Drejtësia: Themeli i pushtetit dhe pishtari ndriçues i umetit

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     26-05-1448 H    06-11-2026 D

Shejh Muhamed Sarandah

Tema   Drejtësia: Themeli i pushtetit dhe pishtari ndriçues i umetit

Lavdërimet janë për Zotin: “Ne i çuam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat (e shenjtë) dhe peshoren (e drejtësisë): që njerëzit të veprojnë drejt.” (El-Hadid 25)

Lavdërimet janë për Zotin: “O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe ndaj jush ose ndaj prindërve dhe të afërmve tuaj.” (En-Nisa’ 135)

Lavdërimet janë për Zotin. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Me të vërtetë, të drejtët tek Zoti do të jenë mbi minbere (podiume) prej drite, në të djathtë të të Gjithëmëshirshmit, të Madhëruarit dhe të Lartësuarit, e të dy duart e Tij janë të djathta, simbol i mirësisë dhe bekim të plotë,  ata të cilët gjykojnë me drejtësi në vendimet e tyre, me familjet e tyre dhe në çdo gjë që u është besuar për të udhëhequr.”

“Nëse jeta që po përjeton të bëhet e vështirë,  të shtohen brengat dhe të godasin fatkeqësitë,

Strehohu tek Zoti me përmendjen e Tij të vazhdueshme, sepse zemrat gjejnë qetësi në përmendjen e Tij.

Sa shumë vështirësi kemi menduar se nuk do të marrin fund, derisa kemi parë se edhe brenga më e madhe është larguar.

Bëhu i durueshëm për hir të Zotit tënd dhe mos e humb shpresën, sepse mëshira e Tij është hije për krijesat dhe agim pas errësirës.

Çdo derë, sado gjatë të qëndrojë e mbyllur, vërtet, salavati mbi të zgjedhurin, Muhamedin, është çelësi i saj.”

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, i Cili ka veçuar Veten me drejtësi dhe ua ka bërë atë detyrim të gjitha krijesave të Tij. Të gjitha krijesat janë nën pushtetin e Tij dhe kthimi i çdo gjëje është tek Ai. Sundimi i Tij është i fuqishëm dhe madhështia e Tij është e përsosur. Tek Ti mbështetemi, në drejtësinë Tënde kemi bindje, para fuqisë Tënde nënshtrohemi, heqim dorë nga mbështetja në forcën dhe mundësitë tona dhe kërkojmë strehim vetëm tek Ti. “ …kthimi ynë është tek Allahu.” (Gafir 43)

Dëshmoj se zotëria ynë,  Muhamedi, është rob i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, shërim i zemrave dhe ilaç i tyre, shëndeti dhe shërimi i trupave, drita e syve dhe ndriçim i tyre, forca e shpritërave dhe ushqim i tyre. Po, përmendja e Muhamedit do të mbetet gjithmonë e ndritur.

“Muhamedi më fisniku nga arabë dhe jo arabë, Muhamedi më i miri nga ata që ecin mbi tokë.

Muhamedi krijesa më e mirë nga fisi Mudar, Muhamedi më i miri nga gjithë të dërguarit e Zotit.

Përmendja e Muhamedit është shpirt për vetet tona, Mirënjohja ndaj Muhamedit është detyrim për të gjitha kombet.”

O Zot, dërgo salavate, përshëndetje dhe bekime mbi të!

Emri i Allahut është El-Adl (i Drejti). Allahu u ka dhënë të gjithëve të drejtën që u takon. Feja e Tij është drejtësi dhe gjykimi i Tij është drejtësi.

Drejtësi nënkupton që të drejtat t’u kthehen patjetër pronarëve të tyre në Ditën e Gjykimit. “Me siguri, do t’u kthehen të drejtat të zotëve të tyre në Ditën e Gjykimit.” “Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (El-Kehf 49)

Nga Ka’bi, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “Kur Sulejmani, i biri i Davudit, paqja e Zotit qoftë mbi ta, ndërtoi Bejtul-Makdis, xhaminë Aksa, sa herë që ndërtonte një mur, e gjente atë të shembur në mëngjes. Atëherë Allahu i shpalli: Mos ndërto mbi të drejtën e askujt pa e kënaqur më parë atë, pa marrë miratimin e tij”

Fjalët e para që tha Ebu Bekr Es Sidiku, kur mori drejtimin e muslimanëve si halife, ishin: “Dijeni se më i forti nga ju, për mua, është i dobëti, derisa t’ia marr hakun, të drejtën dhe t’ia kthej atij. Ndërsa më i dobëti nga ju për mua është i forti, derisa t’ia marr të drejtën që u ka marrë të tjerëve.”

LEXO  Këshilla për përmirësimin e individit dhe shoqërisë

Drejtësia është një nga shtyllat më të rëndësishme të këtij umeti. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e përforcoi këtë parim me fjalët: “Betohem në Allahun! Sikur Fatimja, e bija e Muhamedit, të vidhte, do t’ia prisja dorën.”

Kështu, shoqëria u bë e qëndrueshme, sepse njerëzit ndiheshin të sigurt se nuk do t’u bëhej padrejtësi. Nuk ka ndërmjetësim në zbatimin e kufijve të Zotit dhe djali i më të nderuarit do të mbahet përgjegjës.

I dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka ngritur bazat e udhëheqjes në Islam, dhe ka thënë: “Banorët e Xhenetit janë tre kategori: Udhëheqës i drejtë, bamirës dhe i suksesshëm, njeriu i mëshirshëm, zemërbutë ndaj çdo të afërmi, muslimani dhe njeriu i varfër që përmbahet nga kërkimi i lëmoshës, dhe pse ka familje për të mbajtur.”

Drejtësia që mbizotëronte në shoqërinë Islame u bë cilësi e natyrshme për të gjithë, si për udhëheqësit ashtu dhe për popullin. Ajo nuk bënte dallime ndërmjet njerëzve dhe  zhduku barrierat e prejardhjes e të kombësisë. Udhëheqësi Kutuzi ishte me prejardhje mamluke, Berke Khani ishte mongol, Salahudini ishte kurd, ndërsa Mehmeti Fatihu ishte turk. Imam Buhariu, Muslimi dhe autorët e gjashtë përmbledhjeve të njohura të haditheve nuk ishin arabë. Kurejshiu dhe arabi Ebu Xhehli është në Zjarr, bashkë me ata që ndoqën rrugën e tij, kurse Selman Farisiu është në Xhenet.

Kjo është drejtësia e Zotit në Tokë! Të varfrit që hyjnë në Xhenet nuk hyjnë për shkak të prejardhjes së tyre, por për shkak të veprave dhe punëve të tyre. “Vërtet, ky është besimi juaj – besimi i vetëm, e Unë jam Zoti juaj, andaj më adhuroni Mua!” (El-Enbija’ 92)

Nëse humbet drejtësia dhe njerëzit nuk i kushtojnë asaj më rëndësi, shpirtrat i lejojnë vetes të shkelin ndalesat e Zotit dhe zhduket ndershmëria  nga umeti, atëherë rreziku i ka ardhur atij pranë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtetë kur njerëzit e shohin zullumqarin, të padrejtin, dhe nuk e ndalojnë atë nga padrejtësia, është e pritshme që Zoti t’i përfshijë të gjithë me një dënim nga ana e Tij.”  Gjithashtu, duke paralajmëruar, ka thënë: “Nuk do të ndodhë Kijameti derisa njeriu të vrasë fqinjin, vëllain dhe babanë e tij.” Zoti  na ruajtë nga një gjë e tillë! “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.” (En-Nisa’ 93)

Përfundimi i padrejtësisë është i tmerrshëm, ndërsa fundi i drejtësisë është i lavdishëm.

Tregohet se një prej guvernatorëve i shkroi halifes Omer Ibn Abdulazizit: “Qyteti ynë është shkatërruar. Na dërgo para që ta riparojmë dhe ta rindërtojmë.” Omer Ibn Abdulazizi iu përgjigj: “Fortifiko qytetin me drejtësi dhe pastro rrugët e tij nga padrejtësia, nga padrejtësia, sepse kjo është mënyra më e mirë për ta rindërtuar atë.”

Tre gjërat janë që e shpëtojnë njeriun, prej tyre drejtësia si në gjendje kënaqësie dhe në gjendje zemërimi. Islami na thërret në drejtësi. Kur udhëheqësi i drejtë Salahudini hyri në Bejtul-Makdis, Kuds, vendosi drejtësinë dhe sigurinë. Ai caktoi si shpërblim lirimi dhjetë dinarë për burrin, pesë dinarë për gruan dhe dy dinarë për fëmijën. Ndërsa të varfërve ua fali pagesën e lirimit. Dhjetë mijë prej tyre u liruan me një shumë që vëllai i tij i drejtë e pagoi nga pasuria e vet. Kjo është drejtësia njerëzore në Islam!

Në librin Nevadir Sultanije ve Mehasin Jusufije tregohet: Ndërsa Salahudini ua falte të varfërve pagesën e lirimit, të pasurit dhe zyrtarët e pasur ngarkonin arin e tyre në karroca të tërhequra nga kafshët dhe arratiseshin, duke i lënë të varfrit në robëri. Njëri prej tyre doli me dyqind mijë dinarë. Ushtarët i thanë Salahudinit: “Ta marrim pasurinë e tij?” Salahudini u përgjigj duke thënë: “Prej tij nuk do të marrim asgjë tjetër përveç pagesës së caktuar për lirimin e tij, në mënyrë që Perëndimi dhe bota të mos thonë: Muslimanët ishin të padrejtë dhe të pabesë.” Kjo është drejtësia e Islamit pishtar ndriçues për mbarë njerëzimin!

LEXO  Udhëtimi i Haxhit: Nga Telbija në pastrim

Kurani është drejtësi. Ka njerëz që janë armiq të Kuranit dhe të së vërtetës. Ata që i kundërvihen më së shumti drejtësisë janë zullumqarët. Ata nuk e duan Kuranin dhe as tubimet ku ai mësohet e përmendet. Kjo ndodh sepse interesat e tyre bien ndesh me fjalën e Allahut, i Cili është i Drejtë. Ekonomia, fitimet dhe pasuritë e tyre janë ngritur mbi padrejtësi. Prandaj ata e luftojnë drejtësinë, i thërrasin njerëzit drejt Zjarrit, ndërsa reformatorët dhe njerëzit e së vërtetës i thërrasin drejt shpëtimit. Ata që largojnë njerëzit nga e vërteta kanë humbur këtë botë dhe botën Tjetër, Ahiretin, për shkak të luftës së tyre kundër së vërtetës dhe drejtësisë. “…të dobëtit do t’u thonë eprorëve që madhështoheshin: “Ne ishim ithtarët tuaj, ndaj, a mund të shmangni prej nesh një pjesë të dënimit tonë?” Ata që madhështoheshin, do të thonë: “Të gjithë ne jemi në Zjarr. Allahu tashmë i ka gjykuar robërit e Tij.” (Gafir 47–48)

Ndërsa për të shtypurit dhe të dëmtuarit nga padrejtësia, ka një përgëzim nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i cili ka thënë: “Lutja e të shtypurit ngrihet mbi re, dyert e qiellit hapen për të dhe Zoti thotë: ‘Pasha krenarinë Time! Do të të ndihmoj, qoftë edhe pas një kohe.”

O Zot, ne jemi robërit e Tu të dobët, që qëndrojmë në derën Tënde dhe nuk shpresojmë tek askush tjetër përveç Teje!

Ndërsa sa i përket imazhit të shoqërisë që është ngritur mbi drejtësi dhe paanësi ka për udhërrëfyes, pionierët të saj, njerëz të dijes dhe veprimit. Mospajtimi nuk e prish dashurinë dhe respektin ndërmjet njerëzve. Diskutimet dhe dallimet e mendimeve për çështje që pranojnë më shumë se një interpretim apo këndvështrim nuk duhet të çojnë në përçarje dhe armiqësi mes njerëzve të drejtësisë dhe të paanshmërisë. Lejth Ibn Sa’d ishte bashkëkohës i imam Malikut në dije. Ata kishin mospajtime në disa çështje të fikhut, por, pavarësisht kësaj, Lejthi i dërgonte imam Malikut çdo muaj nga njëqind dinarë si dhuratë. Kur imam Maliku kaloi një vështirësi financiare për shkak të martesës së vajzës së tij, i shkroi Lejthit. Ky i fundit i dërgoi tridhjetë deve të ngarkuara me pajën dhe gjërat e nevojshme për vajzën e tij.

Sot, njerëzit janë sprovuar me duar të fshehta që ndjekin gabimet e të tjerëve dhe kërkojnë me ngulm rrëshqitjet e tyre. Kush kundërshton një mendim në ndonjë çështje, akuzohet për bidat dhe prishje morale. Madje, disa ia lejojnë vetes t’ia cenojnë nderin dhe dinjitetin padrejtësisht.        Për këtë qëllim, ata përdorin faqe të dyshimta në internet, të krijuara me emra të rremë dhe identitete të fshehta. Ata që njollosin dhe shpifin për të tjerët do të dalin para drejtësisë së Zotit Ditën e Gjykimit. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kërkoni mbrojtjen e Zotit nga varfëria dhe nevoja, si dhe nga të qenët zullumqarë apo viktima të padrejtësisë.”

Ose ashtu siç ka thënë i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

Luteni Zotin duke qenë të bindur se Ai do t’ju përgjigjet!

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon Allahut, i Cili ka bërë drejtësinë themelin e mbretërisë dhe pushtetit, ka ngritur qiejt mbi bazën e drejtësisë së Tij dhe ka ndarë furnizimet në mes krijesave të Tij me Bujarinë dhe Mirësinë e Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok. Ai është Sunduesi i Vërtetë dhe i Qartë, i Drejti, i Fuqishmi dhe i Madhërishmi. Ai i ka dalluar gjërat përmes të kundërtave të tyre, sikur të mos ekzistonte padrejtësia, nuk do të njihej vlera e drejtësisë.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi është i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, prijësi i të devotshmëve dhe shembulli i dijetarëve që veprojnë sipas dijes së tyre. Ai e mishëroi drejtësinë në formën e saj më të bukur, ishte shembull në paanshmëri dhe argument në zbatimin e drejtësisë. Ai ka thënë: “Bëni barazi ndërmjet fëmijëve tuaj në dhurata, sepse, po të kisha privilegjuar dikë mbi dikë tjetër, do t’u jepja përparësi vajzave ndaj djemve.”

LEXO  Fëmijët: Në mes të mirësisë së të qenit dhuratë dhe përgjegjësisë së edukimi të tyre

Kur i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, pa se një person i kishte dhuruar diçka vetëm njërit prej fëmijëve të tij, pa u dhënë të tjerëve, e pyeti: “A u ke dhënë të gjithë fëmijëve të tu njësoj?” Ai u përgjigj: “Jo.” Atëherë pejgamberi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha: “Atëherë kërko dikë tjetër që të dëshmojë për këtë, sepse unë nuk dëshmoj për padrejtësi. Frikësojuni Allahut dhe mbani drejtësi ndërmjet fëmijëve tuaj.”

Drejtësia ndërmjet fëmijëve dhe pasardhësve kërkon që shpenzimet për ta të mbulohen sipas nevojave të secilit. Ndërsa sa u përket dhuratave, dhënieve dhe kalimit të pasurisë në pronësi gjatë jetës, këtu kërkohet barazi ndërmjet fëmijëve. Kush favorizon disa prej tyre ndaj të tjerëve, le të tërhiqet nga kjo padrejtësi.

Ndërsa ai që ka punuar me babanë e tij, mund të marrë një pjesë shtesë në krahasim me vëllezërit e tij, në varësi të përpjekjes dhe punës që ka bërë. Po ashtu, ai që i është përkushtuar kujdesit për babanë e tij të sëmurë, mund të marrë një shpërblim apo dhënie shtesë krahasuar me vëllezërit e tij.

Nëna është e urdhëruar të jetë e drejtë ndërmjet fëmijëve të saj në dhurata, ndihma dhe dhurime të ndryshme. Njeriu i mençur duhet të sillet me urtësi në mënyrën se si u jep fëmijëve të tij, qofshin të bindur apo që e kanë tepruar, sipas asaj që dikton rrethana. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Njeriu dhe gruaja mund të bëjnë vepra të mira dhe ta adhurojnë Allahun për gjashtëdhjetë vjet, por kur t’u afrohet vdekja, ata bëjnë padrejtësi në testamentin e tyre, duke i dëmtuar trashëgimtarët, dhe kështu e meritojnë Zjarrin. Zoti na ruajt!” “Ju nuk e dini se cili është më i afërt për ju nga dobia: prindërit tuaj apo fëmijët tuaj.” (En-Nisa’ 11)

Sa i përket drejtësisë brenda familjes,  “Edhe familja jote ka të drejta mbi ty.” Të jesh i zhytur vetëm në punë, udhëtime, tregti dhe përgjegjësi të tjera, duke ia lënë të gjitha barrët bashkëshortes në shtëpi, është larg drejtësisë.

Kryefamiljari i shijon kënaqësitë e kësaj bote, ndërsa bashkëshortja është e ngarkuar me punët e shtëpisë dhe edukimin e fëmijëve. “Edhe familja jote ka të drejta mbi ty.”

Prandaj, nuk është drejtësi që njeriu të anojë tërësisht nga njëra anë dhe të neglizhojë prindërit e tij. Drejtësia dhe paanshmëria kërkojnë që secilit t’i jepet e drejta që i takon.

Gjithashtu, pjesë e drejtësisë dhe paanshmërisë është që të falënderojmë dhe të vlerësojmë lart përpjekjet e atyre që na kanë bërë mirë. Veçanërisht njerëzve që punojnë për pajtimin dhe zgjidhjen e konflikteve, për shkak se përpjekjet e tyre kontribuojnë në realizimin e drejtësisë dhe të objektivave të Sheriatit, siç janë ruajtja e jetës, pasurisë dhe pasardhësve.

Nuk duhet të harrojmë as të vlerësojmë lart të gjithë ata që punojnë në këtë xhami, kujdestarët, rojet dhe administratën, të cilët i kryejnë këto shërbime duke kërkuar kënaqësinë, shpërblimin e Zotit të Madhërishëm.

Nga shfaqjet e drejtësisë në shoqëri është që njerëzit të zgjedhin butësinë, mëshirën dhe dhembshurinë në vend të dhunës në familje, ndërmjet vëllezërve, familjarëve, fqinjëve dhe në shoqërinë në përgjithësi.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtet, Allahu është i Butë dhe e do butësinë. Ai jep përmes butësisë atë që nuk e jep përmes ashpërsisë dhe dhunës.”

“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

O Zot, na jep ne dhe të gjithë muslimanëve, në lindje e në perëndim të tokës, për çdo shqetësim qetësi,   për çdo ngushtësi rrugëdalje, dhe për çdo vështirësi lehtësim, dhe me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues!

O Zot! Vendose xhaminë Aksa nën kujdesin, mbrojtjen dhe përkujdesjen Tënde, o Zot i botëve!

O Zot,  largoje prej nesh padrejtësinë, vuajtjet, sprovat dhe shtrenjtësinë!

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me sahabet dhe halifet e parë të drejtë. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me Ensarët dhe Muhaxhirinët. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me familjarët e tij të pastër.

O Zot, jepu për ne shpërblimet më të mira prindërve tanë,  dijetarëve dhe mësuesve tanë.

O Zot, Ti  që ke bërë salavatet ndaj të dërguarit tonë nga adhurimet,  të lutemi të afrohemi pranë Teje me të gjitha salavatet që janë dërguar për të nga dita që është krijuar deri në pafundësinë e përsosmërisë.

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Safat 180-182)

Dhe fto për namaz.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1737494621710544/1445700214360719

Post Author: endrit