Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 17-09(Ramazan)-1447 H 06-03-2026 D
Shejh Jaser Ed-Dosari
Tema Vlera e dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili e ka veçuar muajin e Ramazanit me mirësi dhe bekime të shtuara, ua ka lehtësuar robërve të Tij adhurimet, me anë të të cilave ata arrijnë gradat më të larta të nderit.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, dëshmi nëpërmjet së cilës shpresojmë të fitojmë vendbanim në Xhenet.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari mëshirë për njerëzimin mbarë, më i miri nga njerëzit që është falur dhe ka agjëruar. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi atë, mbi familjarët dhe shokët e tij fisnikë dhe të drejtë, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi.
Në vijim
O ju njerëz! Këshilloj ju dhe veten time që të kemi frikë Zotin. Kush pajiset me këtë cilësi arrinë gradat më fisnike dhe qëllimet më të larta, do të jetë i sigurt nga pasojat e këqija dhe do të jetë i mbrojtur nga të këqijat e fatkeqësive. “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e këqija dhe do t’ia shtojë shpërblimin.”(Et-Talak 5)
Popull musliman! Sa shpejt kalojnë netët dhe ditët, dhe sa shpejt ikin muajt dhe kohët! Ramazani tashmë e ka kaluar mesin e tij, dhe vërtet të suksesshëm janë ata që përpiqen me seriozitet, të vendosur për të shfrytëzuar mundësitë e mbetura. Është sikur muaji të ketë ikur tashmë, prandaj bëni kujdes për muajin tuaj, sepse pjesa më e madhe e tij ka kaluar, vetëm kurora dhe thelbi i tij kanë mbetur. Ja, dhjetë ditët e fundit të tij kanë mbërritur, duke sjellë me vete bekimet dhe mirësitë e tyre. Dhjetë ditë të faljes dhe favorit hyjnor, të çlirimit nga zjarri i Xhehenemit dhe mëshirës, ditë të lutjeve të pranuara, vepra të mira të shumëfishuara dhe të shlyerjeve të gjynaheve.
I fituar është ai që i mbushën ato me vepra të mira dhe kompenson atë që i ka kaluar nga mangësitë dhe të metat! I privuar është ai që e lë pas dore atë dhe shpërqendrohet nga puna, dhe e ngushëllon mosveprimin e tij me shpresa të kota të mbajtura prej kohësh.
O adhurues të Zotit! Nxito, sepse dera është ende e hapur, mirësia është e bollshme, e veprat gjykohen me përfundimin e tyre.
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, i veçonte këto dhjetë ditë me më shumë adhurime dhe përpjekja e tij gjatë tyre arrinte në nivelin më të lartë të mundshëm të devotshmërisë në adhurime. Nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ajo ka thënë: “I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, përkushtohej në adhurim gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit më shumë se në çdo kohë tjetër.” Hadithi është transmetuar nga Muslimi. Po nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ajo ka thënë: “Kur fillonin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, shtrëngonte rripin, qëndronte zgjuar natën, në adhurim dhe zgjonte familjen e tij.” Muttefikun Alejhi.
Sahabet, Zoti qoftë i kënaqur me ta, e dinin statusin e dhjetë ditëve të fundit, kështu që ata nxitonin të bënin vepra të mira dhe u përpoqën në akte bindjeje, adhurime. Nga Saib Ibn Jezid, Zoti qoftë i kënaqur me të, është transmetuar se ai ka thënë: Omer Ibn El Hatabi ka urdhëruar Ubej Bin Ka’bin dhe Temim El Dariun, Zoti qoftë i kënaqur me ta, që të udhëhiqnin njerëzit në njëmbëdhjetë rekate namaze. Ai ka thënë: “Kënduesi i Kuranit lexonte qindra ajete, aq sa ne mbështeteshim në shkopinj për shkak të gjatësisë së qëndrimit në këmbë, dhe nuk largoheshim deri në agim, mëngjes.” Transmetuar nga Bejhakiu.
Paraardhësit tanë të drejtë, selefët, Zoti i mëshiroftë, ndoqën këtë rrugë. Ata i vlerësuan shumë dhjetë ditët e fundit, iu përkushtuan leximit dhe meditimit të Librit të Zotit, Kuranit, dhe e përfunduan atë nëpërmjet leximit dhe meditimit në të. Ata përpiqeshin shumë në adhurime dhe garonin në akte që i afronin me Zotin.
O ju muslimanë! Është mjaftueshëm nder dhe vlerë për këto dhjetë ditë që Zoti i veçoi me Natën e Kadrit, vlerën e së cilës Ai e ka lartësuar dhe rëndësinë e së cilës e ka ngritur lartë, natë në të cilën Ai shpalli Kuranin, udhëzim për njerëzimin me prova të qarta të udhëzimit dhe të dallimit të vërtetës. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar.” (Ed-Duhan 3)
Në këtë natë, përcaktohen çështjet, jetëgjatësia dhe caktohet furnizimi, sikurse Allahu i Madhërishëm dhe i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë.” (Ed-Duhan 4)
Ajo është një natë me mirësi të mëdha, me bekime të shumta, me shpërblime të shumta dhe orë të çmuara. Veprat e bëra në të janë më të mira se veprat e bërë në një mijë muaj. Allahu i Madhërishëm dhe i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.”(El-Kadr 1-3) Një mijë muaj janë të barabartë me tetëdhjetë e tre vjet e katër muaj. Çfarë mirësie e madhe dhe shpërblimi i bollshëm! Askush përveç të mashtruarve nuk do ta neglizhonte atë dhe askush përveç fatkeqve nuk do të privohej prej saj.
Nga vlerat e saj të mëdha dhe shpërblimet e pafundme është se kush e kryen atë me qëllim të pastër dhe nënshtrim të sinqertë, Zoti do t’ia falë gjynahet dhe shkeljet e kaluara. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush e arrin, falet në Natën e Kadrit me besim dhe duke shpresuar në shpërblim tek Zoti, do t’i falen gjynahet e kaluara.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi.
Në këtë natë, zbresin Melaiket me shumicë me urdhër të Zotit të tyre, natë pa fatkeqësi dhe të këqija, për shkak të bekimeve dhe shpërblimeve të shumta që përmban. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “ Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në shkrepjen e agimit.”(El-Kadr 4-5)
O adhurues të Zotit! Dijeni se nga shenjat e besimit të sinqertë të robit dhe të mirësisë së Zotit mbi të është të përfitojë nga kjo natë e bekuar duke u angazhuar në akte bindjeje dhe shtuar adhurimet, duke këmbëngulur me përgjërim dhe lutje, me zemër plot besim të mirë dhe shpresë të madhe. Nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ajo ka thënë: Unë thashë: O i dërguar i Zotit, nëse do ta dija se cila natë ishte Nata e Kadrit, çfarë të them në të? Ai më ka thënë: “ Thuaj: O Zot, Ti je falës e do faljen më fal mua.” Tirmidhiu e ka konsideruar hadith të saktë.
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, e ka nxitur umetin e tij që ta kërkojnë natën e Kadrit në netët tek të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kërkoni Natën e Kadrit në netët tek të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit.” Muttefikun Alejhi. Duhet të dihet se Zoti i Plotëfuqishëm nuk e fshehu Natën e Kadrit nga ne, përveçse që ne të përpiqemi ta kërkojmë dhe ta arrijmë atë. Kush e kalon atë në namaz, do t’i shkruhet shpërblimi i saj edhe nëse nuk e di për këtë.
Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin, kompensoni atë që ka kaluar nga Ramazani, lini mënjanë dëfrimet dhe shpërqendrimet, shfrytëzojeni atë me vepra bindjeje, adhurime dhe përkujtim të Zotit, pendim dhe kërkim faljeje tek Zoti, dhe tregoni përulësi dhe nevojë, sepse kjo është fitorja e gjithë jetës. Sa njerëz kanë fituar kënaqësinë e Zotit, janë shkruar nga banorët e Xhenetit dhe qafat e tyre janë çliruar nga zjarri i Xhehenemit me bekimin e asaj që bënë në Natën e Kadrit dhe në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit.
Punoni shumë dhe përpiquni, shpresoni dhe përgëzoni, sepse ju jeni në vendet e mëshirës dhe në sezonin e faljes. Prandaj, njihni vlerën e kohës tuaj, ruajini momentet tuaja dhe bëni mirë për veten tuaj. Urime për atë që nxiton për në Ramazan para se të kalojë dhe i shfrytëzon momentet dhe orët e tij. Sa me fat është ai që agjëron dhe lutet në të me besim dhe me shpresë të shpërblimit, nxiton t’i bindet Zotit të tij dhe pendohet tek Ai me pendim të sinqertë.
Adhurues të Zotit! Zoti na begatoftë me Kuranin Famëlartë, na bëftë dobi nga argumentet dhe urtësitë që ai përmban.
Zotit i kërkoj falje për vete dhe ju, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin e botëve.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Mbrojtësi i njerëzve të drejtë dhe të mirë.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, udhëheqësi i njerëzve të devotshëm. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen e tij të pastër dhe të mirë, shokët e tij, të parët e të mirëve dhe të gjithë ata që i pasojnë në mirësi deri në ditën e Kijametit.
Në vijim
Vëllezër në Islam! Sa e bukur është për një person të shfrytëzojë dhjetë ditët e fundit për të pastruar zemrën e tij, për të korrigjuar qëllimin e tij, për të përqendruar vëmendjen e tij dhe për të ripërtërirë besëlidhjen e tij. Kjo, duke e lidhur zemrën e tij me Zotin dhe duke iu përkushtuar bindjes ndaj Zotit të tij.
Itikafi është një nga gjërat më të mëdha që e ndihmon një rob të arrijë qëllimin e tij. Nga udhëzimet e të dërguarit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur fillonin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, ishte që të hynte në Itikaf, veçim, në xhaminë e tij, të përqendronte shqetësmet e tij, t’i përkushtohej Zotit të tij dhe t’i drejtohej plotësisht Atij. Ibn El Kajimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, hynte në Itikaf për ta përqendruar zemrën e tij plotësisht tek Zoti.”
I dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, vazhdoi të hynte në itikaf gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit derisa ndërroi jetë. Nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se: “I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, hynte në itikaf gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit derisa Zoti e mori atë, dhe pastaj bashkëshortet e tij bënë itikaf pas tij.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi.
Gratë dhe bashkëshortet e tij pas tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, vazhduan të hynin në itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, duke iu përkushtuar adhurimit dhe bindjes ndaj Zotit, duke gjetur ngushëllim tek Ai dhe duke biseduar me Të, duke iu drejtuar përkujtimit të Tij dhe Librit të Tij, duke u larguar nga bota dhe shpërqendrimet e saj, dhe duke braktisur kënaqësitë dhe dëshirat e saj.
Sunet është që muslimani të hyjë në itikaf në të gjitha dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, të hyjë në xhami para perëndimit të diellit të ditës së njëzetë të Ramazanit dhe të mos dalë derisa të plotësohet muaji, domethënë, deri në perëndim të diellit të ditës së tridhjetë, ose deri sa të shikohet hëna e muajit të Shevalit. Kush nuk është në gjendje të hyjë në itikaf për dhjetë ditët, le të hyjë në itikaf në disa ditë prej tyre.
Prandaj, përfitoni nga këto vlera hyjnore dhe merrini këto dhurata qiellore, veçanërisht ndërsa shijoni hijen e kësaj toke të shenjtë, ku vlera e vendit dhe kohës janë bashkuar, kombinuar për ju. Nxitoni drejt veprave të mira, nxitoni drejt akteve të bindjes, adhurimeve, kujdesuni, ruajeni, namazin e xhumasë dhe namazet me xhemat, dhënien e zekatit dhe lëmoshës, zbatoni Kuranin në lexim, meditim, përulësi dhe reflektim. Sepse në Ramazan bashkohen agjërimi dhe Kurani, ata janë binjakë të pandashëm. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (El-Bekare 186)
O adhurues të Zotit! Lutuni dhe përshëndeteni më të mirin që ka adhuruar Zotin dhe ka agjëruar, më i miri që ka falur namaz dhe ka qëndruar natën në namaz, sikurse ju ka urdhëruar Allahut për këtë në Kuranin Famëlartë kur ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin Tënd të besuar, familjen e tij të mirë dhe të pastër, bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër kalifët e udhëzuar drejt, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e profetit, me tabi’inët, me ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Gjykimit, dhe me ne së bashku me ta me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Allah, na beko në atë që ka mbetur nga ky muaj, na ndihmo të agjërojmë dhe të lutemi gjatë dhjetë ditëve të fundit, na lejo të arrijmë Natën e Kadrit, na bëj nga ata që e arrijnë vlerën e saj dhe fitojnë shpërblimin në të, bëj që rezultatet e punëve tona të jenë të mira, na shkruaj nga ata që i ke liruar nga Zjarri i Xhehenemit, o i Plotfuqishëm, o Falës.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, bëje këtë vend të paqtë, të sigurt dhe të begatë, dhe të gjitha vendet e muslimanëve.
O Zot, na jep siguri në atdheun tonë, mbështet me të vërtetën, me sukses dhe udhëzim udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta dhe princin e tij besnik të kurorës, jepu atyre, ndihmësve dhe njerëzve të tyre sukses në gjithçka që është e mirë dhe e dobishme për vendin dhe popullin, për Islamin dhe për muslimanët. Jepu atyre të mira dhe shpërblim të bollshëm për gjithçka që bëjnë për dy xhamitë e shenjta dhe vizitorët e tyre.
O Zot, ruaj njerëzit e sigurisë tonë dhe ushtarët tanë në kufijtë tanë, o Zot, ndihmoji ata, ji mbrojtje dhe ndihmë, mbikëqyrje dhe mbështetje për ata. O Zot, shpërble të gjithë ata që punojnë në shërbim të mysafirëve të të Gjithëmëshirshmit me shpërblimin më të mirë.
O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve. O Zot, mëshiro të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve.
O Zot, të lutemi që të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë, jepu atyre siguri, mbrojtje, paqe dhe qetësi. O Zot, ruaj xhaminë Aksa, bëje atë të fortë dhe krenare deri në Ditën e Gjykimit.
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj