Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 15-10-1447 H 03-04-2026 D
Shejh Dr. Abdullah El Buajxhan
Tema Vlera dhe etiketa e lutjes
Vërtetë lavdërimet janë për Zotin, Atë e lavdërojmë dhe prej Tij ndihmë kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e udhëzon Allahu s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Zoti e dërgoi atë mëshirë për të gjithë njerëzimin, përmesë tij zgjeroi zemrat, ndriçoi mendjet dhe hapi me të sytë e verbër, veshët e shurdhër dhe zemrat e vulosura. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, për ata dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta deri në ditën e Kijamet.
Në vijim
Vërtetë fjala më e mirë është fjala e Zotit, Kurani, lidhja më e fortë është fjala e devotshmërisë, feja më e mirë është feja e Ibrahimit, historia më e mirë është fjala e Zotit, dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Çështjet më të këqija janë të shpikurat në fe, risi, çdo shpikje, risi është devijim dhe çdo devijim është humbje. Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin në atë që Ai ka urdhëruar dhe hiqni dorë nga ajo që Ai ka ndaluar dhe ju ka qortuar. “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71)
O ju njerëz! Njeriu është i varfër dhe ka nevojë për Zotin dhe Sunduesin e ti. Ai është që e krijoi dhe e modeloi atë në formën më të mirë, i dha shpirt dhe jetë, e furnizoi atë, i siguroi gjërat e nevojshme dhe e pasuroi, e ushqeu dhe i dha të pijë, e mbuloi dhe e veshi, e shëroi dhe i dha mirëqenije në këtë jetë. “Por, pasi Ai ju shpëton në tokë, ju i ktheni shpinën. Njeriu është mosmirënjohës.”(El-Isra’ 67) “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij. Ai di vendbanimin e saj dhe vendin e vdekjes. Të gjitha këto janë (të shënuara) në Librin e qartë.”(Hud 6)
Adhurues të Zotit! Askush nuk është në gjendje t’u përgjigjet atyre që kërkojnë dhe t’u plotësojë nevojat e të pikëlluarve përveç Zotit të botëve. Ai është që i përgjigjet çdo pyetësi dhe i jep çdo personi shpresëplotë. Thesaret e Tij nuk pakësohen kurrë dhe ajo që Ai ka nuk mbaron kurrë. Kërkesat e njerëzve janë të panumërta dhe të pakufizuara, dhe askush përveç Zotit të Vetëm nuk mund t’i përmbushi ato.
Nga Ebu Dherri, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë nga ajo që është frymëzuar nga Zoti i Plotëfuqishëm, se Ai ka thënë: “ O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë, e kam bërë të ndaluar dhe ndërmjet jush, andaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të devijuar, përveç atij që Unë e udhëzoj, andaj më kërkoni udhëzim, që t’ju udhëzoj. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të uritur, përveç atij që Unë e ushqej, andaj më kërkoni ushqim, që t’ju ushqej. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të zhveshur, përveç atij që Unë e vesh, andaj më kërkoni veshmbathje, që t’ju furnizoj me të. O robërit e Mi! Ju bëni gabime natë e ditë, ndërsa Unë i fal të gjitha mëkatet, andaj më kërkoni falje, që t’ju fal. O robërit e Mi! Ju kurrë nuk do të arrini të më bëni dëm e as që do të keni mundësi të më bëni dobi. O robërit e Mi! Po qe se të gjithë ju, i pari e i fundit, përfshirë njerëzit e xhinët, bëheni si njeriu më zemërmirë prej jush, kjo gjë nuk do ta shtonte aspak diçka në sundimin Tim. O robërit e Mi! Nëse se të gjithë ju, i pari e i fundit, përfshirë njerëzit e xhinët, bëheni si njeriu më zemërprishur nga mesi juaj, kjo gjë nuk do të pakësonte diçka në sundimin Tim. O robërit e Mi! Nëse se të gjithë ju, i pari e i fundit, përfshirë njerëzit e xhinët, tubohen në një vend, më drejtohen me kërkesa e Unë i jap gjithsecilit atë që kërkon, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga ajo që gjendet tek Unë, vetëm se aq sa pakëson ujin gjilpëra kur futet në det. O robërit e Mi! Vërtet ato janë veprat tuaja, të cilat i ruaj e më pas jua shpërblej, kështu që, kush gjen mirë, le ta falënderojë Allahun, ndërsa, ai që gjen diçka tjetër, të keqe, të mos qortojë dikë tjetër veç vetes së tij.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
O ju njerëz! Lutja është vetë adhurimi, nga aktet më të mëdha të afrimit tek Zoti dhe nga aktet më sublime të bindjes. Rëndësia e saj është e jashtëzakonshme dhe dobia e saj është e madhështore. Lutja është mjeti më efektiv për tërheqjen e mirësive të Zotit dhe rruga më efektive për të larguar fatkeqësitë. Lutja është porta më e madhe për përmbushjen e nevojave, arritjen e dëshirave, ngritjen e statusit të dikujt, fitimin e të gjitha të mirave dhe largimin e dëmit dhe të keqes.
Lutja është ngushëllim për besimtarin në kohë shqetësimesh dhe qetësimi për të në kohë vështirësishë. Përmes lutjes të shtypurit gjejnë fitore, sepse nuk ka pengesë midis lutjes së tij dhe Zotit. Përmes lutjes plotësohet nevojat dhe shmangen fatkeqësitë e ndëshkimet. Asgjë nuk mund ta ndryshojë caktimin përveç lutjes. Prandaj, drejtohuni tek Zoti me lutje, sepse asgjë nuk është më e nderuar tek Zoti i Plotfuqishëm sesa lutja. Ngrini duart drejt qiellit dhe luteni Zotit, duke ia kushtuar sinqerisht adhurimin tuaj vetëm Atij.
Luteni Zotit tuaj me përulësi dhe fshehtësi, sepse është shenjë dobësie dhe humbjeje që njeriu të përmbahet nga kërkimi i Zotit të tij për nevojat e tij, Atij që e urdhëroi të kërkonte prej Tij dhe premtoi t’i përgjigjej. Ai është Bujari, Mëshirëploti, i Pasuri, i Plotfuqishmi, Madhështori. Portat e Tij nuk mbyllen kurrë dhe ‘duart’ e Tij janë të shtrira, Ai jep si të dëshirojë.
Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ ‘Dora’ e Zotit është plot, me mirësi dhe dhurime, asgjë nuk pakësohet nga shpenzimi, ajo është bujare ditë e natë.” Dhe ka thënë: “A e keni parë se çfarë ka shpenzuar, furnizuar, Ai që kur krijoi qiejt dhe tokën? Përsëri ajo nuk e ka pakësuar atë që është në ‘Dorën’ e Tij.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.
Zoti na begatoftë të gjithëve me Kuranin Famëlartë, dhe na bëftë dobi të gjithëve me argumentet dhe me përkujtimet e tij të urta.
Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Ai kërkoni falje, sepse vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.
Hutbeja e dytë
Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut për të mirat e Tij, Atë e falënderojmë për udhëzimin dhe bekimet e Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, Ai meriton të Lavdërohet dhe të Madhërohet.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, ftuesi për në kënaqësinë e Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, për ata lutemi dhe dërgojmë përshëndetje të shumta.
Adhurues të Allahut! Zoti i Plotfuqishëm u ka dhuruar robërve të Tij nga mirësinë e Tij duke ua plotësuar nevojat dhe i ka urdhëruar ata t’i luten Atij, u ka premtuar atyre përgjigje dhe sukses kujtdo që Ai dëshiron. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!”(Gafir 60) Dhe ka thënë: “ Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam pranë, u përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të Më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” (El-Bekare 186)
Nga Ubadetu Ibn Samit, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk ka asnjë musliman në tokë që i lutet Zotit me një lutje vetë se Zoti ia plotëson atë ose ia largon një të keqe të ngjashme, për sa kohë që ai nuk lutet për diçka që është gjynah, ose për ndërprerjen e lidhjeve farefisnore.” Një burrë nga të pranishmit tha: “Atëherë të lutemi më shumë.” Ai ka thënë: “Zoti është më bujar, jep më shumë.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.
O ju njerëz! Kërkoni kohët më të mira, sepse në ato kanë më shumë gjasa të merrni përgjigje dhe janë më të përshtatshme për lutje. Një rob është më afër Zotit të tij kur bën sexhde, prandaj shtoni lutjet tuaja në atë kohë. Të premten, ka një orë, të cilën nëse muslimani e arrin, nuk ka diçka të mirë që ai i kërkon Zotit përveçse Ai ia jep atë. Në të tretën e fundit të natës, Zoti zbret në qiellin duke thënë: “A ka ndonjë që më lutet që t’i përgjigjem? A ka ndonjë që më kërkon që t’i jap?” Lutja në mes të ezanit dhe fillimit të namazit, ikametit, nuk refuzohet. Nata e Kadrit ka edhe më shumë gjasa që në të lutja të marri përgjigje. Nga lutjet që pranohen janë: lutja e agjëruesit, lutja e udhëtarit, lutja e të shtypurit, atij që i është bërë padrejtësi, lutja e prindit, lutja e të pikëlluarit, lutja e njeriut të drejtë dhe lutja e muslimanit për vëllain e tij në mungesë.
Adhurues të Zotit! Lutja është adhurim, prandaj drejtoni lutjet tuaja me sinqeritet vetëm për Zotin, Një i Vetëm e pa shok. Falënderojeni Zotin në kohë të mira dhe Ai do të jetë me ju në kohë të vështira dhe fatkeqësi. Jini me Të në kohë gëzimi e Ai do të jetë me ju në kohë të vështira.
Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon se isha një ditë pas të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i cili më tha: “ O djalosh, po të mësoj disa fjalë: “Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty! Ruaje Allahun, që ta kesh pranë! Kur të lypësh, lypi Allahut, e, kur të kërkosh ndihmë, kërko nga Allahu! Dije se, po qe se të gjithë njerëzit do të mblidheshin për të të bërë mirë, nuk do të mund të të bënin mirë, pos asaj që ta ka caktuar Allahu. Dhe anasjellas, nëse bashkohen për të të bërë dëm me diçka, nuk do të mund të të dëmtojnë, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu. Tashmë lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë, janë shkruar afatet.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.
Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush dëshiron që Zoti t’i përgjigjet në kohë vështirësie dhe shqetësimi, le ta shtojë lutjen e tij në kohë rehatie, mirësie.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.
Adhurues të Zotit! Nga kushtet për pranimin e lutjes janë: Sinqeriteti në kthimin te Zoti, përulësia dhe nderimi, nënshtrimi, bindja dhe mosteprimi në lutje. Prandaj, mos u lutni kundër vetes, as kundër fëmijëve tuaj, as kundër pasurisë suaj. Askush prej jush të mos lutet për padrejtësi ose gjynahe, as për ndërprerjen e lidhjeve farefisnore. Kur ndonjëri prej jush lutet, le ta ulë zërin dhe të jetë i vendosur në kërkesën e tij. Muslimani e ka për detyrë që të përpiqet në përmbushjen e detyrimit të tij të lutjes, i sigurt, bindur, se Zoti i Plotfuqishëm e pranon atë, e dëgjon atë dhe i përgjigjet asaj, sepse Ai e ka premtuar këtë dhe Ai nuk e shkel premtimin e Tij. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Luteni Zotit duke qenë të sigurt, bindur për përgjigje dhe dijeni se Zoti nuk i përgjigjet lutjes nga një zemër e pavëmendshme dhe e pakujdesshme.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.
Lutuni dhe dërgoni përshëndetjet tuaja për atë që Zoti ju ka urdhëruar që të luteni dhe të dërgoni përshëndetje për të, ku ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij. O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me pasardhësit e tij, të udhëzuar drejt, dhe me ata që i pasuan në mirësi deri në Ditën e Kijametit.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, ndihmo robërit e Tu besimtarë, që të Njësojnë Ty.
O Zot, bëje të paqtë, qetë dhe të sigurt këtë vend dhe të gjitha vendet muslimane.
O Zot, përmirëso situatën e muslimanëve, pajtoji mosmarrëveshjet e tyre dhe unifiko fjalën e tyre mbi të vërtetën, o Zoti i botëve.
O Zot, na jep siguri, mbrojtje dhe stabilitet në vendin tonë, mbroje nga çdo e keqe dhe dëm, bëje të sigurt dhe të paqtë, mbroje nga e keqja e fitneve, largo prej tij komplotet e komplotistëve dhe skemat e intrigantëve, o Zot i botëve.
O Zot, ruaj kufijtë tanë, jepu sukses ushtarëve tanë të stacionuar në kufijtë dhe frontet tona, saktëso goditjen e tyre, forco vendosmërinë e tyre, bëji ata mburojë të fortë dhe jepu fitore mbi armiqtë e tyre, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar.
O Zot, mbro tokat e muslimanëve nga çdo e keqe dhe përjetëso mbi ta mirësitë e sigurisë, mbrojtjes dhe stabilitetit.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona.
O Zot, jepi sukses nga suksesi Yt kujdestarit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, dhe mbështete atë me mbështetjen Tënde. O Zot, jepi atij shëndet të mirë dhe mirëqenie, o Zoti i botëve. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, o Ti që i dëgjon lutjet.
“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)
“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje Muhamedin dhe familjen e tij të pastër, shokët e tij të ndershëm dhe ne së bashku me ata me mëshirën Tënde, o i Plotëfuqishëm, o Falës.
Afrim Smakaj