Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 10-09(Ramazan)-1447 H 27-02-2026 D
Shejh Dr. Abdullah El Buajxhan
Tema Shfrytëzoni Ramazanin… dhe shpresoni për pranimin e tij
Vërtetë lavdërimet janë për Zotin, Atë e lavdërojmë dhe prej Tij ndihmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e udhëzon Allahu s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Përcolli mesazhi, përmbushi emanetin, këshilloi umetin dhe u përpoq në rrugë të Zotit me përpjekje të vërtetë deri sa i erdhi momenti i ndarjes nga kjo botë. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, mbi ata që i pasojnë në vepra të mire, për ata dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta deri në ditën e Kijamet.
Në vijim
Vërtetë fjala më e mirë është fjala e Zotit, Kurani, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, i biri i Abdullahut, i dërguari i Zotit. Çështjet më të këqija janë të shpikurat në fe, risitë, çdo shpikje, risi është devijim dhe çdo devijim e ka përfundimin në Zjarr, Xhehenem.
Adhurues të Zotit! Ju këshilloj që të kemi frikë Allahun, Zotin e Plotëfuqishëm, sepse ajo është porosia Allahut për të parët dhe të fundit. “Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush dhe juve: “Frikësojuni Allahut!” (En-Nisa’ 131)
Pastaj dijeni se bindja ndaj Zotit është përfitimi dhe fitorja më e mirë sikurse fitimi i kënaqësisë së Tij është fitorja dhe arritja më e mirë. Xheneti është rrethuar me të vështira ndërsa Zjarri i Xhehenemit është rrethuar me dëshira, kënaqësi. “Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet).”(Al ‘Imran 185)
O muslimanë! Vërtetë Zoti ju ka nderuar me arritjen e këtij muajit të bekuar, i cili është mundësi e madhe për atë që do të përmirësohet, korrigjohet, dhe fushë, arenë për përpjekje në pendim para fundit të jetës dhe kalimit të kohës. Frikësojuni Zotit në muajin e Ramazanit.
Madhërojeni këtë muaj me madhërim të vërtetë, agjërojeni atë me agjërim të vërtetë, mbrojeni atë nga çdo gjë që pakson shpërblimin e tij dhe shfrytëzoni orët dhe netët e tij.
Adhurues të Zotit! Ramazani është muaj madhështorë dhe sezon bujarë, vjen me begati dhe dhurata, mbushet plot me mirësi dhe bujari. Në këtë muaj njerëzit konkurojnë në bamirësi dhe garojnë në bindje ndaj Zotit. Portat e mëshirës në këtë muaj janë të hapura dhe shpërblimi në të është shumë fish. Ramazani është muaji i adhurimit dhe i pendesës, muaji i të afruarit për tek Zotit dhe i kthimit tek Ai, muaji i seriozitetit dhe i përpjekjeve, muaji i këmbënguljes dhe i të luftuarit me egon. Ramazani është muaji i pendimit dhe i kthimit, sinqeritetit dhe përulësisë, sexhet dhe përgjërimit për Zotin. Muaji i agjërimit dhe i qëndrimit në namaz, muaji i drejtësisë, bamirësisë dhe i leximit të Kuranit. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, përgëzonte shokët e tij me ardhjen e tij dhe thoshte: “ Ju ka ardhur Ramazani, muaji i bekuar, në të cilin Allahu i Plotëfuqishëm ju a ka bërë obligim agjërimin. Në të këtë muaj hapen portat e Xhenetit, mbyllen portat e Xhehenemit dhe lidhen me pranga shejtanët. Allahu në këtë muaj ka (veçuar) një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë.” Hadithin e ka transmetuar Nesaiu dhe Ahmedi.
O ju agjërues! Vërtetë ju jeni në ditë madhështore dhe kohë të mira prandaj mos i humbni ato por shfrytëzoni ato në atë që ju afron për tek Zoti. Shfrytëzoni ato në obligime, sunete dhe vullnetare në namaze, agjërim dhe lexim të Kuranit, në përkujtim, madhërim dhe njësim të Zotit, në lutje dhe në përshëndetje për të dërguarin e Allahut. Shfrytëzoni ato në pendesë dhe në kërkim falje tek Zoti, në dua, lutje dhe përgjërim tek Allahu i Vetëm i Gjithëpushtetshëm. Shfrytëzoni ato në lëmoshë, në ushqim për të varfërit dhe të ushqyerit e agjëruesve. Shfrytëzoni ato në mbajtjen e lidhjeve farefisnore dhe në vepra bamirësie.
Adhurues të Zotit! Rrugët për vepra të mira janë të shumta dhe portat e tyre janë të hapura. Prandaj, adhurues të Zotit, merrni nga çdo adhurim pjesën e tij, vlerësojeni këtë muaj me vlerën e tij që ai ka, madhërojeni atë sikurse Allahu e ka madhëruar dhe respektojeni, dhe shfrytëzojeni atë me bindjen ndaj Zotit të Plotëfuqishëm. Bëni kujdes që të mos ju kalojë prej tij asnjë moment në të cilit të mos ju shkruhet shpërblim dhe të mos ju ngrihet lartë në të përmendja e juaj. Bëni kujdes të mos bieni në neglizhencë sepse ajo është fatkeqësi që i bie njeriut duke e larguar atë nga e mira, ja humbën jetën e tij dhe ja shpërndan kohën e tij, ja humbën energjinë dhe ja vdes zemrën e tij. Sikurse ajo, neglizhenca, ja mbulon atij çdo të mirë të dëshiruar dhe e pengon atë nga çdo gjë e kërkuar. Nga Ibn Mes’udi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Në ditën e Gjykimit, nuk do të lëviz këmbë njeriu pa u pyetur rreth jetës së tij se ku e ka kaluar dhe rreth rinisë së tij se ku e ka shfrytëzuar.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.
Zoti ju mëshiroftë, nxitoni drejt bindjes ndaj Zotit, vraponi drejt veprave të mira dhe nxitoni të kryeni adhurime para se të mbarojë mundësia për vepra të mira. Sepse askush prej jush nuk e di nëse kjo mundësi do të përsëritet në një Ramazan të ardhshëm, apo nëse ka ende kohë të mbetur në jetën tuaj. Prandaj, nxitoni të kryeni vepra të mira dhe lërini veprat tuaja të flasin më shumë se fjalët. “…e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde.”(Ta Ha 84) “Kush i afrohet Zotit me sa një pëllëmbë dore, Zoti i afrohet me sa një krah, kush i afrohet Atij një krah, Ai i afrohet një pash, e kush i afrohet Atij duke ecur, Zoti i afrohet duke vrapuar.”
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “Prandaj përpiquni t’ia kaloni njëri-tjetrit, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe një kopsht të gjerë sa qielli dhe Toka, e që është përgatitur për ata që i kanë besuar Allahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është mirësia e Allahut, që Ai ia jep kujt të dojë; e Allahu ka mirësi të pafundme.” (El-Hadid 21)
Zoti na begatoftë të gjithëve me Kuranin Famëlartë, dhe na bëftë dobi të gjithëve me argumentat dhe me përkujtimin e tij të urtë.
Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju nga çdo gjynah, andja tek Ai kërkoni falje, sepse vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Allahun, i Cili na udhëzoi drejt besimit dhe me mirësinë e Tij na mundësoi të arrinim muajin e Ramazanit, përmes bindjes dhe përkujtimit të Tij Ai qetësoi vetminë, ashpërsinë e zemrave dhe shpirtrave tanë, Ai i Cili favorizoi kohë dhe stinë të caktuara, dhe i dalloi ato me akte të ndryshme përkushtimi dhe bindjeje.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, Ai meriton të Lavdërohet dhe të Madhërohet.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, mjaftohemi me të për udhëheqës dhe udhërrëfyes. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, për ata lutemi dhe dërgojmë përshëndetje të shumta.
O ju njerëz! Veprat e mira janë mjet për t’iu afruar Zotit, prandaj përpiquni që ato të pranohen aq sa përpiqeni t’i kryeni. Sa vepra janë kanë shkuar bosh dhe sa përpjekje janë humbur! “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit.”(El-Ma’ide 27)
Nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ajo ka thënë: “ E kam pyetur të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, rreth ajetit: “ dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” (El-Mu’minun 60), dhe i kam thënë: “A janë ata të cilët pinë alkool dhe vjedhin?” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Jo, o bija e të sinqertit, Ebu Bekrit, por ata janë që agjërojnë, falen dhe japin lëmoshë, dhe kanë frikë se nuk do pranohet prej tyre.” Hadithin e ka tranmsetuar Tirmidhiu.
Adhurues të Zotit! Pranimi i veprave arrihet vetëm përmes kryerjes së tyre në mënyrën e duhur dhe në zbatimit të sunetit. Nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush bën një vepër që nuk është në përputhje me urdhrin, rrugën tonë, ajo është e refuzuar.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
Bëni kujdes dhe frikësojuni Zoti në veprimet tuaja. Vërtetë Zoti nuk shikon pamjen tuaj të jashtme apo trupat tuaj, por Ai shikon në zemrat dhe veprat tuaja. Sa agjërues nuk fitojnë asgjë nga agjërimi i tyre përveç etjes, urisë dhe lodhjes, sa njerëz qëndrojnë në namaz dhe nuk fitojnë asgjë nga qëndrimi i tyre përveç pagjumësisë dhe lodhjes.
Adhurues të Zotit! Nga shenjat e pranimit të veprave janë ndryshimi i rrethanave për mirë, qëndrueshmëria në veprat e mira dhe pendimi tek Zoti i Plotfuqishëm. Pra, tregoni mirësi ndaj Zotit nga vetja juaj dhe jepini Allahut një hua të mirë (që Ai t’jua kthejë shumëfish). “Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer. Kërkoni faljen e Allahut, sepse Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.”( El-Muzzemmil 20)
O Zot, na udhëzo drejt asaj që Ti e do dhe me të cilën je i kënaqur dhe prano veprat tona. Na bëj prej atyre që dëgjojnë fjalën dhe ndjekin më të mirën e saj, ata janë që Allahu i ka udhëzuar dhe ata janë njerëzit e mençur. O Zot, na angazho në bindje ndaj Teje, na jep sukses në shfrytëzimin e kohës sonë në adhurimin Tënd, bekona në jetën tonë, na jep shëndet dhe mirëqenie, o Zot i botëve.
O Zot, Ti je Falës e do faljen, na fal ne. O Zot, na i fal gjynahet dhe mangësitë tona, fshih të metat dhe gabimet tona, lehtëso shqetësimet tona dhe lehtëso vuajtjet tona, na mbro me kujdesin dhe mbrojtjen Tënd, o Zot i Botëve.
O Zot, na e bëj të dashur besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona, bëj të urryer për ne mohimin, shthurjen dhe mosbindjen, dhe na bëj nga të udhëzuarit në rrugë të drejtë.
O Zot, o Kontrolluesi i zemrave mbaji zemrat tona të palëkundura në fenë Tënde. O Zot, Ti që i drejton zemrat, drejto zemrat tona drejt bindjes Tënde.
“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i madh!” (Al ‘Imran 8)
O Zot, na fal ne, prindërit tanë dhe të gjithë besimtarët dhe besimtaret. O Zot, shëro të sëmurët tanë, jepu lehtësim të pikëlluarve dhe mëshiro të vdekurit tanë, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, ndihmo robërit e Tu besimtarë, që të Njësojnë Ty.
O Zot, bëje të paqtë, qetë dhe të sigurt këtë vend dhe të gjitha vendet muslimane.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona.
O Zot, jepi sukses nga suksesi Yt kujdestarit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, mbështete atë me mbështetjen Tënde dhe lartëso me të fenë Tënde. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, o Ti që i dëgjon lutjet.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin tonë, Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.
Afrim Smakaj