Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 19-06-1446 H 20-12-2024
Shejh Abdul Bari Ibn Avad Eth-Thubejti
Tema Këshilla për të qenë i dobishëm për të tjerët
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, Dhuruesi i mirësive, Zotëruesi i begatisë, bujarisë dhe nderit, ja dhuron ato kujt të dëshirojë nga robërit e Tij, për ta bërë atë çelës të mirësisë, duke shtrirë dorën e Tij në dobi krijesave.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, Allahu e ka përshkruar me fjalët e Tij kur ka thënë: “ Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Et-Teube 128)
Në vijim
Porosis veten dhe ju që të kemi frikë Zotin. Nga udhëzimi profetik dhe nga drita e mesazhit, që e bëjnë jetën të vlefshme, që muslimani të ketë forcë dhe synime, objektiva, që e lidhën muslimanin me shoqërinë e tij dhe e bën atë aktiv në mesin e tyre, është fjala e të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, kur thotë: Njerëzit më të dashur tek Allahu janë ata që janë më të dobishmit për njerëzit. Kurse veprat më të dashura te Allahu janë: të futësh gëzim tek një mysliman, të largosh një brengë nga ai, të lashë një borxh për të, ose të largosh nga ai urinë.” Hadithin e ka transmetuar Taberaniu. Ky hadith përmirëson pikëpamjen e muslimanit për universin, krijimin dhe jetën, zhvillon rrugën dhe drejton busullën, orientimin. Ai, muslimani është i aftë për të medituar në shkronjat e tij dhe për të dalluar kuptimet e tyre, në mënyrë që shija e Islamit dhe ëmbëlsia e fesë të rrjedhë në damarët e individëve dhe shoqërisë. Në veçanti kur mbizotëron fryma e egoizmit dhe individualizmit, kur fryhet, shtohet dashuria e vetvetes, ngecin e mocionet dhe ngrihen marrëdhëniet. Kjo, kur muslimani shpërqendrohet nga detyra e tij ndaj umetit, popullit të tij, nga mesazhi për vendin e tij dhe nga roli i tij në shoqërinë e tij.
Nderi më i madh që mund të arrijë muslimani është që ai të jetë njeriu më i dashur tek Allahu dhe motivuesi më i madh për ata që nxitojnë për tek Allahu dhe që kërkojnë kënaqësinë e Tij. Të jetë, mbjellës i buzëqeshjes në buzë, lehtësues i shqetësimit tek ata që janë të pikëlluar dhe ofrues i ndihmës për ata që kanë nevojë.
Me udhëzime të tilla Hyjnore dhe profetike i rritën Islami individët e shoqërisë së tij duke bërë secilin prej tyre burim të tejmbushur me mirësi. Kush do që e ndjek këtë rrugë jeta e tij do të zgjerohet, gjoksi i tij do të hapet dhe mbi të do të zbresin begati. Dobi ndaj tjetrit është sekreti i çelësit të suksesit dhe porta e pranimit në këtë botë dhe në Botën Tjetër, Ahiret. Qëllimi përfundimtarë që i nevojiten atij që dëshiron të jetë i dobishëm për të tjerët është që të ketë synim të sinqertë, mendje të mprehtë dhe vendosmëri të lartë për ta dashur të mirën dhe për t’ua dhënë atë të tjerëve. Ai nuk ka nevojë për para apo pasuri, trashëgimi, për t’u kualifikuar, vlerësuar me këtë virtyt.
Le ta dimë se çdo gjë që kontribuon në përmirësimin e jetës së të tjerëve, të kësaj bote dhe të Ahiretit, botës Tjetër, janë nga përfitimet, dobitë e jashtëzakonshme. Portat e dobive nuk kufizohen në një fushë të kufizuar, as në një fushë të ngushtë. Nëse meditojmë në institucionin e profecisë, do të zbulojmë se ajo ka qenë në dobi të njerëzve, dhe nxjerrjen e tyre nga errësira e idhujtarisë për në dritën e Islamit. vërtetë, të dërguarit e Zotit dhe njerëzit e drejtë kanë lënë për ne shembuj të shkëlqyeshëm të projekteve jetësore për të cilave ata ju kushtuan jetën e tyre. Kështu, çdo profet i bëri thirrje popullit të tij që të Njësojnë Zotin në besim dhe adhurim, dhe vendosën pika referimi dhe fenerë me të cilat u udhëzuan njerëzit pas tyre. I dërguari i Zotit, Nuhu, paqja qoftë mbi të, ndërtoi varkën e shpëtimit për popullin e tij. I dërguari i Allahut, Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, i përgjigjet thirrjes së Zotit të tij dhe i bindet urdhrit të Tij për ndërtimin e Qabes, për të qenë Kible për Monoteizmin, Njësimin e Zotit, dhe vend adhurimi për brezat e ardhshëm. I dërguari ynë, Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, lë umetin e tij në një rrugë të ndriçuar, natë e saj është sikur dhe dita e saj, prej saj nuk devijon prej saj vetëm se i humburi, dhe vendosi në të moralet më të larta. E kur i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, u kthye nga shpella Hira, kishte ngelur i habitur nga Meleku që i erdhi në shpellë dhe i thotë Hatixhes, Zoti qoftë i kënaqur me të: “ U frikësova për veten time.” Ajo i ka thënë: “Jo, por përgëzo, merr lajmin e mirë, pasha Zotin, Ai nuk të poshtëron asnjëherë, sepse vërtetë ti i mbanë lidhjet farefisnore, flet vetëm të vërtetën, e ndihmon nevojtarin, e nderon mikun dhe e përkrah të drejtën.” Këto veprime përmbajnë dobi të shumta për të tjerët. Ato ishin mbrojtja e tij, me lejen e Zotit, që të mos goditet nga turpi, trishtimi ose dëmtimi.
Ndërsa tek Imam Ahmedi, në librin e Zuhdit, ka thënë: “ Në fjalë të urta është thënë: Vërtetë veprat e mira e ngrenë vepruesin e tyre, e nëse bie do të gjejë mbështetje, në të.”
Sahabet morën nga i dërguari i tyre këtë mësim, e mësuan atë shumë mirë dhe dhanë shembujt më të mrekullueshëm në të qenit të dobishëm për të tjerët. Çdo njëri prej tyre investoi aftësitë dhe talentet që Zoti i kishte dhënë në projekte jetësore që lanë ndikime të përjetshme tek umeti Islam. Pas ndërrimit jetë të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtim i Zotit qoftë mbi të, umeti u përball me sfida të mëdha, më të veçantat e tyre ishte braktisja e Islamit nga disa fise. Por Ebu Bekri, Zoti qoftë i kënaqur me të, ja ktheu prestigjin dhe forcën Islamit. Përpjekjet e tij ishin shkak për stabilitetin e umetit. Ndërsa Othmani, Zoti qoftë i kënaqur me të, kryen një obligim kifaje, të mjaftueshëm për pjesën tjetër të umetit. Ai bashkon Kuranin në një libër të vetëm dhe urdhëron për shpërndarjen e tij në rajone të ndryshme, që në këtë mënyrë ta ruaj Kuranin nga humbja, dhe i garanton umetit një referencë të unifikuar për Librin e Zotit, Kuranin. Kjo vepër ka pasur ndikim të madh që shtrihet deri në ditët e sotme dhe deri në Ditën e Gjykimit.
Sahabiu i nderuar, Abdur Rahman Ibn Avfi, ishte nga sahabet e pasur dhe prej tyre ai që shpenzoi më i shumti në rrugë të Zotit, sa që ai ka dhënë sadaka një karvan të tërë, me ushqime dhe furnizime, kur mësoi për nevojat e muslimanëve. Ai përdori pasurinë e tij për tu bërë dobi njerëzve dhe për lehtësimin e vuajtjeve të tyre.
Sahabiu i nderuar, Mus’ab Ibn Umejri, të cilin i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, e dërgoi për në Medine para Hixhretit, shpërnguljes, që të ju mësojë njerëzve atje Islamin. Ai ishte i dobishëm në fushën e çështjes së thirrjes dhe të arsimit. Enes Ibn Malik, Zoti qoftë i kënaqur me të, i cili i shërbeu të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, për dhjetë vite, ka jetuar për t’u mësuar brezave të rinj nga muslimanët atë që ai kishte mësuar nga i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Dobia e tij ishte e madhe dhe ndikimi i tij madhështorë në transmetimin e biografisë, historisë dhe ngjarjeve.
Dobitë e umetit janë lloje të ndryshme dhe të ndara në shumë mënyra. Në disa raste duke përhapur Islamin dhe duke ndërtuar vlerat e tij të larta, në disa raste të tjera duke ofruar lehtësim për të vuajturit dhe duke mbështetur të varfrit dhe nevojtarët, e në disa raste duke ndërtuar xhami, duke mbështetur kurset e mësimit përmendësh të Kuranit dhe organizatat bamirëse. Më pas në dobi të vendit, në tokën e të cilit jetoj, thithi ajrin e tij, na inkurajoi të kontribuojmë në ndërtimin e institucioneve të tij, duke punuar në prosperitetin e tij dhe për të ngritur statusin e tij, me angazhimin në zhvillimin e tij dhe punën për stabilizimin dhe forcimin kohezionit të tij.
Sikurse ka njerëz që e bëjnë jetën e tyre projekt që u sjell dobi njerëzve, të cilët synojnë të kapërcejnë kufijtë e kohës dhe të vendit. Në këtë mënyrë ata të mund të bëhen shkak për dobinë e breza të njëpasnjëshëm dhe pasi t’i japin lamtumirën kësaj bote. Këta janë njerëz me vendosmëri të lartë dhe ambicie të mëdha, të cilët ia kushtojnë jetën një projekti të madh dhe një qëllimi, synimi të lartë, me të cilin mbushin jetën e tyre dhe jetën e njerëzve pas tyre. Njerëzit kanë dobi prej tij në masën më të madhe. Ai kërkon gjithmonë të avancojë shoqërinë e tij nëpërmjet shërbimit që ofron në fushën e shkencës, ekonomisë, shëndetësisë, ose në çdo fushë të bamirësisë, vullnetarizmit, zhvillimit dhe ndërtimit. Projekti i jetës, dhe nëse është i vogël, ai është i madh me qëllim të sinqertë. Ky projekt është një mesazh që vepruesi i tij mbart gjatë gjithë jetës së tij, duke punuar për të në çdo moment të jetës së tij. Vë në shërbim të tij përpjekjet, kohën dhe paratë, pasurinë e tij. Në këtë mënyrë, ndikimi i tij do të shtrihet pas vdekjes së tij, dobia dhe shpërblimi i tij do të shumëfishohen në peshoren e veprave të tij të mira. Kush ka qëllime të sinqerta dhe synimi i të cilit është të kënaqë Zotin e tij, do të arrijë atë që dëshiron dhe Zoti do ta bekojë në përpjekjet e tij.
Projekti i jetës mund të marrë vite për të dhënë fryte, por njerëzit me vendosmëri të lartë nuk ndalohen nga pengesat dhe nuk dekurajohen nga dështimi, përkundrazi, ata mësojnë dhe ecin përpara duke marrë në konsideratë fjalën e Allahut të Lartësuar që thotë: “Dhe duro! Se Allahu, me të vërtetë, nuk e humb shpërblimin për punëmirët.” (Hud 115) Durimi është lënda djegëse që mban të ndezur flakën e punës dhe i jep vepruesit të saj aftësinë për të ecur para dhe vazhduar. Veprat më të dashura te Zoti janë ato që janë të përhershme, edhe nëse janë të pakta.
Në jetën tonë bashkëkohore, do zbuloni se pronarët e projekteve të pavdekshme, të përhershme, janë ata që bënë ndryshimin në jetët e njerëzve. Ka nga ata që kanë themeluar shkolla dhe universitete, ka nga ata që kanë ngritur spitale, sikurse ka nga ata që kanë kontribuar në zhvillimin e shkencës dhe dijes. Ka nga ata që punuan për përhapjen e dijes, rrënjosjen e vlerave dhe thirrjen për tek Zoti. Historia i ka përjetësuar emrat e tyre dhe Zoti ka ruajtur shpërblimin e tyre, jo sepse ata kërkuan lavdinë personale, por për shkak se ata zgjodhën tu bëjnë dobi njerëzve dhe të avancojnë me umetin dhe vendin e tyre. Gjë që e mban punën e një personi të vazhdueshme dhe pas vdekjes së tij, sikurse i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kur vdes njeriu ndërpritet puna e tij, veç tre lloje (punësh): Një lëmoshë rrjedhëse (e pandërprerë), apo një dije prej së cilës përfitohet, apo një fëmijë i devotshëm që lutet për të.”
Zoti të Madhërishëm i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Zoti kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na ka krijuar nga asgjëja dhe u ka dhuruar krijesave të Tij mirësi të shumta.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai i Cili, e mësoi atë me anë të penës.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, na mësoi të kërkojmë strehim tek Zoti nga paaftësia, dembelizmi dhe pleqëria e shkuar. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, ata të cilët arritën gradat dhe majat më të larta.
Në vijim
Porosis veten dhe ju që ti frikësohemi Allahut.
Me këtë epokë në të cilën ngjarjet po përshpejtohen dhe interesat ndërthuren, e kuptojmë shumë mirë se sa shumë duhet t’i rikthejmë këto koncepte të mëdha për të zhvilluar shoqërinë dhe për të vendosur iniciativa të cilat avancojnë vendin dhe rrisin forcën e umetit. Umeti sot ka nevojë për çdo përpjekje të dobishme dhe për çdo projekt që sjell mirësi për brezat e ardhshëm. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer.” ( El-Muzzemmil 20)
Adhurues të Zotit, lutuni dhe dërgoni salavate për të dërguarin e udhëzimit, Allahu ju ka urdhëruar për këtë në Librin e Tij, dhe ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me familjarët dhe shokët e tij të nderuar, dhe me ne së bashku me ta me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro mohimin dhe mohuesit. O Zot, shkatërro armiqtë e Tu dhe armiqtë e fesë.
O Zot, bëje këtë vend të begatë, të siguri, dhe të gjitha vendeve muslimane.
O Zot, të lutemi të na japësh Xhenetin, dhe atë që na afron me të prej fjalëve dhe veprave. O Zot, të lutemi të na mbrosh prej zjarrit, dhe çfarë na afron me të prej fjalëve dhe veprave.
O Zot, të lutemi të na japësh gjithë të mirat, të tashmet dhe të vonshmet, nga ato që i dimë dhe ato që nuk i dimë.
O Zot, të lutemi na mbro nga gjithë të këqijat, të tashmet dhe të më vonshmet, nga ato që i dimë dhe që nuk i dimë.
O Allah, ji me ne dhe jo kundra nesh, na ndihmo dhe mos ji kundra nesh, planifiko për ne dhe jo kundra nesh, na udhëzo dhe na e bëj të lehtë udhëzimin dhe na ndihmo kundra atyre që na bënë padrejtësi.
O Zot, Palestinën e ka goditur fatkeqësia dhe e keqja, me të cilën Ti je i ditur dhe mund t’i largosh. O Zot, largo nga ata fatkeqësitë që i kanë goditur. O Zot, ata janë këmbëzbathur prandaj mundësoju të vishen, të uritur mundësoju ushqim, të zhveshur mundësoju atyre mbulim dhe të shtypur prandaj jepu fitore. O Zot, jepu fitore përballë armikut Tënd dhe armikut të tyre, sionistëve agresorë, o i Fortë, o i Plotfuqishëm.
O Allah, Ti je Zoti, s’ka Zot tjetër përveç Teje, Ti je i pasur, nuk ke nevojë për diçka, ndërsa ne jemi të varfër, kemi nevojë për Ty, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj nga të dëshpëruarit.
O Zot, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj nga të dëshpëruarit.
O Zot, zbrit tek ne shi. O Zot, zbrite atë shi të dobishëm dhe të begatë, jo të dëmshëm, jo dënim, jo shkatërrim dhe jo përmbytje. O Zot, që të ringjallësh me të vendin dhe të freskosh me të njerëzit, si dhe ta bësh atë argument për të pranishmit dhe ata që vijnë, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta në atë do dhe je i kënaqur. O Zot jepi sukses ati në udhëzimin Tënd dhe veprat e tij që të meritojnë kënaqësinë Tënde. Jepi sukses zëvendësit të tij në çdo të mirë, o Zoti i botëve.
O Zot, jepu sukses të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve që të punojnë me librin Tënd, Kuranin, dhe me synetin e të dërguari Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.
“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf 23)
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Ai ju kujton ju,
Falënderojeni Atë për të mirat dhe begatitë e Tij që t’ua shumojë ato.
” …vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj