Vëllazëria e besimit dhe solidariteti në mes të muslimanëve

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar     24-02-1448 H     07-08-2026 D

Shejh Fejsal Gazaui     

Tema    Vëllazëria e besimit dhe solidariteti në mes të muslimanëve

Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që Zoti e udhëzon s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për ata dërgojmë shumë lutje dhe përshëndetje.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut sikurse Ai ju ka urdhëruar: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71) 

O ju muslimanë! Dijeni se nga begatitë më të mëdha të Allahut ndaj nesh është se Ai na ka bërë vëllezër në fe. Zoti i Lartësuar thotë në Librin e Tij të qartë: “Me të vërtetë, besimtarët janë vëllezër.” (El-Huxhurat 10) Kjo është lidhja e fortë që bashkon zemrat, lidhja e imanit, lidhja e besimit dhe e devotshmërisë. Vëllazëria e vërtetë dhe dashuria me të cilën Allahu i ka krijuar zemrat e shëndosha i bën të gjitha marrëdhëniet të zbehen dhe të gjitha lidhjet të pakësohen para saj.

Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Mos e kini zili njëri tjetrin, mos e mashtroni njëri tjetrin në tregti, mos e urreni njëri tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri tjetrit, mos i ndërhyni njëri tjetrit në shitblerje por bëhuni robër të Allahut vëllezër. Muslimani është vëlla i muslimanit: nuk i bën padrejtësi, nuk e tradhton, nuk e braktis dhe nuk e përçmon. Devotshmëria është këtu,  dhe tregoi tri herë nga gjoksi i tij. I mjafton si e keqe njeriut ta përulë vëllain e vet musliman. Çdo gjë e muslimanit ndaj muslimanit është e shenjtë, gjaku i tij, pasuria e tij dhe nderi i tij.”

O ju muslimanë! Vëllazërimi dhe solidariteti ndërmjet muslimanëve janë obligime fetare. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na ka dhënë shembullin më të bukur për shpjegimin e kësaj lidhjeje, kur ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën e në solidarizimin ndërmjet tyre i ngjan një trupi të vetëm, aq sa kur vuan një gjymtyrë e tij, atëherë i gjithë trupi ndan me të pagjumësinë dhe ethe.”

I ka konsideruar muslimanët një gjë të vetme, një trup të vetëm dhe një ndërtesë të vetme. Prandaj ata janë të obliguar që të të mëshirohen, të kenë dhembshuri ndaj njëri-tjetrit, të këshillohen, të ndihmojnë njëri-tjetrin në të vërtetën dhe të luten për njëri-tjetrin me gjithçka që do ta dëshironin për veten e tyre.

LEXO  Reflektime rreth jetës dhe vdekjes

Ebu Derda’, Zoti qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Unë lutem për shtatëdhjetë nga vëllezërit e mi gjatë sexhdes sime.”

Gjithashtu, muslimani nuk jeton vetëm për veten e tij, por qëndron pranë vëllait të tij në çdo gjendje dhe i zgjat dorën e ndihmës në vështirësitë e jetës. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Muslimanët janë si një njeri i vetëm; nëse dhemb syri i tij, i dhemb i gjithë trupi,  dhe nëse dhemb koka, i dhemb i gjithë trupi.”

Nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, transmetohet se ka thënë: “Besimtari në mesin e njerëzve të besimit është si koka në lidhje me trupit. Besimtari ndien dhimbje për atë që i godet njerëzit e besimit, ashtu siç koka ndien dhimbje për atë që e godet trupin.”

O vëllezër! Solidariteti ndërmjet muslimanëve nuk është luks, por është një parim themelor i jetës së besimit. Nëpërmjet tij vazhdojnë begatitë  dhe zhduken, largohen fatkeqësitë. Islami ka ardhur për të bashkuar zemrat e përçara dhe për t’i pajtuar shpirtrat që janë larguar nga njëri-tjetri.

Ky solidaritet i kërkuar prej nesh na obligon të përmbushim një sërë detyrash. Nga ato janë: Pastrimi i zemrave nga urrejtja, zilia dhe armiqësia, ndalimi i dëmtimit të njerëzve, ndihma në të vërtetën, si përkrahja e të dëmtuarit dhe ndalimi i zullumqarit nga padrejtësia, interesimi për gjendjen e vëllezërve, sjellja e gëzimit tek ata dhe ngushëllimi e përkrahja e tyre në të gjitha format.

Prandaj, nëse muslimani shikon se njëri prej vëllezërve të tij muslimanë është goditur nga varfëria, nevoja, ndonjë vështirësi apo fatkeqësi, të mos gëzohet për fatkeqësinë e tij, por le ta mëshirojë, të ndiejë dhimbje për atë që i ka ndodhur, të preket nga vuajtjet e tij, t’i ofrojë atë që i nevojitet dhe t’ia lehtësojë fatkeqësinë që e ka goditur.

Vëllezër të besimit! Nga gjërat që kërkon vëllazëria për hir të Zotit është që pjesëtarët e umetit të kujdesen për njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojnë mes tyre, duke vepruar sipas fjalës së Zotit të Lartësuar: “ Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat…” (El-Ma‘ide 2)

Zoti i Lartësuar ka urdhëruar bashkëpunimin në kryerjen e veprave të mira, si në çështjet fetare ashtu edhe në ato të kësaj bote, e të gjitha këto janë pjesë e mirësisë dhe devotshmërisë, punëve të mira dhe ruajtja nga të këqijat.

Disa nga selefët tanë, të parët e mirë, kanë thënë: “Bashkëpunimi në mirësi, në drejtësi çon në dakordësi opinionesh, dakordësia e opinioneve sjell atë që dëshirohet dhe fiton dashuri.”

Shejhul Islam Ibn Tejmije, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Jeta dhe ekzistenca e bijve të Ademit në këtë botë nuk mund të plotësohet pa bashkëpunimin  e njëri-tjetrit.”

O vëllezër! Nga format e bashkëpunimit në çështjet e fesë është bashkëpunimi në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja. Po ashtu bashkëpunimi në mësimin e njerëzve të mirën dhe thirrjen drejt Zotit të Lartësuar. Kjo është nga format më të mira të bashkëpunimit dhe ato me ndikimin më të madh, sepse përmes saj udhëzohet i padituri, i kujtohet atij që ka harruar, udhëzohet i humburi dhe përmirësohet shoqëria.

LEXO  Tre mirësi themelore - Meka 29.05.2020

Kjo kërkohet nga muslimanët, secili sipas mundësisë së tij. Dikush kontribuon me dijen e tij, dikush me pasurinë e tij, dikush me pozitën dhe ndikimin e tij, ndërsa dikush tjetër duke treguar rrugën drejt kësaj të mire dhe duke i nxitur njerëzit për të.

Sa të mëdha janë shpërblimet e atyre që bashkëpunojnë në këtë fushë të dobishme! I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  ka thënë: “Kush thërret në udhëzim, do të ketë shpërblim të barabartë me shpërblimet e atyre që e pasojnë, pa iu pakësuar asgjë nga shpërblimet e tyre.”

Ndërsa bashkëpunimi i lejuar në çështjet e kësaj bote ka fusha të shumta dhe nevoja e njerëzve për të nuk mbaron kurrë. Nga format e bashkëpunimit janë lehtësimi i vështirësive të të goditurve nga fatkeqësitë,  përmbushja e nevojave të atyre që kanë nevojë, e sa shumë njerëz kanë nevojë për bashkëpunim me ta në këto fatkeqësi.

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.” (En-Nisa’ 114)

Zoti na begatoftë me Kuranin Famëlartë, na bëftë dobi nga argumentet dhe urtësitë që ai përmban.

Zotit  i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët.

Hutbeja e dytë

Zotin e lavdërojmë për mirësitë e Tij që na ka dhuruar, Ai meriton të falënderohet për sukseset dhe të  mira që na ka dhënë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, Ai meriton të Lavdërohet dhe të Madhërohet.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, ftues për në kënaqësinë e Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, mbi ata që pasuan rrugën e tij, ndjekin shembullin e tij dhe i përmbahen sunetit të tij.

Në vijim

O ju adhurues të Zotit! Vërtet, vëllazëria për hatrin e Zotit nuk është thjesht një pretendim, por është një lidhje e fortë e besimit, që tejkalon lidhjet e gjakut, gjuhës, ngjyrës, prejardhjes dhe tokës. Ajo është baza mbi të cilën ndërtohet një shoqëri muslimane e bashkuar dhe e qëndrueshme.

Euzaiu, Zoti e mëshiroftë,  ka thënë: “Katade më ka shkruar duke më thënë: ‘Edhe nëse vendbanimi na ka ndarë nga ti, dashuria dhe afërsia e Islamit na bashkon me ithtarët e tij.”

Afërsia dhe vëllazëria e Islamit kanë një rëndësi të madhe në bashkimin e zemrave dhe në afrimin e njerëzve me njëri-tjetrin. Madje, ajo është ndër lidhjet më të forta dhe më të qëndrueshme. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër.” (Al ‘Imran 103)

LEXO  Allahu sjell lehtësimin - Meka 20.03.2020

Në një ajet tjetër, Zoti i i Plotëfuqishëm sqaron se armiqësia mes tyre kishte arritur një shkallë aq të madhe, saqë edhe sikur të shpenzohej gjithçka që gjendet në tokë për ta larguar atë dhe për t’i bashkuar zemrat, kjo nuk do të ishte e mundur. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Por, nëse ata synojnë të të mashtrojnë, të mjafton Allahu (si mbrojtës). Ai të ka forcuar me ndihmën e Tij dhe me besimtarët, duke i bashkuar zemrat e tyre (si një zemër e vetme). Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (El-Enfal 62–63)

Fuqia e umetit Islam qëndron në unitetin dhe qëndrueshmërinë e tij, ndërsa dobësia vjen si pasojë e përçarjes së tij. Umeti Islam duhet të kujdeset për bashkëpunim, solidaritet dhe unitet ndërmjet muslimanëve, nga ana tjetër duhe të ruhet nga kurthet e armiqve, të cilët përpiqen të përhapin trazira dhe përçarje mes muslimanëve dhe të dobësojnë fuqinë e tyre, veçanërisht në kohë fatkeqësish dhe sprovash.

O adhurues të Zotit, kujtoni vazhdimisht urdhrin e Mbretit të Gjithëdijshëm: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd,  Muhamedin, familjarët dhe të gjithë shokët e tij.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, bëje këtë vend të sigurt, të qetë, të mbrojtur dhe me  begati të bollshme, dhe të gjitha vendet muslimane.

O Zot, kush synon të dëmtojë sigurinë dhe stabilitetin e këtij vendi, kthe komplotin e tyre kundër tyre dhe bëj planet e tyre shkatërrim për ta, o Dëgjues i lutjeve.

O Zot, ruaj umetin Islam dhe tokat e tij, largo prej tij sulmet e agresorëve, padrejtësinë e shtypësve dhe tiraninë e të padrejtëve, largo prej tij të këqijat e luftërave, konflikteve, vështirësive dhe sprovave.

O Zot, ndihmoi të shtypurit, ata që përpiqen, luftojnë,  në rrugën Tënde, ata që janë të vendosur në front dhe mbrojtësit e kufijve.

O Zot, na jep siguri në vendet dhe shtëpitë tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, bëj që udhëheqja jonë të jetë në duart e atyre që të kanë frikë Ty, që janë të devotshëm ndaj Teje dhe që kërkojnë kënaqësinë Tënde, o Zot i botëve.

O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që do dhe je i kënaqur, nga fjalët dhe veprat, o i Gjallë, o i Përhershëm. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të fronit të tij në udhëzimin Tënd dhe në devotshmërinë ndaj Teje.

O Zot, të lutemi të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë dhe në çdo vend, o Zoti i botëve.  O Zot, lehtëso vuajtjet e tyre, largo shqetësimet e tyre, përmirëso marrëdhëniet në mes tyre, planifiko për ta dhe mos planifiko kundër tyre.

O Zot, bashko zemrat tona, pajto mosmarrëveshjet tona, na udhëzo në rrugët e paqes, na çliro nga errësira në dritë, na mbaja larg veprave të turpshme, të hapura dhe të fshehta, beko dëgjimin tonë, shikimin tonë, zemrat tona, bashkëshortet tona dhe fëmijët tanë, dhe prano pendimin tonë, vërtetë Ti je Falës i Madh, Mëshirëplotë. Na bëj mirënjohës për mirësitë e Tua, duke të lavdëruar Ty për to, duke i pranuar ato dhe duke i përsosur ato për ne.

O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, krijesën më të mirë dhe zotërinë e njerëzimit, familjarët dhe shokët e tij, njerëzit e devotshëm dhe me vlerat më të larta.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1641175144675826/1798015188226532

Post Author: endrit