Sinqeriteti është shpëtim, gënjeshtra humbje

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    20-03-1447 H     12-09-2025 D

Shejh Mahir El Muajkili  

Tema     Sinqeriteti është shpëtim, gënjeshtra humbje

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin e Madh dhe të Lartësuar, i Cili thirri robërit  e Tij të jenë të sinqertë në fjalë dhe vepra.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, i Madhërishmi dhe i Përsosuri, Madhështia e Tij është e madhe, emrat e Tij janë të shenjtëruar, Lavdia e Tij është e madhe dhe cilësitë e Tij janë të larta.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari  ynë, Muhamedi është rob i  Zotit dhe i dërguari i Tij, i përshkruar me cilësitë më fisnike dhe më i miri nga ata të cilëve u është dhënë urtësia dhe fjala e plotë. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, shokët dhe familjarët më të mirë, dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Kijametit.

Në vijim

O ju besimtarë! Këshilloj ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit. Kush i frikësohet Zotit, Ahireti, bota Tjetër,  do jetë shqetësimi i tij, e kush e ka Ahiretin shqetësim të tij, Zoti do t’a bëjë atë të pasur në zemrën e tij, do ja mbledhi punët e tij dhe jeta e kësa bote do t’i vijë e qetë, e kënaqshme. “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” (Et-Talak 2-3)

Umeti Islam! Imam Buhariu ka transmetuar në Sahihun e tij, nga historia e Ka’b Ibn Maliku,  Zoti qoftë i kënaqur me të, kur ai qëndroi pas, nuk mori pjesë në Betejën e Tebukut, se ka thënë: “Kur dëgjova se ai, i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, po kthehej, më pushtoi ankthi dhe fillova të kujtoja gënjeshtrën dhe të thoja: Si mund t’i shpëtoj zemërimit të tij nesër? Kërkova ndihmë për këtë nga çdo njeri i mençur në familjen time. Por kur u tha: I dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është gati të kthehet, gënjeshtra u largua nga unë dhe mësova se nuk do të  dilja kurrë nga situata me diçka që përmbant gënjeshtër. Kështu që vendosa të jem i sinqeriteti.  I dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbërriti në mëngjes. Kur ai kthehej nga një udhëtim, në fillim shkonte në xhami, ku falte dy rekate namaz dhe pastaj ulej me njerëzit.” Ka’bi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Kam shkuar tek i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur e përshëndeta, ai buzëqeshi me një buzëqeshje të zemëruar, pastaj tha: Eja. Kështu që eca derisa u ula para tij, dhe ai më tha: Çfarë të mbajti, që nuk ishe në betejë? A nuk e bleve kafshën për udhëtim? Unë thashë: Po, o i dërguar i Zotit. Për Zotin, nëse do të ulesha me dikë tjetër përveç teje nga njerëzit e kësaj bote, do të mendoja se do t’i shpëtoja zemërimit të tij me një justifikim. Më është dhënë mundësia të argumentoj, por për Zotin, e di që nëse sot të them një gënjeshtër që do të të kënaqte, Zoti së shpejti do të të zemërojë me mua. Por nëse të them fjalën vërtetë që do të të kënaqte, shpresoj me të faljen e Zotit. Jo, për Zotin, nuk kam patur  justifikim. Për Zotin, kurrë nuk kam qenë më i fortë dhe më  rehat se kur qëndrova larg teje, nuk mora pjesë në betejë.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kjo që the është e vërtetë, prandaj ngrihu dhe qëndro deri sa Zoti  të gjykojë për ty.”

Pasi që Zoti e gjykoi atë dhe dy shokët e tij dhe ua vulosi çështjen me pendim, Ka’bi shkoi te i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ndërsa ai ishte në xhami. Ai tha: “Kur e përshëndeta të dërguarin e Zotit, fytyra e tij shkëlqente nga gëzimi, ai tha: “Gëzohu për ditën më të mirë që ke kaluar që kur të ka lindur nëna.” Ka’bi ka thënë; I thashë: “A është prej teje, o i dërguar i Zotit? Apo prej Zotit?” Ai tha: “Jo, përkundrazi prej Zotit.” Kur i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte i lumtur, fytyra e tij shkëlqente, derisa u bë si një copë hëne, dhe ne e dinim këtë prej tij. Kur u ula para tij, i thashë: “O i dërguar i Allahut, Zoti më ka shpëtuar vetëm për shkak të sinqeritetit, dhe pjesë e pendesës time të mos flas asgjë tjetër përveç të vërtetës sa kohë që të jem gjallë. Pasha Zotin, nuk njoh askënd midis muslimanëve që Zoti ta ketë bekuar me sinqeritet në fjalë, që kur i përmenda këtë të dërguarit të Zotit, më shumë sesa më ka bekuar Ai mua. Që kur ia përmenda këtë të dërguarit të Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nuk kam gënjyer qëllimisht deri më sot. Shpresoj që Zoti të më mbrojë për sa kohë që të jem gjallë.” Zoti zbriti tek i dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Pa dyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit…” (Et-Teube 117) Deri në fjalën e Zotit të Lartësuar që thotë: “ O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” (Et-Teube 119) Pasha Zotin, Ai nuk më ka dhuruar kurrë një mirësi, pasi që më udhëzoi në Islam,  më të madhe në shpirtin tim sesa sinqeriteti im ndaj të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  në mënyrë që të mos gënjeja për të dhe të zhdukesha siç zhduken ata që gënjejnë.” Zoti qoftë i kënaqur me Ka’b Ibn Malikun dhe të gjithë sahabet, dhe na bashkoftë me ta: “…në kopshtet e Xhenetit, ku rrjedhin lumenj në kuvendin e së vërtetës (në Xhenet), tek një Sundues i Plotfuqishëm.” (EL-Kamer 54-55)

LEXO  Nga vlerat e fjalës së teuhidit, Njësimit të Zotit

O besimtarë! Sinqeriteti mbetet slogani i besimtarit në të gjitha rrethanat e tij, mbulesa e tij në të gjitha fjalët dhe veprimet e tij, duke shoqëruar personalitetin e tij, të rrënjosur fort në natyrën e tij, derisa sinqeriteti të bëhet natyra e tij dhe  karakteristikë e pandashme e tij. Ai nuk e lejon veten të shqiptojë fjalë pa u menduar ose pa u menduar mirë, as nuk gjykon një çështje bazuar në dyshime të rreme. Përkundrazi, ai synon dhe kërkon të vërtetën, sinqeritetin, përpiqet për të, derisa të regjistrohet tek Zoti person i sinqertë, që është pozitë dhe shkallë e lartë në mes profetësisë dhe të rënit dëshmorë. “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” (En-Nisa’ 69) Në Sahihun e Muslimit ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Jini të sinqertë, sepse sinqeriteti të çon në drejtësi dhe drejtësia të çon në Xhenet. Njeriu vazhdon të jetë i sinqertë dhe përpiqet për të vërtetën derisa regjistrohet tek Zoti i sinqertë.” Urime për atë që është i sinqertë ndaj Zotit dhe Zoti është i sinqertë ndaj tij. Urime për atë që është i sinqertë ndaj robërve të Zotit dhe Zoti e nderon atë. Urime për atë që qëndron i palëkundur në rrugën e të sinqertëve derisa Zoti t’ia marrë shpirtin. “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Kështu që disa prej tyre e kanë kryer zotimin (duke vdekur në luftë për Çështjen e Allahut), kurse të tjerët presin, pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.” (El-Ahzab 23)

Zoti na begatoftë në Kuranin Famëlartë dhe në sunet, na bëftë dobi të gjithëve nga argumentat dhe urtësitë e tij të qarta. Zotit i kërkoj falje për vete dhe ju nga çdo gjynah, tek Ai  kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i Madh.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin e botëve, Ai thotë të vërtetën dhe është më i miri i Gjykatës.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Ai është Zoti, Sunduesi i vërtetë dhe i qartë.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari  ynë, Muhamedi është rob i  Zotit dhe i dërguari i Tij, i sinqerti dhe besniku. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjarët dhe mbi shokët e tij, të pastër e të mirë, dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit.

LEXO  Punoni me besim për të arritur gradën e të sinqertëve

Në vijim

O besimtarë! Sinqeriteti është moral i lartë, me të cilën Zoti e lavdëroi Veten në Librin e Tij fisnik, Kuran, ka thënë: “E kush është në fjalë më i vërtetë se Allahu?” (En-Nisa’ 87) “E kush është më i vërtetë se Allahu në fjalë?!” (En-Nisa’122)

Ky është një nga përshkrimet më të nderuara që u është bërë të dërguarve. Në Kuranin Famëlartë ka ardhur: “ Trego në Libër për Ibrahimin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet.”(Merjem 41) “Trego në Libër për Ismailin! Vërtet, ai ishte i sinqertë në premtimet e veta, ishte i dërguar dhe profet.” (Merjem 54)

Ndërsa profeti dhe mësuesi ynë Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte i sinqertë dhe i besuar para shpalljes së misionit të tij. Pastaj erdhi me të vërtetën, lajmëroi me të vërtetën dhe urdhëroi në të vërtetën. Ai është më i sinqerti nga ata që premtojnë dhe më i sinqerti nga ata që japin fjalën. Zoti i tij e zbukuroi me sinqeritet nga jashtë dhe nga brenda, dhe urdhëroi që të ftojë me të, me sinqeritet,  brenda dhe nga jashtë. “Thuaj: “O Zoti im, më shpjer në një hyrje të kënaqur, më nxirr nga një dalje të kënaqur dhe më dhuro nga Ti fuqi, që do të më ndihmojë!”(El-Isra’ 80) Sheriati, ligji i tij është ligji i të vërtetës dhe shokët e tij janë të sinqertët. “ Ata, që e shpallin të Vërtetën dhe që i besojnë asaj, pikërisht ata janë të përkushtuarit që i frikësohen Zotit.” ( Ez-Zumer 33)

Vëllezër të besimit! Sinqeriteti është parimi themelor në qëllim, fjalë, vepra dhe sjellje. Ajo sjell qetësi mendore dhe ngushëllim, ndikon në lehtësim të shqetësimit dhe në përgjigje të lutjeve. Personi i sinqertë respektohet dhe nderohet, ndërsa gënjeshtari, Zoti na ruajt, poshtërohet dhe turpërohet. Kjo është arsyeja pse profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dënonte gënjeshtrën, dhe nëse bëhej fjalë për diçka të vogël, ai e dekurajonte atë edhe tek një fëmijë i vogël. Kështu, fëmija do të rritet me sinqeritet dhe do të mësohet me të,  ndërsa do ta shmangte dhe përçmonte gënjeshtrën. Për shembull, Abdullah Ibn Amiri, Zoti qoftë i kënaqur me të, ishte fëmijë i vogël që donte të luante. Ai ka thënë: “Nëna ime më thirri një ditë, ndërsa i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte ulur në shtëpinë tonë. Ajo tha: “Eja këtu, do të të jap diçka.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i tha asaj: “Çfarë do t’i japësh?” Ajo tha: “Do t’i jap disa hurma.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i tha asaj: “Nëse nuk do t’i kishe dhënë asgjë, do të ishte shkruar kundër teje një gënjeshtër.” Hadithin e ka transmetuar Ebu Daudi në sunenin e tij.  O robër të Zotit! Mos jini të butë në gënjeshtra, sepse nëse gënjeshtrave u hapet porta është e vështirë mbyllja e saj.

Në Sahihun e Muslimi ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kini kujdes nga gënjeshtra, sepse ajo çon në imoralitet dhe imoraliteti çon në Zjarr të Xhehenemit. Njeriu vazhdojë të gënjejë dhe përpiqet të gënjejë derisa regjistrohet para Zotit gënjeshtar.”

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka paralajmëruar kundër gënjeshtrës, dhe nëse ishte për hir të zbavitjes ose shakasë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, bënte shaka me familjarët dhe shokët e tij, por thoshte vetëm të vërtetën. Në Musnedin e Imam Ahmedit ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Mjerë ai që thotë gënjeshtra për t’i bërë njerëzit të qeshin. Mjerë ai, mjerë ata.”

Vëllezër në besim! Sa më i madh të jetë problemi i gënjeshtrës, aq më i madh është rreziku dhe ndëshkimi i saj, veçanërisht me praninë e mjeteve të komunikimit elektronik dhe shpejtësinë me të cilën përhapen thashethemet, nga fabrikimi dhe qarkullimi i tyre, si dhe ndikimin negativ që ato kanë në shoqëri dhe sigurinë e tyre. Pra, le të ketë kujdes njeriu i mençur që të mos jetë mjet në duart e armiqve të tij dhe mënyrë për të dëmtuar veten, shoqërinë dhe vendin e tij. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e ka ndaluar transmetimin e lajmeve pa verifikim kur ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Mjafton për t’u quajtur njeriu gënjeshtarë nëse ai flet për çdo gjë që dëgjon.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi. Po çfarë ndodh me ata që shpikin thashetheme dhe gënjeshtra?! Ata janë subjekt i një kërcënimi të rëndë, sikurse ka ardhur në Sahihun e Buhariut ku transmetohet një ëndërr e të dërguarit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Sa i përket njeriut që hasët, nofulla e të cilit ishte e shqyer deri në qafë, vrima e hundës deri në qafë dhe syri deri në qafë, ai është një njeri që del nga shtëpia e tij dhe thotë një gënjeshtër që arrin deri në skajet më të largëta.”

LEXO  Shfrytëzimi i dhjetë ditëve të fundit dhe kërkimi i natës së Kadrit

Gënjeshtra më e madhe është gënjeshtra për Zotin dhe të dërguarin e Tij. “Në Ditën e Kiametit do t’i shihni ata që kanë trilluar gënjeshtra për Allahun, me fytyra të nxira. Vallë, a nuk është Xhehenemi vend për arrogantët?!” (Ez-Zumer 60) Në Sahihun e Buhariut transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush gënjen për mua me qëllim, le të zërë, përgatisi, vendin e tij në Zjarr të Xhehenemit.”

O adhurues të Zotit! Prandaj, bëjeni sinqeritetin moton dhe mbulesën tuaj, përmbajuni atij në privatësi dhe haptazi, në publik. Zoti do t’ju dhurojë devotshmëri në zemrat tuaja, sukses dhe udhëzim në rrugët tuaja. Mbani mend se sinqeriteti është shoqërues i ndershmërisë, dhe sevetëm të sinqertët do të shpëtohen në Ditën e Gjykimit. “Allahu thotë: “Kjo është Dita në të cilën të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë kopshtet, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është fitorja e madhe!” (El-Ma’ide 119)

Lutuni dhe përshëndeteni të sinqertin e të sinqertëve, Allahu ju ka urdhëruar ta bëni këtë kur ka thënë: “ “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab 56) 

O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e mëshirove familjen e Ibrahimit.

O Zot, bekoje Muhamedin,  bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e bekove familjen e Ibrahimit, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhërishëm.

O Zot,  të lutemi të jesh i kënaqur me  Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabiinët, me të gjithë ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Kijametit, dhe me ne së bashku me ata, me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët.

O Zot, bëje këtë vend të begatë, të siguri, të qetë dhe të stabilizuar dhe të gjitha vendeve  muslimane.

O Zot, na jep siguri në vendit tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë,  kujdestarit të dy xhamive të shenjta, dhe zëvendësit të tij besnik, në atë që është lavdia e Islamit dhe përmirësimi i musimanëve, dhe në atë që është në të mirë të vendit dhe popullit, si dhe të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve.

O Zot, ruaj tek ne fenë tonë, udhëheqësit tanë dhe sigurinë tonë.

O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë tonë dhe atyre që vigjilojnë në kufijtë tanë. O Zot, jepu atyre fitore mbi armikun Tënd dhe armikun e tyre, o i Fortë, o i Plotfuqishëm, o Zotërues i Madhështisë dhe Bujarisë.

O Zot, kush synon të na dëmtojë ne, vendin tonë ose sigurinë tonë, bëj ata të merren me veten e tyre, thyej komplotet e tyre  dhe bëj planet e tyre kundër tyre dhe shkatërrim për ata.

O Zot, lehtëso vuajtjet e vëllezërve tanë në Palestinë. O Zot, ji ndihmë, mbështetje, kujdes dhe mbrojtje për ata. O Zot, prano dëshmorët e tyre, shpëto të plagosurit e tyre, shëro të sëmurët e tyre dhe ushqe të uriturit e tyre. O Zot, merru me armikun Tënd dhe armikun e tyre, o i Fortë, o i Plotfuqishëm, o Zotërues i Madhështisë dhe Bujarisë.

O Zot, merru me sionistët pushtues dhe agresorë. O Zot, shpërndaji ata, përçajë forcën e tyre dhe kthe rrethin e së keqes mbi ta. O Zot, mbro xhaminë Aksa dhe bëje atë krenare dhe të nderuar deri në Ditën e Gjykimit.

O Zot, largo shqetësimet e muslimanëve të shqetësuar, lehtëso vuajtjet e të pikëlluarve, mundëso shlyerjen e borxheve atyre që kanë borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve. O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/1029103585938125

Post Author: endrit