Cilat janë veprat që e vërtetojnë atë në mënyrë të qartë? A mjafton që zemra e dikujt të jetë e pastër? A mjafton vetëm pohimi me gjuhë, pa vepra të gjymtyrëve? A shtohet besimi ynë apo pakësohet? A nuk ka thënë profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Besimi përbëhet nga shtatëdhjetë e ca degë. Më e larta e tyre është fjala ‘La ilahe il-lallah’, S’ka Zot tjetër përveç Allahut, ndërsa më e ulëta është largimi i një pengese nga rruga.” Sa prej degëve të besimit ka mbledhur, zbatuar dhe përvetësuar secili prej nesh? Çdo njëri nga ne le ta pyesë veten: A ka numëruar ndonjëri nga ne se sa pjesë kemi kontribuar në zbatimin e Islamit? A janë zemrat tona të lidhura me xhamitë apo me vendet e argëtimit? A janë zemrat tona të mbushura me besim, duke mos lënë vend për dashurinë e tepruar ndaj kësaj bote, apo janë të mbushura me dashurinë për dinarin dhe dirhemin, për pasurinë dhe paranë? Sa herë kemi pasur frikë prej Zotit dhe kemi braktisur haramet, të ndaluarat? Sa herë na kanë lotuar sytë nga frika ndaj Zotit? Sa herë na janë dridhur zemrat kur kemi neglizhuar në bindjen ndaj Zotit tonë? Sa herë jemi kapur fort pas besëlidhjes së besimit, sepse fjalët e Zotit na kanë prekur thellë në zemër? “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten.” (El-Enfal 2) Nëna jonë, Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “O i dërguari i Allahut, në ajetin: “Dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë…” (El-Mu’minun 60) a bëhet fjalë për ata që pinë alkool dhe vjedhin? Ai iu përgjigj: “ Jo, o bija e Es-Sidikut! Por, janë ata të cilët agjërojnë, falin namazin dhe japin lëmoshë, por kanë frikë se mos veprat e tyre nuk pranohen.” Zoti të shpërbleftë, o nëna e besimtarëve!  Sikur t’i shihje disa nga mesi ynë që falin namazin, agjërojnë dhe kryejnë umren, por njëkohësisht merren me kamatën, përvetësojnë padrejtësisht trashëgiminë, afrohen drejt imoralitetit dhe shkelin ndalesat e Zotit!

Sikur t’i shihje, o nëna jonë, ata që kanë përvetësuar dhe kanë përpirë sjelljet e injorancës, ndonëse Zoti i ka bërë të panevojshme ato përmes besimit!

LEXO  Këshilla dhe shqyrtim i kushteve të shteteve dhe rajoneve

O nëna jonë! Sikur t’i shihje ata që e shesin fenë e tyre nga ne për një përfitim të kësaj bote! O nëna jonë! Sikur t’i shihje ata që blejnë Xhehenemin nga ne me besnikërinë e tij dikujt tjetër përveç Zotit, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve! O nëna jonë! Sikur t’i shihje ata që derdhin padrejtësisht gjakun e vëllait të tyre! Sikur t’i shihje njerëzit sot, duke luftuar njëri-tjetrin nga padija dhe duke i bërë padrejtësi njëri-tjetrit nga armiqësia! O nëna jonë! Sikur t’i shihje ata që u frikësohen njerëzve dhe nuk i frikësohen Zotit, do të habiteshe edhe më shumë!

Kini frikë Zotin, o muslimanë! A nuk ju ka psuruar Zoti me Islam? Pse kërkoni krenari dhe fuqi diku tjetër përveç tij?

Kini frikë Zotin, o besimtarë! A nuk ju ka dhënë Zoti mirësi duke ju dërguar Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të? Pse i ngrini zërat mbi zërin e tij dhe shfaqni haptazi gjëra që kundërshtojnë fjalët, veprat, udhëzimin dhe sunetin e tij?!

A nuk ka ardhur koha që të përmirësojmë marrëdhënien tonë me Zotin, në këtë kohë kemi më shumë nevojë se kurrë për Të? A nuk është pikërisht kjo, për Zotin e Israsë, rruga për t’i qëndruar besnikë besëlidhjes së besimit?

Zoti të shpërbleftë, o ti që ke përmirësuar brendësinë tënde dhe marrëdhënien tënde me Zotin! Ti je fitimtari, ti je i shpëtuari, sepse ke ndjekur rrugën e besimit dhe je ngjitur në majën e tij, atje ku duhet të arrijë çdo besimtar.

O ju muslimanë! Ejani t’ju tregoj edhe diçka tjetër: Besëlidhja e besimit nuk është si ari i rremë që ju e njihni, i cili nuk ka vlerë të vërtetë dhe i mashtron njerëzit me shkëlqimin e tij. Por, besëlidhja juaj me Zotin është si ari i kulluar, pa asnjë papastërti. Ajo nuk duhet të përmbajë hipokrizi, sy faqësi, risi të shpikura në fe, humbje nga e vërteta, braktisje të fesë, mohim, shthurje morale apo mosbindje ndaj Zotit.

Buhariu ka transmetuar në Sahihun e tij nga Ibn Ebi Mulejke se ai ka thënë: “Kam takuar tridhjetë prej shokëve të profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe të gjithë kishin frikë se mos hipokrizia gjendej tek vetja e tyre.”

Shokët e profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kishin frikë nga hipokrizia për veten e tyre. Po ne, kush prej nesh ka frikë se mos i zgjidhen nyjat besëlidhjes së besimit dhe ajo shpërbëhet si një gjerdan që këputet?

Hasan El Basriu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Për Zotin nuk ka asnjë besimtar që gdhihet apo ngryset mbi faqen e tokës pa pasur frikë nga hipokrizia për veten e tij. Askush nuk ndihet i sigurt prej hipokrizisë, përveç hipokritit.”

O ju muslimanë! Besëlidhja e besimit është besëlidhje e mirësjelljes me Zotin dhe me njerëzit. I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na ka njohur me degët e besimit dhe ndër to ka përmendur fjalën e tij: “Besimtari nuk është ai që shan, mallkon, flet fjalë të ndyra apo përdor gjuhë të pahijshme.” Pjesë e besëlidhjes së besimit është që të jetosh për të tjerët ashtu siç jeton për veten tënde. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Besimtari, në raport me pjesën tjetër të besimtarëve, është si koka në raport me trupin. Besimtari ndien dhimbje për njerëzit e besimit, ashtu siç ndien trupi dhimbje për atë që i ndodh kokës.”

O adhurues të Zotit! Pjesë e besëlidhjes së besimit me Zotin është urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat.” (Et-Teube 71)  A i kemi ndaluar veprat e këqija, apo nxitojmë t’i kryejmë ato dhe pastaj i publikojmë në rrjetet sociale, duke u mburrur me to, duke kërkuar të na shohin njerëzit dhe të na lavdërojnë?

Ku jemi në raport me besëlidhjen e besimit? Ku jemi në raport me fenë tonë?

O muslimanë! Sot po kaloni provat më të vështira me fenë tuaj.

O besimtarë! Sot po përballeni me sprovat më të rrezikshme, sepse ato përcaktojnë fatin tuaj. A nuk ka thënë Zoti ynë i Plotëfuqishëm: “Allahu nuk i lë besimtarët në gjendjen që ndodheni ju, por do ta ndajë të keqin prej të mirit.” (Al’ Imran 179)

A nuk është pjesë e besëlidhjes së besimit, me të cilën do të peshoheni, që t’i drejtoheni Zotit dhe të dërguarit të Tij për gjykim, në vend që t’u nënshtroheni zakoneve dhe traditave?

A është besnikëria ndaj pasurisë, pozitës dhe kësaj bote pjesë e besëlidhjes së besimit apo është në kundërshtim me të?

LEXO  Të mësojmë nga historia e të dërguarit të Zotit

Pse gjendja e umetit në këtë kohë i ngjan gjendjes së atij njeriu në veshët e të cilit  ka urinuar shejtani, i vili nuk është zgjuar për ta falur namazin e sabahut në kohën e tij dhe ka humbur shumë mirësi të mëngjesit?

Besnikëritë ndaj dikujt tjetër përveç Zotit, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve janë të pranishme në shoqërinë tonë. Disa kanë shumë prej tyre, të tjerë më pak. Por, si ata që i kanë të shumta dhe ata që i kanë të pakta, ndodhen në buzë të greminës prej zjarri.

O adhurues të Zotit! Përçarja mes muslimanëve, mohimi i vlerave dhe i mësimeve të fesë, sjelljet e këqija dhe veprat e shëmtuara nuk i kanë hije një muslimani që ka hyrë në besëlidhjen e besimit me Zotin dhe e di e beson me bindje se është rob i Allahut, Zotit të botëve.

O adhurues të Zotit! O muslimanë! Besimi i ngjan një rrobe: ose është e re dhe e pastër, ose është e vjetër dhe e grisur. A do të donte ndonjëri prej jush të dilte para njerëzve me rroba të leckosura e të ndotura? E si mund të jetë njeriu i pavëmendshëm dhe të dalë para Zotit të tij me një zemër të njollosur nga epshet dhe dyshimet, duke e shkelur besëlidhjen e besimit me Të?

Prandaj, o adhurues të Zotit, hidhini mënjanë të gjitha rrobat e grisura! O besimtarë, visheni rrobën e besimit, me të cilën do të gëzohen sytë tuaj, do të qetësohen zemrat tuaja dhe do të jetë me to shpëtimi juaj.  Në një hadith të njohur thuhet: “Kush i ka tre gjëra, ai do ta shijojë ëmbëlsinë e besimit. Të jetë Zoti dhe i dërguari i Tij më të dashur për të se çdo gjë tjetër, ta dojë tjetrin vetëm për hir të Zotit, dhe të urrejë kthimin në mosbesim, pasi që Zoti e shpëtoi prej tij, siç urren të hidhet në zjarr.”

O Zot, bëje të dashur për ne besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona! Bëje të urryer për ne mosbesimin, shthurjen dhe mosbindjen ndaj Teje! Na bëj prej të udhëzuarve në rrugën e drejtë!

Adhurues të Zotit! Zotit i kërkoj falje për veten time dhe për ju. Lutuni Atij, duke qenë të bindur për përgjigje!

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin e botëve.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij, dhe  të gjithë ata që i pasojnë me mirësi deri në Ditën e Kijametit.

Në vijim

O besimtarë! Disa njerëz, nga padituria, e prishin besën e besimit që kanë lidhur me Zotin. Nga këto vepra është sharja e fesë, e Zotit, e Qabes dhe e të dërguarit, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të. Kush përdor fyerje të tilla, e vë besimin e tij përballë një rreziku të madh.

Është vërtet e çuditshme që disa njerëz i ngrenë duart në lutje drejtuar Zotit, duke iu lutur që t’i shpëtojë, t’i mëshirojë dhe t’ua largojë brengat e vështirësitë në të cilat ndodhen, ndërkohë që e shajnë Atë, shajnë Librin e Tij dhe të dërguarin e Tij, ose i dëgjojnë ata që shajnë pa u kushtuar asnjë rëndësi fyerjeve të tyre. Neve na mjafton Allahu, Ai është Mbrojtës i mrekullueshëm!

O muslimanë! Refuzimi i dispozitave të sheriatit, veçanërisht i atyre që njihen në fe si domosdoshmëri, tallja me simbolet fetare dhe fyerja e dijetarëve të umetit, të cilët njihen për dijen dhe veprat e tyre, të gjitha këto bien ndesh me besën e besimit. Prandaj, përmbusheni këtë besë ashtu siç e meriton dhe mos veproni në kundërshtim me Librin dhe sunetin.

O ju besimtarë! Besimi që keni lidhur me Zotin ju obligon të mos dëshpëroheni, të mos pikëlloheni dhe të mos keni frikë se do të humbni. Frika dhe pikëllimi janë prej shejtanit, ndërsa optimizmi dhe mendimi i mirë për Zotin janë nga kërkesat e besimit tuaj në Allahun, Zotin dhe Sunduesin tuaj. Zoti i Plotëfuqishëm ju thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim)…” (En-Nisa’ 36)

Qëndroni me Zotin në të gjitha gjendjet tuaja dhe jini me Zotin tuaj në çdo kohë. Shkurorëzoni dynjanë, këtë botë tri herë, sepse ajo është si një plakë e shëmtuar dhe shterpë, që nuk ju lind asnjë pasardhës dhe prej saj nuk do të trashëgoni asgjë tjetër përveç pasojave të veprave tuaja në Ahiret.

O Zot, pastroji zemrat tona nga hipokrizia dhe sy faqësia,  pastro gjymtyrët tona nga shthurja dhe mosbindja ndaj Teje.

O Zot, lartësoje fjalën e fesë dhe ndihmoje Islamin dhe muslimanët!

O Zot, na jep dhe mos na privo, na ndero dhe mos na poshtëro, na jep përparësi dhe mos u jep përparësi të tjerëve ndaj nesh!

O Zot, na përfshi në mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues!

O Zot, ruaj për ne xhaminë e bekuar të Aksasë,  na mundëso të shkojmë dhe të vijmë në të çdo moment dhe në çdo kohë!

O Zot, jepi çdo lutësi atë që kërkon, o Zotërues i Madhështisë dhe Nderimit!

O Zot, na fal ne, prindërit tanë dhe të gjithë ata që kanë të drejta ndaj nesh!

O Zot, fali të gjithë muslimanët dhe muslimanet, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre!

O Zot, na bëj të jetojmë si muslimanë, na bëj të vdesim si muslimanë dhe na ringjall nga varret tona si muslimanë, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues!

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Lavdishëm, Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë dhe Ai do t’ju jap dhe më shumë, kërkoni falje prej Tij sepse Ai ju falën.

Ti që fton për namaz, fto në namaz!

“…Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe, vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1714305394029467/1099485029633975

Post Author: endrit