Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 23-01-1447H 18-07-2025 D
Shejh Muhamed Sarandah
Tema Kur kriza rritet vjen lehtësimi
Lavdërimet janë për Zotin. “…se mbase Allahu e pengon fuqinë e jobesimtarëve! Allahu është më i fuqishmi dhe më i ashpri në dënime.” (En-Nisa’ 84)
Lavdërimet janë për Zotin. “ Ti nuk e di se pas kësaj Allahu mund të sjellë ndonjë rrethanë tjetër.” (Et-Talak 1)
“Sa më e rëndë të bëhet kriza, aq më shpejt do zgjidhet, nata juaj po afron me lehtësim. Vështirësia i ka marrë jetë njerëzish, prandaj, o Zot, përshpejto lehtësimin, Jetët janë në vështirësi, e në dorën Tënde është lehtësimi i vështirësisë. Mendimet tona u trazuan nga lutjet që të drejtohen Ty, mjerë për ata që nuk trazohen.”
Kush mund t’i ndihmojë nevojtarët përveç Teje?! Kush mund t’i ndihmojë të zhvendosurit? Kush mund t’i ndihmojë të shtypurit? Kush mund t’i ndihmojë të dobëtit? Kush mund t’i ndihmojë të vegjlit përveç Teje?
“O Zot ynë, o Krijues ynë, litari është bërë shumë i ngushtë për grykët, Kriza është bërë më e rëndë, o krizë u lehtësosh sa më parë. Ne vijmë tek ti me një zemër të thyer, por me shpresën se do të lehtësohesh, O Zot, robërit e Tu kanë ardhur tek Ti, të luten me zemër të pikëlluar, O Zot, të dobëtit nuk kanë askënd tjetër përveç Teje për t’iu drejtuar për lehtësim.”
O Zot, na lehtëso vuajtjet tona!
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Ai çon përpara atë që dëshiron me mirësinë e Tij dhe e vonon atë që dëshiron me drejtësinë e Tij. Askush me arsye nuk mund t’i kundërshtojë Atij me mendjen e tij racionale dhe asnjë krijesë nuk e pyet Atë për arsyen e veprimit të Tij. Ai është Bujari, Dhuruesi, Mposhtësi i aleatëve, grupacioneve, Krijuesi i reve, Zbritësi i Librit, Vendosësi i shkaqeve dhe Krijuesi i njerëzimit nga balta. Kush udhëzohet prej Tij nuk do të humbasë kurrë rrugën, kush i frikësohet Atij nuk do të rrëshqasë, kush krenohet me Të nuk do të poshtërohet dhe kush kërkon pasurinë e Tij nuk do t’i pakësohet kurrë.
Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi është i rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ai i cili nuk ka humbur kurrë rrugën, nuk ka rrëshqitur dhe as nuk është poshtëruar, që nuk është lodhur kurrë, që nuk është larguar dhe nuk është tërhequr kurrë nga rruga. Ai nuk ka humbur kurrë sepse urtësia e Zotit e mbikëqyrën, Zoti e mbështeti dhe e udhëzoi. Ai nuk ka rrëshqitur kurrë sepse Zoti është udhërrëfyesi i tij dhe Xhibrili i flet dhe e thërret. Ai nuk është poshtëruar kurrë sepse nderi është shoqëruesi i tij dhe fitorja është aleati i tij. Ai nuk tradhtoi kurrë sepse ishte i besueshëm, i pastër, i ndershëm dhe fetar. Ai nuk u lodh dhe as nuk u tërhoq kurrë sepse kishte ambicie fisnike.
Zotëria im, Ebu El Kasim, o i dërguari i Allahut:
“Ti je ai me dritën e të cilit u vësh hëna, dielli shkëlqu me dritën e shkëlqimit tënd, Ti je që Zoti yt të ka thirrur, “Mirë se erdhe”, Ai të ka ftuar në afërsinë e Tij dhe të ka udhëzuar.”
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje zotërinë tonë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, për ata dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.
“Dhe, kur të dërguarit gati e humbën shpresën dhe menduan se do të shpalleshin gënjeshtarë, atëherë u arriti ndihma Jonë… ” (Jusuf 110) Kur kriza u bë më e rëndë erdhi lehtësimi. Kur Haxherja, paqja qoftë mbi të, u ndje shumë e etur sa gati vdiq, së bashku me fëmijën e saj, Ismailin, birin e Ibrahimit, paqja e Zotit qoftë mbi të, Zoti pastroftë, pozitën, vendin e tij, ajo gati sa nuk vdiq, së bashku me fëmijën e saj, Ismailin, nuk kishte as fuqi as forcë. Ajo një herë ecte dhe herë të tjera vraponte, e Zoti i Botëve ishte i Ditur për ta dhe për vuajtjet e tyre. Allahu i Madhërishëm e dinte se pas këtij fëmijë të vogël dhe të uritur do të ketë një komb, popull, prej tij do të dalin monoteistë, besimtarë në Një Zot. Po, Zoti e dinte se nga ky fëmijë, të cilin gati sa nuk e vrau etja, do të vinte Vula e të dërguarve, se prej tij do të dali qytetërim që do mbushi tokën me drejtësi dhe me dritë deri në Ditën e Gjykimit. Por thesaret e mbështetjes janë në dorën e Tij, Zotit të Madhërishëm, e ishte vetëm një çast nga momentet e Tij, d dhe Zemzemi i mirësisë shpërtheu me ujin e tij. “Nuk ka asnjë send që të mos gjenden tek Ne thesaret e tij; por prej tij Ne japim me masë të caktuar.” ( El-Hixhr 21) Kur kriza përshkallëzohet vjen lehtësimi.
Vërtetë, ato nëna që u shtypën dhe u zhvendosën me dhunë do ta mbushin tokën me fëmijë besnikë dhe të palëkundur, me lejen e Zotit, do ta mbushin tokën me dritë dhe drejtësi, për të ulur flamujt e të mundurve dhe për të zbuluar mbulesën e komplotistëve tradhtarë, e kjo nuk është e vështirë për Zotin.
Fëmija i parë i lindur në Islam, në shtëpinë e emigrimit, ishte Abdullah Ibn Zubejri, Zoti qoftë i kënaqur me të. Ai lindi nga barku i vuajtjes. Nëna e tij që e rriti, Esma, e cila duroi vështirësitë, vuajtjet dhe vapën e shkretëtirës gjatë emigrimit të profetit, lindi një gjigand nga gjigandët e Islamit. Vështirësitë dhe vuajtjet vazhdojnë të prekin popullin tonë në Palestinë, nga barku i të cilit kanë dalë dhe po dalin një grup nga umeti ynë, fitimtar dhe i palëkundur në të vërtetën, nuk i dëmtojnë dot ata që i braktisin dhe i tradhtojnë derisa të vijë urdhri i Allahut.
O banor të tokës së Israsë dhe Miraxhit! O ju të vendosur dhe qëndrestarë! Ju keni shembullin më të mirë tek i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Nga Enesi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Isha i frikësuar në rrugë të Zotit, kur askush nuk kishte frikë. Jam dëmtuar, lënduar në rrugë të Zotit kur askush nuk dëmtohej, lëndohej. Kaluan tridhjetë ditë e netë, as unë dhe as Bilali nuk kishim ushqim që një person, njeriu, mund ta hante, përveç diçkaje që Bilali e fshihte në sqetull.” Kur kriza përshkallëzohet vjen lehtësimi.
E ndoshta më këtë, o populli i Palestinsë, ju keni arritur nderin dhe lavdinë, dhe arritët statusin që i dërguari fisnik, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, të ju thotë: “ Unë jam nga ju dhe ju jeni nga unë.” I dërguari i Alahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, e ka thënë për popullin e Ebi Musa El Esh’arijut, të ardhur nga Jemeni. Kur ata kishin nevojë për ushqim dhe pije, dhe ushqimi i familjeve të tyre ishte i pakët, ata e vendosnin ushqimin e tyre në një copë të vetme, pastaj e ndanin atë në mënyrë të barabartë midis tyre. Prandaj, ngrini kokat tuaja me krenari dhe nder për këtë nder profetik.
Pa tjetër, kur kriza përshkallëzohet vjen lehtësimi.
Popujt dhe qytetërimet kanë afate sikur afatet tuaja. Kisra dhe Çezari jetuan gjatë në tokë, pastaj afatet e tyre mbaruan dhe u zhdukën, shkatërruan. Zoti solli shkatërrimin e tyre në duart e një grupi të vogël e të durueshëm nga sahebet fisnik, brenda një periudhe të shkurtër kohore. Çdo tiran dhe shtypës ka afat që në mënyrë të pashmangshme do ta rrëzojë atë dhe do të zhduket në koshin e plehrave të historisë. “Ne nuk kemi zhdukur asnjë vend, pa i ardhur koha e caktuar. Asnjë popull nuk mund as ta shpejtojë, as ta ngadalësojë afatin (e shkatërrimit të vet).” (El-Hixhr 4-5) Vërtetë, lutja e të shtypurve, të nënshtruarve dhe të rrethuarve, të izoluar, bartet mbi re, për në qiell, dhe Zoti i thotë asaj: “Pasha lavdinë dhe madhështinë Time, Unë me siguri do t’ju ndihmoj dhe nëse pas një kohe.” “Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes).” (Esh-Shu’ara’ 227)
Pa tjetër, kur kriza përshkallëzohet vjen lehtësimi.
Vështirësia rritet dhe përkeqësohet kur tiranët i nënçmojnë mendjet, duke ua bërë të lehtë njerëzve të kënaqen me epshe, me gjynahe dhe me pasuri: “Kështu, ai e mashtroi popullin e vet. Ata iu nënshtruan atij…” (Ez-Zuhruf 54) Tiranët qëllimisht i varfërojnë dhe i lënë njerëzit të uritur, në mënyrë që ata të jenë të zënë duke kërkuar ushqimin e përditshëm dhe të mos i kushtojnë vëmendje padrejtësisë dhe tiranisë së tij. Pa tjetër, kriza përshkallëzohet dhe vjen lehtësimi.
Sa i përket atij grupi injorant, të paditur, shqetësimi i të cilit është përhapja e thashethemeve dhe lajmeve të rreme që dobësojnë vendosmërinë. Ata që përhapin thashetheme, vetëm sa kanë shtuar konfuzionin, ata rrinë në pritë, vetëm sa kanë shtuar përçarje, ata janë tradhtarë, vetëm sa kanë shtuar dyshime, nëse u vjen diçka në lidhje me sigurinë ose frikën, ata e përhapin atë. “Paralajmëroji hipokritët (o Muhamed) për dënimin e mjerueshëm që i pret.” (En-Nisa’ 138)
Pa tjetër, kur kriza përshkallëzohet vjen lehtësimi.
Vërtetë, vështirësitë rrisin njerëz të fortë. Në momente krizash shfaqen njerëz të sinqertë dhe me emocione. Abdu Rahman Ibn Aufi, Zoti qoftë i kënaqur me të, kur i është vënë përpara ushqim i shijshëm ka qarë. E kanë pyetur: “Çfarë të bën të qash?!” Ai ka thënë: “ Sepse kujtova shokët e të dërguarit të Zotit të cilët janë larguar nga kjo botë dhe nuk e kanë parë këtë mirësi. Mus’ab ibn Umeir ishte më i miri nga ne, ai dha gjithçka për Islamin dhe kurrë nuk kishte parë një mirësi të tillë.”
Zoti ju bekoftë, o popull i Palestinës. Durimi më i mirë është durimi juaj, krenaria më e madhe është krenaria juaj dhe lavdia më e madhe është lavdia juaj. Çdo njeri i lirë, pavarësisht se sa e gjatë mund të jetë sprova e tij, një ditë hidhërimi i tij do lehtësohet dhe vuajtjet e tij do zhduken. “që Allahu të veçojë të keqin nga i miri; të këqijtë t’i palosë njërin mbi tjetrin, e të gjithë t’i hedhë në Xhehenem…” (El-Enfal 37) Pa tjetër, kur kriza përshkallëzohet vjen lehtësimi.
Në ditën e Hunejnit, litari u shtrëngua rreth profetit fisnik, kur ai u rrethua nga fiset Havazin dhe Thakif, ku jetët pothuajse po humbnin. Kriza arriti kulmin, e ata që u kthyen prapa u kthyen prapa. I dërguari mbeti vetëm me një grup të vogël e të palëkundur besimtarësh. Ai tha me zërin e tij të vendosur: “Unë jam profeti, nuk ka gënjeshtër. Unë jam djali i Abdul Muttalibit.” Ai hodhi dhe në fytyrë armikut, duke thënë: “ U shpërfytyrofshin fytyrat tuaja”, duke thënë: “ Fitoren, triumfin Tënd të cilin ke premtuar.” Kriza arriti kulmin, pastaj Zoti zbriti qetësinë e Tij mbi të dhe mbi besimtarët, dërgoi ushtarë që ju nuk i patë dhe i ndëshkoi ata që nuk besuan. Ky është shpërblimi i jobesimtarëve.
Pa tjetër, kur kriza përshkallëzohet vjen lehtësimi.
Ebu Ubejde, Amir Ibn el-Xherrah, Zoti qoftë i kënaqur me të, kur ai çliroi Levantin, Shamin, Zoti bëri që konflikti të largohej nga Levanti dhe njerëzit e tij. Kur çliroi Levantin në përgatitje për në Bejtul Makdis, Kuds, e sulmuan ushtritë romake në numër të madh dhe ra në një krizë të rëndë. Kështu që ai i shkroi halifit Omar Ibn El Hatabit, Zoti qoftë i kënaqur me të, ku ai iu përgjigj duke thënë: “ Sa vijon, pavarësisht se sa vështirësi i bie një robi besimtar, Zoti do të bëjë lehtësim pas saj, dhe asnjë vështirësi nuk do t’i mposhtë dy lehtësira, Zoti thotë: “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin për të qenë të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” (Al ‘Imran 200)
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Besimtari do vazhdojë të përballet me sprova, vuajtje, në veten e tij, në pasurinë dhe në fëmijët e tij derisa ta takojë Zotin duke mos patur asnjë gjynah mbi vete.”
Luteni Allahun duke qenë të bindur në përgjigje.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, Ti je mbrojtësi i besimtarëve dhe mbështetësi i njerëzve të drejtë. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm pa shok, Atij i takon Krenaria dhe Madhështia, Përsosmëria e Tij është e plotë dhe Lavdia e Tij është e shenjtë. Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i afërti dhe i dashuri. Krijimi i tij është mirësi, dërgimi i tij profet është mëshirë dhe dielli i sunetit, praktikës së tij nuk do të përfundoj, perëndojë kurrë. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje zotërinë tonë Muhamedin, lutje me të cilën zgjidhen nyjet, lehtësohen vështirësitë, plotësohen me ato nevojat, arrihen me to dëshirat dhe ato sjellin përfundime të mira.
Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar thotë: “ Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë trashëgues (të pushtetit) në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët.” (En-Nur 55)
Adhurues të Zotit! Dijeni se kur vështirësia arrinë kulmin e saj, kjo është shenjë lehtësimi nga Zoti, rreze drite që ngjall shpresë, shpall lajme të mira dhe frymëzon optimizëm. Prandaj, nuk ka dëshpërim as zhgënjim, por përkundrazi duhet të kemi mendime të mira për Zotin. “Nëse ndjeni dhembje prej luftës, edhe ata ndiejnë dhimbje ashtu si edhe ju. Mirëpo ju shpresoni prej Allahut atë që ata nuk e shpresojnë.” (En-Nisa’ 104)
Jo mërzi, jo dëshpërim, por qëndrueshmëri dhe vendosmëri. Jo pesimizëm dhe jo trishtim, por vetëm shpresë dhe dorëzim tek Zoti.
O Zot, largo nga ne çdo vështirësi e hidhërim, na çlirona nga çdo fatkeqësi, sepse vështirësitë kanë marrë jetë njerëzish, o Zot, përshpejto lehtësimin. “Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin.” (Et-Talak 7)
O Zot, Ti je tek Ai i Cili ne shpresojmë, Ai të Cilin dëshirojmë, dhe në dorën Tënde është kompensimi për atë që ka kaluar, prandaj bëj atë që Ti je i denjë, sepse shpresat tona janë të drejtuara nga Ti, o Zot.
O Zot, zbrit hakmarrjen Tënde mbi tiranët e padrejtë, bëje komplotin e tiranëve kundër popullit tonë të ftohtë dhe paqe, ashtu siç e bëre zjarrin të ftohtë dhe paqësor për Ibrahimin. O Ti që je lehtësimi ynë, o Ti që je shpresa jonë kur të gjitha mjetet janë të prera! O Zot, udhëzoji nxënësit e shkollave të mesme drejt mirësisë dhe udhëzimit dhe bëj përpjekjet e tyre të kurorëzohen me sukses, o Zot i botëve.
O Zot, ndalo gjakderdhjen e muslimanëve në Palestinë.
O Zot, largo bllokadën, izolimin, nga njerëzit tanë të izoluar. O Zot, mundëso ushqim atyre kur janë të uritur dhe mbroji ata nga frika. O Zot, streho të zhvendosurit e tyre.
O Zot, largo nga ata luftën dhe dëmet e saj.
O Zot, shëro të sëmurët e tyre dhe mëshiro ata që ke zgjedhur prej tyre.
O Zot, jep lehtësim të shpejtë dhe të afërt për të burgosurit dhe xhaminë Aksa, o Zoti i Botëve.
O Zot, shpërbleje për ne zotërinë tonë, Muhamedin, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, me shpërblimet më të mira. O Zot, jepu shpërblimet më të mira dijetarëve dhe prindërve tanë.
O Zot, Ti që ke bërë salavatet ndaj të dërguarit tonë nga adhurimet, të lutemi të afrohemi pranë Teje me të gjitha salavatet që janë dërguar për të nga dita që është krijuar deri në pafundësinë e përsosmërisë.
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Safat 180-182)
Dhe fto për namaz.
Afrim Smakaj