Qëndrueshmëria e zemrës: Shkaqet dhe rezultatet e saj

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    19-05-1448 H     30-10-2026 D

Shejh Usame Khajat   

Tema   Qëndrueshmëria e zemrës: Shkaqet dhe rezultatet e saj

Lavdërimet janë për Zotin, më të Lartit, më të Madhërishmit: “ Ai i Cili, ka krijuar gjithçka dhe e ka përpjestuar drejt, që ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën” (El-A’la 2–3) Ai që ka bërë qëndrueshmërinë e zemrës themelin e maturisë, udhëzimit dhe devotshmërisë.

Zotin e Madhëruar e falënderojmë për begatitë e Tij të shumta e të pandërprera dhe për mirësitë e Tij që vijnë njëra pas tjetrës.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok: “ Atij i përket ç’ka në qiej e ç’ka në Tokë, si dhe gjithçka që gjendet midis tyre e gjithçka që ndodhet nën tokë.” (Ta Ha 6)

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i zgjedhuri i Tij nga mesi i krijesave, të cilin Zoti e dërgoi me argumente të qarta dhe me udhëzim. O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, imamët, udhëheqësit e drejtë, të devotshëm dhe fisnikë, dhe ata që ndoqën udhëzimin  e tyre dhe u mjaftuan me të.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit, frikësojuni Atij, mbajeni gjithmonë në mendje mbikëqyrjen e Tij, binduni Atij dhe mos e kundërshtoni. Pendohuni tek Zoti,  kujtoni se do të qëndroni para Tij dhe do të jepni llogari përpara Tij. Drejtojuni Atij me sinqeritet të vazhdueshëm, adhurim të mirë, lutje të vërtetë, nënshtrim të fytyrës, zemër të shëndoshë dhe nderim të përsosur për urdhrat dhe ndalesat e Tij. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut).” (El-Hashr 19)

O ju muslimanë! Zoti i ka dhënë çdo gjymtyre të njeriut një përsosmëri të veçantë që është themeli i jetës së tij, burimi i forcës së tij dhe sekreti i lumturisë së tij. Kur kjo përsosmëri mungon ose pakësohet, shpirtin e kap një ndjenjë zbrazëtie, freskia e tij venitet, gëzimi i tij turbullohet dhe shkëlqimi i tij shuhet, në varësi të asaj që i mungon nga kjo përsosmëri. Përsosmëria e syrit është me shikim, përsosmëria e veshit është me dëgjim, ndërsa përsosmëria e gjuhës është me të folur.

Sa i përket zemrës, për pozitën e lartë dhe rëndësinë e jashtëzakonshme të së cilës profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtet, në trup gjendet një copë mishi, e cila, nëse është e mirë, i gjithë trupi është i mirë, e nëse prishet, i gjithë trupi prishet. Ajo është zemra.” Hadithin e kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi në dy koleksionet e tyre autentike, Sahih, nga hadithet e Nu’man Ibn Beshirit, Zoti qoftë i kënaqur me të.

Përsosmëria e kësaj zemre, lumturia dhe kënaqësia e saj qëndrojnë në njohjen e Zotit të Madhëruar dhe të Lartësuar dhe në dashurinë ndaj Tij, në kthimin tek Ai me pendim, në përkushtimin ndaj Tij, në përmallin për Të dhe në gjetjen e qetësisë e të prehjes pranë Tij.

Kënaqësia më e madhe e kësaj bote, pa asnjë dyshim, është kënaqësia e njohjes së Zotit të Madhëruar dhe e dashurisë ndaj Tij. Kjo kënaqësi është xheneti i kësaj bote, lumturia e saj dhe gjëja më e ëmbël që ajo përmban.

Ndërsa kënaqësia më e madhe e botës Tjetër, Ahiretit, është shikimi i Zotit të Madhëruar dhe të Lartësuar në Xhenet dhe fitimi  i kënaqësisë së Tij.

Dashuria për Zotin e Lartësuar dhe njohja e Tij janë kënaqësia e syve, ëmbëlsia e shpirtrave dhe gëzimi i zemrave. Zemra nuk ka asnjë kënaqësi, lumturi, sukses apo jetë të vërtetë pa to.  Nëse zemra mbetet pa dashurinë për Zotin e Lartësuar dhe pa njohjen e Tij, ajo prishet më shumë sesa prishet trupi kur ndahet prej tij shpirti. Këtë të vërtetë mund ta kuptojë vetëm ai që ka zemër të shëndoshë.  “Plaga nuk i shkakton dhimbje atij që ka vdekur.”

LEXO  Bajrami rast për vëllazëri dhe lidhje të zemrave

Meqenëse përsosmëria dhe qëndrueshmëria e zemrës kanë këtë pozitë kaq të lartë dhe këtë vlerë kaq madhështore, njohja e gjërave që e bëjnë atë të qëndrueshme është domosdoshmëri për ata që janë të bindur se qëndrueshmëria e zemrës është themeli i çdo përmirësimi, shtylla e çdo udhëzimi dhe burimi i çdo të mire.

O adhurues të Zotit! Dijeni se qëndrueshmëria e zemrës arrihet përmes dy gjërave:

E para: Dashuria për Zotin e Lartësuar duhet të ketë përparësi nga robi mbi të gjitha dashuritë e tij të tjera. Kur dashuria për Zotin e Lartësuar përballet me dashurinë ndaj diçka tjetër, dashuria për Zotin e Lartësuar  duhet të ketë përparësi ndaj çdo dashurie tjetër veç Tij. Kjo duhet ta çojë njeriun që t’i madhërojë dhe t’u bindet urdhrave dhe ndalesave të Tij.

Nëse robi i jep përparësi asaj që ai dëshiron dhe lakmon, përballë asaj që Zoti do dhe është i kënaqur me të, përfundimi i kësaj është se edhe gjërat që ai i dëshiron do t’i shndërrohen në shqetësim dhe do t’i humbasë kënaqësinë e tyre. Por se ai do të bëhet si dikush që kërkon të pamundurën, diçka që nuk mund të realizohet, që fuqia nuk mund ta arrijë dhe që asnjë mjet nuk mund ta mundësojë.

Zoti i Madhëruar dhe i Lartësuar ka caktuar se kush do një gjë tjetër përveç Tij, do të sprovohet dhe do të vuajë për shkak të saj, kush i frikësohet dikujt tjetër përveç Tij, do të bëhet i nënshtruar ndaj atij,  kush merret vazhdimisht me diçka tjetër përveç Tij, ajo do të bëhet shkak i fatkeqësisë dhe dëmit për të.

Dashuria për Zotin e Madhëruar, përmendja e Tij e vazhdueshme, gjetja e qetësisë pranë Tij, mbështetja tek Ai, përkushtimi ndaj Tij me dashuri, shpresë, mbështetje dhe adhurim, përbëjnë Xhenetin e kësaj bote dhe kënaqësi që nuk i ngjan asnjë kënaqësie tjetër.

Kjo është kënaqësia e syve dhe gëzimi i atyre që e duan Zotin. Sytë e njerëzve gjejnë qetësi dhe kënaqësi në këtë, në varësi të asaj se sa kënaqësi gjejnë ata tek Zoti i Madhëruar.

“Syri i atij që gjen qetësi tek Zoti  çdo sy tjetër gjen kënaqësi tek ai. Ndërsa syri i atij që nuk gjen  qetësi tek Zoti, shpirti i tij do të copëtohet nga dëshpërimi për këtë botë.”  Sikurse ka thënë Ibn Kajjimi, Zoti i Lartësuar e mëshiroftë.

E dyta, me të cilën rregullohet zemra: Është madhërimi i urdhrave dhe ndalimeve, që buron nga madhërimi i Atij që urdhëron dhe ndalon, Zotit të Madhërishëm.

Zoti i Madhëruar i ka qortuar ata që nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur madhërimit të urdhrave dhe ndalesave të Tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë nëpërmjet fjalëve të Nuhut, paqja e Zotit qoftë mbi të: “Ç’është kështu me ju, që nuk e madhëroni Allahun siç duhet (duke e pasur frikë)?” (Nuh 13) D.m.th, ç’është me ju që nuk ia njihni madhështinë Allahut dhe nuk keni frikë respektin e duhur ndaj Tij? A thua nuk ka Ai ndonjë vlerë dhe madhështi në sytë tuaj?!

Adhurues të Zotit! Ajo që kërkon shpallja me të cilën Zoti e dërgoi të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për mbarë njerëzimin është nënshtrimi ndaj urdhrave dhe ndalesave të Zotit.

Kjo nuk mund të arrihet përveçse duke madhëruar urdhrat e Zotit, duke iu bindur dhe i ndjekur ato, si dhe duke i madhëruar ndalesat e Tij dhe u larguar prej tyre.

LEXO  Vlerat e Kuranit Famëlartë për umeti Islam - Meka 11.03.2022

Pikërisht kështu ai që i madhëron urdhrat dhe ndalesat e Zotit bëhet prej njerëzve të mirë e të zgjedhur, ndaj të cilëve dëshmohet për besim dhe sinqeritet, për besim të shëndoshë dhe të pastër nga shirku.

Kush i zbaton urdhrat dhe largohet nga ndalesat për arsye se e shikojnë njerëzit, për sytë e njerëzve, për të fituar pozitë dhe autoritet tek ata, nga frika se mos largohet nga sytë e tyre apo nga frika e ndëshkimeve të kësaj bote, veprimi dhe largimi i tij nuk burojnë nga madhërimi i urdhrave dhe ndalesave të Zotit dhe as nga madhërimi i Atij që urdhëron dhe ndalon, Zotit. Përkundrazi, ai vepron për hir të interesave të veta, për të arritur përfitimet personale dhe për të realizuar synimet e veta. Kjo bie ndesh me sinqeritetin ndaj Zotit të Madhëruar dhe shmangën ndjekjen e të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ndërkohë që këto të dyja janë kushtet e pranimit të veprave tek Zoti i Madhëruar.

Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin! Kujdesuni për qëndrueshmërinë e zemrave tuaja duke i madhëruar urdhrat e Zotit të Madhëruar, përmes bindjes  dhe nënshtrimit ndaj Tij, dhe madhërimi i ndalesave të Tij duke u larguar dhe duke qëndruar sa më larg tyre, si dhe përmes dashurisë ndaj Tij, njohjes së Tij dhe të afruarit tek Ai.

Zoti na bëftë dobi me udhëzimin e librit të Tij, Kuranit, dhe me sunetin e të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Zotin e lavdërojmë për mirësitë e Tij, Atë e falënderojmë për dhuratat e panumërta të Tij. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, lartësim të Madhështisë së Tij.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, thirrësi për në kënaqësinë e Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, ata që i përmbahen fesë së tij, që janë të ndriçuar nga drita dhe besimi i tij, për ata dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Vërtetë në madhërimin, vlerësimin e urdhrave dhe ndalesave të Zotit ka shenjë që e dëshmon atë dhe tregues që na udhëzon drejt tij. Ajo është përkujdesja ndaj kohëve dhe kufijve të tyre, duke i kushtuar vëmendje shtyllave dhe detyrave të tyre dhe gjithçka që sjell përsosmërinë e tyre, duke marrë iniciativën për t’i kryer në kohën e caktuar dhe duke përshpejtuar në përmbushjen e tyre kur bëhen detyrim, si dhe ndjenja e keqardhjes, pikëllimit dhe pendimit kur humbet diçka prej tyre.

Një shembull i kësaj është ai që i ikën namazi me xhemat dhe pikëllohet e ndien keqardhje për humbjen e njëzet e shtatë gradëve të shpërblimit, të cilat përbëjnë dallimin ndërmjet namazit të falur vetëm dhe namazit të falur me xhemat.

Po kështu,  ai që i ikën fillimi i kohës së namazit, rreshti i parë apo shpërblimi i hapave të shumtë drejt xhamisë, sepse për çdo hap që hedh drejt saj, Zoti e ngre një gradë dhe i fshin një gjynah, derisa të hyjë në xhami, sikurse ka ardhur në hadithet e sakta nga i dërguari i udhëzimit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

Po ashtu, ai që nuk arrin të ketë përulësi, përqendrim të zemrës në namaz, ndien keqardhje për këtë, sepse namazi pa përulësi është si trupi i vdekur, pa shpirt, dhe nëse e përmbush detyrimin fetar, sikurse ka ardhur në hadith ku thuhet: “Me të vërtetë, njeriu falet (përfundon namazin e tij) dhe nuk i shkruhet (si shpërblim) prej tij veçse një e dhjeta e namazit të tij, ose një e nënta, një e teta, një e shtata, një e gjashta, një e pesta, një e katërta, një e treta apo gjysma e tij.” Hadithin e  transmetojnë Ebu Davudi dhe Nesaiu në Sunenet e tyre, me zinxhir të saktë transmetimi.

LEXO  Namazi lidhja më e fortë me Zotin e botëve

Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin! Kujdesuni për madhërimin, vlerësimin e urdhrave të Zotit dhe ndalesave të Tij, sepse kështu jeta juaj do të bëhet e mirë, jetesa juaj e këndshme, çështjet tuaja do të rregullohen, marrin drejtim, do të fitoni kënaqësinë e Zotit tuaj dhe do të jeni tek Ai prej të shpëtuarve dhe të fituarve.

Lutuni dhe dërgoni përshëndetje për të dashurin tuaj, të dërguarin e Zotit, sepse jeni urdhëruar për këtë në Librin e Zotit, ku Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë fjalë të mirë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin.                                O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur  me katër halifet e tij të parë dhe të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun,  me të gjithë anëtarët e familjes së tij, me shokët e tij, me tabi’inë, me bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve,  me ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit,  dhe me ne së bashku me ata me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, ndihmo robërit e Tu që të Njësojnë Vetëm Ty, bashko zemrat e muslimanëve, njëso rrallët e tyre, përmirëso udhëheqësit e tyre dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, o Zoti i Botëve.                                                                                       O Zot, bëje këtë vend të sigurt, të qetë dhe të begatë dhe të gjitha vendet muslimane, o Zot i botëve.                                                                                                                                                O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso  drejtuesit dhe kujdestarët  e çështjeve tona. Mbështet në të vërtetën udhëheqësin dhe  kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, jepi atij këshilltarë të mirë dhe udhëzoje drejt asaj që Ti do dhe je kënaqur,  o Ti që i dëgjon lutjet.  O Zot, jepu sukses atij dhe  zëvendësit të tij në atë që është në të mirë të Islamit dhe muslimanëve, dhe në atë që është e mira e tashme dhe e shpejtë në dobi të vendit dhe njerëzve, o Ti tek i Cili është kthimi ynë në Ditën e Gjykimit!                                                                  O Zot, ruaje këtë tokë, duke i dhënë të gjitha të mirat dhe duke e mbrojtur nga çdo e keqe. Përjetëso paqe dhe stabilitet në të dhe në të gjitha tokat e saj. O  Zot, ruaje atë nga komplotet e intrigantëve dhe sulmet e agresorëve, dhe të gjitha vendet muslimane, o Zot i botëve.                       O Zot, ruaj ushtarët tanë që qëndrojnë në kufijtë e vendit tonë! O Zot, ruaj ata nga përpara dhe nga prapa, nga e djathta dhe nga e majta, si dhe nga lart! Kërkojmë mbrojtje me Madhështinë Tënde që të mos goditen nga poshtë këmbëve të tyre! O Zot, shëro të plagosurit e tyre dhe mëshiro dëshmorët e tyre! O Zot, bëhu Ndihmësi, Përkrahësi, Mbështetësi dhe Përkrahësi i tyre, o Zot i Madhështisë dhe Nderimit!                                                                                                                      O Zot, na mbro nga armiqtë e Tu dhe armiqtë tanë, me çfarëdo mënyre që dëshiron Ti, o Zot i botëve! O Zot, ti lëmë Ty të merresh me ata dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga të këqijat e tyre! O Zot, të lutemi ndëshko huthitë terroristë, kriminelë, tiranë, agresorë dhe gënjeshtarë! O Zot, Zbritës i Librit, Dërgues i reve dhe Mposhtës i ushtrive kundërshtare, mposhti ata, tronditi dhe shkatërroji ata dhe ata që i ndihmojnë, o Zoti i së Vërtetës! O Zot, përçaj bashkimin e tyre, shpërndaj grupin e tyre dhe bëj që fatkeqësia dhe disfata të bien mbi ta, o i Fuqishëm dhe Ngadhënjimtar!                                                                                                                                                             O Zot, çliro xhaminë Aksa! O Zot, ruaj muslimanët në Palestinë,  bëhu Ndihmësi, Përkrahësi, Mbrojtësi dhe Mbështetësi i tyre, o Zot i Madhështisë dhe Nderimit!

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf  23)

 “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin tonë, Muhamedin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1726892469437426/2609219119594637

Post Author: endrit