Nxehtësia e verës mësim, burim falënderimi dhe mirënjohjeje

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    08-03-1448 H     21-08-2026 D

Shejh Dr. Ahmed Bin Ali Hudhejfe

Tema  Nxehtësia e verës mësim, burim falënderimi dhe mirënjohjeje

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili i ka derdhur nga retë e mirësive dhe begative të Tij, mirësi dhe dhuratë prej Tij. Ai është që “Nga ajo që ka krijuar, Ai ka bërë për ju hije; ka bërë për ju streha nëpër male; ka bërë për ju rroba që t’ju mbrojnë nga nxehtësia; ka bërë për ju veshje prej metali për t’ju mbrojtur në luftë.” (En-Nahl 81) Ai ju ka mbuluar me veshjet e dhuntive të Tij, si mirësi, bujari dhe mëshirë prej Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Njësim dhe besim tek Ai. Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë,  Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dashuri dhe miku i tij i besuar, në shenjë mirënjohjeje dhe deklarimi. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi ata që ndjekin rrugën e tyre, fshehurazi dhe haptazi.

Në vijim

Vëllezër në besim! Vërtetë frika ndaj Zotit është gjëja më e mirë që ruani në zemrat tuaja, më e bukura që shfaqni dhe pasuria më e çmuar që grumbulloni. Ajo është rruga drejt lumturisë së madhe dhe furnizimi më i mirë për këtë botë dhe botën Tjetër, Ahiret. “Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit.” (El-Lejl 5–7)

Umeti Islam!

Ajo që përjetojmë në këto ditë me intensifikimin e të nxehtit të verës, me vapën përvëluese dhe nxehtësinë e madhe të mesditës, ka mësim për t’u marrë dhe përkujtim për t’u medituar. Kjo e nxit besimtarin të mendojë mbi pushtetin dhe fuqinë e Zotit dhe i kujton atij për ligjet dhe rregullat që ka vendosur Ai në universin dhe krijesat e Tij.

Kjo është një prej shenjave të pushtetit të Allahut të Madhëruar. Ai është që i ndërron ditët dhe muajt, i kalon vitet dhe epokat. Ai është Kontrolluesi i krijesave të Tij dhe që vepron sipas vullnetit të Tij në të gjithë krijimin. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Thuaju (o Muhamed): “Pa mendoni, nëse Allahu jua bën natën të përhershme deri në Ditën e Kiametit, cili zot, përveç Tij, do t’jua sillte dritën? Vallë, a nuk dëgjoni?” Thuaju (o Muhamed): “Pa mendoni, nëse Allahu jua bën ditën të përhershme deri në Ditën e Kiametit, cili zot, përveç Tij, do t’jua sillte natën, në të cilën qetësoheni? Vallë, a nuk shihni?”(El-Kasas 71–72)

LEXO  Vlerat e Aksasë dhe detyra e muslimanëve ndaj saj

Ai që zotëron pushtetin absolut mbi gjithçka, është pikërisht Ai që meriton të adhurohet i Vetëm, me adhurim absolut.

Gjithashtu, kjo na kujton ligjet e Allahut në këtë botë, ku Zoti i Plotëfuqishëm e ka bërë atë të ndryshueshme në gjendjet e saj dhe të larmishme në etapat e saj. Asnjë gjendje e saj nuk zgjat përgjithmonë dhe asnjë çështje e saj nuk mbetet e pandryshuar.

Zoti i Plotëfuqishëm e ka përshkruar gjendjen e kësaj bote në Librin e Tij të Shenjtë me fjalën e Tij: “Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje e garë ndërmjet jush për më shumë pasuri dhe fëmijë! Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë. Në botën tjetër ju presin vuajtje të mëdha ose falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij; jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rreme.” (El-Hadid 20)

Ky është shembull i mrekullueshëm dhe përshkrim jashtëzakonisht i bukur i ndryshimit të gjendjeve së botës, nga begatia dhe mirëqenia tek vështirësia dhe sprova, ashtu siç ndryshon gjendja e bimës nga gjelbërimi dhe bukuria në vyshkje dhe tharje. Ashtu siç ndërrohen stinët e vitit me alternimin e dritës dhe errësirës, po ashtu vështirësinë dhe fatkeqësisë i pason  lehtësimi dhe begatia.  Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Betohem në kuqërrimin e muzgut, në natën e në gjithçka që ajo kaplon me errësirën e saj, si dhe në hënën e plotë, se ju, me siguri, do të kaloni nga një gjendje (e vështirë) në një gjendje tjetër (edhe më të vështirë)!” (El-Inshikak 16–19)  Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me të, në komentimin e fjalës së Zotit: “ju, me siguri, do të kaloni nga një gjendje (e vështirë) në një gjendje tjetër (edhe më të vështirë)!”, ka thënë: “Gjendje pas gjendjeje.”

LEXO  Thashethemet: Përkufizimi, dëmet dhe mënyrat për t'i larguar ato

Nga mësimet që mund të nxjerrë besimtari prej kësaj është që, kur shpirti i tij ndihet i ngarkuar nga të mirat dhe dobitë e kësaj bote apo për botën Tjetër, lehtësi dhe luks, atë çfarë Zoti ka përmendur në Librin e Tij nga fjalët e Tij: “Ata që mbetën në shtëpitë e tyre, pas (daljes për luftë të) të Dërguarit të Allahut, u gëzuan; nuk u pëlqente të luftonin në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre dhe thanë: “Mos shkoni në luftë, nëpër vapë!” Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!” Veç sikur të kuptonin!” (Et-Teube 81)

Natyra e njeriut priret drejt rehatisë dhe dëshiron pushimin. Por, kur njeriu kujton përfundimin e keq të neglizhencës ndaj veprave të mira, si dhe përfundimin e bukur të durimit dhe shpërblimin e tij të mirë, vullneti i tij ngrihet dhe priret drejt të mirës, dhe nëse ajo përmban një farë vështirësie.

Zoti na bekoftë të gjithëve me Kur’anin Famëlartë, na bëftë dobi me sunetin e profetit të Tij fisnik. 

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e Dytë

Lavdërimet janë për Zotin, lavdërimet janë për Zotin, Ai që meriton  të falënderohet dhe të lavdërohet.  

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok në fillimin e krijimit të Tij. Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë,  Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi ata që dëshmuan për vërtetësinë e tij, për sa kohë që retë derdhin shiun e tyre të bollshëm dhe lëshojnë ujin e tyre.

Në vijim

Umeti Islam! Nga gjërat që kërkojnë prej nesh ta përmendim shpesh Zotin me falënderim dhe mirënjohje, është ajo me të cilën Ai i ka begatuar njerëzit në këtë kohë nga mjetet moderne të ftohjes dhe të kondicionimit, të cilat nuk kanë ekzistuar në kohët e kaluara dhe në epokat e shkuara. Ato janë prej mirësive që kërkojnë falënderim të Zotit dhe përkujtim të Tij, si dhe prej çështjeve mbi të cilat duhet të meditojmë dhe të nxjerrim mësim. “Allahu ju ka dhënë shtëpi për të banuar dhe lëkurë kafshësh, që t’i përdorni si tenda, në mënyrë që t’i mbartni lehtë, kur të udhëtoni dhe të zini vend. Ai ju ka dhënë edhe leshin, gëzofin e fijet që t’i përdorni për veshje dhe për shtrojë, deri në një kohë. Nga ajo që ka krijuar, Ai ka bërë për ju hije; ka bërë për ju streha nëpër male; ka bërë për ju rroba që t’ju mbrojnë nga nxehtësia; ka bërë për ju veshje prej metali për t’ju mbrojtur në luftë. Kështu, Ai i përsos begatitë e Veta mbi ju, me qëllim që ju t’i bindeni vullnetit të Tij.” (En-Nahl 80-81)

LEXO  Surja El-‘Asr: Përfitime dhe rregulla

Prandaj, shtoni lavdërimet dhe falënderimet tuaj ndaj Zotit dhe këmbëngulni në lutjet dhe në përkujtimin e Tij.

O Zot, Ty të lavdërojmë me lavdërime që i takojnë Madhërisë Tënde, nuk mund t’i numërojmë lavdërimet që Ti meriton, Ti je ashtu siç e ke lavdëruar Veten Tënde.

Shtoni sa më shumë lutjet dhe përshëndetjen në ditën e xhuma, si dhe në të gjitha ditët e tjera në vazhdim për të zgjedhurin e krijesave dhe zotërinë e njerëzimit.

O Zot, zbrit bekimet, paqen dhe mëshirën Tënde mbi zotërinë dhe të dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij dhe shokët e tij të nderuar e fisnikë dhe mbi ata që i ndjekin në mirësi derisa hëna e plotë shkëlqen dhe retë lëshojnë shi.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët! O Zot, bëje këtë vend të sigurt dhe të qetë dhe të gjitha vendet e muslimanëve.

O Zot, ruaj këtë vend të bekuar, mbretërinë e Arabisë Saudite, vendin ku zbriti shpallja hyjnore, djepin e besimit, vendin drejt të cilit anojnë zemrat e muslimanëve dhe vendin ku prehet zotëria i të dërguarve, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nga komplotet e komplotuesve dhe dinakëritë e keqbërësve, o Zot i botëve.

O Zot, ruaj udhëheqësin tonë, kujdestarin e dy xhamive të shenjta dhe princin e kurorës së tij në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur, udhëzoji ata të dy drejt mirësisë dhe devotshmërisë.

O Zot, ruaj ata me mbrojtjen Tënde, përkrahi me përkrahjen Tënde dhe jepu sukses atyre të dyve në atë që është e mirë për popullin dhe vendin, o Zoti i botëve.

O Zot, përmirëso gjendjet e muslimanëve në çdo vend dhe në çdo kohë, o Zot i botëve. Ndihmoji ata kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre, o më i Madhi Mëshirues.

“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)

“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)

Adhurues të Zotit! Përjetësoni mirësinë e Zotit tuaj me falënderimin ndaj Tij, ruani begatitë e Tij duke pasuar urdhrat e Tij.

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1653710346755639/1018445971186594

Post Author: endrit