Këshilla për përmirësimin e individit dhe shoqërisë

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar     22-10-1447 H     10-04-2026 D

Shejh Salih Ibn Abdullah Ibn Humejd 

Tema  Këshilla për përmirësimin e individit dhe shoqërisë

Lavdërimet janë për Zotin, lavdërimet janë për Zotin, Ai është Unik në vazhdimësi dhe përjetësi, Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqedhënësi. Madhërimi dhe lavdërimi është për Zotin e Lartësuar, Ai e ndërtoi universin me sistemin më të mirë. Atë e lavdëroj dhe e falënderoj për mirësit e Tij të bollshme.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi e atij që thotë, “Zoti im është Allahu”, pastaj mbetet i palëkundur në rrugën e drejtë.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i miri i njerëzimit. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij të pastër dhe shokët e tij fisnik,  mbi tabi’inënt dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi, atyre u dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta dhe të bollshme në vazhdimësi.

Në vijim

O ju njerëz! Këshilloj juve dhe veten time që ta kemi frikë Zotin. Kini frikë Zotin, Zoti ju mëshiroftë, frikësojini Zotit fshehurazi, në vetmi, dhe në publik, hapur. Përmbajuni fjalës së vërtetë kur jeni të  zemëruar por dhe kur jeni të kënaqur, përmbajuni qëllimit në varfëri dhe pasuri dhe drejtësisë me mikun dhe armikun.

Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se çdo kënaqësi pa Xhenet është parëndësi dhe çdo vuajtje pa Xhehenem është bekim. Kush  është i kënaqur me caktimin e Zotit nuk pikëllohet për atë që ka humbur, ka kaluar, e kush e harron gjynahin, gabimin e vet zmadhon gjynahin e të tjerëve. Sjelljet e mira janë trashëgimia më e mirë dhe morali i mirë është shoku më i mirë. “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!”(El-A’raf 199)

O muslimanë! Në Librin e Allahut, Kuran, dhe në sunetin e të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka këshilla për ata që i kushtojnë vëmendje atyre, dhe paralajmërime për ata që e tejkalojnë, në të keqe. Aty, në Kuran dhe sunet, ka atë që zgjon zemrën e ndriçuar,  dhe atë që magjeps mendjet e të penduarve dhe që kanë mendje të kthjellët.

Zemrat ringjallen duke kapërcyer dëshirat, pakujdesia,  neglizhenca zhduket nga frika e vërtetë ndaj Zotit dhe përtacia dëbohet nga shigjetat e kujdesit. Neglizhenti, kur kujton të metat e tij, pendohet për to, dhe i kujdesshmi, kur mendon për fatin e tij, bëhet i vendosur. Zoti ju mëshiroftë! Ringjallini zemrat tuaja me këshilla, zbutini ato me paralajmërime dhe ndriçoni ato me urtësi. Kini frikë nga ndëshkimi i një Dite të madhe nëse nuk i bindeni Zotit tuaj dhe jini prej atyre që i duan ata që japin këshilla të sinqerta.  Sepse Zoti i ka dënuar disa njerëz dhe ka shënuar të keqen e fjalëve të tyre. “Ata thanë: “Për ne është njëlloj: na këshillove ose nuk na këshillove ti. Këto janë vetëm doket e popujve të lashtë e ne nuk do të jemi të dënuar.”( Esh-Shu’ara’ 136-138) Sikurse për një  popull tjetër ka thënë: “ … dhe ju këshillova, por ju nuk i donit ata që këshillojnë.” (El-A’raf 79)

O vëllezër! Urime për atë që i korrigjon gabimet e tij para se të jetë tepër vonë. Përgëzime për atë që i përmbahet frikës së Zotit dhe bën vepra të mira. Urime për atë që i pason veprat e këqija me të mira, humbje për atë që e shet çmimin e botës së tij të përtejme, Ahiretin, me vogëlsitë e jetës së kësaj bote dhe keqardhje për atë që e lë pas dore rrugën e Zotit. Kjo botë është një udhëtim, prandaj kini kujdes nga zvarritja, sepse kalimi i ditëve është këshilla më e madhe. “…ndërsa çështja e Ditës së Kiametit është sa çel e mbyll sytë ose edhe më shpejt. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!”(En-Nahl 77)

Vdekja është vigjilente dhe gjithmonë korrën jetë. Sytë janë të ngrirë dhe shpirtrat janë indiferentë ndaj garës për vepra të mira! A janë bërë të verbëra njohuritë apo janë siguruar, garantuar rrathët e caktimit?!

Adhurues të Zotit! Mos u mashtroni nga jeta e kësaj bote, sepse kënaqësitë e saj janë të përkohshme, as mos u mashtroni nga shpresat e mëdha, të kota, sepse vdekja është e pashmangshme. Pasha Zotin, me siguri do të pyeteni për të dërguarin dhe Atë që e dërgoi atë,  për Kuranin dhe Atë që e zbriti atë, e çdo njeri do të mbahet përgjegjës për veprat e veta. Jeta është pasuria më e vlefshme, dhe ajo që humbet prej saj nuk mund të zëvendësohet ose kompensohet kurrë. Sot është dita e veprave dhe jo e llogarisë, ndërsa nesër është  dita e llogarisë dhe jo veprave.

LEXO  Sinqeriteti në vepra dhe ndalimi i mashtrimit

Përgatituni për varrin dhe vështirësitë e tij, për Melekun dhe pyetjet e tij. Dikujt do t’i jepet libri i tij në dorën e djathtë dhe dikush do e marrë librin e tij në dorën e majtë?!

O ju vëllezër! Ndërsa jeni në një gjendje reflektimi dhe konsiderate, meditoni mbi fjalët e Zotit të Plotfuqishëm: “Ata (mohuesit), do t’i mbartin barrët e veta e bashkë me to edhe barrë të tjera dhe patjetër, që do të pyeten Ditën e Kiametit për gjithçka, që trillonin.”(El ‘Ankebut 13)

Meditoni në këtë ajet, pastaj shikoni ata, zemrat e të cilëve Zoti i ka bërë të pavëmendshme, ata që shkelin të drejtat e njerëzve, hanë pasurinë e tyre dhe i shpifin për nderin e tyre. Pastaj shikoni disa nga ata që punojnë me rrjetet dhe mjetet e komunikimit,  kur ky njeri i shkretë publikon pa verifikuar, flet pa vërtetuar, rrëfen pa konfirmuar dhe transmeton pa verifikuar!

Zoti ju mëshiroftë! Merrni parasysh të gjitha këto dhe si do të jetë gjendja kur robi të tronditet në Ditën e Ringjalljes, kur të gjejë në regjistrin e veprave të tij gjynahe që nuk i ka kryer dhe vepra të këqija që nuk i ka kryer! Ai do të mbajë barrën e kryerjes së tyre, barrën e promovimit të tyre, barrën e atyre që i besuan, barrën e atyre që i dëgjuan, barrën e atyre që i panë, barrën e atyre që i mashtruan, barrën e atyre që ua dobësuan vendosmërinë dhe barrën e atyre që i devijuan nga e vërteta ose ia bënë të pavërtetën tërheqëse!

Çfarë do të ndodhte, Zoti na ruajt, nëse të korruptuarit do të visheshin me rrobat e të drejtëve dhe të drejtët të vishnin rrobat e të korruptuarve? “ (Le të thonë kështu, me qëllim) që t’i mbajnë gjynahet e veta të plota në Ditën e Kiametit, si dhe pjesën e gjynaheve të atyre që i çuan në humbje nga padijenia; sa e keqe është barra që do të bartin ata!”(En-Nahl 25)

Zoti na ruaj ne dhe ju! Bëni kujdes nga tundimi i mburrjes, nga gjynahi i krenarisë, nga barra e arrogancës dhe nga thyerja e zemrave të të varfërve.  “Sa për shtëpinë e botës tjetër, Ne do ta caktojmë atë për ata që nuk kërkojnë as madhështi e as ngatërresa në Tokë. Përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat.” (El-Kasas 83)

O muslimanë! Sa burra kanë humbur moralin e tyre në mjetet e komunikimit, dhe sa fisnike nga gratë fisnike ka dështuar në modestinë dhe dëlirësinë e tyre?!  Sa burra të vendosur në botën online, por të butë, të dobët,  në realitet, dhe sa burra janë bujar në teori por koprrac kur bëhet fjalë në praktikë?!

O ju muslimanë! Qëndrueshmëria vlersohet në kohë sprovash, ndërsa në kohë mira të gjithë njerëzit janë të palëkundur. Kënaqësia vlerësohet në kohë sprovash, ndërsa në kohë begatie të gjithë njerëzit janë të kënaqur. Nëse arrihet ajo që dëshirohet, të gjithë njerëzit janë të sigurt, të bindur, por kur vonohet shfaqen, dallohen ata që janë të shqetësuar.  Në dukje, pamje të jashtme, të gjithë njerëzit janë të drejtë, por në vetmi, në fshehtësi, Zoti e di se çfarë bëjnë. Sa të bekuar janë ata njerëz, aspiratat e të cilëve janë të larta, zemrat e të cilëve janë të pastra dhe që i përmbahen ligjit të Zotit të tyre. Ndaj ndiqni shembullin e njerëzve të tillë dhe imitoni veprat e tyre.

O adhurues të Zotit! Mos e braktisni të vërtetën për t’u pëlqyer njerëzve, as mos ndryshoni rrugët tuaja për të fituar admirimin e robërve. Bekimet më të mira që mund të marrë një njeri janë qetësia e shpirtit, drita e mendjes, pastërtia e zemrës dhe mendimi i shëndoshë. Fitimet më të mira janë lutjet e prindërve, sinqeriteti i një miku dhe vëllezërit e pastër. Sepse nëse mungon, ata të kërkojnë, nëse je i pakujdesshëm, të kujtojnë, këshillojnë, dhe në lutjet e tyre nuk të harrojnë.

O ju vëllezër! Koprraci mbledh para por ato që mbledhën i shkojnë dikujt tjetër. Përgojuesi bën vepra të mira por veprat e tij të mira i shkojnë dikujt tjetër. Vështirësia e bindjes zhduket, ikën,  por mbetet shpërblimi i saj. Kënaqësia e mosbindjes zhduket, ikën, por mbetet ndëshkimi i saj. Fudejl Ibn Ijadi,  Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Në masën që gjynahi bëhet i vogël në sytë tuaj, ai është i madh tek Zoti,  dhe në masën që gjynahi dëbet i madh në sytë tuaj, ai është i vogël tek Zoti.”

LEXO  Jeta e mirë bashkëshortore - Meka 14.06.2019

Nga shenjat e lumturisë është të bindesh dhe të kesh frikë nga refuzimi. Ndërsa nga shenjat e dështimit është të mosbindesh dhe të shpresosh për shpëtim.

O njerëz të dashur! Më të mirët prej jush janë ata që kanë moralin më të mirë dhe më të mirët prej jush janë ata që e mësojnë Kuranin dhe ua mësojnë atë të tjerëve. Më të mirët prej jush janë ata që janë më të mirët me familjet e tyre dhe më të mirët prej njerëzve janë ata që janë më të dobishëm për të tjerët. Shokët më të mirë janë ata që janë më të mirët me shokët e tyre, dhe fqinjët më të mirët  janë ata që janë më të mirët me fqinjët e tyre. Më të mirët prej jush janë ata që janë më të butë në shpatullat e tyre gjatë namazit.

I lumtur është ai që nuk ka dashakeqësi në zemrën e tij, as nuk e di rrugën drejt armiqësisë. Takimi me të është përgëzim, biseda me të është një gëzim dhe shoqëria e tij është thesar. Urime për atë që e kupton se jeta, sado që të  zgjasë, është përsëri e shkurtër  dhe nuk ka vend në të për grindje dhe hakmarrje. Ai është i preokupuar me vetëpërgjegjësinë dhe kompensimin e asaj që ka kaluar. Jeton me vëllezërit e tij me një zemër të pastër, një shpirt të kthjellët, të shëndetshëm dhe të mirë, me trajtim të mirë, duke anashkaluar dhe duke falur.

Në vijim

Zoti ju mëshiroftë! Bëni mirë vetes duke bërë vepra të mira, bëni mirë pasurisë tuaja duke dhënë lëmoshë dhe bamirësi, bëni mirë të afërmve dhe miqve tuaj duke i anashkaluar gabimet e tyre. Nxitoni në vepra të mira, garoni në vepra bindjeje, adhurime, përpiquni për atë që ju sjell dobi, kërkoni ndihmën e Zotit dhe mos u bëni të pafuqishëm, dobët, sepse besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Zoti sesa besimtari i dobët, e në secilin prej tyre ka të mira. Nëse Zoti e do robin e Vet, e udhëzon atë, i mjafton dhe e mbron. Kush është i bindur për udhëtim, për në botën Tjetër, Ahiret, merret me furnizimet që i nevojiten.

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i Mallkuar: “ Me të vërtetë, ata që dridhen nga frika e Zotit të tyre, që besojnë në Shpalljet e Zotit të tyre, që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre, dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre, ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët. Ne nuk ngarkojmë askënd përtej mundësive të tij; te Ne është Libri që flet të vërtetën dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (El-Mu’Minun 57-62)

Zoti na bëftë dobi të gjithëve me udhëzim nga Libri i Tij, Kurani i Madhërishëm, dhe nga suneti i të dërguarit të Tij, Muhamedit, paqja dhe mëshira Zotit qoftë mbi të.

Zotit i kërkoj falje për vete, ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, Zotit kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, lavdërimet janë për Zotin, Krijuesi i të gjitha gjërave dhe Ai që e përsosi krijimin e tyre. Nuk ka Zot tjetër përveç Tij. Kush ndjek udhëzimin e Tij nuk do të humbasë rrugën e drejtë dhe as nuk do të vuajë. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj, Ai është gjithmonë i denjë për çdo lavdërim.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi  të vërtetë dhe të sinqertë në adhurim dhe në nënshtrim ndaj Tij.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, më i madhi i njerëzimit në karakter, moral, dhe më i miri prej tyre në krijim. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, të cilët ishin pionerët e Islamit, mbi tabi’inët, pasuesit,  dhe ata që i ndoqën në mirësi, lutje dhe përshëndetje të shumta, të vazhdueshme dhe të përhershme.

Në vijim

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na bashkoi, shfaqi sigurinë tonë, zgjeroi furnizimin tonë dhe na dhuroi nga bekimet e Tij. Ai na ka dhënë çdo gjë që i kemi kërkuam. Ai është Zoti ynë, Atë e adhurojmë, Atij i lutemi dhe i biem në sexhde, tek Ai kërkojmë ndihmën dhe mbështetemi. I lartësuar është përkujtimi i Tij, i madh është lavdërimi i Tij dhe të shenjtë janë emrat e Tij. Nuk ka Zot tjetër përveç Tij,  ne nuk kemi Zot tjetër përveç Tij.

LEXO  Vlerat e Dhjetë Ditëve të Fundit të Ramazanit dhe e Natës së Kadrit

O të dashurit e mi! Kujdesuni për bashkësinë, xhematin, tuaj, përpiquni të ruani bashkimin e fjalës tuaj dhe kini kujdes nga çdo gjë që mund të prishë harmoninë tuaj. Sepse ata që rrinë në pritë janë të shumtë dhe ata që gjurmojnë të metat tuaja nuk janë pak. Hipokriti përhap vese dhe i fshehti  i zmadhon gabimet. Përmbajuni bindjes dhe nënshtrimit, sepse kush shmanget nga bindja dhe ndahet nga bashkësia, dhe pastaj vdes, ai përjeton vdekjen e injorancës, pa besim.

Prandaj, Zoti ju mëshiroftë, kini frikë Zotin.

Lutuni dhe përshëndeteni mëshirën e dhuruar, mirësinë e dhënë, të dërguarin tuaj, Muhamedin, të dërguarin e Zotit, për këtë ju ka urdhëruar Zoti juaj në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, Ai ka thënë, e është i Vërtetë në thënien e Tij: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin,  familjen e tij të mirë, bashkëshortet  e tij dhe pasardhërit e tij.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabi’inë, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit,  dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët, dhe mbro ndjekësit e fesë, ndihmo robërit e Tu besimtarë, mposht tiranët, ateistët dhe të gjithë armiqtë e tjerë të umetit dhe fesë.

O Zot, ndihmo fenë Tënde, librit Tënd, sunetin e të dërguarit Tënd Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe robërit e Tu të mirë.

O Zot, na jep siguri në vendin tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët  e çështjeve tona,  bëj udhëheqjen tonë në duart e atyre që të frikësohen, janë të devotshëm ndaj Teje dhe që kërkojnë  kënaqësinë Tënde, o Zot i botëve.

O Zot, mbështet me të vërtetë, me udhëzim dhe me sukses udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta. O Zot, jepi atij sukses në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur,  udhëzoje atë në drejtësi dhe devotshmëri. Jepi atij këshilltarë të drejtë, forco me të fenë Tënde dhe lartëso përmes tij fjalën Tënde. Bëje atë burim fitoreje për Islamin dhe muslimanët, dhe bashko me të fjalën e muslimanëve në të vërtetën dhe në udhëzim. O Zot, atij, princit të tij të kurorës, vëllezërve dhe mbështetësve të tij jepu sukses në të vërtetën dhe udhëzimin, dhe në gjithçka që sjell dobi popullit dhe vendit.

O Zot, ruaj vendin tonë, vendin e dy xhamive të shenjta, Mbretërinë e Arabisë Saudite. O Zot, mbroje atë me mbrojtjen Tënde dhe ruaje atë me kujdesin Tënd. O Zot, përjetësoje besimin, sigurinë, begatinë, stabilitetin dhe udhëheqjen e tij. O Zot, kush synon të keqen kundër tij, merru me punët e tij, ktheje komplotin e tij kundër tij dhe bëj që planifikimi  i tij të jetë shkatërrim  për të, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar. O Zot, kërkojmë strehim tek Ti nga e keqja e tyre dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga dëmi i tyre. O Zot, poshtëroi ata, hidh tmerr dhe frikë në zemrat e tyre dhe bëj që e keqja që ata komplotojnë, planifikojnë të bjerë mbi ta.

O Zot, na ruaj ne dhe të gjithë muslimanët, o më i Madhi Bujarë.

O Zot, ruaj dhe jepu fitore ushtarëve dhe njerëzve të sigurisë tonë të stacionuar në kufijtë dhe frontet tona. O Zot, mbështeti ata me mbështetjen Tënde dhe jepu atyre fitore me fitoren Tënde. O Zot, drejto goditjet dhe mendimet e tyre dhe jepu atyre fitore mbi armikun Tënd dhe armikun e tyre, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar.

O Zot,  të lutemi që të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë. O Zot, jepu atyre fitoren me fitoren Tënde dhe mbështeti ata me mbështetjen Tënde. O Zot, mëshiro dobësinë e tyre, shëro krisjet e tyre dhe kthe rrethin e së keqes kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre, o i Plotfuqishëm, O i Lartësuar.

O Zot, ruaje xhaminë Aksa të lartë dhe të nderuar deri në Ditën e Gjykimit, me mirësinë dhe bujarinë Tënde, o më i Madhi Bujarë.

O Zot, jepu sukses kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve që të punojnë me Librin Tënd, dhe me sunetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, bëji ata mëshirë për robërit e Tu besimtarë, bashko fjalën e tyre në të vërtetën dhe udhëzimin, o Zot i botëve.

O Zot, na mbro nga e keqja e të ligjve, nga komplotet e të korruptuarve dhe nga të këqijat e atyre që këpusin rrugët natën dhe ditën.

O Zot, na jep sukses në pendim dhe kthim tek Ti, dhe hapna dyert e pranimit dhe përgjigjes. O Zot, prano aktet tona të bindjes dhe lutjet tona, përmirëso veprat tona, shlyej gjynahet tona, prano pendimin tonë, na fal dhe ki mëshirë për ne, me të vërtetë Ti je i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1533132318813443/1706365293882994

Post Author: endrit