Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 28-11-1447 H 15-05-2026 D
Shejh Abdul Bari Ibn Avad Eth-Thubejti
Tema Udhëtimi i Haxhit: Nga Telbija në pastrim
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka caktuar Haxhin drejt shtëpisë së Tij të shenjtë, Qabes. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj për mirësinë e sigurisë dhe besimit.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, ka caktuar ritualet dhe i përsosi veprat e mira.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i miri që ka bërë Haxhin, ka plotësuar umren dhe falur namazin. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, sa kohë që njerëzit i përgjigjen thirrjes, për Haxh, dhe bëjnë tavaf rreth shtëpisë së shenjtë, Qabes.
Në vijim
Këshilloj ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit, sepse ajo është përgatitja dhe suksesi, arritja dhe sekreti i pranimit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102) Këto grupe të bekuara me Haxhinjë, kanë ardhur nga skajet më të largëta të tokës, të shtyrë nga dëshira të sinqerta dhe të nxitur nga shpresa të mëdha, duke kërkuar falje që lan gjynahet, falje që fshin shkeljet, të metat, dhe mëshirë që shëron zemrat. Kanë ardhur të ngarkuar me barrën, ngarkesën e tyre, bartin në gjokset e tyre peshën e gjynaheve dhe shqetësimeve, duke ju drejtuar Zotit të Madhërishëm, me zemër të bindur për Bujarinë e Tij, duke e ditur se Ai nuk i refuzon ata që e kërkojnë Atë dhe nuk i zhgënjen ata që shpresojnë tek Ai. Kanë ardhur duke lënë pas zhurmën dhe zbukurimet e kësaj bote, për të qëndruar në sheshet e pastërtisë, dhe shpresa, nëse është e sinqertë, e shpie të zotin e saj drejtë pozitave të faljes. Udhëtimi i Haxhit nuk matet me hapa dhe as me numrin e ritualeve por me devotshmërinë që vendoset në zemra. Urime për atë që është i sinqertë në udhëtimin e tij, është i pastër, i vërtetë në lutjet e tij dhe bën më të mirën në qëndrimin e tij para Zotit të tij duke e bërë këtë qëndrim të tij fillim të një epoke të re, në të cilën palosen faqet e gjynaheve. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush e bën Haxhin për hatrin e Zotit duke mos folur fjalë të pahijshme dhe duke mos bërë gjynahe në të, kthehet prej tij, i pastër nga gjynahet, si ditën që e ka lindur nëna.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi.
Udhëtimi i Haxhit fillon me Ihramin. Haxhiu heq rrobat e tij, sikur ai heq me to, rrobat, çdo gjë që lidhet me veten e tij nga barra dhe shqetësimet e kësaj bote. Sikurse zhvishet nga jashtë ai zhvishet dhe nga brenda nga krenaria, hipokrizia dhe mburrja. Kur ai mbërrin në këto toka të bekuara, lë pas çdo lidhje me diçka tjetër përveç Zotit. Grupet e Haxhinjëve qëndrojë me një veshje të vetme nga ku bien dallimet, prishen barrierat dhe shfaqet kuptimi i një umeti të vetëm në formën e tij më të bukur. Ndërsa ti, o Haxhi, je një nga ky umet, popull madhështorë, i madh në unitetin e tij, i rrënjosur fort në historinë e tij dhe sublim në vlerat e tij. Umet, popull, bijtë dhe bijat e të cilit bashkohen në një akide, kredo të vetme, që kanë një drejtim të vetëm gjatë namazit dhe Një Zot të vetëm. Umet, që ua bën të ditur anëtarëve të tij, se superioriteti nuk është në pamje apo në forma të jashtme, as në pasuri dhe as në pozita, por në atë që është vendosur fort në zemra sa i përket besimit, konfirmuar nga qëllime të sinqerta dhe të përkthyera në vepra. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (El-Huxhurat 13)
Më pas Haxhiu e ngrenë zërin e tij duke thënë: “ Të përgjigjem Ty, o Zot, të përgjigjem”. Frazë që përmbledh kuptimin e të gjithë jetës, sikur ai thotë; Unë jam i yti o Zot, që i jam përgjigjur urdhrit Tënd, duke u kthyer, drejtuar për tek Ti, duke lënë pas gjithçka tjetër përveç Teje. Fraza e Telbijes përsëritet si tingull në gjuhë dhe kuptim që depërton në zemër dhe e zgjon atë. Pastaj këto kuptime transformohen sjellje në jetë, përulësi në lutje, namaze, ndershmëri në punë, vërtetësi në marrëdhënie dhe qëndrueshmëri në rrugë të drejtë. Pastaj Haxhiu hyn në tavaf, rrotullohet rreth Shtëpisë, Qabes, dhe bashkë me të, rrotullohen në Qabe, kuptimet më të mëdha në zemër. Kështu që zemra e tij nuk sillet rreth epshit të tij, as rreth pasurisë së tij, as rreth dëshirave të tij, as rreth kënaqësisë së njerëzve por se vetëm rreth kënaqësisë së Zotit. Tavafi sikur ripërcakton drejtimin dhe e mëson atë ta bëjë Zotin qëllimin e tij dhe se e gjithë jeta sillet rreth kënaqësisë së Tij. Pastaj Haxhiu ecën në mes të Safasë dhe Mervasë, duke kujtuar ecjen e Haxheres, paqja qoftë mbi të, kur ajo ishte e vetmuar në një luginë pa të mbjella dhe pa ujë, por se ajo ishte me Zotin e saj. Ajo eci me trupin e saj dhe zemra e saj u qetësua me Zotin e saj. Në këtë mënyrë Haxhiu mëson të marrë në konsideratë sebepet, shkaqet, pa i adhuruar ato dhe të ecë në tokë me zemrën e tij të lidhur me Zotin e qiejve.
Më pas vjen dita e Arafatit, ditë të cilën e dëshirojnë zemrat dhe në të cilën shpirtrat qëndrojnë me veten në një qëndrim të sinqertë. Në ato momente njeriu shikon dobësinë e tij, kujton të metat dhe gjynahet e tij, përulet para Zotit të tij, derdh lot frike dhe shprese nga sytë e tij, duke e ditur se porta e Zotit nuk mbyllet kurrë dhe se mëshira e Tij është më e gjerë se gjynahet tona. Kush është i sinqertë në kthim për tek Zoti, Ai do t’i hapë portat e pranimit.
Më pas Haxhiu hedhën guralecët, sikur të hidhte me to gjynahet me të cilat është mësuar, zakone të ndaluara me të cilat është ambientuar dhe dorëzim të zgjatur para shejtanit, duke deklaruar qëllimin e tij për të prerë rrugën e kthimit në gjynahe dhe të zgjedhë rrugën e të qëndruarit në rrugë të drejtë dhe të përpjekjes. Në turmë, kur njerëzit mblidhen rreth tij, ose të tjerët i bëjnë padrejtësi, ai mëson durimin dhe butësinë, ruan gjuhën dhe e shtyp zemërimin, në përputhje me fjalët e Zotit të Plotëfuqishëm: “Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet.” (El-Bekare 197)
Pastaj Haxhiu kthehet me këtë karakter në të gjithë jetën e tij, në shtëpinë, në punën, në marrëdhëniet dhe në të gjitha çështjet e tij.
Në këtë mënyrë, Haxhi bëhet një shkollë hyjnore besimi, nga e cila del Haxhiu pasi që është pajisur me devotshmëri, ka pastruar shpirtin dhe zemrën e tij, ka rafinuar sjelljen dhe karakterin e tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj.”(El-Haxhxh 37)
Allahut i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Zoti kërkoni falje, vërtet, Ai është Falësi i madh, Mëshirëploti.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili u dha dhuruar robërve të Tij sezone të mira. Zotin e Madhërishëm e lavdërojmë dhe Atë e falënderojmë, të Atij janë të gjitha krijesat dhe çdo urdhër, çështje.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, që ka thënë: “ (Betohem) për shkrepjen e agimit dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxhe)!”(El-Fexhr 1-2)
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij, më i miri që ka madhëruar, vlerësuar këto dhjetë ditë. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, sa kohë që zëvendësohet nate me ditën dhe zbukurohen sezonet e mirësive me këto dhjetë ditë të bekuara. Në vijim
Këshilloj ju dhe veten time që ta kemi frikë Zotin!
Nga mëshira e Zotit me robërit e Tij është se Ai të mirat, bekimet nuk i ka kufizuar vetëm për Haxhinjtë, por se i ka hapur portat e tyre për të gjithë. Dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes janë vërtet ditë të mëdha, sa Zoti është betuar për to: “ (Betohem) për shkrepjen e agimit dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxhe)!”(El-Fexhr 1-2) Zoti betohet vetëm për diçka që ka rëndësi të madhe. Këto janë ditë në të cilat shumëfishohen shpërblimet dhe zbret mëshira. Në këto ditë ka namaz, agjërim, përkujtim të Zotit, madhërim i Tij, bamirësi dhe lavdërim të Zotit. Në këto ditë bashkohen, kombinohet forma të ndryshme adhurimi. Sikur brenda tyre ka një ftesë të hapur që të thotë: “ Afrohu, për tek Zoti.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura për Allahun sesa në këto ditë.” Ka për qëllim dhjetë ditën e Dhul Hixhes Sahabet i kanë thënë: “O i Dërguari i Allahut, as xhihadi, lufta në rrugë të Allahut?” I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ As xhihadi, lufta në rrugë të Allahut, përveç atij njeriu që del me jetën dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë prej saj, bie dëshmorë, shehid.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.
Një nga ditët më të mëdha të këtij dhjetë ditshi është dita e Arafatit, dita e faljes, dita në të cilën Zoti fshin gjynahet. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Shpresoj tek Allahu që agjërimi i ditës së Arafatit t’i shlyejë gjynahet e vitit para dhe pas kësaj dite.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi. Falja e gjynaheve të dy viteve një gjë shumë e madhe me një vepër të lehtë të vogël. Prandaj mos e privo veten, mos e vono pendesën tënde dhe mos e humb këtë mundësi. Jeta është e shkurtër e ditët kalojnë. Sa nga njerëzit e kishin bërë nijet, qëllim por nuk e kanë realizuar dot. I lumtur është ai që e merr iniciativën dhe ecën para drejt Zotit.
Lutuni dhe përshëndeteni më të mirin e krijesave të Zotit, Muhamedin të birin e Abdullahut.
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, sa numri i lutjeve të ofruara nga ata që e kujtojnë dhe sa numri i atyre që neglizhojnë ta përmendin atë.
O Zot, fale dhe mëshiroje atë tek të parëve dhe të fundit, dhe në pozitat më të lartë deri në Ditën e Gjykimit.
O Zot, na mundëso ndërmjetësimin e tij dhe pasimin më të mirë të tij, na bëj nga ata që i përmbahen sunetit të tij që ecin në udhëzimin e tij. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me familjen dhe shokët e tij fisnikë, dhe me ne së bashku me ta, me faljen Tënde, o më i Madhi Bujarë.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, përmirësoni gjendjen e tyre dhe bashkoni fjalën e tyre në të vërtetën dhe në udhëzim.
O Zot, ruaj vendet muslimane, ji mbështetësi, ndihmësi dhe mbrojtësi i tyre në Palestinë dhe në çdo vend.
O Zot, kush synon të keqen kundër nesh dhe vendeve muslimane angazhoje me veten e tij, bëj planin e tij shkatërrim për të, o Ti që i përgjigjesh lutjeve, dhe kthe komplotin e tij kundër tij.
O Zot, ruaj sigurinë e vendit tonë, këtë vend të bekuar, mbretërisë së Arabisë Saudite, fortesa e besimit dhe dashuria e zemrave të botës muslimane. Ruaje atë nga çdo dëm dhe përjetëso mbi të bekimet e sigurisë dhe stabilitetit. Ruaj ushtarët e saj dhe largo prej saj komplotet e intrigantëve, tradhtinë e mashtruesve dhe sulmet e agresorëve. O Zot, ti lëmë Ty që të merresh me ta dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga e keqja e tyre.
O Zot, përhap mirësi, begati dhe lumturi në të gjitha vendet muslimane dhe mbuloi ato me rrobën e sigurisë dhe stabilitetit.
O Zot, përmirëso zemrat tona, pastro shpirtrat tanë dhe na udhëzo në rrugën e drejtë. O Zot, bëj përpjekjet tona të pranuara tek Ti dhe na jep sukses në atë që Ti do. O Zot, pranoje prej nesh, na fal dhe ki mëshirë për ne.
O Zot, ruaj Haxhinjtë e shtëpisë Tënde të shenjtë, Qabes, largo prej tyre të këqijat dhe vështirësitë. O Zot, bëj për ata këtë Haxh të pranuar, përpjekje të lavdëruar, gjynahe të falura dhe vepra të mira të pranuara. Ktheji ata në shtëpitë e tyre shëndosh e mirë, të fituar dhe të shpërblyer.
O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta në atë që do dhe je i kënaqur. O Zot, jepi sukses zëvendësit të tij në atë që është përmirësimi i vendit dhe popullit. Jepu sukses të gjithë sundimtarëve të muslimanëve në çdo të mirë, o Zoti i botëve.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.
“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj