E vërteta e kësaj bote dhe qëndrimi i besimtarit ndaj saj

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar     26-12-1447 H     12-06-2026 D

Shejh Fejsal Gazaui     

Tema   E vërteta e kësaj bote dhe qëndrimi i besimtarit ndaj saj

Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që Zoti e udhëzon s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për ata dërgojmë shumë lutje dhe përshëndetje.

“ O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al Imran 102)

Në vijim

Sa e parëndësishme është kjo botë, sa e vogël është vlera e saj! Fatkeqësitë e saj janë vazhdimisht të ripërtëritshme dhe hidhërimet e saj vazhdimisht shumëfishohen. Pastërtia e saj është e përzier me papastërtinë e saj dhe ëmbëlsia e saj pasohet nga hidhërimi i saj. Fillimi i saj është vështirësi dhe fundi i saj është zhdukje. Ardhja e saj është mashtrim dhe largimi i saj është tragjedi. Kënaqësitë e saj janë të përkohshme dhe pasojat e saj janë të qëndrueshme. Ajo që është e ligjshme, e lejuar,  në të i nënshtrohet llogaridhënies dhe ajo që është e paligjshme, e ndalaur,  në të është ndëshkim. Kjo botë është e shpejtë në shkatërrim, fundi i saj është afër. Ndërtesat e saj shkërmoqen, banorët e saj vdesin, gëzimi i saj zhduket, lumturia e saj shpërndahet dhe gjelbërimi i saj humbet. Megjithatë, sa janë ata që janë të prirë drejt saj dhe e duan atë, që shesin veten e tyre për kënaqësinë e saj, që mbyten në detin e dëshirës së saj, që jetojnë vetëm për të dhe nuk presin atë që vjen pas saj, kështu që ata janë në shqetësim të vazhdueshëm dhe lodhje të përhershme!

O ju vëllezër të besimit në Zot! Tekstet e dy shpalljeve na e kanë bërë të qartë realitetin e kësaj bote kalimtare. Zoti i Plotfuqishëm, duke nënvlerësuar rëndësinë e saj dhe duke nënçmuar punët e saj, thotë: “Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje e garë ndërmjet jush për më shumë pasuri dhe fëmijë! Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë. Në botën tjetër ju presin vuajtje të mëdha ose falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij; jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rreme.” (El-Hadid 20) Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “ O njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut (Dita e Gjykimit) është i vërtetë, prandaj të mos ju gënjejë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun.”(El-Fatir 5)

LEXO  Fragmente nga historia e të dërguarit Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të

Nga çfarë është transmetuar prej tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në lidhje me këtë është thënia e tij: “Nëse bota do të vlente për Zotin qoftë dhe sa krahu i një mushkonje,  Ai nuk do t’i jepte jobesimtarit asnjë gllënjkë ujë prej saj.” Gjithashtu është transmetuar prej tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  se ai kaloi pranë një dhie të ngordhur dhe të shurdhër. Dhia e shurdhër është ajo me një vesh të vogël ose një vesh të prerë. Ai e mori atë, ia kapi veshin dhe pastaj tha: “Cili prej jush do të donte që kjo të ishte e tija për një dirhem?” Ata i thanë: “Nuk do të donim fare që të ishte e jona, e çfarë do të bënim me të?” Ai tha: “A do të dëshironit që të ishte e juaja?” Ata thanë: “Për Zotin, dhe nëse do të ishte gjallë, do të kishte një të metë sepse është memec, pra si mund të jetë kur është e ngordhur?” Ai tha: “Për Zotin, bota është më pak e rëndësishme për Zotin sesa kjo për ju.”

O vëllezër të besimit!  I mençur është ai që ka mendjemprehtësi dhe është i kujdesshëm të mos mashtrohet nga jeta e kësaj bote dhe zbukurimet e saj, dhe paralajmëron njerëzit kundër tundimeve të saj. Ky është besimtari nga familja e Faraonit, për të cilin Zoti përmend se ai ka thënë: “ O populli im, në të vërtetë, jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi e përkohshme, ndërsa jeta tjetër është Shtëpi e përhershme.”(El-Gafir 39)

Ky është profeti i udhëzimit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, që paralajmëron kundër luftës për të dhe mbështetjes në të, duke thënë: “Për Zotin, unë nuk kam frikë nga varfëria për juaj, por kam frikë se bota do të zbukurohet për ju ashtu siç u zbukurua për ata para jush, dhe do të garoni për të ashtu siç garuan ata para jush, e ajo do t’ju shkatërrojë ashtu siç i shkatërroi ata.”

Nga Uthman Ibn Afani, Allahu qoftë i kënaqur me të, është transmetuar se ka thënë: “Bota është e gjelbër dhe joshëse për njerëzit, dhe shumë tërhiqen prej saj. Prandaj mos u mbështet në botë, as mos i beso asaj, sepse ajo nuk është e besueshme.” Kur jeta e kësaj bote u përmend në prani të Hasan El Basriut, Allahu e mëshiroftë, ai ka thënë: “Bota është vetëm një ëndërr e shkurtër, ose një hije kalimtare, e njeriu i mençur nuk mashtrohet nga gjëra të tilla.”

Adhurues të Zotit! Në mesin e njerëzve ka nga ata, zemrat e të cilëve janë të robëruara fort nga dëshirat e kësaj bote, ndjenjat dhe mendjet e të cilëve janë të pushtuara prej tyre, kështu që ata zhyten në kënaqësitë e saj dhe humbur në luginat e saj. Ata janë që Zoti i ka përshkruar kur ka thënë: “…e që janë mashtruar nga jeta e kësaj bote.”(El-En’am 70) Dhe me fjalën e Tij: “ Jobesimtarët i gëzohen jetës së kësaj bote…” (Er-Ra’d 26) Dhe në fjalën e Tij: “ …që janë të kënaqur me jetën e kësaj bote, duke gjetur prehjen në të…”(Junus 7) Nga ajo që u tha më parë, është e qartë se njerëzit në këtë botë janë dy llojesh për sa i përket qëllimit, vullnetit dhe shpërblimit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Atij që dëshiron shpërblim në jetën tjetër, Ne do t’ia shtojmë atë. Ndërsa atij që dëshiron shpërblim në këtë jetë, Ne do t’i japim pjesë prej tij, por ai nuk do të ketë pjesë në jetën tjetër.” (Esh-Shura 20)

LEXO  Fllade mirësie në përkujtimin e lindjes së Profetit

Zotit i kërkoj falje për veten dhe ju.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, Ai i Cili e bëri këtë botë vend sprovash, dhe botën Tjetër, Ahiretin, vend shpërblimi.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i cili ka thënë: “ Jeto në këtë botë sikur të ishe i huaj ose udhëtar.” Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Pikëpamja e besimtarit për këtë botë duhet të jetë e ekuilibruar dhe gjithëpërfshirëse. Të kuptuarit e natyrës së saj të vërtetë, që inkurajon shkëputjen prej saj, nuk nënkupton murgjërinë, tërheqje nga jeta, braktisje të punës apo ndalimin e asaj që Zoti e ka lejuar. Besimtari urdhërohet të kultivojë tokën, lejohet të shijojë gjërat e mira të furnizimit, kërkohet prej tij që të përpiqet për fitim të ligjshëm dhe të përfitojë prej tyre brenda kufijve të ligjit Islam, pa shpenzime të tepruara ose mburrje. Për më tepër, asketizmi besimtarin në këtë botë e motivon që të punojë drejt përmirësimit, duke përhapur monoteizmin, Njësimin e Zotit, besimin dhe sunetin, dhe duke luftuar politeizmin, të keqen dhe mosmarrëveshjen. Tekstet që dënojnë këtë botë nuk kanë për qëllim të dënojnë jetën, tokën ose vetë kohën, por kanë për qëllim që të dënojnë veprat e këqija në të, mosbindjen  dhe preokupimin me çështjet e kësaj bote në dëm të bindjes ndaj të Gjithëmëshirshmit.

Ibn El Kajimi,  Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Bota në realitet nuk duhet të dënohet, por dënimi drejtohet ndaj veprimeve të robit në të. Përndryshe, ajo është themeli dhe fusha e Botës së Përtejme, në të shpirtrat fitojnë besim, njohuri për Zotin, dashuri për Të dhe përkujtim të Tij në ndjekje të kënaqësisë së Tij. Më e mira që banorët e Xhenetit arritën në Xhenet  është vetëm për shkak të asaj që mbollën në këtë botë, dhe kjo është lavdërim dhe favor i mjaftueshëm për të.”

LEXO  Kush lë diçka për Allahun, Ai ia këmben me më të mirë - Meka 11.12.2020

Popull musliman! Kalimi i netëve dhe ditëve, dhe kalimi i muajve dhe viteve, është një nga mësimet më të qarta për ata që kanë mend. Disa njerëz të urtë kanë thënë: “Si mund të gëzohet dikush me këtë botë kur dita e tij ia shkatërron muajin, muaji i tij ia shkatërron vitin dhe viti ia shkatërron jetën? Si mund të gëzohet dikush me këtë botë kur jeta e tij e çon atë në kohën e tij të caktuar dhe jeta e tij e çon atë në vdekjen e tij?”

Adhurues të Zotit! Dërgoni lutje dhe përshëndetje për profetin e zgjedhur i cili dha shembullin më madhështor të asketizmit të ti në këtë botë, dhe ka thënë: “Çfarë lidhjeje kam unë me këtë botë? Shembulli im dhe shembulli i kësaj bote është si ai i një kalorësi që pushoi në hijen e një peme, pastaj u largua dhe e la atë.”  Sa i madh që ishte asketizmi i tij në këtë botë! Ndaj ndiqni shembullin e tij, përmbajuni udhëzimit të tij dhe zbatoni fjalët e Zotit tuaj, Allahut të Lartësuar që ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd,  Muhamedin, familjarët dhe të gjithë shokët e tij.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët, bëje këtë vend të sigurt, të qetë, të mbrojtur dhe me  begati të bollshme, dhe të gjitha vendet muslimane.

O Zot, largo prej tij të këqijat e luftërave, konflikteve, vështirësive dhe sprovave, nga to që janë shfaqur prej tyre dhe ato që janë të fshehta.  O Zot, kush synon të dëmtojë sigurinë dhe stabilitetin e këtij vendi, kthe komplotin e tyre kundër tyre dhe bëj planet e tyre shkatërrim për ta, o Dëgjues i lutjeve.

O Zot, ndihmoi të shtypurit, ata që përpiqen në rrugën Tënde, ata që janë të vendosur në front dhe mbrojtësit e kufijve.

O Zot, na jep siguri në vendet dhe shtëpitë tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, bëj që udhëheqja jonë të jetë në duart e atyre që të kanë frikë Ty, që janë të devotshëm ndaj Teje dhe që kërkojnë kënaqësinë Tënde, o Zot i botëve.

O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që do dhe je i kënaqur, nga fjalët dhe veprat, o i Gjallë, o i Përhershëm. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të fronit të tij në udhëzimin Tënd dhe në devotshmërinë ndaj Teje.

O Zot, të lutemi të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë dhe në çdo vend, o Zoti i botëve.  O Zot, lehtëso vuajtjet e tyre, largo shqetësimet e tyre, përmirëso marrëdhëniet e tyre, merr në dorën Tënde çështjet e tyre, shuaj urinë e tyre, mbroji ata nga frika e tyre, bashkoji ata dhe zgjidh punët e tyre të shpërndara, planifiko për ata dhe mos planifiko kundër tyre.

O Zot, na  përmirëso në  fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që  është vendqëndrimi i përkohshëm për ne,  dhe përmirëso  jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën  është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen lehtësim për ne nga çdo e keqe.

O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin tonë, Muhamedin, të zgjedhurin, familjarët e tij të pastër dhe shokët e tij të nderuar.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1590150573111617/1732428234596720

Post Author: endrit