Asgjësueset e veprave të mira – Meka 27.12.2019 

Hytbe e Qabes    1-5-1441 H   27-12-2019 

Shejh Salih El Humejd         Tema: Asgjësueset e veprave të mira. 

Falenderimi i takon Allahut, Falenderimi i takon Allahut në atë mënyrë që e meriton Shenjtëria e Tij. 

I pastër prej të metave është Allahu, ne nuk mundemi ta falenderojmë e ta madhërojmë atë ashtu sikurse e meriton. Më i denjë është lavdërimi dhe madhërimi që Ai i bën Vetes.  

Unë i jam mirënjohës Allahut për begatitë e pandërprera e për mirësitë që shtohen por gjuha është e mangët në falenderimin ndaj Tij.  

Dëshmoj se nuk ka Hyjni që meriton ë adhurohet pos Allahut, i vetëm e pashok. Dëshmi e cila rëndon peshoren e të mundëson të arrish në xhenetet e larta.   

Dëshmoj se i nderuari ynë, profeti Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij. Allahu e dërgoi atë mëshirë për gjithë botën dhe kandil ndriçues. Paqja, shpëtimi dhe begatia e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen e tij të mirë e të pastër që prej tyre ka larguar të keqen e i ka bërë të pastër e të kulluar, dhe mbi shokët e tij të dalluar e të mbarë me të cilët e ngriti lart krenarinë e fesë e me ta i dha fitore të madhe dhe mbi pasuesit e tij të përpiktë, shpëtimi qoftë mbi të gjithë.  

O njerëz u porosis ju dhe veten time të jemi të devotshëm ndaj Allahut. Kijeni frikë Allahun, Allahu ju mëshiroftë.  Krenaria me bindjen ndaj Allahut është e lidhur. Poshtërimi me mëkatin është shok i afërt.  

Kërkoni mbrojtje Allahut prej idhujtarisë se ajo e asgjëson monoteizmin, prej bidatit që  asgjëson sunetit, prej dëshirave që pengojnë sinqeritetin, prej epsheve që kundërshtojnë urdhëresat dhe prej përhumbjes që të pengon nga përkujtimi. 

E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e  pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.  (Bejjineh; 5). 

O musliman adhurimet pa qëllim janë lodhje e kotë. Qëllimi pa sinqeritet është syefaqësi. Sinqeriteti pa zbatim të traditës profetike është i pavlerë. Kapitali i robit është vështrimi mbi detyrimet ndaj Zotit të tij dhe se ai ka përmbushur ato si duhet!?  

Robër të Allahut bindja ndaj Allahut dhe kryerja e adhurimeve është një lloj ngarkese. Robi gjatë kryerjes së tyre to të ketë vështirësi mirëpo, o rob i Allahut, rëndësi të madhe ka përkujdesja në kryerjen e veprave të mira dhe  kryerjen e adhurimeve me qëllim që mos të shkojnë kot e të asgjësohen. Robi kujdeset për pesë namazet që ti falë ato bashkë me muslimanët e tjerë në xhami, agjëron, kryen haxhin, shkon në umreh, jep zekatin, mban lidhjet farefisnore, bën punë të mira e bamirësi mirëpo e mashtron shejtani dhe e hedh në devijim e në kotësi e kështu i shkon kot mundimi dhe humbet botën tjetër, Allahu na ruajtë.  

Rob të Allahut, asgjësueset e veprave është aspekti që duhet të kemi kujdes e të kujtohemi më së shumti. Asgjësimi është fshirja e punëve të mira prej punëve të këqija.  Prej tyre ka që i fshijnë e i asgjësojnë të gjitha veprat si mohimi, heretizmi, hipokrizia e madhe në besim, përgënjeshtrimi i kaderit. Allahu na ruajtë. E ky është asgjësimi total.   

Asgjësimi i pjesshëm i cili nuk e asgjëson besimin mirëpo mund të asgjësojë adhurimin me të cilin përzihet ky lloj asgjësimi e ndoshta mund të arrijë deri në asgjësim  total. 

Allahu, për mohimin dhe njerëzit mohues thotë:  

“Kushdo që mohon besimin, veprat e tij do të zhvlerësohen dhe në jetën tjetër ai do të jetë i dështuar.” (Maideh; 5).  

 Gjithashtu thotë:  

Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë  krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët. Këta janë ata për të cilët në botën tjetër nuk do të ketë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shembet çdo gjë që kanë bërë në këtë jetë dhe do t’u zhvlerësohet ajo që kanë punuar. (Hud; 15,16).  

Në lidhje me idhujtarinë thotë:  

“Nuk u takon idhujtarëve të përkujdesen për faltoret e Allahut, përderisa edhe ata vetë dëshmojnë se janë mosbesimtarë. Të kota do të jenë vepra e tyre dhe në zjarrin e Xhehenemit do të qëndrojnë përgjithmonë.” (Teubeh; 17).  

Vështrojeni këtë thirrje drejtuar profetit tonë Muhamed (salallahu alejhi ue selem). Allahu i lartësuar thotë:  

“Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje:  “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.” (Zumer; 65). 

Është e qartë se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) nuk do të binte në idhujtari por ky këtu është paralajmërim i madh dhe alarm i frikshëm ndaj idhujtarisë dhe afërsisë me të.  

Allahu, në një ajet tjetër ndërkohë që ka përmendur profetët e mes tyre edhe ata më të lartët, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të gjithë thotë: 

“Por, nëse ata adhurojnë zota të tjerë, do t’u humbë çdo gjë nga ajo që kanë  bërë.” (En`am; 88). 

Është e qartë që profetët nuk e bënin diçka të tilllë por këtu tregohet frika e madhe që duhet pasur ndaj idhujtarisë dhe të afruarit me të, me shtigjet dhe mjetet që të çojnë drejt saj dhe rëndësinë që ka ruajtja e teuhidit (monoteizmit) veçimit të Allahut në adhurim dhe dedikimi i të gjitha formave dhe llojeve të adhurimit vetëm Allahut të pashoq. 

Ndërsa heretizmi, Allahu na ruajtë prej tij, Allahu për të  thotë:  

“Ata që bëjnë herezi (e mohojnë fenë) dhe vdesin si mohues, – veprat e tyre (të mira) do të humbasin në këtë botë dhe në tjetrën. Ata do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.”  (El Bekare; 217). 

Përgënjeshtrimi i kaderit është një tjetër asgjësues, në hadithin e Zejd ibn Thabit (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se ka thënë: Unë kam dëgjuar të Dërguarin  e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: Ti, nëse do të kishe ar sa mali i Uhudit e ta dhuroje sadekah për Allahun, ai nuk do ta pranonte prej teje derisa të besoje në kader plotësisht. Transmeton Ahmedi dhe ibn Maxheh. 

 Abdullah ibn Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) ndaj përgënjeshtruesve të kaderit ka thënë: Ti nëse i takon ata tregoju se unë jam i dictancuar prej tyre dhe ata janë larg meje. Pasha Atë në emër të të cilit betohem sikur ndonjëri prej tyre të kishte ar sa mali i Uhudit e ta dhuronte sadakah për Allahun, Allahu nuk do ta pranonte prej tij pa besuar në kader. Transmeton Muslimi.  

Asgjësues i veprave është dhe kundërshtimi i të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe thyerja e urdhërit të tij.  Në Shpalljen e tij Allahu thotë:  

“Me të vërtetë, ata që nuk besojnë, i pengojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut dhe kundërshtojnë të Dërguarin, pasi u është shpjeguar qartë rruga e drejtë, nuk do t’i sjellin Allahut kurrfarë  dëmi; Ai do t’i zhvlerësojë veprat e tyre.” (Muhamed; 32). 

Ngjashëm me kundërshtimin është edhe ngritja e zërit para Profetit (salallahu alejhi ue selem). Allahu i  plotfuqishëm ka thënë:  

“O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos i flisni atij me zë të lartë, siç bëni me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos ju  asgjësohen veprat pa e ndier ju fare.” (Huxhurat; 2).  

Dijetarët kanë thënë se kjo mund të ndodhë edhe pas vdekjes së tij (salallahu alejhi ue selem). Muslimani që ndodhet në xhaminë e Profetit (salallahu alejhi ue selem) apo gjatë vizitës së varrit të tij (salallahu alejhi ue selem) duhet ta ulë zërin e tij. Po kështu nëse është  duke biseduar apo diskutuar në xhaminë e nderuar profetike duhet të ketë parasysh këto që thamë.  

Transmetohet se Khalifi Ebu Xha`far El Mensur debatoi me imam Malikun, imamin e vendit të hixhretit, Allahu i mëshiroftë të gjithë.  Ata ishin në xhaminë e Profetit. Maliku i tha Khalifes: Mos e ngri zërin këtu, o prijës i besimtarëve sepse Allahu i lartësuar ka ndërgjegjësuar disa njerëz dhe thotë:  “Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit” dhe ka lavdëruar disa të tjerë dhe thotë:   “Vërtet, ata që ulin zërin në prani të të Dërguarit të  Allahut janë njerëzit, zemrat e të cilëve Allahu i ka kalitur për besim e përkushtim. Për ata ka falje dhe shpërblim të madh.” (Huxhurat; 3).   E disa të tjerë i ka kritikuar dhe thotë: “Vërtet, ata që të thërrasin ty (o Muhamed) me zë të lartë nga  jashtë dhomave të tua, shumica e tyre nuk marrin vesh.” (Huxhurat; 4). Ruajtja e pozitës së  pacënueshme të profetit pas  vdekjes së tij është njëjtë me ruajtjen e saj kur ai ishte gjallë. Pas këtyre fjalëve Ebu Xha`far heshti. 

Nga gjërat e vyera që kanë vendosur dijetarët në lidhje me këtë temë është rregulli; me këtë sjellje duhet të pajisemi gjatë leximit dhe dëgjimit të haditheve të tij (salallahu alejhi ue selem). Ata kanë thënë:  Fjalët e trashëguara prej Profetit pas vdekjes janë njëjtë si fjalët e dëgjuara shprehimisht prej tij. 

Tallja me fenë dhe me njerëzit fetarë, o rob të Allahut është një tjetër asgjësues.  Allahu i vërtetë thotë:  

“Nëse i pyet, ata do të të përgjigjen: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim”. Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?” Mos u shfajësoni! Ju  e mohuat fenë, pasi patët besuar. Nëse Ne i falim disa prej jush (për shkak se u penduan), do t’i ndëshkojmë të tjerët, ngase janë fajtorë (nuk u penduan për talljen që bënë).” (Teube; 65,66). 

Po kështu dhe urrejtja e diçkaje që i përket fesë. Allahu i madhërishëm ka thënë:  

“Kjo për shkak se ata e urrejnë atë që ka shpallur Allahu, andaj Ai i ka zhvlerësuar veprat e tyre.” (Muhamed; 9). 

Kjo është një temë e madhe. Muslimani duhet të ketë kujdes prej saj sidomos kur sheriati nuk përputhet me ëndjet dhe dëshirat e tij,  apo kur vetvetja dëshiron të largohet prej ligjeve të fesë sepse në këtë rast mund të asgjësohen veprat e tij. Për këtë arsye është ligjëruar një lloj dhikri të cilin muslimani duhet të kujdeset ta thotë vazhdimisht: Unë jam i kënaqur me Allahun për Zot,  me islamin për fe dhe me Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) për profet. Këtë ta thotë tre herë në mëngjes e në mbrëmje.  

Prej asgjësuesve, o rob të Allahut është dhe shkuarja tek  fallxhorët, magjistarët dhe astrologët. Në një hadith të saktë thuhet: Kush shkon tek një fallxhor dhe ia pranon si të vërteta ato që thotë fallxhori le ta dijë se ka mohuar atë që i zbriti  Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Transmeton Ahmedi.  

 Në një hadith tjetër ka thënë: Kush shkon tek një fallxhor dhe e pyet për diçka nuk do ti pranohet namazi shtatëdhjetë netë. Transmeton Muslimi. Dijetarët kanë thënë: Pyetjet drejtuar fallxhorëve pengojnë pranimin e namazit dyzet netë ndërsa pranimi i fjalëve të tyre si të vërteta të hedh në mohim, Allahu na ruajtë. Rob të Allahut të shkosh tek fallxhorët, astrologët, të besdosh në fjalët e tyre dhe të veprosh sipas asaj që ata flasin është vepër që godet teuhidin, e nëse njeriut i humbet teuhidi atëherë çfarë i mbetet atij?! Sharlatanët dhe fallxhorët sot kanë arritur të deportojnë nëpër kanalet mediatike duke i mashtruar e pështjelluar njerëzit. Bëni kujdes, bëni kujdes Allahu iu mëshiroftë.  

Asagjësues është të ngrihesh e të shprehesh para Allahut ose ta mendosh si gjë të largët mirësinë tek vëllai musliman. Kush ngrihet në këtë rast para Allahut dhe  e mendon si të largët gjithëpërfshirjen e mëshirës së Allahut dhe faljen e Tij ndaj vëllait të tij musliman. Një njeri i tillë e sheh si tepër të madh gabimin dhe mangësinë e vëllait të tij. Ai në këtë rast e mendon të ngushtë mëshirën dhe mirësinë e Allahut. Xhundub ibn Abdilah El Bexhelij (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka treguar se një person kishte thënë: Pasha Allahun! Allahu nuk e fal filanin. E Allahu i lartësuar ka thënë: E cili është ai që ngrihet e shprehet para Meje se unë nuk do ta fal filanin?! Unë e fal filanin dhe e  asgjësoj veprën tënde. Të shprehesh para  Allahut pra të betohesh para Allahut. 

O rob të Allahut kush sheh  në vetvete përmirësim fetar dhe qëndresë në të duhet të bëjë kujdes e të mos nënçmojë dikë prej njerëzve me mangësi në fe e me gjynahe. Të ketë kujdes mos i shohë ata me sy nënçmues e të shohë veten e tij me sy mahnitës sepse ky është një moment shumë shkatërrimtar, Allahu na ruajtë. Kështu që ai i cili dëshiron të këshillojë vetveten duhet të fitojë zemra e jo të rregjistrojë sjelljet e të tjerëve. 

 O musliman, Allahu na ruajtë  ne dhe ju prej asgjësuesve është edhe syefaqësia. Në hadithin kudsij: Unë jam më i panevojshmi ndaj ortakërisë. Kushdo që bën një vepër e në të bashkë me mua përfshin dikë tjetër atëherë unë e lë atë dhe ortakërinë e tij. Transmeton Muslimi. Bëni kujdes, Allahu ju mëshiroftë. Bëni kujdes e mos kërkoni lavdet e njerëzve dhe syefaqësinë para tyre.  

Një person erdhi tek i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe i tha: Ç`mendon për një person i cili lufton për shpërblim e për tu përmendur, çfarë fiton ai? I Dërguari i  Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: Për të nuk ka asnjë shpërblim. Ai e pyeti tre herë dhe i dërguari iu përgjigj njëjtë: Për të nuk ka asnjë shpërblim. Pastaj tha: Allahu pranon vetëm ato vepra të cilat i dedikohen vetëm Atij dhe me të cilat kërkohet të fitohet kënaqësia e Tij. Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.  

Robi i cili kryen një vepër të mirë e që synon me të të fitojë lavdërimet e njerëzve le ta dijë se veprën e ka ekspozuar ndaj asgjësimit,  humbjes dhe privimit prej shpërblimit të saj.  Ditën kur të publikohen sekretet, të dalin në pah qëllimet e të demaskohen shtinjakët.  

Njerëzit e kësaj kohe janë vënë në provë me këto mjete moderne. Disa njerëzit përmes këtyre mjeteve përmendin veprat e tyre, tregon se si ka bërë dua për vëllezërit e tij, apo vepra të mira, ndërsa  duaja duhet të bëhet në fshehtësi pa e ditur kush. Bëni kujdes, bëni kujdes, Allahu ju ruajtë.  

O Allah mbrohemi me Ty nga të shoqëruarit dikënd  Ty në adhurim me vetëdije e të kërkojmë falje Ty për atë që nuk jemi të vetëdijshëm.  

Prej asgjësuesve, o rob i Allahut, Allahu të ruajtë e  qoftë mbrojtësi yt, shkelja e ndalesave të Allahut në fshehtësi. Theubani transmeton se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Do të njoftoj për disa njerëz të umetit tim të cilët ditën e kijametit do të paraqiten me vepra të mira sa malet Tihameh të bardha, mirëpo Allahu ato i shdërron në pluhur të shpërndarë. Theubani tha: O i Dërguar i Allahut na i përshkruaj ne ata njerëz dhe na i trego që të mos jemi si ata për shkak të paditurisë sonë? Ai tha: Ata janë vëllezërit tuaj, prej sojit tuaj, angazhohen natën (me namaz) ashtu sikurse angazhoheni edhe ju mirëpo ata janë njerëz që kur janë vetëm për vetëm i shkelin ndalesat e Allahut. Transmeton Ibn Maxheh dhe Bejhakiu. Këta mjeranë kujdesen për vështrimet e njerëzit dhe nuk kanë ndërmend mbikqyrjen e Allahut e kështu duket sikur Allahun e bëjnë vështruesin më të pavlerë mbi ta. Allahu i cili di çdo secret dhe çdo të fshehtë.  Në këtë kohë, Allahu na shpëtoftë ka kaq shumë mundësi veçimi; mjetet e telekomunikacionit të rrjeteve të ndryshme e të ekraneve. Njeriu veçohet me to edhe kur gjendet i ulur mes njerëzve të tjerë. Lexoni fjalën e Allahut:  

“Ata fshihen nga njerëzit, por nuk fshihen dot nga Allahu. Ai është pranë tyre edhe  natën, kur trillojnë gjëra me të cilat Ai nuk është i kënaqur. Se Allahu përfshin (me dijen e Tij) gjithçka që ata bëjnë.” (Nisa; 108). 

Ibnul Kajim ka thënë: Të gjithë të diturit kanë thënë se gjynahet në vetmi janë shkaku kryesor i rënies fetare nsërsa veprat e mira sekrete janë shkak kryesor i qëndresës  fetare.  

Aisheja (Allahu qoftë e kënaqur me të) pyeti një ditë të dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) për ajetin; “dhe ata që, kur japin atë që japin, zemrat e  tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” (Mu`minun; 60), Këtu bëhet fjalë pë rata që pinë alkol dhe vjedhin?! I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: Jo moj bija e të sinqetit. Këta janë ata që agjërojnë, që falen, që japin sadekah por kanë frikë se këto vepra nuk do tu pranohen.  Garoni në punë të dobishme e në mirësi. Transmeton  Ahmedi, Tirmidhiu, Hakimi i cili ka thënë se zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i saktë e këtë e ka miratuar edhe Dhehebiu.  

Bëj kujdes o rob i Allahut! Bëj kujdes o rob i Allahut të mos ndodhë të takohesh ditën e gjykimit me Zotin tënd me vepra të mira sa malet e të mos bëjnë dobi sepse ti ke neglizhuar dhe e ke marrë si gjë të lehtë e ke rënë në ato që asgjësojnë sevapet, të mirat dhe shpërblimet e tyre, e sdi do të shpëtosh pastaj. Kujtoje këtë kërcënim:   “ju asgjësohen veprat pa e ndier ju  fare.”   

Allahu na mundësoftë të përfitojmë nga udhëzimet e librit të Tij dhe prej traditës së profetit të Tij Muhamed (salallahu alejhi ue selem). Pas këtyre fjalëve që  thashë i kërkoj falje Allahut për veten time e për ju dhe për të gjithë muslimanët ndaj çdo gjynahi e gabimi. Kërkojini falje Allahut se ai është Falësi e Mëshiruesi. 

Hutbeja e Dyte

LEXO  Fitimi hallall dhe  mirësia e sigurisë në xhamitë e shenjta - Meka 18.03.2022

Falenderimi i takon Allahut. Atë e falenderoj. Ai vetëm është i apsoluti i  plotë, Fisnik që dhuron plot mirësi.  Atij i takon falënderimi në çdo rast dhe Atij i jam mirënjohës mëngjes e mbrëmje.  

Dëshmoj se nuk ka Hyjni që meriton të adhurohet pos Allahut. Ai është i lartë e asgjë nuk  ngjason me të e nuk mund të jetë si Ai askush.  

Dëshmoj se i nderuari dhe profeti ynë Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij,  i pajisur me cilësi fisnike, lavdet, shpëtimi dhe begatia e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij të cilët ishin më të mirët shokë e më të mirët familjarë dhe mbi tabi`inët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në ditën e shpërblimit.  

Rob të Allahut, prej asgjësuesve është edhe ndërprerja e lidhjeve farefisnore. Në një hadith  me zinxhir të mirë transmetimi tregohet se; “Veprat paraqiten çdo të enjte në natën e xhumasë e Allahu nuk i pranon veprat e një personi që ka shkëputur lidhjet farefisnore.” 

Ai i clili shkëput lidhjet farefisnore meriton mallkimin.  Allahu në librin e tij thotë:  

“Nëse ju (o hipokritë) i ktheni shpinën besimit, atëherë do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore. Këta janë ata, të cilët Allahu i ka mallkuar,  i ka bërë të shurdhër dhe ua ka verbuar shikimin.” (Muhamed; 22,23).  

Në hadithin e Xhubejr ibn Muta`im në sahihun e Muslimit: Në xhenet nuk do  të hyjë një person që shkëput lidhjet farefisnore. 

Ibn Mes`udi pas namazit të sabahut po qëndronte ulur me disa njerëz dhe tha:  Në emër të Allahut i kërkoj atij që ka shkëputur lidhjet faresfisnore të ngrihet e të largohet prej nesh sepse ne duam ti lutemi Zotit tonë e dyert e qiellit janë të mbyllura ndaj personit që ndërpret lidhjet farefisnore.  

Prej asgjësuesve shkatërrimtarë është dhe shkelja e të drejtave të njerëzve, padrejtësia ndaj tyre me fjalë e  me veprime. Mjafton si paralajmërim mbi këtë hadithi të falimentuarit i cili paraqitet ditën e kijameti por ka ofenduar këtë, ka akuzuar atë, ka marrë pasurinë e këtij, ka derdhë gjakun e atij e ka goditur një tjetër. Kështu që i jepet atij apo këtij prej të mirave që ka punuar personi dhe kur i mbarojnë të mirat përpara se të plotësojë ato që ka për të shlyer atëherë mirren prej gabimeve të të tjerëve e i hidhen atij e pastaj hidhet në zjarr. Transmeton Muslimi prej hadithit të Ebu Hurejres. Ditën e gjykimit punët nuk kryhen me dirhem apo me dinar por me vepra të mira ose me veprat e këqija që ka punuar robi. Kështu që kush i ka bërë vëllait të tij ndonjë padrejtësi le ta shlyejë atë sot përpara se të vijë dita ku nuk vlen dinari e as dirhemi. 

Kështu që kijeni frikë Allahun o  rob të Allahut. Kijeni frikë Allahun se asgjësueset e veprave janë të shumta e duhet pasur kujdes prej tyre e të mos neglizhohen. 

 Risia në fe e asgjëson veprën dhe shpërblimin;  Kush shpik diçka në çështjen tonë e cila nuk i përket asaj do të refuzohet. Kush bën ndonjë vepër që nuk i përket çështjes sonë do të refuzohet. Kush nuk e len fjalën e gënjeshtër dhe veprimin me të, për një të tillë Allahu nuk ka nevojë që ai të lë ushqimin dhe pijen. Kush e lë namazin e ikindisë puna e tij është asgjësuar. Kush pin alkol nuk i pranohet namazi dyzet ditë. Kush pi alkol në kët botë nuk do ta pijë atë në botën tjetër vetëm në rast se pendohet dhe ai i cili pi alkol gjithë jetën nuk hyn në xhenet. Kush mban qen, përveç dikush që e mban për bagëtitë, për gjah apo për bujqësi,  për çdo ditë i pakësohet shpërblimi sa një kirat (mal). Transmeton Muslimi. 

Bëni kujdes o rob të Allahut.  

Dërgoni salavate dhe selame mbi mëshirën e ofruar dhe mirësin e dhuruar profetin tuaj Muhamedin të dërguarin e Allahut. Zoti juaj ju urdhëron për këtë në shpalljen e tij të plotësuar e Ai është i Vërteti në fjalë. Allahu ka thënë fjalë fisnike:  

Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë,  lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! ( Ahzab; 56) 

O  Allah ngreje lart, shpëtoje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, të dashurin dhe profetin e zgjedhur, familjen e tij të mirë e të pastër, bashkëshortet e tij të cilat janë nënat e besimtarëve. O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër prijësat e drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe mbi gjithë shokët e profetit Tënd dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ndaj nesh bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë, mirësinë dhe bamirësinë tënde o më Fisniku i fisnikëve. 

O Allahu fenë islame ngreje lart dhe muslimanët bëji krenar. 

O Allahu fenë islame ngreje lart dhe muslimanët bëji krenar. 

O Allahu fenë islame ngreje lart dhe muslimanët bëji krenar. 

Zhduke politeizmin dhe poshtëroi idhujtarët. 

O Allah poshtëroi tiranët, mohuesit dhe tërë armiqë e fesë e të popullit besimtar. 

O Allah na jep siguri në vendet tona, Përmirësoi prijësat dhe udhëheqësit tanë. 

Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e  që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve.! 

O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë dhe prijësin tone, jepi atij sukses prej suksesit tënd, jepi krenari në bindje ndaj Teje. Me të ngreje lart e më lart fjalën tënde. Bëje atë ndihmës të islamit e të muslimanëve. Jepi sukses atij, mëkëmbësit të tij, vëllezërve të tij dhe ndihmëtarëve të tij të bëjnë atë që të kënaq ty, drejtoji ata në bamirësi e devotshmëri!  

O Allah udhëzoji prijësat e muslimanëvë të zbatojnë librin tënd e të ecin në rrugën e profeti tend (salallahu alejhi ue selem). Bëji ata mëshirë për robërit e tu besimtarë. Bashkoji ata në të vërtetën, në udhëzim e në rrugën profetike. 

O Allah përmirësoje gjendjen e muslimanëve. O Allah përmirësoje gjendjen e muslimanëve në çdo vend, ruaje gjakun e tyre, bëji ata të një fjale të bashkuar rreth të vërtetës, udhëzimit dhe rrugës profetike. Ndihmoji ata mbi armiqtë e  e Tu e mbi armiqtë e tyre. Mundësoji atyre të udhëhiqen prej më të mirëve e ruaji prej të këqinjve. Përhape sigurinë, drejtësinë, pasurinë nëpër vendet e tyre dhe mbroji prej të këqijave e prej fitneve të dukshme e të padukshme. 

O Allah jepi fitore ushtarëve tanë të cilët vigjëlojnë në kufijtë e vendit tonë. O Allah forcoje gjykimin e tyre, saktësoji goditjet e tyre, shtrëngoi rradhët e tyre, forcoje vendosmërinë e tyre, qëndroji këmbët e tyre, stabilizoja zemrat, jepi fitore kundër armiqve të tyre. O Allah mbështeti ata me ndihmën tënde dhe jepi fitore. O Allah mbroji ata përpara, mbrapa, djathtas, majtas dhe lart e mbroji prej së keqes që mund ti vijë nga poshtë.  

O Allah mëshiroji dëshmorët e tyre, mjeko të plagosurit e tyre, kujdesu për familjet dhe fëmijët e tyre Ti je dëgjuesi i lutjes.  

O  Allah ndihmoji vëllezërit tanë në Palestinë, në Burma, në Libi, në Jemen, në Siri. Ata po përballen me zullume e tirani, me spastrim e bllokadë, o Allah ndihmoji ata, kujdesu për gjendjen e tyre, largoje dhimjen e tyre, largoje dëmin prej tyre, afroi zemrat e tyre, bashkoi ata rreth njëri-tjetrit. O Allah ndihmoi dhe përkrahi me përforcimet prej ushtrisë Tënde dhe ndihmoji me fitoren Tende.  

O Allah shkatërroi tiranët dhe zullumqarët, ata që bëhen palë me ta, e që i ndihmojnë. O Allah përçaje turmën e tyre shpërbëji lidhjet e tyre. O  Allah planet e tyre dashakeqëse bëji shkatërrim mbi ta o Zot i botërave. O Allah ty të kërkojmë të merresh me Jehudët uzurpues e pushtues se ata nuk kanë kurrëfarë mundësie kundrejt Teje. O Allah zbrit mbi ta forcën tënde prej së cilës nuk kanë shpëtim njerëzit kriminelë. O Allah ne mjaftohemi me Ty kundër tyre e mbrohemi me Ty kundër së keqës që vjen prej tyre. 

O  Allah na i fal gabimet tona, na i mbulo të metat tona, na i largo brengat, shpëtoi të sprovuarit prej nesh, shëroi të sëmurët tanë, mëshiroi të vdekurit tanë.  

Zoti ynë i kemi bërë padrejtësi vetvetes sonë e nëse nuk na fal e nuk na mëshiron  kemi për të mbetur të humbur.  

O  Allah na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër e na ruaj nga dënimi i zjarrit. 

I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata!  Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve! (Saffat; 180) 

 

Post Author: endrit