Nën hijen e të Gjithëmëshirshmit Ditën kur nuk ka hije tjetër përveç hijes së Tij

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     21-04-1448 H    02-10-2026 D

Shejh Muhamed Sarandah

Tema   Nën hijen e të Gjithëmëshirshmit Ditën kur nuk ka hije tjetër përveç hijes së Tij

Lavdërimet janë për Zotin. “Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.” (EL-Enbija’47)

Lavdërimet janë për Zotin. “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin).” (Ibrahim 42)

Lavdërimet janë për Zotin. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Xhamia është shtëpia e çdo të devotshmi. Atij që e ka xhaminë shtëpi Zoti i ka garantuar qetësinë, mëshirën dhe kalimin mbi Sirat drejt kënaqësisë së Zotit, drejt Xhenetit.”

Mikpritja e jonë është në Shtëpinë e Zotit, nën Arshin Tënd është mikpritja jonë, në Tokën e Tubimit dhe Ringjalljes është mikpritja jonë.

“Zoti im, qëndrova tek porta Jote me lotët që rrjedhin, zemra ime qan e përulur në portën Tënde.

Gjynahi dhe plaga ime është e madhe, furnizimi im është i pakët, na dhuro falje të bukur.

Erdha duke tërhequr pas vetes gjynaet e viteve, erdha tek më i Madhi Mëshirues.

I tëri jam i bindur dhe i tëri jam i sigurt, se tek Ti gjendet shërimi i të sëmurit.”

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Atij nuk i fshihet as sa pesha e një grimce atomi. Ai dëgjon lutjen e krijesave dhe u përgjigjet, i jep ngushëllim të vetmuarit, udhëzon të humburin, fal atë që kërkon falje tek Ai dhe mëshiron atë që kërkon mëshirën e Tij. Atë që i bindet Atij, e merr nën kujdesin e Tij, atë që e harron, Ai nuk e harron. Atë që kërkon strehohimin e Tij, Ai e strehon dhe atij që kërkon mbështetjen e Tij, Ai i mjafton.

Dëshmoj se zotëria ynë Muhamedi është i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. O Zot, fale dhe mëshiroje zotërinë tonë Muhamedin, shëruesin dhe ilaçin e zemrave, kuruesi dhe shërimi trupave, drita dhe ndriçimi i syve, forca dhe ushqimi i shpirtrave, i cili ka thënë: “Njerëzit do të ringjallen Ditën e Gjykimit këmbëzbathur, të zhveshur dhe të pa bërë synet.”

Në Tokën e Tubimit dhe Ringjalljes, “Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta…” (El-Furkan 27), secili do të ringjallet në gjendjen në të cilën ka vdekur. Ai që ka vdekur duke ruajtur kufijtë e Zotit do të ringjallet i palëkundur, e ai që ka vdekur duke mashtruar umetin e tij do të ringjallet me fytyrë, i shurdhër dhe memec. Atëherë thirrësi do të thërrasë: Ku janë mbretërit e tokës? “Dhe vëri veshin thërritësit që thërret prej një vendi të afërt.” (Kaf 41) Atëherë Zoti i Madhërishëm dhe i Plotëfuqishëm do të thotë: “Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!” (Gafir 16)

Është një qëndrim madhështor dhe i frikshëm, qielli do të çahet, yjet do të shuhen, detet do të ndizen dhe profetët do të luten: “O Zot, shpëto, shpëto!”

“(Kini frikë) ditën, kur çdokush do ta gjejë përpara atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq, duke dëshiruar që midis tij dhe së keqes së tij, të ketë largësi të madhe. Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij. Allahu është i Butë e i Mëshirshëm me robërit e Vet.” (Al ‘Imran 30)

Atë ditë nuk do të ketë hije që ta mbrojë njeriun, as çati, gur apo pemë ku robi të mund të strehohet, as salla me ajër të kondicionuar, as automjete të ftohta, përveç atij që Zoti do ta mbulojë me hijen e Tij, në Ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij. Hija, mbrojtja e Zotit është shpëtimi.

LEXO  Bajrami është gëzim dhe adhurim

 “Shtatë grupe njerëzish janë ata që Zoti do t’i strehojë nën hijen e Tij, Ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij.”

I pari prej tyre është: “Udhëheqësi i drejtë.”

Udhëheqësi zullumqar nuk do të ketë hije në Ditën e Thirrjes, në Ditën kur etja do t’i përvëlojë shpirtrat. Udhëheqësi i padrejtë i umetit, ai që shpërdoron pasuritë dhe mundësitë e tij, nuk do të ketë hije në ditën kur Zoti do të gjykojë mes robërve.

Udhëheqësi i drejtë është ai që, kur është i drejtë, rregullohen çështjet e vendit dhe të njerëzve. “O Daud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave…” (Sad 26)

I dërguari i nderuar i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ka njeri që merr në përgjegjësi dhjetë njerëz ose më shumë, e që të mos vijë tek Zoti Ditën e Gjykimit me duart e lidhura.” Udhëheqja është: “Në fillim qortim, në mes pendim dhe fundi i saj poshtërim në Ditën e Gjykimit.”

Çdo njeri është përgjegjës para Zotit për ata që ka nën kujdestari, nëna në shtëpinë e saj për modestinë e vajzave dhe kujdesin ndaj tyre, babai në shtëpinë e tij për pastërtinë morale dhe edukatën e fëmijëve. Punëdhënësi do të vijë me duar të lidhura deri në qafë për neglizhencën ndaj amanetit të tij. Vendet e shenjta do të vijnë Ditën e Gjykimit duke u ankuar për atë që i ka lënë pas dore. Umeti është në gjendje gjumi dhe po i lutet Zotit t’i dhurojë udhëheqës të drejtë.

Por në çfarë mjedisi edukohet udhëheqësi i drejtë? A presim një udhëheqës të drejtë që është rritur nga duart e tradhtarëve? Apo presim një udhëheqës të drejtë që është rritur dhe edukuar si të rinjtë të cilët Zoti do t’i strehojë nën hijen e Tij në Ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij? “Dhe një i ri që e kaloi rininë e tij në adhurim të Zotit.”

Edukimi i të rinjve është përgjegjësi e të gjithëve, nga shoqëria e mirë dhe largimi nga zbavitjet e kota, në përpjekje për të arritur gjërat e larta dhe braktisja e gjërave të ulëta.

Është vërtet e habitshme të shohësh një të ri që e detyron veten t’u përmbahet adhurimeve, ndërkohë që ka mundësi të zhytet në kënaqësi dhe epshe. Çdo i ri që ruan nderin e tij, edukohet me kënaqësinë ndaj asaj që ka dhe nuk lakmon atë që kanë njerëzit e tjerë, ka përkujtuar hadithin e të përzgjedhurit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Kush hap portën e një çështjeje, polemike, Zoti i hap portën e varfërisë në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret.” Kush hapën derën e lypjes dhe të kërkimit për të shtuar pasuri, Zoti do t’i hapë portën e varfërisë.

I riu që ruhet nga lakmia për pushtet e poste, që ngrihet mbi atë që gjendet në duart e njerëzve dhe nuk përdor lajkat për të fituar pasuri, e meriton hijen e Zotit në Ditën e Gjykimit.

Nga ata që Zoti do t’i strehojë nën hijen e Tij, Ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij është dhe: “Njeriu, zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë.” “Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit…” (Et-Teube 18) Po ai që e ka zemrën të lidhur me Aksanë, me një prej xhamive më të vlefshme për lutje, adhurim, namaz nate dhe lexim të Kuranit? Kjo është ndër vlerat më të larta, andaj, përgëzoni, o banorë të Bejtul Makdisit, Kudsit, me hijen e Arshit të Mëshiruesit, Ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij. Urime për çdo zemër që është e lidhur me Aksanë, që kujdeset për të dhe e mbron atë.

LEXO  Mësime dhe këshilla nga kalimi i kohës

Mejmunetu, Zoti qoftë i kënaqur me të, pyeti: “O i dërguari i Allahut,  na trego për Bejtul-Makdisin, Kudsin?” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha: “Ajo është toka e Tubimit dhe Ringjalljes. Shkoni atje dhe faluni në të, sepse një namaz në të është si një mijë namaze diku tjetër.”

O banorë të Kudsit! Zoti ju ndihmoftë ju dhe këdo që qëndron me ju.

O banorë të Kudsit! Askush nuk është më i fuqishëm se Zoti i Vetëm për ta larguar të keqen prej jush. Prandaj, mos u ktheni nga krijesat, por ngrini duart tuaja në lutje dhe kërkoni ndihmë prej Zotit.

Zoti ynë, kemi dorëzuar çështjen tonë tek Ty, Ti je më i Madhi Mëshirues.

“Shtatë grupe njerëzish janë ata që Zoti do t’i strehojë nën hijen e Tij, Ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij.” I katërti prej tyre: “Dy njerëz që e duan njëri-tjetrin për hir të Zotit, bashkohen për hir të Tij dhe ndahen për hir të Tij.”

Besimi plotësohet tek ai që do për hir të Zotit, urren për hir të Tij, jep për hir të Zotit dhe ndalon për hir të Tij.

Kjo është një shoqëri e lidhur dhe e bashkuar nga besimi dhe bindja, që bazohet në bashkëpunim e jo në interesin personal. Ai që ushqen një të uritur derisa të ngopet, Zoti do ta strehojë nën hijen e Arshit të Tij. Dhe “kush i jep afat borxhliut në vështirësi ose ia fal borxhin, Zoti do ta strehojë nën hijen e Arshit të Tij në Ditën e Gjykimit.”

Kjo është një shoqëri e ndërtuar mbi dashurinë dhe mëshirën. Ai që kujdeset për një jetim ose një të ve Zoti do ta strehojë nën hijen e Tij dhe do ta fusë në Xhenetin e Tij.

Forca e besimit dhe dashuria e ndërsjellë janë ato për të cilat ka nevojë shoqëria sot. Islami e lufton egoizmin, që besimtari të mos shkëputet nga shoqëria, umeti dhe çështjet e tij. Islami gjithashtu nxit mbjelljen e ndjenjave dhe dashurisë në zemrën e besimtarit. Falja është një moral madhështor dhe shenjë e forcës së besimit dhe jo dobësi.

“Shtatë grupe njerëzish janë ata që Zoti do t’i strehojë nën hijen e Tij.” Nga ata është edhe: “Një burrë të cilin e fton një grua me pozitë dhe bukuri, por ai thotë: ‘Unë i frikësohem Zotit.” “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat,  pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” (En-Nazi‘at 40-41)

Prandaj, hija e të Gjithëmëshirshmit është strehimi, Xheneti.

Besimi i jep robit vetëdije dhe vigjilencë. I mençuri dhe i maturi nuk bie në kurthet e devijimit. Besimtari, sikurse ka thënë i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është: “Njohës i kohës së tij,  i përkushtuar, i përqendruar, ndaj çështjes së tij.”

Besimtari është i vetëdijshëm për atë që ndodh rreth tij, nga komplotet dhe planet që synojnë prishjen e moralit të umetit dhe cenimin e nderit. Besimtari kujdeset për çështjet e tij, për atë që i përmirëson tregtinë dhe jetën e tij, dhe është i kujdesshëm që ai dhe familja e tij të mos bien në kurthet e armiqve të tij.

Nga ata që Zoti do t’i strehojë nën hijen e Tij, Ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij, është dhe: “Një njeri që jep sadaka, lëmoshë, dhe e fsheh atë aq shumë, sa dora e majtë nuk e di se çfarë ka dhënë dora e djathtë.” Sadaka pa famë dhe pa sy faqësi, sadaka e fshehtë, që nuk e di askush përveç Zotit. Sadaka e fshehtë që shuan zemërimin e Zotit. Sadaka në fshehtësi, e cila mbyll shtatëdhjetë dyer të së keqes, më e vogla prej tyre është shqetësimi.

LEXO  Nderi i robërisë, nënshtrimit ndaj Zotit të Lartësuar

Një tjetër grup që Zoti do e strehojë nën hijen e Tij është: “Ai që e përmend Zotin kur është vetëm dhe sytë i mbushen me lot.” Përmendja e Zotit është kështjella mbrojtëse dhe balsami shërues. Në kohën kur disa njerëz gjejnë kënaqësi te telefonat e tyre, ka të tjerë që gjejnë kënaqësi në përmendjen e Zotit të tyre. “Shembulli i atij që e përmend Zotin e tij me atë që nuk e përmend Zotin e tij është si shembulli i të gjallit me të vdekurin.”

Shenjë e afërsisë dhe kënaqësisë me përmendjen e Zotit është: “Një njeri që e përmendi Zotin kur është vetëm dhe sytë iu mbushën me lot”,  nga dashuria, madhërimi, përulësia dhe frika ndaj Tij. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Zoti i Madhëruar i shpalli Ibrahimit, të dashurit të Tij, paqja e Zotit qoftë mbi të: ‘O miku Im! Fjala Ime i është dhënë tashmë kujtdo që ka  moral të mirë,  se atë do ta strehoj nën hijen e Arshit Tim, se do i jap të pijë nga burimi i shenjtë dhe do ta afroj pranë Meje.”

O Zot, zbukuro moralin tonë, kujdesu për çështjet tona dhe shëro plagët tona.

Luteni Zotin duke qenë të bindur se lutjet tuaja do të pranohen.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, të Butin dhe Falësin, butësia e Tij ka përfshirë të gjitha krijesat dhe mëshira e Tij i ka paraprirë zemërimit të Tij. Ai e pranon pendimin e atij që pendohet dhe e fal atë që kthehet tek Ai me pendim.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Ai ka krijuar errësirën dhe dritën, ka dalluar gjërat përmes të kundërtave të tyre, e, po të mos ekzistonte padrejtësia, drejtësia nuk do të kishte vlerën e saj.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi është i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Zoti e lartësoi përmendjen e tij në Teurat, Ungjill dhe Zebur. Ai nuk u fsheh nga populli i tij, nuk luftoi për të ngritur fisin e tij dhe nuk e lejoi për veten e tij atë që ishte e ndaluar. Ai është mëshira e dhuruar dhe mirësia e dhënë. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

Profeti i nderuar, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Njerëzit më të mirë janë brezi im, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre.”

Në shoqërinë, themelet e së cilës i ndërtoi i dërguari i nderuar, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kishte njerëz të cilëve u rridhnin lotët nga përmendja e Zotit, kishte prej tyre që i fshihnin sadakatë e tyre dhe ishin të pastër nga të ndaluarat. Morali i tyre ishte ndërtuar mbi vëllazërinë, zemrat e tyre ishin të lidhura me xhamitë dhe ishte një brez i rritur në adhurimin e Zotit.

Kur profeti i nderuar kaloi tek Zoti i tij, ndërroi jetë, nga ajo shoqëri dolën udhëheqës të drejtë, të cilët u pasuan nga prijës dhe halife të drejtë, që ruajtën umetin dhe dinjitetin e tij. Ishin prijës të drejtë, që ruajtën fenë, bashkësinë e muslimanëve, dhe ruajtën tokat Islame dhe vendet e shenjta të tij.

O Zot! Të lutemi jep për ne dhe për të gjithë muslimanët çlirim të shpejtë e të afërt, prijës besimtar e të mëshirshëm, i cili të unifikojë radhët tona dhe të bashkojë forcat tona.

O Zot! Na bëj prej atyre që u përulën para Madhështisë Tënde dhe Ti i ngrite, që u kthyen tek Ti të penduar dhe Ti i pranove, që u afruan tek Ti dhe i udhëzove.

O Zot! Na bëj prej atyre të cilëve ua mbulove gjynahet dhe i përfshive me mëshirën Tënde.

O Zot! Vendose xhaminë Aksa nën kujdesin, mbrojtjen dhe përkujdesjen Tënde dhe bëje atë të krenare dhe të begatë me Islamin dhe muslimanët.

O Zot, largo nga ne vështirësitë, pikëllimi dhe çmimet e larta. O Zot, liro robërit, të burgosurit dhe të ndaluarit.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me sahabet dhe halifet e parë të drejtë. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me Ensarët dhe Muhaxhirinët. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me familjarët e tij të pastër.

O Zot, jepu për ne shpërblimet më të mira prindërve tanë,  dijetarëve dhe mësuesve tanë.

O Zot, Ti  që ke bërë salavatet ndaj të dërguarit tonë nga adhurimet,  të lutemi të afrohemi pranë Teje me të gjitha salavatet që janë dërguar për të nga dita që është krijuar deri në pafundësinë e përsosmërisë.

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Safat 180-182)

Dhe fto për namaz.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1697381979055142/1588635616352477

Post Author: endrit