“ Dhe ju do të pyeteni!”

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    03-06-1448 H     13-11-2026 D

Shejh Dr. Abdul Muhsin Ibn Muhamed El Kasim

Tema    “ Dhe ju do të pyeteni!”

Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet,  e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për të gjithë dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit me frikë të vërtetë dhe binduni Atij në fshehtësi dhe hapur. O ju muslimanë! Feja është ndërtuar mbi shtylla dhe themele, pa të cilat ajo nuk mund të qëndrojë. Islami ka shtyllat e tij, ashtu sikurse dhe besimi ka shtyllat e tij. Nga shtyllat e imanit, besimit, është besimi në Ditën e Fundit. Stacioni i parë i saj është varri, ndërsa stacioni i fundit është Xheneti ose Zjarri, Xhehenemi. Askush nuk arrin në përfundimin e kësaj rruge pa kaluar nëpër pyetje të shumta, të cilat fillojnë që në çastet e agonisë së vdekjes.

Kur besimtarëve u vjen vdekja: “…do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit…” (Fussilet 30) Ndërsa idhujtarët, në çastet e vdekjes, tmerrohen nga engjëjt, të cilët i qortojnë dhe i pyesin me nënçmim: “E, kur t’u vijnë të dërguarit Tanë (engjëj), për t’ua marrë shpirtin, do t’u thonë: “Ku janë idhujt që i adhuronit në vend të Allahut?”.” (El-A’raf 37) Pastaj shpirti ngrihet lart dhe kalon pranë grupi engjëjsh të cilët thonë për shpirtin e besimtarit: “Çfarë është ky shpirt i mirë?!” Ndërsa për shpirtin e jobesimtarit thonë: “Çfarë është ky shpirt i keq?!” Hadithin e transmeton Ahmedi.

Më pas shpirti kthehet në trup, në varr, ku vijnë dy engjëj, e ulin të vdekurin dhe e pyesin: “Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Çfarë thua për këtë njeri që u dërgua mes jush?” Hadithin e transmeton Ahmedi.

Kur njerëzit të ngrihen për të dalë para Zotit të botëve, Allahu do ta kapë tokën dhe do t’i palosë qiejt me të Djathtën e Tij e pastaj do thotë: “Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!” (Gafir 16)

Në hadith Kudsi ka ardhur: “Unë jam Sunduesi! Ku janë tiranët? Ku janë mendjemëdhenjtë?” Hadithin e transmeton Muslimi. Në këtë qëndrim madhështor, të dërguarit do të pyeten: A e përcollët mesazhin e Zotit tuaj? “Do thirret Nuhu në Ditën e Gjykimit dhe do thotë: Të përgjigjem dhe jam në shërbimin Tënd, o Zoti im!” Allahu do t’i thotë: A e përcolle mesazhin? Ai do të përgjigjet: Po!” Hadithin e transmeton Buhariu.

Edhe popujt do të pyeten: A ju përcollën të dërguarit mesazhin? I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Pastaj do t’i thuhet popullit të tij, popullit të Nuhut, paqja e Zotit qoftë mbi të: A ju përcolli ai mesazhin?”  Ata do të thonë: “Nuk na erdhi asnjë paralajmërues!” Zoti do të thotë: “Kush dëshmon për ty?” Ai do të thotë: “Muhamedi dhe umeti i tij.” Atëherë ju do të dëshmoni se ai e ka përcjellë mesazhin.” Hadithin e transmeton Buhariu.

Jobesimtarët nga xhinët dhe njerëzit do pyeten me pyetje qortuese dhe për t’ua bërë të qartë fajin e tyre: A ua kanë përcjellë ju mesazhin të dërguarit? “O tog i xhindeve dhe i njerëzve, a nuk ju patën ardhur të dërguar nga mesi juaj, për t’ju treguar Shpalljet Tona dhe për t’ju paralajmëruar takimin me këtë ditë?” (El-En’am 130)

Ky umet do të pyetet: A jua përcolli profeti juaj mesazhin? I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Ndërsa, kur ju do të pyeteni për mua. Çfarë do të thoni?” Ata thanë: “Dëshmojmë se ti e përcolle mesazhin, e përmbushe amanetin dhe na këshillove.” Hadithin e transmeton Muslimi. Të dërguarit do të pyeten gjithashtu: Si iu përgjigjën popujt tuaj kur i thirrët në rrugën e Zotit? “Një ditë Allahu do t’i tubojë të dërguarit e do t’u thotë: “Si ju janë përgjigjur?” Ata do të thonë: “Ne s’kemi dijeni; vetëm Ti i di të gjitha fshehtësitë.” (El-Ma’ide 109)

Ndërsa ata që përgënjeshtruan do të pyeten se çfarë përgjigjeje u dhanë të dërguarve të tyre: “Atë Ditë, Ai do t’i thërrasë, duke u thënë: “Ç’përgjigje iu dhatë të dërguarve?” Atë ditë, argumentet e tyre do t’u ngatërrohen e ata nuk do të mund të pyesin njëri – tjetrin.” (El-Kasas 65–66)      Adhurimi i takon vetëm Allahut, Zotit të Vetëm. Çdo gjë që është adhuruar përveç Allahut do të pyetet: A ti i ke thirrur adhuruesit e tu që të të adhurojnë, apo ata të kanë adhuruar vetë, pa i thirrur ti? Zoti  do t’i pyesë engjëjt, në prani të atyre që i kanë adhuruar: “Ditën, kur do t’i tubojë të gjithë, do t’u thotë engjëjve: “Vallë, këta juve ju adhuronin?” Ata do të thonë: “Qofsh i lavdëruar Ti, o Zoti ynë! Ti je Mbrojtësi ynë, jo ata.” (Sebe’ 40–41)

LEXO  Lidhja martesore është një akt madhështor - Dr.Ali ibn Abdurrahman el Hudhejfij - 12.10.2018

Profetët do të pyeten gjithashtu. “Pastaj Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): “O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut ?!” (El-Ma’ide 116) Po ashtu, të gjithë ata që janë adhuruar në vend të Allahut do të pyeten: “Ditën, kur Ai t’i tubojë idhujtarët bashkë me idhujt që i adhuronin në vend të Allahut, do t’u thotë (të adhuruarve): “A jeni ju që i keni shmangur këta robër të Mi apo ata vetë kanë humbur rrugën e drejtë?” (El-Furkan 17)

Ai që ka drejtuar adhurimet dikujt tjetër përveç Allahut do të pyetet para të gjitha krijesave: “Ku janë idhujt tuaj, për të cilët thoshit se ishin ortakë të Allahut!” (El-En’am 22)

Ata popuj që përgënjeshtruan argumentet e Zotit, të cilat dëshmojnë për Njëshmërinë e Tij, do të ndalen para Tij, Zotit të Madhërishëm, për t’u marrë në pyetje: “Atë ditë, Ne do të tubojmë prej çdo populli nga një grup prej atyre që mohuan Shpalljet Tona. Ata do të vihen në radhë. E kur të vijnë, do t’i pyesim: “Ju i mohuat Shpalljet e Mia, ndonëse nuk kishit kurrfarë njohurie për to. Ç’është kjo që keni bërë?!”  (En-Neml 83–84)

Ai që e ka mohuar ringjalljen do të pyetet për këtë: “Ah, sikur t’i shohësh ata kur të dalin para Zotit! Ai do t’ju thotë: “A nuk është e vërtetë kjo?” Ata do të përgjigjen: “Po, është e vërtetë, për Zotin tonë!” (El-En’am 30)

Melaiket janë robër të Zotit, e ata që kanë shpifur për ta se janë bijat e Zotit do të pyeten për këtë. “Ata (paganët mekas) i konsiderojne femra engjëjt, të cilët janë robërit e të Gjithëmëshirshmit. A mos vallë kanë qenë të pranishëm gjatë krijimit të tyre?! Pohimi i tyre do të shënohet dhe ata do të përgjigjen (për atë shpifje)!” (Ez-Zuhruf 19)

Ai që i thërret njerëzit në humbje dhe pretendon se do t’i bartë gjynahet e pasuesve të tij, do të pyetet për shpifjet e tij. “Ata (mohuesit), do t’i mbartin barrët e veta e bashkë me to edhe barrë të tjera dhe patjetër, që do të pyeten Ditën e Kiametit për gjithçka, që trillonin.” (El-Ankebut 13) Sikurse zotimet dhe marrëveshjet që njerëzit lidhin mes tyre do jenë objekt përgjegjësie. “Dhe përmbushni zotimet. Me të vërtetë, për zotimet do të jeni përgjegjës.” (El-Isra’ 34)

Të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit, si vizita e të sëmurit, ushqimi i të uriturit dhe dhënia e ujit të eturit, do të merren në llogari. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Zoti i Lartësuar në Ditën e Gjykimit do të thotë: O biri i Ademit, Unë u sëmura dhe ti nuk më vizitove?!”  Ai do të thotë: “O Zoti im, si të të vizitoja Ty, kur Ti je Zoti i botëve?” Zoti do të thotë: “A nuk e dije se filan robi Im ishte sëmurë dhe ti nuk e vizitove? A nuk e dije se, sikur ta vizitoje, do të më gjeje tek ai? O biri i Ademit! Të kërkova ushqim dhe ti nuk më ushqeve. O biri i Ademit! Të kërkova ujë dhe ti nuk më dhe!” Hadithin e transmeton Muslimi.

Çdo njeri që ka përgjegjësi, kujdestari për dikë apo për diçka, do pyetet nga Zoti për përgjegjësinë e tij. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e vet. Udhëheqësi është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e tij. Burri është kujdestar për familjen e vet, andaj do të japë përgjegjësi për të. Gruaja është kujdestare për shtëpinë e burrit të vet, andaj do të japë përgjegjësi për të. Shërbëtori është kujdestar për pasurinë e zotërisë së vet, andaj do të japë përgjegjësi për të.” Muttefekun alejhi. Ibn Haxheri, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Dhe nëse njeriu nuk ka askënd nën përgjegjësinë e tij, ai është kujdestar i gjymtyrëve dhe shqisave të veta, sepse e ka për detyrë të përmbushë të drejtën e Zotit dhe të drejtën e robërve të Tij.”

LEXO  Rruga e drejtë: Udhëzim në këtë botë dhe shpëtim në botën Tjetër

Edhe gjymtyrët do të pyeten. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” (El-Isra’ 36)

Njeriu do të pyetet, merret në përgjegjësi, për katër mirësi. “Nuk do të lëvizin këmbët e robit Ditën e Kiametit, derisa të pyetet:  Për jetën e tij si e harxhoi, për dijen e tij se çfarë veproi me të, për pasurinë e tij nga e fitoi dhe ku e shpenzoi dhe për trupin e tij ku e ka përdorur (shfrytëzuar).” Hadithin e transmeton Tirmidhiu.

Për çdo mirësi, sado e vogël të jetë, njeriu do të pyetet. “Pastaj, atë Ditë, do të pyeteni për mirësitë (e kësaj bote)!” (Et-Tekathur 8)

Xhabir Ibn Abdullahu, Zoti  qoftë i kënaqur me ata të dy, ka thënë: “I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  Ebu Bekri dhe Omeri hëngrën hurma të freskëta dhe pinë ujë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  tha: Kjo është prej mirësive për të cilat do të pyeteni.” Hadithin e transmeton Ahmedi.

Mirësia dhe nderi më i madh për profetin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  dhe umetin e tij është Kurani Famëlartë. Ne do të pyetemi për detyrimet tona ndaj tij, për leximin dhe zbatimin e tij në jetën tonë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Pa dyshim që Kurani është përkujtesë për ty dhe popullin tënd; e ju do të pyeteni!” (Ez-Zuhruf 44)

Në qëndrimin madhështor Zoti do t’ia kujtojë robit mirësitë që i ka dhënë e pastaj do ta pyesë për to. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  ka thënë: “Secili prej jush do të qëndrojë para Zotit pa pasur mes tij dhe Allahut asnjë perde dhe asnjë përkthyes që t’ia përkthejë fjalët. Pastaj Zoti do t’i thotë: A nuk të dhashë pasuri? Ai do të thotë: Po. Pastaj Zoti do t’i thotë: A nuk të kam sjellë të dërguar, profet? Ai do të thotë: Po. Do të shikojë në të djathtë dhe nuk do të shohë asgjë tjetër përveç Zjarrit, pastaj do të shikojë në të majtë dhe nuk do të shohë asgjë tjetër përveç Zjarrit.” Hadithin e transmeton Buhariu.

Të gjitha krijesat do të pyeten për veprat e tyre. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “… e ju, gjithsesi, do të përgjigjeni për atë që keni bërë.” (En-Nahl 93)

Besimtarët do të përballen me gjynahet e tyre në vetmi, fshehtësi. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtet Allahu do ta afrojë besimtarin (në Ditën e Gjykimit), do ta mbulojë me mbulesën e Tij (mëshirën dhe mbrojtjen e Tij) dhe do ta fshehë nga sytë e të tjerëve. Pastaj do t’i thotë: ‘A e njeh filan gjynah? A e njeh filan gjynah?’ Ai do të përgjigjet: ‘Po, o Zoti im!’ Kështu do vazhdojë derisa t’i pranojë të gjitha gjynahet e tij dhe të mendojë se është shkatërruar. Zoti do t’i thotë: ‘T’i kam mbuluar në dynja (botën e kësaj jete), ndërsa sot po t’i fal!” Muttefekun alejhi.

Ata që adhurojnë dikë tjetër përveç Zotit do të pyeten disa herë. Pasi të përcaktohet përfundimi i tyre drejt Zjarrit, do t’u thuhet të ndalen para se të hyjnë në të, në mënyrë që të pyeten për veprat dhe fjalët e tyre. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ndalini ata, se do të pyeten!” (Es-Saffat 24) Kur të sillen para Zjarrit, do të pyeten: “Ditën, kur ata që kanë mohuar do të përballen me Zjarrin (do t’u thuhet): “Vallë, a nuk është kjo e vërtetë?” Ata do të thonë: “Po, për Zotin tonë” (El-Ahkaf 34)

Tek dyert e Xhehenemit, rojtarët e tij do t’i pyesin: “A nuk ju kanë ardhur të dërguar nga gjiri juaj, të cilët ju lexonin Shpalljen e Zotit tuaj e ju tërhiqnin vërejtjen për takimin e kësaj dite?!”(Ez-Zumer 71)

Sa herë që hidhet një grup njerëzish në të, në Zjarr, rojtarët do t’i pyesin: “Sa herë që aty të hidhet ndonjë grup, rojtarët e tij do t’i pyesin ata: “A nuk ju erdhi ndonjë paralajmërues?!” (El-Mulk 8) Ndërsa banorët e Xhenetit, pasi të hyjnë në të, do të pyeten nga Zoti i tyre me pyetje nderimi dhe kënaqësie. “A dëshironi t’ju jap edhe diçka më shumë?” Ata do të thonë: “A nuk na i zbardhe fytyrat? A nuk na fute në Xhenet dhe na shpëtove nga Zjarri?” Atëherë Zoti do ta largojë perden dhe atyre nuk do t’u jepet asgjë më e dashur sesa shikimi i Zotit të tyre, i Madhërishmi dhe i Lartësuari.” Muttefekun alejhi.

LEXO  Medineja e Shenjtë - Medina 24.01.2020

Në vijim

O ju muslimanë! Zoti është betuar në Sundimin e Tij se të gjithë do të pyeten. Ai ka thënë: “Ashtu është e vërtetë, për Zotin tënd, se Ne do t’i pyesim ata të gjithë.” (El-Hixhr 92) Ai i ka përfshirë në këtë pyetje si të dërguarit, ashtu edhe popujt e tyre: “Pa dyshim, Ne do të kërkojmë llogari prej popujve që u kemi çuar të dërguar, e patjetër që do t’i pyesim edhe të dërguarit.” (El-A’raf 6)

Teuhidi, Njësimi i Zotit dhe besimi në të dërguarit e Tij, janë feja e Allahut. Pyetjet e Ditës së Gjykimit lidhen pikërisht me këto dy çështje. Prandaj, përgatitni përgjigjet për ato pyetje duke e forcuar dijen tuaj për Teuhidin, Njësimin e Zotit, dhe për atë që na solli profeti ynë Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

Llogaritni veten dhe shqyrtoni fjalët dhe veprat tuaja para se të vijë dita kur do të jepni llogari. “Sot është ditë pune pa llogari, ndërsa nesër është ditë llogarie pa punë.”

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” (El-Hashr 18)

Zoti na begatoftë në Kuranin Famëlartë, dhe na bëftë dobi nga argumentet dhe urtësitë e tij të mëdha.

Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Zoti kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirbërës.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet i takojnë Zotit për mirësitë e Tij, Atë e falënderojmë për suksesin dhe arritjet. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai meriton Madhërime.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij. Paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, atyre u dërgojmë selame të shumta.

O ju muslimanë!

Sa më shumë njeriu të ketë dije dhe besim, aq më i qëndrueshëm është në teuhid, Njësimin e Zotit, aq më shumë e pason sunetin dhe aq më i palëkundur është në momentin e pyetjeve. Leximi i Librit të Zotit dhe besimi në të janë shkak për dhënien e përgjigjes së saktë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na ka njoftuar se kur besimtari u përgjigjet tri pyetjeve të varrit, dy engjëjt i thonë: “Po nga e di ti këtë?” Në një transmetim të Ebu Davudit thuhet: “Çfarë të bëri ta dish këtë?” Domethënë: Si e mësove përgjigjen? Ai përgjigjet: “Lexova Librin e Zotit, Kuranin, besova në të dhe e zbatova atë.” Atëherë një thirrës thërret nga qielli: “Robi Im ka thënë të vërtetën! Shtrojani atij një shtrat nga Xheneti, visheni me rroba nga Xheneti dhe hapjani një derë drejt Xhenetit!” Hadithin e transmeton Ahmedi.

Bindja ndaj Zotit dhe të dërguarit të Tij është themeli i lumturisë dhe i shpëtimit.

Dijeni se  Zoti ju ka urdhëruar që të luteni dhe ta përshëndesni  të dërguarin e Tij, në Librin e Tij,  në Kuranin Famëlartë, ka thënë:  “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje  të dërguarin tonë,  Muhamedin.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me halifet e parë të drejtë,  të cilët gjykuan me të vërtetën dhe me të bënë drejtësi, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, dhe me ne së bashku me ta, me  Bujarinë dhe Mëshirën Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro politeizmin dhe politeistët, dhe shkatërro armiqtë e fesë.

O Zot, bëje të paqtë, të sigurt dhe të begatë këtë vend  dhe të gjitha vendet muslimane, o Zoti i botëve!

O Zot, ruaj vendin tonë, ndihmo ushtarët tanë, përjetëso për ne sigurinë tonë!

O Zot, të lutemi të jesh kundër huthinjve agresorë! O Zot, shkatërroji ata plotësisht, tunde tokën nën këmbët e tyre dhe bëji shembull për të tjerët, o i Fuqishëm dhe Ngadhënjimtar!

O Zot, jepi sukses udhëheqësit dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta,  dhe zëvendësin e fronit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, udhëzoi ata në drejtësi dhe devotshmëri, o Zot, bëji ata të dy të dobishëm për Islamin dhe muslimanët.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)

O Allah, Ti je Zoti, nuk ka Zot tjetër përveç Teje, Ti je i Pasur, nuk ke nevojë për diçka, e ne jemi të varfër, që kemi nevojë për Ty, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj prej të dëshpëruarve. O Zot, na furnizo me shi.

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf  23)

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju,

Falënderojeni për të mirat dhe begatitë e Tij që t’ua shumojë ato.

“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

 Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1743968397729833/1675770017253467

Post Author: endrit