Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 05-12-1447 H 22-05-2026 D
Shejh Dr. Abdullah El Buajxhan
Tema Në ritualin e Haxhit: Rregulla, etiketë dhe udhëzime
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka përsosur krijimin e Tij, ka zgjeruar riskun, furnizimin e tyre, menaxhon çështjet e tyre, ka caktuar çdo gjë të tyre, frymëzoi tek ata lavdërimin dhe falënderimin e tyre ndaj Tij dhe obligoi për ata përmendjen e Tij. Atë e lavdërojmë për mirësitë e Tij të vazhdueshme, të një pas njëshme dhe dhuratat e Tij të përhershme.
Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e udhëzon Allahu s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Përcolli mesazhi, përmbushi emanetin, këshilloi umetin dhe u përpoq në rrugë të Zotit me përpjekje të vërtetë deri sa i erdhi momenti i ndarjes nga kjo botë. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, mbi ata që udhëzuan me udhëzimin e tij dhe u kapën pas sunetit të tij deri në ditën e Kijamet.
Në vijim
Vërtetë fjala më e mirë është libri i Zotit, Kurani, dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Çështjet më të këqija janë të shpikurat në fe, risi, çdo shpikje, risi është devijim dhe çdo devijim është në Zjarr të Xhehenemit.
Adhurues të Zotit! Ju këshilloj që të keni frikë Zotin sepse ajo është përgatitja më e mirë, dhe bindja ndaj Tij është qëllimi dhe dëshira më e mirë. “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!”(El-Hashr 18)
O muslimanë! Allahu i Plotëfuqishëm ka përcaktuar detyrime, andaj mos i neglizhoni, mos i humbni ato, ka vendosur disa kufij mos i shkelni ato dhe ka ndaluar disa gjëra prandaj mos i veproni ato. Ka heshtur për disa gjëra mëshirë për ju dhe jo nga harresa prandaj mos hulumtoni rreth tyre. Nga obligimet dhe detyrat më madhështore është Njësimi i Zotit të Plotëfuqishëm, që është e drejta e Zotit të Lartësuar ndaj robërve të Tij. Ai është burimi i shpëtimit, suksesit në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret, dhe kusht i domosdoshëm për pranimin e veprave. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.”(Ez-Zumer 65)
Adhurues të Zotit! Nga obligimet dhe detyrat më të mëdha pas Njësimit të Zotit janë pesë shtyllat e Islamit: Dy dëshmitë, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i muajit të Ramazanit dhe Haxhi. Nga Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Islami është i ndërtuar mbi pesë (shtylla): Mbi Njësimin, dëshminë se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, kryerjen e namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e muajit të Ramazanit dhe Haxhi.” Muttefikun alejhi.
O ju njerëz! Haxhi është një nga ato pesë shtylla të Islamit mbi të cilat ai është ngritur, ndërtuar, ku konsistojnë dispozitat e tij në terma të përgjithshëm nga kushtet, detyrime, veprimet e rekomanduara dhe ndalimet, ai që ka për qëllim atë, Islamin, duhet t’i dijë dhe se muslimani duhet ti mësojë ato.
Ndërsa kushtet, shtyllat e Haxhit janë veprime mbi të cilat varet vlefshmëria e tij, Haxhit, dhe mosveprimi i tyre nuk mund të kompensohet me sakrificë gjaku, kurban. Nëse njëra prej tyre mungon Haxhi është i pavlefshëm. Ato janë: Ihrami, që është qëllimi për të hyrë në Haxh, Tavafi i Ifadas, qëndrimi në Arafat, dhe Sa’ji, ecja në mes Safasë dhe Mervasë.
Veprimet e detyrueshme janë ato vepra që mund të kompensohen me sakrificë, kurban, ose mjete të tjera dhe që Haxhi nuk zhvleftësohet me to. Ato janë: Hyrja në gjendjen e Ihramit nga Mikati i njohur ligjërisht, qëndrimi në Arafat deri në perëndim të diellit, kalimi i natës në Muzdelife, kalimi i natës në Mina, hedhja e guralecëve sipas radhës, rruajtja ose shkurtimi i flokëve dhe kryerja e Tavafit të lamtumirës.
Sunetet e Haxhit janë të gjitha veprimet dhe thëniet që i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i bënte ose i urdhëronte gjatë Haxhit. Por ato nuk janë nga shtylla, kushtet, pa të cilat Haxhi nuk është i vlefshëm, as nga detyrimet që kërkojnë sakrificë, kurban nëse lihet pa u kryer. Por se ai që i kryen ato shpërblehet dhe ai që i lë ato nuk ndëshkohet. Midis tyre janë larja para veshjes së Ihramit, lyerja e tij me parfum, recitimi i Telbijes, kalimi i natës në Mina në natën e tetë të Dhul Hixhes, dy rekatet e Tavafit dhe të tjera veç tyre.
Ndalesat janë ato që i ndalohen Haxhiut në Ihram, prej tyre janë: Marrëdhëniet seksuale, që është nga ndalesat më të rëndat për personin në Ihram, dhe që e zhvleftësojnë Haxhin nëse bëhet para lirimit të parë nga Ihrami. Prej tyre janë: Shkurtimi, shkulja ose prerja e thonjve, dhe heqja e qimeve nga koka me anë të rruajtjes ose me diçka tjetër. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “…dhe mos i rruani kokat tuaja, derisa të arrijë kurbani në vend!” (El-Bekare 196) Prej tyre është përdorimi i parfumit pas Ihramit në trup, rroba ose çdo gjë tjetër që lidhet me të. Prej tyre gjithashtu është mbulesa e kokës nga burri dhe veshja e rrobave të qepura. Nga Abdullah Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë për atë që është në Ihram: “ Ai që është me Ihram nuk veshën: as këmishë, as çallmë, as xhybe, as tuta, as rrobë të parfumosur, as çorape lëkure, përveç nëse nuk gjen pantofla atëherë le të vesh çorape dhe ti shkurtojë ato më poshtë se pulpat e këmbës. Mos vishni asgjë që është prekur nga shafrani ose luledielli. Gruaja në Ihram nuk duhet të vendos nikab dhe as të veshi doreza.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.
Nga ndalesat e Ihramit është dhe akti i martesës. Nuk është e lejuar për një person në Ihram të martohet ose të organizojë një martesë për një tjetër, nisur nga fjala e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ku ka thënë: “Një person në Ihram nuk duhet as të martohet dhe as të organizojë një martesë për dikë tjetër.” Nga ndalesat është dhe gjuetia. Kjo përfshin çdo kafshë të egër, të lejuar që është natyrshëm e egër, siç janë lepujt dhe pëllumbat.
Haxhinjë të Shtëpisë së Shenjtë të Zotit! Përkushtojuni kryerjes së ritualeve dhe adhurimit gjatë ditëve të Haxhit dhe shmangni ato që ju humbasin kohën, siç janë fjalët boshe, grindjet dhe mosbindja ndaj Zotit. “Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet.”(El-Bekare 197) Sigurohuni që të keni qëllime të sinqerta në çdo veprim dhe të ndiqni sunetin dhe të mos shpikni risi. Zoti nuk pranon asnjë veprim që përmban qoftë dhe një grimcë të vogël sa atomi nga politeizmi. Allahu adhurohet vetëm në përputhje me atë që Ai ka përcaktuar përmes dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe në përputhje me metodologjinë e Sheriatit, legjislacionit Islam. “Kush bën një veprim që nuk është në përputhje me urdhrin e të dërguarit tonë, Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ai është i refuzuar.”
Adhurues të Zotit! Dijeni se një pjesë e kryerjes së ritualeve në mënyrë të plotë dhe bashkëpunimit perfekt në drejtësi dhe devotshmëri është respektimi i rregulloreve dhe udhëzimeve të lëshuara nga autoritetet përgjegjëse për Haxhin. Këto rregullore janë vendosur vetëm për të mirën e Haxhinjëve, për të ruajtur sigurinë dhe jetën e tyre, dhe për të lehtësuar kryerjen e ritualeve të tyre në paqe dhe qetësi. Prandaj, respektimi i tyre është bindje ndaj asaj që është e drejtë, përmbushje e objektivave të ligjit Islam në ruajtjen e jetës dhe parandalimin e dëmit. Shenjë e përsosmërisë së Islamit është që muslimani të jetë ndihmues i sistemit, rregullit, larg kaosit, dëmit dhe mbipopullimit.
Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, bëni mirë në Haxhin tuaj, zbatoni etiketën dhe rregulloret, në mënyrë që të arrini Haxh të pranuar, përpjekje të lavdëruara dhe gjynahe të falura.
Zoti na begatoftë të gjithëve me Kuranin Famëlartë, dhe na bëftë dobi të gjithëve me argumentet dhe me përkujtimin e tij të urtë.
Zotit i kërkoj falje tek Ai kërkoni falje, vërtet, Ai është Falësi i Madh dhe Mëshirëploti.
Hutbeja e dytë
Zotin e lavdërojmë për mirësitë e Tij që na ka dhuruar, Ai meriton të falënderohet për sukseset dhe të mira që na ka dhënë.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, Ai meriton të Lavdërohet dhe të Madhërohet.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, ftues për në kënaqësinë e Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, për ata lutemi dhe dërgojmë përshëndetje të shumta.
Adhurues të Zotit! Vërtet, Allahu ka bekime të mira andaj ekspozohuni ndaj tyre, sezone mirësie kërkoni ato dhe kohë të mira prandaj shfrytëzoni ato. Këto mirësi ju kanë ardhur prandaj kapini, shfrytëzojini ato.
Adhurues të Allahut! Jeni në muajin e shenjtë të Dhul Hixhes, në të cilin Allahu ka përcaktuar një nga aktet më të mëdha të bindjes dhe përkushtimit, dhe e ka bërë atë një nga kohët më të rëndësishme. Vërtet, ju jeni në një sezon të madh, në sezonin e Haxhit, brenda muajve të shenjtë, ku para jush qëndron një nga shtyllat e Islamit: Haxhi në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut, në Qabe. Vërtet, ju jeni në një sezon mirësish, dhuratash, bamirësisë, begatisë dhe akte bindjeje. Vërtet, ju jeni në dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes, ditët më të mira të vitit. Allahu ka mbledhur brenda tyre lloje adhurimi që nuk kombinohen në asnjë kohë tjetër. Ai përfshin namazin, Haxhin, bamirësinë, agjërimin dhe të tjera prej veprave të mira. Zoti është betuar në to në Kuran dhe ka thënë: “(Betohem) për shkrepjen e agimit dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxhe)!”(El-Fexhr 1-2) Nga Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura për Zotin sesa këto ditë.” Ka për qëllim dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes. Hadithin e ka transmetuar Buhariu.
Shfrytëzoni mundësitë dhe vlerat e këtyre kohëve, nxitoni të bëni vepra të mira dhe veproni shpejt para se koha juaj të mbarojë. Merrni në llogari veten tuaj para se t’ju kërkohet llogari. Nxitoni drejt faljes nga Zoti juaj dhe Xhenetet aq të gjerë sa qiejt dhe toka. Sepse të privuarit e vërtetë janë ata që humbasin kohët më të mira, dhe të pafatët e vërtetë janë ata që u privohen kohët e bindjes. “Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu.”(El-Muzzemmil 20)
Lutuni dhe dërgoni përshëndetje për atë që Zoti ju ka urdhëruar të luteni dhe të dërgoni përshëndetje për të, Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij. O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me pasardhësit e tij, të udhëzuar drejt, dhe me ata që i pasuan në mirësi deri në Ditën e Kijametit.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, ndihmo robërit e Tu besimtarë, që të Njësojnë Ty.
O Zot, bëje të paqtë, qetë dhe të sigurt këtë vend dhe të gjitha vendet muslimane.
O Zot, përjetëso sigurinë, mbrojtjen dhe stabilitetin në vendin tonë, ruaje atë nga çdo e keqe dhe dëm, largo prej tij komplotet e komplotistëve dhe skemat e intrigantëve, dhe të gjitha vendet muslimane, o Zot i botëve.
O Zot, ruaj kufijtë tanë, jepu sukses ushtarëve tanë të stacionuar në kufijtë dhe frontet tona, saktëso goditjen e tyre, forco vendosmërinë e tyre, bëji ata mburojë të fortë dhe jepu fitore mbi armiqtë e tyre, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar.
O Zot, ruaj Haxhinjtë e Shtëpisë Tënde të Shenjtë, Qabes, nga çdo e keqe. O Zot, vendosi ata nën kujdesin dhe mbrojtjen Tënde dhe jepu atyre sukses në kryerjen e ritualeve të Haxhit ashtu siç Ti do dhe me të cilat je i kënaqur. Ktheji ata në shtëpitë e tyre me Haxh të pranuar, me gjynahe të falura dhe me përpjekje të shpërblyera, o Ti që dëgjon çdo gjë, o Falës i Madh.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona.
O Zot, jepi sukses nga suksesi Yt kujdestarit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, mbështete atë me mbështetjen Tënde. O Zot, jepi atij shëndet dhe mirëqenie të plotë, o Zoti i botëve. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, o Ti që i dëgjon lutjet.
“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)
“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje Muhamedin dhe familjen e tij të pastër, shokët e tij të ndershëm dhe ne së bashku me ata me mëshirën Tënde, o i Plotëfuqishëm, o Falës.
Afrim Smakaj