Zemra e pastër dhe marrëdhëniet e mira rruga drejt drejtësisë dhe përmirsimit

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     08-03-1448 H    21-08-2026 D

Shejh Dr. Jusuf  Ebu Sunejneh

Tema   Zemra e pastër dhe marrëdhëniet e mira rruga drejt drejtësisë dhe përmirsimit

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili e zë fill krijimin dhe e përsërit atë, Vepruesi i gjithçkaje që dëshiron, Zotëruesi i Fronit të Lavdishëm dhe i ndëshkimit të ashpër, Ai që udhëzon drejt rrugës së drejtë dhe të saktë, i Cili na ka begatuar me dëshminë e Teuhidit, Njësimit të Tij, na ka ruajtur besimin tonë nga errësirat e dyshimit dhe pasigurisë. Ai i Cili na ka urdhëruar të ndjekim të dërguarin e Tij të zgjedhur, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe të ndjekim gjurmët e shokëve të tij të nderuar. I Lartësuar është Ai, Zotëruesi i krenarisë dhe bujarisë, i mirësisë së pafund dhe mëshirës, Mëshira e Tij ka përfshirë çdo gjë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Mbrojtësi i të devotshmëve, Njohësi i fshehtësive me dije të sigurt, Shëruesi të vuajtjeve e të pikëlluarve dhe Pranuesi i pendimit nga ata që tek Ai pendohen.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i zgjedhuri ndër të afërmit dhe të dashurit e Allahut, profeti i mëshirës, ndërmjetësuesi i umetit, prijësi i udhëzimit, mposhtësi i armiqve dhe mbrojtësi nga shkatërrimi. Ai nuk flet nga dëshira e vet: “Por ajo (që thotë) është vetëm Shpallje hyjnore, që i vjen atij.” (En-Nexhm 4)

Feja e tij është më e përsosura, gjuha e tij më e qarta, lutja e tij më e suksesshmja, thirrja e tij më e dëgjueshmja dhe ndërmjetësimi i tij më i fuqishmi. Emri i tij është Muhamed, shëmbëlltyra e tij është unike midis të gjithë krijesave.  Emri i tij në Ungjill është Ahmed. Ai është i dashuri i Zotit, ai tek besimtarëve është më i vlerësuar se vetet e tyre, më primarë se vete e tyre.

Imam Buhariu, Zoti e mëshiroftë, transmeton nga sahabiu i nderuar Abdullah Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, se ka thënë: ““Kemi qenë duke ngrënë me të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe kemi dëgjuar ushqimin duke madhëruar Allahun.” Atij i sollën një enë me ujë, e uji filloi të rridhte nga mesi i gishtërinjve të tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ai tha: “Ejani drejt pastrimit të bekuar dhe bekimi është nga qielli.” Derisa të gjithë ne morëm abdes.

“O zotëria im, o i dërguari i Allahut, mbi ty qofshin përshëndetjet e Zotit, o më i miri i të dërguarve tek njerëzit kur mosbesimi ishte i fortë, mbi ty qofshin përshëndetjet e Zotit, o ti për lindjen e të cilit në botë u shfaqën mrekulli të njëpasnjëshme.

Mbi ty qofshin përshëndetjet e Zotit, sa herë që shkrep një vetëtimë, sa herë lind dielli dhe sa herë udhëton një udhëtar.”

Adhurues të Zotit! Dy cilësi, kush i ka, shpëton: Sinqeriteti dhe dashuria për shokët e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. O Zot, dërgo bekime, paqe dhe begati mbi të dhe nderoje atë! O Zot, ji i kënaqur me Ebu Bekrin, të sinqertin më të madh, me Farukun, Omerin e ndritshëm, me Dhun-Nurejnin, Othmanin bujar, dhe me Ebul Hasanin, Aliun, më trimin. O Zot, dërgo bekime mbi imamët e devotshëm dhe të zgjedhurit e mirë,  ji i kënaqur me ne së bashku me ta, o i Fuqishëm, o Falës i madh!

Në vijim

O ti musliman! Nëse dëshiron që Zoti të të pranojë, atëherë ndiq sunetin e profetit të Tij, respekto shenjtërinë dhe nderin e njerëzve të mirë, këshillo vëllezërit e tu dhe ruaju nga padrejtësia dhe shthurja në tokë. Shumë shpejt do të largohesh nga kjo botë dhe atje do të pyetesh. “Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Esh-Shu’ara’ 88–89)

Me zemra të pastër është, ai që është ruajtur nga devijimi, pastaj nga pakujdesia, pastaj nga vetëpëlqimi dhe mendjemadhësia ndaj vetvetes, si dhe nga cilësitë e këqija të karakterit.            Sa shumë kemi nevojë sot për këto morale të mira! Durojmë lëndimet dhe shqetësimet që na shkaktojnë të afërmit dhe fqinjët. Islami nënkupton durimin përballë shqetësimeve të të tjerëve, qëndrueshmërinë në parimet e Teuhidit dhe pajisjen me moralet e profetëve dhe njerëzve të mirë.

LEXO  Dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes: Vlerësimi dhe shfrytëzimi i tyre

Ju, o besimtarë, jeni “ populli më i mirë i dalë për njerëzimin”. Atëherë si mund të grindeni për çështje të vogla? Sulme, zënka, ngacmime dhe armiqësi, të gjitha këto janë si pasojë e largimit nga Islami.

Sikur t’i edukonim fëmijët tanë me moralet tona, me studimin dhe mësimin e Kuranit dhe me mësimin e historisë profetike, nuk do të kishim arritur në gjendjen ku kemi mbërritur.

Prandaj, mësoni fëmijëve tuaj të jenë të sinqertë në fjalë, me logjikë të shëndoshë, të duan Zotin e Madhëruar dhe të Lartësuar, dhe të duan të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Mësojuani atyre Librin e Allahut, sepse ai është dritë për ta dhe dritë për ju në shtëpitë tuaja. Mësojuni atyre përmendësh Librin e Allahut, i cili i udhëheq drejt Rrugës së Drejtë.

Transmetohet në ether: “Sikur të zbriste një rrufe nga qielli, ajo nuk do t’i godiste lexuesit e Kuranit dhe as ata që i gjallërojnë dhe kujdesen për xhamitë.”

Prandaj, qëndrimi juaj këtu është adhurim dhe mësimi këtu ka shpërblim të madh. Ai sjell qetësi për shpirtin, prehje për zemrën, çlirim të mendjes, i mban gjymtyrët larg gjynahit dhe na largon nga tubimet e këqija dhe humbja e kohës.

Zoti thotë në Ditën e Kiametit: “Sot banorët e tubimit do ta dinë se kush janë njerëzit e nderuar.” U pyet: “Kush janë njerëzit e nderuar, o i dërguari i Allahut?” Ai tha: “Tubimet e përmendjes së Allahut në xhamia.”

Këto janë tubime ku mësohet Kurani dhe përsoset leximi, mësimi përmendësh i tij. Paraardhësit tanë të devotshëm garonin me njëri-tjetrin në mësimin përmendësh të tij. “Përkundrazi! Ai (Kurani) është Shpallje e qartë në zemrat e atyre, të cilëve u është dhënë dija.” (El ‘Ankebut 49)

Tansmetohet nga imam Muxhahidi, Zoti e mëshiroftë, se ka thënë: “Dikur i sfidoja njerëzit me atë që kisha mësuar përmendësh. Njëherë u fala pas Mesleme Ibn Muhaledit, i cili lexoi suren Bekare dhe nuk la pa lexuar prej saj asnjë ‘vav’ dhe asnjë ‘elif’.”

I thanë njërit prej njerëzve të devotshëm: “Përse të shikojmë se e nderon mësuesin tënd më shumë se prindërit e tu?” Ai u përgjigj: “Sepse prindërit e mi janë shkak për jetën time të përkohshme, ndërsa mësuesi im është shkak për jetën time të përhershme, Ahiretin.”                  O ju besimtarë! Shoqërohuni me njerëzit e mirë dhe mësoni prej tyre. Kujdes nga përçarja! Kapuni fort pas litarit të Allahut dhe bëhuni robër të Zotit, vëllezër. Ruajeni veten nga epshet dhe gjynahet, largoni mllefin nga zemrat tuaja, ruani muslimanët në nderin e tyre dhe mbuloni të metat e tyre.

Islami ynë nuk është në pamje dhe fotografi mashtruese, por është sjellje e mirë, paqe, siguri dhe qetësi, dashuri, përzemërsi dhe harmoni. Ai nuk është urrejtje dhe as qëllim i keq ndaj të tjerëve. Disa njerëz janë në konflikt edhe me njerëzit më të afërt të tyre. Kur përpiqesh t’i pajtosh, në zemra shfaqet koprracia dhe egoizmi. Si mund të ndërtohet shoqëria muslimane nëse familjet janë të përçara? Si mund të përhapet e mira dhe përmirësimi kur urrejtja është e përhapur?!

O adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin, kthehuni tek udhëzimi, përmirësimi dhe drejtësia në çështjet tuaja. Kujdes nga grindjet në fe, sepse ato e preokupojnë zemrën dhe sjellin hipokrizi. Jepuni të drejtat atyre që u takojnë.

LEXO  Dobi dhe begati nga kryerja e veprave të mira

Junus Ibn Abdullah Ibn Mugith, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “E dëgjova babanë tim duke thënë: “Vepra ime për të cilën kam më së shumti shpresë është pastërtia e gjoksit tim. Kur shkoj në shtrat, zemra ime nuk mban asnjë të keqe ndaj ndonjë myslimani.” Këto janë zemra që e kanë njohur Zotin e tyre dhe janë qetësuar me Krijuesin e tyre: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Er-Ra’d 28)

Anbese Ibn Seid, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk jam grindur me asnjë njeri, dhe sa herë që dikush është ulur me mua, nuk jam ngritur prej tij pa e njohur dhe vlerësuar mirësinë e tij, derisa të largohej.”

Ajo që shikojmë sot është se njeriu agjëron shumë dhe e çel agjërimin me haram, fal namaz natës por gjatë ditës dëshmon rrejshëm, e shikon se është prej adhuruesve, por tregohet koprrac ndaj muslimanëve deri dhe për t’u dhënë selam.  Disa njerëz grinden me njerëzit më të afërt të tyre.

Adhurues të Zotit! A dini se cilat janë veprat më të mira tek Allahu? Veprat më të mira janë durimi dhe tolerimi. Durimi është qëndrimi përballë sprovës me sjellje të mirë, dinjitet. Ndërsa tolerimi është të jesh tolerant me njerëzit në marrëdhëniet me ta dhe të mos ua vështirësosh jetën. Disa prej të parëve kanë thënë: “Ne i takuam selefët dhe ata nuk e shikonin adhurimin vetëm në agjërim dhe namaz, por në ruajtjen e gjuhës nga nderi i njerëzve, respektimin e Islamit të tyre, mos kalimin e kufijve dhe ofrimin e shërbimit dhe ndihmës ndaj tyre.”

Një ditë, njëri prej njerëzve të devotshëm u ul dhe askush nuk erdhi tek ai për t’i kërkuar ndihmë. Kur u ngrit nga vendi i tij, tha: “Kjo është një ditë që nuk e llogaris si pjesë të jetës sime.”

Adhurues të Zotit! Kuroni gjynahet me pendim. Ndoshta pendimi i një personi të penduar e ka çuar atë në Xhenet, derisa e ka sjellë atë atje. Shoqërohuni me ata që pendohen, sepse mëshira e Zotit është pranë bamirësve.

Kërkoni të mirën gjatë gjithë jetës suaj dhe ekspozohuni para mirësive, begative të Zotit. Kërkoni Allahut të Madhëruarit dhe të Lartësuarit që t’jua mbulojë të metat tuaja dhe t’ju japë siguri nga frikët tuaja. Kërkoni falje Allahut, sepse Ai është Falës i Madh, Mëshirues.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, me mirësinë e të Cilit plotësohen veprat e mira dhe me përmendjen e të dashurve të Tij zbresin bekimet.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut.  Lutemi e përshëndesim më të nderuarin e krijesave, Muhamedin, të zgjedhurin mbi të gjitha krijesat, familjen dhe shokët e tij në çdo gjendje.

O Zot, dërgo lutje, paqe, bekime dhe mirësi mbi profetin tonë, të dërguarin e përzgjedhur, sa herë që e përmendin ata që të përmendin  dhe dërgo salavate mbi të sa herë që harrojnë ta përmendin ata që nuk e përmendin.

Në vijim

O ti musliman! Zoti i Plotëfuqishëm qoftë i mëshirshëm me ty. Dije se koha kalon dhe faqet e veprave mbyllen. Koha tani është si një det i tërbuar, ku dallgët vinë nga çdo anë, vendet janë bërë të paqarta dhe situatat janë ngatërruar. Askush nuk mund të shpëtojë nga urdhri i Zotit, përveç atij që Ai e mëshiron.

Mësoni nga historitë e profetëve, sepse në to ka mësime për ju. Shikoni babanë tonë, Ademin, paqja e Zotit qoftë mbi të. Xheneti ishte i lejuar për të, përveç një peme të vetme, por pikërisht tek ajo ra. Ndërsa i dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  thotë për të lejuarën: “Ç’punë kam unë me dynjanë?”

I dërguari i Allahut, Nuhu, paqja e Zotit qoftë mbi të, i cili, i rënduar nga ajo që përjetoi, thirri nga pikëllimi i tij: “O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues!” (Nuh 26) Ndërsa i dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë: “O Zot, udhëzoje popullin tim, sepse ata nuk dinë.”

LEXO  Durim dhe vendosmëri - Aksa 19.06.2020

Ai që foli me Zotin, Musai, kur u adhurua viçi, kërkoi ndihmë tek Zoti duke thënë: “Ajo ishte veç një sprovë e urdhëruar prej Teje.” (El-A’raf 155) Atij iu dërgua Meleku i vdekjes dhe do t’ia nxjerrë syrin. Ndërsa Isai, paqja e Zotit qoftë mbi të, lutej duke thënë: ““O Zot, nëse e largon vdekjen nga dikush, largoje atë prej meje.” Kurse të dërguarit tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, iu dha zgjedhja mes qëndrimit në këtë botë dhe vdekjes, e ai zgjodhi të largohej drejt Zotit të Lartësuar.

I dërguari i Zotit, Sulejmani, paqja e Zotit qoftë mbi të, thotë: “…më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje!” (Sad 35) Ndërsa i dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të,  thotë: “O Zot, bëje të mjaftueshme furnizimin e familjes së Muhamedit.”

Pasha Zotin, ky është qëndrimi i njeriut që e ka njohur ekzistencën dhe Krijuesin e ekzistencës, dëshirat e tij kanë vdekur, kundërshtimet e tij janë qetësuar dhe egoja e tij ka ecur në përputhje me atë që Zoti cakton.

O ti musliman!

“Dorëzoja çështjet e tua tek i Gjithëdijshmi e i Buti, dhe liro zemrën tënde nga çdo gjë e kësaj bote.

Dije se çështja nuk është ashtu siç dëshiron ti, por ashtu siç dëshiron Zoti, Gjykatësi më i Urtë.

Pi, jeto mirë dhe harro të gjitha brengat, sepse brengat ia largojnë mendjen dhe njeriut të mençur.

Planifikimi nuk i sjell dobi robit të pafuqishëm, andaj lëre atë dhe do mbetesh në mirësi të përhershme.”

Ai që foli me Zotin, Musai, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “O Zot, çfarë më shpëton nga dënimi Yt, më bën të arrij kënaqësinë Tënde dhe më shpëton nga zemërimi Yt?” Ai iu përgjigj: “Kërkimi i faljes me gjuhë, pendimi me zemër dhe braktisja e gjynahit me gjymtyrë.”

Imam Muslimi ka transmetuar në Sahihun e tij nga sahabiu i nderuar Ebu Katade El Ensari, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u pyet për agjërimin e ditës së hënë,  dhe ka thënë: “Në të kam lindur dhe në të më është shpallur.” Ky hadith i saktë është transmetuar përmes rrugëve të shumta transmetimi.

Është vërtetuar gjithashtu në hadithet autentike se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka ndërruar jetë ditën e hënë.

Adhurues të Zotit! Nuk ka gjë më të çmuar tek Zoti sesa lutja në kohë mirëqenieje. Kush dëshiron që Allahu t’i përgjigjet në kohë vështirësie, le të shtojë lutjet në kohë rehatie.

O Zot, Ti që ndale dorën Ibrahimit për të therur djalin e tij, o Ti që e bëre karvanin të kalonte pranë Jusufit në shkretëtirën e shkretë, që e nxorën atë nga pusi dhe pas robërisë e bëre mbret dhe profet, o Ti që dëgjove pëshpëritjen e Junusit në errësirën e trefishtë, o Ti që ia largove pikëllimin Jakubit, o Ti që mëshirove lotët e Daudit, o Ti që ia largove sëmundjen Ejubit, o Ti që i përgjigjesh lutjes së të dëshpëruarit, o Ti që largon brengat e të pikëlluarit, o Ti, të Cilit i përket i gjithë urdhri, të kërkojmë çdo të mirë dhe kërkojmë mbrojtje tek Ti nga çdo e keqe. Vërtet, Ti je Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje, i Pasuri, Falësi, Mëshiruesi.

Të kërkojmë falje me të cilën të zgjerosh kraharorët tanë, të lartësosh me të përmendjen tonë, të  lehtësosh me të çështjet tona, të pastrosh me të mendimin tonë, të shenjtërosh me të fshehtësinë e zemrave tona, të largosh me të dëmet nga ne dhe të lartësosh me të vlerat tona. Vërtet, Ti je i Plotfuqishëm mbi çdo gjë.

Është transmetuar se Imam Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, më mësoi disa fjalë që t’i them në kohë vështirësie: “S’ka Zot tjetër përveç  Allahut, të Butit, Bujarit. I Lavdëruar qoftë Allahu, Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Arshit madhështor. Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve.”

Abdullah ibn Xhaferi, kur martoi vajzat e tij në largësi, u veçua me to dhe ua mësoi këto fjalë.

O Zot, lehtëso çështjet tona dhe përfundo punët tona me vepra të mira.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërishëm, Ai ju kujton ju, Falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1655643979895609/1743205546597067

Post Author: endrit