Njerëzit e Kuranit në mes të mirësisë dhe përmirësimit

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     03-02-1448 H    17-07-2026 D

Shejh Dr. Jusuf  Ebu Sunejneh

Tema      Njerëzit e Kuranit në mes të mirësisë dhe përmirësimit

Lavdërimet janë për Allahun, i Cili zgjodhi nga robërit e Tij bartësit e Librit të Tij, ua bëri detyrë ta lexojnë me rregullat e duhura, texhvid, dhe të punojnë sipas tij, u premtoi shpërblim të madh, i bëri të qëndrojnë vazhdimisht në leximin dhe mësimin e tij, u dha të shijojnë pijen e këndshme të mirësisë së Tij, i veçoi me nderime nga njerëzit dhe i bëri prej të dashurve të Tij të veçantë.       O Allah, na bëj prej atyre që e mësojnë përmendësh Kuranin, e lexojnë ashtu siç duhet, dhe veprojnë sipas dispozitave dhe etikës së tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, dëshmi me të cilën shpresojmë të arrijmë gradat më të larta të Xhenetit, në kopshte plot begati, lumturi, rehati dhe mirësi.

Transmetohet nga Malik Ibn Dinari, Allahu e mëshiroftë, se ka thënë: Na ka lajmëruar, treguar se Allahu i Madhëruar thotë: “Unë kam ndërmend ta ndëshkoj krijesat e Mia, ose robërit e Mi, por shikoj bartësit e Kuranit, frekuentuesit e xhamive dhe fëmijët në Islam, dhe zemërimi Im qetësohet.”

O të dashurit e mi! Kujtoni sikur të zbriste një fatkeqësi ose një rrufe nga qielli, dhe nuk do të shpëtonin prej saj përveç atyre që i frekuentojnë xhamitë.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij,  i cili ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve.”

O të dashurit e mi! Kujtoni se kush dëshiron të flasë me Allahun, le ta lexojë Kuranin. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, lexoi fundin e sures Zumer ndërsa ishte në minber dhe minberi u drodh dy herë nën këmbët e tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij, të cilët e përcollën Kuranin ashtu siç u shpall dhe punuan sipas tij. Atyre ju dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

O robër të Allahut! Është transmetuar se Allahu i Madhëruar thotë: “Pasha Madhërinë dhe Lavdinë Time! Nuk do ta ndëshkoj me zjarr një gjuhë që ka lexuar Kuranin, as një zemër që e ka ruajtur atë, as një vesh që e ka dëgjuar dhe as një sy që e ka parë.”

Adhurues të Zotit! Ju porosis me Kuranin, sepse ai është drita e natës së errët dhe udhëzimi i ditës së ndritshme. Ju porosis të veproni me të, të plotësoni atë që ju ka kaluar dhe të përgatiteni për atë që do të vijë.

Përgatituni për sprovat dhe vështirësitë. Nëse ju godet ndonjë fatkeqësi, vendosni pasurinë tuaj përpara vetes suaj, d.m.th, sakrifikoni pasurinë para se të rrezikoni jetën, pastaj veten tuaj para fesë suaj. I privuar dhe i humbur i vërtetë është ai që është i privuar nga feja e tij.

O musliman! Nëse dëshiron shok të ngushtë bëj Kuranin shokun tënd të ngushtë. Nëse dëshiron  shoqërues bëj Melaiket shoqëruesit e tu. Nëse dëshiron të dashur Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar është drita e zemrave e të dashurve të Tij.

Mos u bëj prej atyre që thonë: “Kam mësuar përmendësh, kam fituar dije dhe kam përparuar”, sepse nëse vepron kështu ke nxjerrë sinqeritetin nga zemra jote. Bëje mësimin, dijen dhe veprën tënde tërësisht të sinqertë për hatrin e  Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar.

LEXO  Gëzimi i Bajramit dhe zbutja e zemrave

Ruaju nga fama dhe dashuria për t’u shfaqur para njerëzve, sepse ajo e thyen njeriun. Besimtari, kur është i pranishëm nuk kërkon të njihet, e kur mungon nuk kërkon të përmendet.

Kur të jesh në mesin e njerëzve të devotshëm ruaje zemrën tënde. Kur të jesh në mesin e dijetarëve ruaje dijen tënde. Ruaju shumë nga fjalët e tepërta, përveçse kur pyetesh. Nëse nuk e di një çështje, mos ki turp të thuash: “Nuk e di.” Për këtë ke model dhe shembull dijetarët e mëdhenj, mjafton shembulli i Imam Malikut.

Ruaju nga mendjemadhësia, sepse ajo është cilësi e shejtanit dhe meriton mallkim e dëbim. Merr mësim nga ajo që ndodhi me Faraonin, Hamanin dhe Karunin, se si Allahu e fundosi Karunin në tokë. Askush nuk e ka vënë re kurrë veten përveçse ai u shkatërrua nga vetëpëlqimi.

Njëri prej njerëzve të mirë ka thënë: “Kam parë një njeri duke bërë tavaf, ndërsa para tij qëndronin roje që i largonin njerëzit për t’i hapur rrugë. Pas një kohe e pashë mbi urën e Bagdadit duke lypur nga njerëzit. U habita dhe e pyeta. Ai më tha: ‘Unë u bëra mendjemadh në një vend ku njerëzit përulen me përulësi, e Allahu i Madhërishëm më sprovoi me poshtërim në një vend ku njerëzit zakonisht ecin me krenari.’”

Nga fjalët e imam Ahmed Er Rifa’iut, Allahu e mëshiroftë: “I kam ndjekur të gjitha rrugët që të çojnë tek Allahu dhe nuk kam parë rrugë më të afërt, më të lehtë e më të dobishme sesa nevoja shpirtërore, përulësia dhe nënshtrimi ndaj Allahut.” Kur u pyet se si arrihet kjo, ai tha: “Duke madhëruar urdhrin e Allahut, duke pasur dhembshuri për krijesat e Allahut dhe duke ndjekur sunetin e të dërguarit të Allahut.” Besimtar është ai që i braktis njerëzit, zbukurohet me sinqeritet, që lë pas zbukurimet dhe shtirjet, dhe që largohet, shmang hipokrizinë dhe kënaqësinë.   O musliman! Sillu me edukatë ndaj Allahut. Ebu Ubejd El Kasim Ibn Selam, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Hyra në Meke dhe ndonjëherë ulesha pranë Qabes, madje ndonjëherë shtrihesha dhe i zgjatja këmbët. Erdhi tek unë Aishe El Mekije, një grua e devotshme që kishte shoqëruar Fudejl Ibn Ijadin, dhe më tha: ‘Thuhet se je dijetar. Mos u ul para Tij, Allahut, veçse me edukatë, që të mos të fshihet emri yt nga regjistri i atyre që janë afër Tij,  Allahut.”

Edhe ti, o musliman, kujdesu për fëmijët dhe familjen tënde. Mësoji, edukoji dhe ruaji nga shpërdorimi i kohës së tyre. Udhëzoji në dispozitat e Allahut. Shikoje shoqërinë tonë, ku janë përhapur korrupsioni, krimet e vrasjes, e kjo edhe për arsyet më të vogla.

Shikoni kuvendet, tubimet tona sot: Janë tubime me të qeshura, argëtim, lojëra, ngrënie e pirje. Bisedat rrotullohen rreth pasurisë së kësaj bote dhe të mirave të saj: Një orë për pasuritë e paluajtshme, një orë tjetër për projekte investimi dhe një orë tjetër për makinat më të reja. Koha humbet në përgojim, bartje fjalësh, zili dhe cenim të nderit të njerëzve, shpenzohen energji të mëdha për udhëtime turistike me qindra kilometra dhe mijëra dinarë.

LEXO  Shfrytëzojeni Ramazanin në mirësi dhe bamirësi

Ndërkohë, kuvendet e brezave të parë të devotshëm, selefëve, ishin tubime me përmendje të Allahut dhe adhurimin e Tij, kuvende të Kuranit, të leximit të librave të sunetit, moralit dhe edukatës. Sot kjo është zvogëluar pak nga pak, derisa libri pothuajse është lënë në harresë. Si pasojë është përhapur padituria, është shtuar imoraliteti, është shfaqur hapur zinaja, marrëdhëniet e ndaluara jashtëmartesore, ngrënia e kamatës, kryerja e veprave të turpshme dhe cenimi i nderit e pasurisë së njerëzve.

Zinaja, imoraliteti, është përhapur haptazi. Ku janë baballarët dhe nënat në edukimin e brezave, të djemve dhe vajzave? Ku është shoqëria e ndershme që ngrihet mbi dëlirësi, turp dhe pastërti?

“Ruajeni dëlirësinë tuaj, që edhe gratë tuaja të jenë të dëlira,  shmangni çdo gjë që nuk i ka hije një muslimani.

O ti që cenon nderin e njerëzve dhe këput lidhjet e dashurisë, do të jetosh pa nder e pa respekt.

Po të ishe vërtet fisnik, nga një prejardhje e ndershme, nuk do ta shkelje kurrë nderin e një muslimani.

Kush bën zina, imoralitet, do t’i bëhet edhe atij, qoftë edhe në shtëpinë e vet, nëse je i mençur, merre këtë mësim.

Kush bën zina, imoralitet, në shtëpinë e tjetrit për dy mijë dirhem, në shtëpinë e tij do të bëhet imoralitet për një çerek dirhem.”

O të dashurit e mi! Gruaja fisnike, Umu Derda’, Allahu qoftë i kënaqur me të, qëndronte gjashtë muaj në Bejtul-Makdis, Kuds, dhe gjashtë muaj në Damask. Ajo mbante mësime në Xhaminë Emewije të Damaskut, ku merrte pjesë edhe vetë kalifi Abdulmelik Ibn Meruan. Ajo thoshte: “Dituria më e vlefshme është njohja, e Allahut.”

Po ashtu thoshte: “Mësojeni urtësinë që në moshë të vogël, që të veproni me të kur të rriteni.”   Ajo nuk reshte së faluri dhe ishte vazhdimisht e përkushtuar në adhurim.

Në atë kohë, gruaja i thoshte burrit të saj: “Allahu do të të marrë në pyetje për mua. Mos më ushqe veçse me hallall dhe mos e zgjas dorën drejt asaj që është e dyshimtë për shkakun tim.”

O ju të dashurit e mi! Dëgjoni se çfarë rrëfen imam Nexhmudin El Gazi për nënën e tij, Allahu i mëshiroftë të dy. Ai thotë: “Unë dhe vëllezërit e mi u rritëm pas vdekjes së babait tonë nën kujdesin e nënës sonë. Ajo na edukoi në mënyrën më të mirë, ruajti nderin tonë, na mësoi namazin dhe sjelljet e mira, u kujdes që të mësonim Kuranin, i shpërbleu dhe i nderoi mësuesit tanë për këtë, dhe mori përsipër përkujdesjen tonë me një përkushtim që e tejkalonte atë që bëjnë burrat. Ajo mbeti e ve për hatrin tonë, duke shpresuar tek Allahu për shpërblimin dhe mirësinë e Tij.”

Shikoni këtë grua se si i edukoi fëmijët e saj dhe nxori prej tyre dijetarë të mëdhenj.

Prandaj, o motër muslimane! Mos u gëzo për atë që është kalimtare dhe mos u dëshpëro për atë që largohet. Gëzohu me Zotin dhe frikësohu vetëm nga rënia e pozitës sate tek Allahu.

Allahu na ruajt ne dhe juve nga mashtrimi i veprave të mira në pamje të jashtme, ndërkohë që zemra dhe e fshehta janë të prishura.

LEXO  Katër arsye për të marrë mirësi dhe përfitime

Drejtojuni Zotit Bujar me lutje dhe nënshtrim, dhe luteni Allahun duke qenë të bindur se Ai do t’ju përgjigjet.

Sa të fituar janë ata që tek Zoti kërkojnë falje! Kërkoni falje prej Allahut.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, i Cili  zbriti Librin robit të Tij, udhëzim dhe këshillë për njerëzit me mendje të shëndoshë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, fytyrat përulen para të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të çdo gjësë, para Madhështisë së Tij përkulen qafat tona.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguar nga populli më fisnik dhe prejardhja më e ndershme, tek umeti më i mirë me Librin më të mirë. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, lutje dhe përshëndetje të vazhdueshme deri në Ditën e Kthimit.

Në vijim

O robër të Allahut!  Përpiquni të përmirësoni sjelljen dhe veprat tuaja të dukshme, sepse nëse e bëni këtë, ka shpresë që zemrat dhe gjendja juaj e brendshme të përmirësohen. “Sikur të qëndronin (banorët e Mekës) në rrugën e vërtetë, Ne do t’u jepnim ujë të bollshëm.” (El-Xhinn 16)

Sa i mirë është muslimani që qëndron në shtëpinë e tij dhe e ruan në të veten e tij. Ruajuni nga qëndrimi në tregje, sepse ato të shpërqendrojnë dhe të humbin kohën. Ruajuni nga ulja dhe të shoqërimi me njerëz të pamend dhe të shthurur.

Kur ndonjëri prej jush dëshiron të urdhërojë për të mirën ose të ndalojë nga e keqja, le ta përgatisë veten për durim dhe për vuajtje, dhe të jetë i bindur në shpërblimin që vjen nga Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar.

Kini shumë kujdes nga përgojimi, gibeti, bartja e fjalëve, thashethemet dhe cenimi i nderit e dinjitetit të njerëzve.

Dëgjoni imamin e madh, dijetarin e shquar të hadithit, të devotshmin dhe të pastërin, Muhamed Ibn Ismail El Buhariun, prijësin e dijetarëve të hadithit dhe mësuesin e mësuesve, i cili thoshte: “Shpresoj ta takoj Allahun dhe të mos mbahem përgjegjës se kam përgojuar ndonjë njeri.”

Ky imam, në muajin e Ramazanit, e përfundonte leximin e plotë të Kuranit çdo ditë gjatë ditës, ndërsa pas namazit të teravisë e përfundonte një hatme tjetër në çdo tri net.

Ndërsa imami shembull, Mesruk Ibn El Exhda’, një njeri i tha: “Ti je më zotëria i recituesve të Kuranit dhe mësuesi i tyre. Vërtetë zbukurimi yt është  zbukurim dhe për ta, dhe se shëmtimi yt është shëmtim dhe për ta. Prandaj mos mendo për varfëri dhe as për jetë të gjatë.”

Një tjetër u lut për të duke thënë: “Allahu të ruajt nga frika e varfërisë dhe nga shpresa e gjatë. Mos të bëftë shënjestër të mendjelehtëve dhe as turp për dijetarët e fesë.”

O robër të Allahut! Durime dhe pak durim! Sa afër është lehtësimi.

Kush i mbështetet Allahut në punët e tij, ka sukses, shpëton.

Kush është i beson vërtetë Allahut nuk e godet e keqja dhe kush shpreson tek Ai, do ta gjejë atë që shpreson.

O Allah, të lutemi të na japësh suksesin e njerëzve të udhëzimit, veprat e njerëzve me bindje të plotë, sinqeritetin e njerëzve të pendimit, vendosmërinë e njerëzve të durimit, përkushtimin e njerëzve që të frikësohen prej Teje, dëshirën e zjarrtë të atyre që të kërkojnë Ty, adhurimin e njerëzve të devotshëm dhe njohurinë e njerëzve të diturisë.

O Allah, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga qëndrimi dhe rruga e gënjeshtarëve. Kërkojmë mbrojtjen Tënde nga veprat e dembelëve dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga shpërfillja e të pavëmendshmëve.

O i Plotfuqishëm, o i Denjë për çdo lavdërim, o Zotërues i Arshit Madhështor, largo prej nesh çdo tiran kokëfortë.

O Ti që i plotëson begatitë, o Ti që largon fatkeqësitë, o Ti që shuan brengën dhe pikëllimin, o Ti që largon errësirat!

O më i Drejti nga të gjithë gjykuesit! O Llogaritësi më i Drejtë ndaj atyre që bëjnë padrejtësi!

O Ti që je i Pari pa fillim dhe i Fundit pa mbarim! Na jep rrugëdalje dhe lehtësim në çështjet tona.

Ti që fton për namaz, fto në namaz: “…Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe, vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1622674429859231/1908705913127851

Post Author: endrit