Haxhi dhe dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes: Sezon uniteti dhe bindjeje

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     28-11-1447 H    15-05-2026 D

Shejh Urvetu Ikrime Sabri   

Tema    Haxhi dhe dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes: Sezon uniteti dhe bindjeje

Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë, udhëzim dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e udhëzon Zoti  ai është i udhëzuar, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na ka urdhëruar Haxhin për ne, pastrim i shpirtrave dhe pastrin nga gjynahet. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na ka nderuar me ditët më të mira të vitit, dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili u ka dhuruar mirësi atyre që kryejnë Haxhin në Qabe,  përmes Tavafit, rrotullimit rreth Qabes, Sa’jit  dhe qëndrimit në Arafat.

“Zoti im tek Ti kam ardhur duke t’u përgjigjur, prandaj Zoti im bekoje Haxhin dhe lutjet e mia. Tek Ti erdha me vështirësi, tek Ti erdha duke qarë,  prandaj, o Zot, mos refuzo nga unë lotët,    Më mjafton krenaria që jam adhuruesi Yt, sa i lumtur do isha nëse bëhem robi  Yt i përkushtuar!”

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Atij i takon pushteti dhe lavdërimi, Ai është i fuqishëm për të bërë çdo gjë.

Dëshmoj se Muhamedi  është i dërguari  i Zotit, udhëheqësi i njerëzve të devotshëm, modeli i njerëzve të ditur punëtorë dhe shembulli i thirrësve të sinqertë deri në ditën e Kijametit. O Zot, fale dhe mëshiroje zotërinë tonë, Muhamedin në këtë botë, fale dhe mëshiroje atë në botën Tjetër, Ahiret, fale dhe mëshiroje atë në pozitën më të lartë deri në Ditën e Gjykimit.

“Aroma u përhap kur përmenda Muhamedin, drita shkëlqeu dhe errësira u zhduk.

Paqja e e Zotit qoftë mbi ty, o fanar udhërrëfimi, për sa kohë zogu fluturon në qiell dhe këndon. Lutuni për më të mirën e njerëzimit, sepse ai është më i miri i robërve dhe më i miri i atyre që kanë dëshmuar Njëshmërinë e Zotit.”

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71) 

Në vijim

Allahu i Plotëfuqishëm në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, thotë: “ Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!”(El-Haxhxh 27-28)

Haxhinjtë e Shtëpisë së Shenjtë të Zotit, Qabes, aktualisht po shkojnë drejt rajonit të Hixhazit për të kryer ritualet e Haxhit, duke pritur me padurim të bëjnë tavafin rreth Qabes dhe Sa’jin, udhëtimin në mes Safasë dhe Mervasë. Ata po përgatiten për qëndrimin e rëndësishëm të Ditës së Arafatit, duke shpresuar për faljen e gjynaheve të tyre dhe pranimin e Haxhit të tyre. Zotit të Plotfuqishëm i lutemi që të pranojë veprat e Haxhinjëve  tanë, t’ua lehtësojë Haxhin, të kthehen në shtëpitë e tyre shëndosh e mirë dhe të fituar, me Haxh të pranuar dhe me gjynahe të falura.

O ju muslimanë! Haxhi në Shtëpinë e Shenjtë të Zotit, në Qabe,  përmban shumë mësime dhe morale mbi të cilat duhet të reflektojmë. Adhurimi i Haxhit lidhet që nga fillimi me thirrjen e zotërisë tonë Ibrahimit, paqja e Zotit qoftë mbi të, për të kryer Haxhin dhe për të ngritur themelet e Shtëpisë së Shenjtë, Qabes. “ Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabesë, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 127-128)

LEXO  Haxhi dhe manifestimet e mëshirës së Zotit

Qabeja e Bekuar u ndërtua për adhurimin e vetëm të Zotit, për të qenë simbol i monoteizmit dhe për çlirimin nga politeizmi, idhujtaria dhe besimet e rreme. Thirrja e Ibrahimit, paqja e Zotit qoftë mbi të, ishte një thirrje e pastër, hyjnore, e lirë nga papastërtitë dhe dyshimet. Prandaj, është e papranueshme t’i atribuohen atij thirrjet e rreme nga Ibrahimizmat bashkëkohor dhe thirrje të ngjashme të dyshimta.  Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, është babai i profetëve dhe besimi i tyre është Njëshmëria e Zotit të Lartësuar. Ata janë të pafajshëm nga ajo që u atribuohet në mënyrë të rreme dhe shpifëse nga thirrjet keqdashëse që përpiqen të ndërhyjnë në parimet e fesë së vërtetë.

Adhurues të Zotit! Haxhiu i fillon ritualet e Haxhit duke hyrë në gjendjen e Ihramit, ku ai heq rrobat e qepura dhe çdo shenjë të jashtme luksi. Kjo simbolizon shkëputjen nga dëshirat e kësaj bote dhe kjo shërben si kujtesë se njeriu një ditë do të largohet nga kjo jetë,  duke lënë pas kënaqësitë e saj kalimtare, i mbështjellë me qefinin e varrit dhe duke u drejtuar për tek Zoti i tij. Ihrami i tij shoqërohet nga Telbija: “Leb-bejk Allahume Leb-bejk, “Zoti im, të përgjigjem Ty përgjigje pas përgjigje; Leb-bejk La Sherike Leke Leb-bejk,Ti nuk ke asnjë ortak në adhurim, të përgjigjem Ty përgjigje pas përgjigje; Inne El-Hamde Wan-Ni’meta Leke Wal-Mulk, me të vërtetë, lavdërimi, mirësia dhe sundimi të takon vetëm Ty, La Sherike Leke.Ti nuk ke asnjë ortak në adhurim.” Kjo përgjigje mishëron kuptimet e monoteizmit të pastër për Zotin e Lartësuar dhe mbart në kuptimet e saj gatishmërinë e muslimanit për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit, ku Ai e thërret muslimanin të kryejë detyrat e tij fetare, në mënyrë që ai të mos vonojë në përgjigjen ndaj thirrjes, dhe ai është në pozicionin  ku Zoti i Lartësuar  pëlqen ta shikojë atë.

O ju muslimanë! Të bërit tavaf, rrotullim, rreth Qabes së Shenjtë dëshmon se muslimani rrotullohet brenda rrethit të Islamit madhështorë, duke iu përmbajtur rregullave dhe parimeve të tij. Haxhiu bën tavafin bashkë me vëllezërit e tij besimtarë nga vende të ndryshme në një skenë madhështore, duke mishëruar kuptimin e vëllazërisë në besim, ku të gjithë janë të barabartë në adhurimin e Zotit. Ky tubim në bindje është i denjë për të bashkuar muslimanët, i unifikon ata për t’u përballur me sfidat me të cilat përballet umeti Islam,dhe i motivon që të adresojnë çështjet e tyre kritike, përfshirë çështjen e Xhamisë së bekuar të Aksasë.

O ju muslimanë! Rituali i Sa’jit, udhëtimi në mes Safasë dhe Mervasë na kujton nënën tonë Haxheren, gruan e Ibrahimit, paqja e Zotit qoftë mbi të, e cila vraponte midis Safasë dhe Mervasë duke kërkuar ujë për djalin e saj, Ismailin, paqja e Zotit qoftë mbi të. Ajo vrapo duke kërkuar ujë me sinqeritet dhe siguri në një tokë të shkretë me nxehtësi përvëluese. Kjo tregon se muslimani duhet të përpiqet dhe të punojë, të mos dëshpërohet dhe të mos dorëzohet para realitetit të vështirë në të cilin jeton. Muslimani posedon shpirt pozitiv, optimist, punon dhe përpiqet për të arritur qëllimet e tij. Me përpjekje, mbështetje tek Zoti dhe sinqeritet në qëllim, ka një shpërblim. Nëna jonë Haxherja u përpoq për të gjetur ujë  e shpërblimi i Zotit për të dhe njerëzimin mbarë pas saj ishte burimi i Zemzemit,  i cili ka shuar etjen e miliona njerëzve prej qindra vitesh. Kjo ishte për shkak të besimit të saj të palëkundur në Zot, sinqeritetit të saj dhe përpjekjeve të saj të zellshme. Kjo nuk është për t’u habitur në rastin e saj, sepse kur Zoti i Plotfuqishëm urdhroi Ibrahimit, paqja e Zotit qoftë mbi të, të udhëtonte dhe të predikonte, duke lënë familjen e tij, ai e la atë dhe djalin e saj, Ismailin, paqja e Zotit qoftë mbi të, vetëm në Meke, ku nuk jetonte askush tjetër përveç atyre të dyve, ajo, Haxherja, i tha Ibrahimit:  “A Zoti të urdhëroi ta bëje këtë?” Ai u përgjigj: “Po.” Ajo tha: “Atëherë Zoti ynë nuk do të na braktisë.”

LEXO  Zgjohuni nga përgjumja - Aksa 27.11.2020

Nëna jonë Haxherja dha shembullin e një nëne që është e kujdesshme për fëmijët e saj me përpjekjen dhe sakrificën e saj të mëdha për ta, duke e ditur përgjegjësinë e nënës ndaj fëmijëve të saj dhe rëndësinë e detyrës së amësisë, për të cilën ajo meriton të ketë Xhenetin nën këmbët e saj. Prandaj, duhet të kujtojmë vlerën e kësaj detyre, të mos e nënvlerësojmë atë, dhe të përballemi me fushatat që përpiqen ta devijojnë, largojnë nënën nga kjo detyrë e shenjtë dhe t’i bëjnë vlerat e tjera të duken tërheqëse në sytë e saj.

O ju muslimanë! Rituali më i madh i Haxhit është qëndrimi në Arafat: “Haxhi është Arafat.” Në këtë ditë, Zoti afrohet pranë robërve të Tij dhe mburret me ta para Melaikeve. Nga Aishja transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk ka ditë në të cilën Zoti liron më shumë robër nga Zjarri i Xhehenemit sesa Dita e Arafatit. Ai afrohet tek ata, njerëzit, dhe pastaj mburret me ta para Melaikeve.”   Nga Ebu Hurejra transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtet, Zoti u krenohet banorëve të qiejve me njerëzit në Arafat, duke u thënë atyre: ‘Shikoni robërit e Mi, ata kanë ardhur tek Unë të çrregullt dhe të pluhurosur!”

Kjo ditë është një ditë lutjesh dhe përgjërimesh ndaj Zotit të Plotëfuqishëm. Profeti, paqja dhe mëshira e  Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Lutja më e mirë është lutja e Ditës së Arafatit, dhe më e mira nga ajo që unë dhe profetët para meje kemi thënë është: Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Ai nuk ka shok, Atij i përket sundimi, Atij i përket çdo lavdërim dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë.”

Dita e Arafatit është dita në të cilën Zoti i bëri të njohur robërit e Tij para se t’i krijonte, ndërsa ata ishin në mbretërinë e para ekzistencës. Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë ndaj vetes së tyre, u tha: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata iu përgjigjën: “Po, dëshmojmë se Ti je.” Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Këtë nuk e kishim ditur.”(El-A’raf 172)

Besimi në Zotin e Plotfuqishëm ishte natyrë e lindur e  gjithë krijesave para krijimit të tyre. Njëshmëria e Zotit të Plotfuqishëm është themeli i besimit dhe natyrës njerëzore para se të ekzistonin ndotësit  intelektualë që i largojnë njerëzit nga natyra e tyre. T’i bësh Zotit shok në adhurim dhe ateizmi, mosbesimi në Të, janë në kundërshtim me natyrën e shëndoshë mbi të cilën Ai krijoi të gjithë njerëzit. Nga Ebu Hurejra transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Çdo fëmijë lind në një gjendje të pastër, fitrah, besimtar në Një Zot, pastaj prindërit e tij e bëjnë atë hebre, të krishterë ose adhurues të zjarrit.”

Adhurues të Zotit! Pas qëndrimit në Arafat, Haxhiu vazhdon për në Muzdelife, duke kaluar nga një përkujtim i Zotit në një tjetër përkujtim të Tij në Vendin e Shenjtë. Kjo është nga mirësia e Zotit të Lartësuar për robin, që Haxhiu mund të kalojë nga një akt bindjeje në një tjetër. Kjo konsiderohet nga shenjat e pranimit të veprave të dikujt që bindja pas bindjeje të bëhet e lehtë për Haxhiun. Haxhiu gjithashtu duhet të bëjë kujdes në bindjen ndaj Zotit, duke monitoruar vazhdimisht progresin e tij që shpirti i tij të mos dobësohet ose të mos bëhet i vetëkënaqur me vepra të pakta. Përkundrazi, ai duhet të përpiqet, t’i kujtojë vetes dhe të tjerëve që të këmbëngulin në aktet e bindjes dhe veprat e mira.

LEXO  “ Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.”

Adhurues të Zotit! Pastaj Haxhinjtë shkojnë në Mina për të hedhur guralecët, në një akt simbolik të rezistencës ndaj pëshpëritjeve të shejtanit. Që një rob të mbetet i palëkundur në bindjen ndaj Zotit, ai duhet t’i mbyllë shtigjet që shejtani ka ndaj tij, e kjo kërkon vigjilencë të vazhdueshme. Hedhja e përsëritur e guralecëve, shtatë herë, tregon domosdoshmërinë e kujtimit të vazhdueshëm të vetes dhe të mos qenit neglizhent, sepse pëshpëritjet e shejtanit nuk ndalojnë kurrë. Nëse duam t’i kapërcejmë pëshpëritjet e shejtanit gjatë Haxhit, duhet gjithashtu të stërvitim vetet tona në qëndrueshmëri përmes kryerjes sonë të vazhdueshme të namazeve tona, në të cilat e përsërisim Suren Fatiha me shtatë ajetet e saj në çdo lutje, namaz, duke lexuar fjalët e Zotit të Plotfuqishëm. “Udhëzona në rrugën e drejtë!”(El-Fatihat 6)

Zoti na bëftë dobi me Kuranin Famëlartë, me ajetet dhe me përkujtimet e urta që ai përmban. Tek Zoti kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin e Tij, të besuarin, mbi familjarët dhe të gjithë shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Kijametit.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Vetëm pas pak ditësh do mirëpresim ditët më të mira të Zotit të Plotfuqishëm, këto janë dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes. Këto janë ditët për të cilat i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura për Allahun sesa në këto ditë.” Ka për qëllim dhjetë ditën e Dhul Hixhes. Sahabet i kanë thënë: “O i Dërguari i Allahut, as xhihadi, lufta në rrugë të Allahut?”  I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ As xhihadi, lufta në rrugë të Allahut, përveç atij njeriu që del me jetën dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre nga ajo, lufta, bie dëshmorë, shehid.”

Përpiquni për vepra të mira gjatë këtyre ditëve, siç janë namazi, përmendja e Zotit, leximi i Kuranit, dhënia e lëmoshës, ndihma ndaj të varfërve dhe nevojtarëve, udhëtimi për në xhaminë e bekuar të Aksasë dhe mbushjen e saj me adhurime dhe bindje.

Sikurse është sunet agjërimi në këto ditë, veçanërisht agjërimi në ditën e Arafatit. Nga  Ebu Katade transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Shpresoj tek Allahu që agjërimi i ditës së Arafatit t’i shlyejë gjynahet e vitit para dhe pas kësaj dite.”

I lutemi Zotit të Plotfuqishëm të na ndihmojë në bindjen ndaj Tij gjatë këtyre ditëve,  të na dhurojë pranim dhe sinqeritet në fjalë dhe në vepra.

O Zot, bëje Haxhin të lehtë për Haxhinjtë dhe pranoje atë prej tyre. O Zot, bëj Haxhin e tyre të pranuar, gjynahet e tyre të falura. O Zot, ktheji ata tek familjet e tyre shëndosh e mirë, fitimtarë dhe të shpërblyer.

O Zot, ruaj për ne xhaminë e bekuar të Aksasë nga çdo e keqe, bëje atë të mbushur me Islam dhe musliman.

O Zot, shkruaj për ne shpërblimin e atyre që janë të lidhur me të deri në ditën e Kijametit.

O Zot, na dhuro dituri të dobishme,  zemër të përulur, gjuhë që të përkujton Ty dhe vepra të mira që pranohen.

O Zot, mëshiro të dobëtit dhe të shtypurit kudo që janë dhe largo prej tyre vuajtjet, o Zot i botëve.

O Zot, shëro plagët tona, mëshiro dobësinë tonë, largo pikëllimin tonë dhe lehtëso shqetësimin tonë. O i Gjallë, o i Përhershëm në Mëshirën Tënde kërkojmë ndihmë.

O Zot, përmirëso të gjitha çështjet tona dhe mos na lër në dorë të veteve tona as sa hap e mbyll sytë.

O Zot, na mëshiro, sepse Ti je i Mëshirshëm me ne. Mos na ndëshko, sepse Ti e ke të mundur ta bësh këtë. Ji i Butë me ne në lidhje me atë që ke përcaktuar për ne.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.

Falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

Lutja jonë e fundit është: Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve. Fto për namazin,  Zoti  të mëshiroftë.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1564360249023983/1606377741063785

Post Author: endrit