Haxhi i pranuar: Njësim i Zotit, pasim dhe siguri për muslimanët

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar     05-12-1447 H     22-05-2026 D

Shejh Mahir El Muajkili  

Tema  Haxhi i pranuar: Njësim i Zotit, pasim dhe siguri për muslimanët

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e të gjitha krijesave, i Cili u ka dhuruar robërve të Tij sezone mirësie dhe ka dalluar me vlera të veçanta ditë të caktuara.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi është rob i  Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi bashkëshortet e tij, atyre u dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

O ju besimtarë! Kini frikë Zotin e Plotfuqishëm dhe binduni Atij, sepse për mes devotshmërisë përmirësohen veprat dhe zemrat, falen gjynahet dhe gabimet. “Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!” (El-Bekare 197)

O ju muslimanë! Jemi duke shijuar këto ditë të bekuar, dhjetë ditë të bekuara, ditë me rëndësi të madhe, për të cilat Zoti i Plotfuqishëm është betuar dhe i ka vlerësuar mbi të gjitha të tjerat. Vërtetë i lumtur  është ai që i shfrytëzon mundësitë e tyre dhe ekspozohet para mirësive të tyre. Në Sunenin e Ibn Maxheh, ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura për Zotin sesa këto ditë.” Në këto ditë janë bashkuar nga ritualet e Islamit që nuk gjenden në asnjë periudhë tjetër. Në mesin e këtyre ditëve është Dita e Sakrificës, Kurbanit, dita e Haxhit të Madh, e cila është dita më e madhe tek Zoti i Plotëfuqishëm dhe i Lartësuar. Në mesin e këtyre ditëve është Dita e Arafatit, ditë në të cilën Zoti ynë, me Madhështinë e Tij, zbret në qiellin e kësaj bote,  zbritje që i përshtatet Madhështisë, Pushtetit dhe Pozitës së Lartë të Tij, dhe mburret para Melaikeve të Tij me njerëzit që qëndrojnë në Arafat. Ajo është dita në të cilën Zoti liron më shumë njerëz nga Zjarri i Xhehenemit, qofshin ata midis atyre që qëndrojnë në Arafat apo jo, nga radhët e muslimanëve në të gjitha vendet. Me agjërimin e  Ditës së Arafatit, për ata që nuk janë në Haxh, Allahu shlyen gjynahet e vitit të kaluar dhe të vitit pasardhës.

Nga veprat më të mëdha këto ditë është kryerja e Haxhit në Shtëpinë e Shenjtë të Zotit, në Qabe, për ata që kanë mundësi ta bëjnë këtë: “Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit.”

Haxhi nuk mund të jetë i pranuar përveç se nëse Haxhiu është monoteist, beson në Njëshmërinë e Zotit dhe ndjek të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Njëshmëria e Zotit të Lartësuar është nga qëllimet më të mëdha dhe më fisnike të Haxhit. I gjithë Haxhi është pohim i Njëshmërisë së Zotit me kohën, vendin, ritualet, veprimet dhe përkujtimet e tij, që nga hyrja fillestare në Ihram deri në largimin nga Xhamia e Shenjtë Asgjë në Haxh apo në diçka tjetër nuk e tejkalon Njëshmërinë e Zotit, madhërimin dhe përkujtimin e Tij. Në Musnedin e Imam Ahmedit, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Tavafi, rrotullimi rreth Qabes, Sa’ji, vrapimi, në mes Safasë dhe Mervasë ddhe hedhja e guralecëve janë legjitimuar vetëm për të vendosur përkujtimin e Zotit të Plotëfuqishëm dhe të Madhërishëm.”

LEXO  Adhurimi i mirënjohjes, falënderimit të Zotit, ka shpërblim të madh

Prandaj, çdo musliman duhet të shfaqi adhurim e tij vetëm ndaj Zotit, përulësi dhe nënshtrim ndaj Tij, dhe të mos e prishë paqen e këtyre ditëve të bekuara me asgjë që përçan bashkësinë muslimane. Zoti ynë është Një, libri ynë, Kurani, është një dhe i dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është një.  Asnjë arab nuk është superior ndaj një jo-arabi, as një person i bardhë nuk është superior ndaj një personi me ngjyrë përveçse nëpërmjet devotshmërisë. “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.”(El-Huxhurat 13)

O ju vëllezër! Sikurse Allahu i Lartësuar urdhëroi të adhurohet vetëm Ai, të jemi të sinqertë në adhurim ndaj Tij dhe të ndjekim të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, Ai gjithashtu paralajmëroi kundër shirkut, të shoqëruarit diçka Atij në adhurim, i madh apo i vogël, i dukshëm apo i fshehtë qoftë ai shirk.  Të shoqëruarit diçka tjetër me Zotin e Lartësuar në adhurim është gjynahi më i madh dhe më i rrezikshëm, gjynahi më i madh dhe krimi më i shëmtuar. Ai është gjynahi që Zoti i Lartësuar me emrat e Tij janë të bukur nuk e fal dhe për shkak të tij veprat bëhen të pavlera. “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.”(Ez-Zumer 65)

Tek Sahihu i Muslimit është transmetuar se Xhabiri, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: Tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka ardhur një burrë dhe ka thënë: “ O i dërguari i Allahut, cilat janë dy gjërat që e bëjnë të domosdoshme Xhenetin?” D.m.th cilat janë dy cilësitë që bëjnë të domosdoshëm për poseduesin e tyre Xhenetin  ose Xhehenemin? I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë “ Kush vdes pa i shoqëruar asgjë Zotit në adhurim, do të hyjë në Xhenet, e kush vdes duke i shoqëruar diçka Zotit në adhurim, do të hyjë në Xhehenem.”

LEXO  Lëndimi i njerëzve lloji më i keq i falimentimit

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur. Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta.” (El-Haxhxh 26-27)

Zoti na begatoftë të gjithëve në Kuranin Famëlartë dhe sunet,  na bëftë dobi të gjithëve nga argumentet dhe urtësitë e tyre të qarta.

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, tek Ai  kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i madh.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili e bëri Shtëpinë e Tij, Qaben vend të shenjtë dhe të sigurt për njerëzit.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari  ynë, Muhamedi është rob i  Zotit dhe i dërguari i Tij, Zoti e dërgoi atë përgëzues dhe paralajmërues para ditës së Kijametit. Paqja, mëshira  dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, bashkëshortet e tij dhe mbi ata që e pasojnë në mirësi deri në Ditën e Kijametit.

Në vijim

O besimtarë! Nga veprat e mira në këto ditë të bekuara, ku bashkohet vlera e kohës dhe e vendit, është shërbimi ndaj mysafirëve të të Gjithëmëshirshmit. Zoti i Plotfuqishëm e ka vlerësuar këtë vend, Mbretërinë e Arabisë Saudite, me bekimin e ndërtimit të Shtëpisë së Tij, nderimin e mysafirëve të Tij, kujdesin për dy xhamitë e shenjta, me shërbimin ndaj pelegrinëve, Haxhinjëve, atyre që kryejnë Umren dhe vizitorëve, me lehtësimin e adhurimit të tyre dhe  me garantimin qetësisë dhe sigurisë së tyre, të gjitha nën patronazhin bujar të kujdestarit të dy xhamive të shenjta dhe princit të tij të kurorës. Zoti i shpërbleftë të dy në emër të Islamit dhe të muslimanëve me shpërblimet më të mira, i vendos të gjitha këto në peshoren e veprave të tyre të mira dhe nga veprat e mira për të gjithë ata që u shërbejnë pelegrinëve, Haxhinjëve në Shtëpinë e Tij.

Vëllezër të besimit! Ata që synojnë të vizitojnë vendet e shenjta duhet të kujdesen dhe vlerësojnë ritualet e Haxhit dhe Umres, të jenë të kujdesshëm për shenjtërinë e këtyre vendeve, të respektojnë rregullat e legjislacionit Islam, sheriatit, dhe t’u përmbahen udhëzimeve dhe rregulloreve që janë përcaktuara për sigurinë dhe të mirën publike. Kryerja e Haxhit pa leje është një shkelje e këtyre rregullimeve të planifikuara që janë ngritur me kujdes, është shkelje e të drejtave të të tjerëve dhe i dëmshëm për muslimanët. Dëmi nuk kufizohet vetëm tek shkelësi, por shtrihet edhe tek të tjerët. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ka dëm as të dëmtuar (reciprok).”  (Askujt nuk guxohet t’i bëhet dëm, as dëmi i shkaktuar të kthehet në të njëjtën mënyrë.) Hadithi është transmetuar nga Ibn Maxhe.

LEXO  Besimi në ndihmën e Zotit është i fortë

O besimtarë! Dijeni se Zoti ju ka urdhëruar në një çështje fisnike, të cilën e filloi me Veten e Tij dhe ka thënë:  “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab 56) 

O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e mëshirove familjen e Ibrahimit.

O Zot, bekoje Muhamedin,  bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e bekove familjen e Ibrahimit, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhërishëm.

O Zot,  të lutemi të jesh i kënaqur me  Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij dhe tabi’inët, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Kijametit,  dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, bëj këtë vend të begatë, të siguri, të qetë dhe të stabilizuar dhe të gjitha vendeve  muslimane.

O Zot, na jep siguri në vendit tonë, jepu sukses udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë,  kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Ti do dhe je i kënaqur. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij besnik në atë që është lavdia e Islamit dhe përmirësimi i muslimanëve, dhe në atë që është në të mirë të vendit dhe popullit. O Zot, shpërbleji ata të dy me shpërblimet më të mira për atë që ata japin në shërbim të dy xhamive të shenjta dhe për ata që synojnë vizitat e tyre. O Zot, shpërbleji ata të dy me shpërblimet më të mira për atë që japin për Islamin dhe muslimanët.

O Zot, ruaj Haxhinjtë në Shtëpinë Tënde të Shenjtë, Qabe, prano Haxhin e tyre dhe të gjitha veprat e tyre, ktheji ata tek familjet e tyre shëndoshë e mirë, fitimtarë, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.  O Zot, jepu sukses të gjithë atyre që u shërbejnë Haxhinjve në Shtëpinë Tënde dhe kujdesen për nevojat e mysafirëve të Tu. O Zot, bekoji ata në punën e tyre, në jetën e tyre, në pasardhësit e tyre dhe në familjet e tyre, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, jepu sukses të gjithë udhëheqësit muslimanë në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur. O Zot, ruaj tek ne fenë tonë, udhëheqësit tanë dhe sigurinë tonë. O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë tonë dhe atyre që vigjilojnë në kufijtë tanë. O Zot, jepu atyre fitore mbi armikun Tënd dhe armikun e tyre, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar, o Zotërues i Madhërisë dhe Nderit.

O Zot, lehtëso vuajtjet e vëllezërve tanë në Palestinë. O Zot, të lutemi që të jesh për ata mbrojtje dhe ndihmues, mbështetës dhe përkrahës. O Zot, ruaj xhaminë Aksa nga sulmet e shtypësve dhe agresioni i pushtuesve, dhe bëje atë krenare dhe të nderuar deri në Ditën e Gjykimit.

O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1568484398611568/1624928555390491

Post Author: endrit