Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 28-06-1447 H 19-12-2025 D
Shejh Dr. Ahmed Bin Ali Hudhejfe
Tema Lidhja e fortë në mes devotshmërisë dhe moralit të mirë
Vërtetë lavdërimet janë për Zotin, Atë e lavdërojmë prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71)
Në vijim
Vëllezër në besim! Vërtetë devotshmëria është masa e dinjitetit tek Zoti juaj dhe shkalla e diferencimit në botën Tjetër, në Ahiret. “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (El-Huxhurat 13) Prandaj përmbahuni rrugës së saj dhe udhëhiqu nga drita e saj, devotshmërisë. Dijeni se një fytyrë e bukur nuk bëhet e tillë dhe se hëna e plotë e lavdërimit nuk bëhet e tillë vetëm se me moral të mirë. Reflektoni mbi aludimin e hollë në ajetet Kuranore në fjalën e Allahut në librin e Tij Famëlartë: “ Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Al ‘Imran 133-134) se si Zoti i Plotëfuqishëm ka bërë mirësinë ndaj njerëzve nga cilësitë e njerëzve të devotshëm dhe ka përshkruar ata të cilët kanë moralin e lartë me vepër mirë. E kush është i tillë le të marrë lajmin e gëzuar për ndihmën e Zotit ndaj tij nga se ai e meriton atë në saje të dy atributeve të tij, devotshmërisë dhe veprave të mira, sikurse ka lajmëruar Zoti i Plotëfuqishëm dhe ka përgëzuar me fjalën e Tij, ku thotë: “Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.” (En-Nahl 128) Meditoni në kuptimin e kësaj fjale Kuranore të hollë dhe si e ka lidhur devotshmërinë dhe moralin e mirë me një lidhje të fortë. Diçka të tillë e vërteton fjala e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur thotë: “ Frikësoju Zotit kudo që të jesh. Veprën e keqe pasoje me vepër të mirë që ta fshijë atë (të keqen) dhe sillu mirë me njerëzit.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është pyetur rreth asajt çfarë më së shumti i fut njerëzit në Xhenet, dhe ka thënë: “ Devotshmëria ndaj Zotit dhe morali i mirë.” Vërtetë kjo lidhje e ngushtë dhe kuptim i thellë është një imazh i sublimitetit dhe madhështisë së Islamit, gjithëpërfshirjes së tij në të gjitha aspektet e jetës, gjerësisë së fushëveprimit të tij për të përfshirë jetën e muslimanit dhe që të jetojë në realitetin e njerëzve. Islami është një fe besimi, rregullash dhe sjelljesh. Islami nuk është një fe që kufizohet vetëm në rituale dhe adhurime të jashtme, përkundrazi, është fe që manifestohet në marrëdhënie, fe që çon në praktika dhe sjellje, duke kombinuar pastrimin e vetes nga brenda dhe rafinimin, përmirësimin e vetes nga jashtë.
O besimtarë dhe besimtare! Kjo fe madhështore kur kërkoi të ngrinte moralin në zemrat e njerëzve dhe ta vendoste atë në jetën e tyre të përditshme, për të ngrintur pamjen e jashtme të muslimanit ashtu siç ngriti veten e tij të brendshme dhe të pastronte sjelljen e tij ashtu siç pastroi besimin e tij, e lidhi karakterin e mirë me besimin, duke e bërë atë pjesë të përsosmërisë së tij. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Besimtarët me besimin më të plotë janë ata që kanë karakterin më të mirë, e më të mirët prej tyre janë ata që janë më të mirët me gratë, bashkëshortet e tyre.” Besimi i një besimtari nuk është i plotë përveçse nëpërmjet trajtimit të mirë të njerëzve, derisa tek ai të bashkohet bukuria e brendshme dhe e jashtme, pastërtia e zemrës dhe integriteti në sjellje. Ndërsa në pjesën e fundit të hadithit: “Dhe më të mirët prej tyre janë ata që janë më të mirët me gratë e tyre.”, ekziston një tregues i hollë profetik se standardi i karakterit të mirë dhe sjelljes fisnike është fortësia e tij në zemrat e njerëzve dhe qëndrueshmëria e tij në natyrën e tyre, derisa ato morale fisnike të bëhen cilësi të vendosura fort që manifestohen tek të rinjtë dhe të moshuarit, të pasurit dhe të varfrit, vartësi dhe prijësi, udhëheqësi. Kjo në mënyrë që njeriu të mos ndryshojë ngjyrën e tij sipas impulseve të interesit vetjak, ose të pretendojë të sjellë një përfitim ose të largojë një dëmtim, përkundrazi, karakteri i tij i mirë është me të gjithë njerëzit.
Shtëpia e njeriut, vendi ku ai strehohet, është masa e karakterit të tij të mirë dhe standardi i tij i pagabueshëm. Ai është vendi i sprovës ku njeriu vepron sipas natyrës së tij, duke hedhur poshtë çdo pretendim të tij. Kjo është arsyeja pse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë: “Më të mirët prej jush janë ata që janë më të mirët me familjet e tyre, e unë jam më i miri prej jush me familjen time.”
Kur besimtari njeh vlerat e karakterit të mirë dhe marrëdhëniet fisnike me njerëzit, kupton statusin dhe pozicionin e tij të lartë në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret, atë që sheriati Islam ka përcaktuar për të në aspektin e arritjeve të gradave dhe pozicioneve më të larta, atëherë ai me atë mishëron, përfaqëson, si rob, nënshtrimin ndaj Zotit, sjellje të mira me njerëzit, pastrim të shpirtit dhe detyrimin e tij për të përvetësuar tiparet më të mira dhe virtytet më fisnike, dhe ngritjen e tij mbi vrullin e shpirtrave dhe cilësive të ulëta, të cilat shpirtrat fisnik dhe aspiratat e larta i urrejnë.
Nga Ebi Derda’i, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Asgjë nuk është më e rëndë në peshoren e besimtarit në Ditën e Gjykimit se morali i mirë. Zoti e urren personin me sjellje të pahijshme dhe vulgar.” Nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë; kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “ Besimtari me moralin e tij të mirë arrin gradën e agjëruesit dhe atij që falet natën.” E në këtë kontekst mjafton fjala e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “ Më të dashurit prej jush për mua dhe më të afërtit me mua në pozitë në Ditën e Gjykimit janë ata prej jush që kanë moralin më të mirë.”
O Zot, na udhëzo drejt moralit më të mirë, sepse askush nuk udhëzon drejt më të mirit prej tij përveç Teje, na largo prej nesh më të keqen prej tij, sepse askush nuk e largon më të keqen prej tij përveç Teje.
Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, me të vërtetë Ai është Falës i Madh.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin bazuar në mirësitë e Tij të shumta dhe në rrëketë e bekimeve të Tij të bollshme, lavdërime nëpërmjetë të cilave bekimet shtohen dhe rriten, me anë të të cilave favoret derdhen dhe vërshojnë lum. Lutjet dhe përshëndetjet mbi atë që Zoti e dërgoi me sjelljen më të mirë dhe e moralin më fisnik, mbi familjarët e dhe shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi deri në ditën e takimit të madh, ditën e Gjykimit. Lutje dhe përshndetje që vazhdojnë në mëngjes dhe mbrëmje, në perëndim dhe lindje të diellit, sa kohë që pëllumbat gumëzhijnë, retë bien shi dhe flladet janë të lehta dhe të këndshme.
Në vijim
O ju besimtarë dhe besimtare! Vërtetë i dërguari ynë, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është shembulli njerëzor i përsosur për karakter të mirë, sjellje të rafinuar dhe fisnike. Kur meditojmë në ajetet e Kuranit që flasin për moralin e atij profeti fisnik, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, gjejmë fragment në Librin e Zotit, në Kuran që përmbledh shkurt se si ishte ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nga cilësitë e tij më fisnike, veprat më të nderuara dhe gjendjen e tij më të përsosur. “Nûn. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë se ti (o Muhamed), falë mirësisë së Zotit tënd, nuk je i marrë. Pa dyshim, ti do të jesh përherë i shpërblyer se ti je me virtyte madhore.” (El-Kalem 1-4)
Mjafton morali që i Plotfuqishmi, Zoti i Lartësuar, e konsideronte shumë të madh. Kurani e përshkroi shkurt moralin e tij fisnik në një frazë që, pavarësisht shkurtësisë së saj, përmbante kuptime të thella dhe të bollshme të denja për një lavdërim të tillë. Ky moral madhështor përshkruhet më qartë dhe më i prekshëm nga përgjigjja e Aishes, Zoti qoftë i kënaqur me të, kur Saad Ibn Hisham Ibn Amir e pyeti. Ai ka thënë: “ O nëna e besimtarëve, më trego për moralin e të dërguarit të Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të:” Ajo më ka thënë: “A lexon Kuran?” Unë thashë: “Po.” Ajo tha: “Morali i të dërguarit të Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte Kurani.”
Ai është shembulli më i mirë dhe modeli ideal për moral të lartë dhe sjellje të mirë. “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.”(El-Ahzab 21)
Historia e pasur e jetës së tij është e mbushur me aromën e moralit të tij fisnik dhe me re që pikojnë shi të vlerave të tij të larta, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
Dije se pëlqehet të bëni shumë lutje dhe të dërgoni përshëndetje mbi të në ditën e xhuma, të premten, ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtetë nga ditët tuaja më të mira është dita e premte, prandaj,shtoni salatet, lutjet për mua në të, sepse vërtetë lutjet tuaja më mbërrijë.”
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, profetin tonë Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij të nderuar dhe ne së bashku me ata me Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi dhe më Bujari.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët. O Zot, bëj këtë vend të bekuar, të sigurt, të paqtë, dhe të gjitha vendet muslimane. O Zot, përmirëso gjendjen e muslimanëve në çdo vend dhe kohë, o Zoti i botëve. O Zot, përmirëso gjendjen e tyre, o Zoti i botëve.
O Zot, ruaj këtë vend të bekuar, synimi i zemrave të muslimanëve, mbro dy xhamitë e shenjta me mbrojtjen Tënde. O Zot, mbroje atë me mbrojtjen Tënde dhe bëje vend të mbrojtur dhe të ruajtur, o Zot i Botëve.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta dhe princit të tij të kurorës, në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur, udhëzoi ata në drejtësi dhe devotshmëri, o Dëgjues i lutjeve. O Zot, jepu atyre sukses në atë që është më e mira për njerëzit dhe vendin, dhe në atë që është më e mira për Islamin dhe muslimanët në të tashmen dhe të ardhmen, o Zot i botëve.
O Zot, të lutemi të ndihmosh vëllezërve tanë në Palestinë, o Zot i botëve. O Zot, jepu fitore, shëro plagët e tyre dhe merr nën kujdesin Tënd çështjet e tyre, o Zot i botëve, o më i Madhi Mëshirues.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
O Zot, kërkojmë nga Ti prej të mirës që Ti di, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga e keqja që Ti di, dhe kërkojmë faljen Tënde për atë që Ti di, me të vërtetë Ti je Njohësi i të fshehtës.
Adhurues të Zotit! Përjetësoni mirësinë e Zotit tuaj me falënderimin ndaj Tij, ruani begatitë e Tij duke pasuar urdhrat e Tij, dhe lavdërojeni Atë me lutjet drejtuar Atij dhe me falënderimin e Tij.
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj