Porosia për devotshmëri porosia më e mirë

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme       29-12-1445 H     05-07-2024 D 

Shejh Ahmed Bin Talib Hamid

Tema Porosia për devotshmëri porosia më e mirë

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin  Madhërim dhe Nderim  për Të, falënderimet janë për Zotin mirënjohje dhe veçim për Të.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, besim dhe monoteizëm,  Njësim i Tij.   

Dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Zotit, nderim, respekt dhe përulësi. O Zot, fale dhe mëshiroje zotërinë tonë Muhamedin dhe familjen e tij, atyre ju dërgojmë përshëndetje të shumta.

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën.”(El-Ahzab70)

Dijeni se Allahu i Madhërishëm ju ka dhënë këshilla sublime dhe të bukura,  ju ka përcjellë udhëzimet tuaja në përgjithësi dhe në detaje, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ E Allahut është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush dhe juve: “Frikësojuni Allahut! Nëse mohoni, dijeni se Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për çdo lavdërim”. Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu është Mbrojtësi juaj i mjaftueshëm. Nëse do, Ai ju dëbon ju or njerëz dhe sjell të tjerë. Allahu ka fuqi ta bëjë këtë. Kush dëshiron shpërblimin e kësaj bote, (le ta dijë se) tek Allahu janë shpërblimi i kësaj dhe i botës tjetër. Allahu dëgjon dhe vështron çdo gjë.” (En-Nisa’ 131-134) Ibn Mes’udi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ Kush dëshiron të shikojë porosinë e Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, në të cilën është vula e tij, le të lexojë fjalën e Allahut të Madhërishëm: “ Thuaju: “Ejani t’ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Allahu: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); që të silleni mirë me prindërit; që të mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata; që të mos i afroheni veprave të turpshme, qofshin ato të hapëta apo të fshehta dhe që të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji). Këto ju porosit Ai, me qëllim që të kuptoni.”. Dhe mos iu qasni pasurisë së jetimit, përveçse për ta rregulluar, derisa të mbërrijë pjekurinë! Kryejeni drejt matjen dhe peshimin; Ne nuk ngarkojmë askënd përtej mundësisë së tij! Kur të flisni, thoni të vërtetën, qoftë edhe për të afërmit tuaj! Plotësojani besën e dhënë Allahut! Këto ju porosit Ai që të mos harroni. Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.” (El-En’am 151-153)

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!” (El-Bekare 197) Njerëzit e mençur janë ata që marrin parasysh, në konsideratë porositë e Zotit të qiellit dhe ato që lajmëruan për Atë të dërguarit e Tij. Jahja i biri i Zekeriajas, paqja e Zotit qoftë mbi ata të dy, ka ligjëruar para Beni Israilëve, ku është mbushur xhamia, vendfalja, sa janë ulur në shkallë dhe ka thënë: “ Vërtetë Allahu më ka urdhëruar me pesë urdhëresa me të cilat duhet të punoj dhe të ju urdhëroj ju që të punoni me to; E para e tyre që të adhuroni Allahun dhe të mos i bëni shok Atij diçka në adhurim. Shembulli i atij që i bën shok Zotit në adhurim është sikur shembulli i një njeriut që blenë një rob, skllav, me flori, argjend apo para të tjera të tij, e pastaj i thotë:  Kjo është shtëpia ime dhe kjo është puna ime, prandaj kujdesu, puno dhe ma sill mua përfitimin. Por ai punonte dhe i jepte fitimet dikujt tjetër përveç zotërisë, pronari të tij. Kush nga ju do të pranonte që robi i tij të ishte i tillë? Allahu ju ka urdhëruar me namaz. Kur të faleni mos u ktheni anash sepse vërtetë Allahu e vë fytyrën e Tij drejt fytyrës së robit Të tij kur ai falet përderisa sa ai nuk kthehet anash. Zoti ju ka urdhëruar me agjërim. Vërtetë shembulli i agjërimit është sikur shembulli i një njeriu që është bashkë me njerëz në një kuvend dhe me vete ka një qese me Misk, aromë të mirë. Ku të gjithë kënaqen dhe mrekullohen me aroma e tij. Ndërsa aroma e agjëruesit tek Allahu është më e mirë se aroma e Miskut, aromës së mirë. Zoti ju ka urdhëruar që të jepni sadaka, lëmoshë. Shembulli i atij që jep sadaka është sikur shembulli i dikujt që e ka kapur rob armiku, ia kanë lidhur duart për qafe dhe bëhen gati t’ia presin qafen, dhe ai thotë: Unë e paguaj qafën, jetën time, me pak ose dhe me shumë, sa të doni (me sa te doni pasuri), ia arriti ta çliroje veten e tyre prej tyre. Ju ka urdhëruar që të përmendni, t’i bëni  dhikër Allahut,  sa më shumë. Vërtetë shembulli i atij që e përmend Allahun është sikur shembulli i dikujt pas gjurmëve të të cilit kane dal armiqtë  me të shpejte, deri sa arriti të futet në një kështjellë të fortë dhe mbrojti veten nga ata. Ashtu është  dhe puna e robit, nuk e mbron veten dot nga shejtani vetëm se me Dhikrin, përmendjen e Allahut.” Pastaj profeti dhe i dërguari ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Dhe unë ju urdhëroj me pesë gjëra me të cilat Allahu më ka urdhëruar me to; Dëgjoni, binduni, Xhihad, Hixhret dhe xhemati, bashkësia muslimane,  sepse kush largohet nga xhemati qoftë edhe një pëllëmbë e ka larguar qaforen e Islamit nga qafa e tij, derisa të kthehet. E kush thërret me thirrje të Xhahilijetit, kohës së injorancës, do të jetë nga prushi, qymyri i Xhehenemit.” Një burrë ka thënë: “ O i dërguari i Allahut, dhe nëse falën namaz dhe agjëron?” Ai ka thënë: Dhe nëse falën namaz dhe agjëron. Kështu thirreni veten me çfarë Allahu ju ka thirrur juve, muslimanë, besimtarë, adhurues të Zotit.”

LEXO  Pastrimi i shpirtit dhe përmirësimi i tij

Ndërsa Nuhu, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka këshilluar dhe udhëzuar djalin e tij duke i thënë: “Unë të udhëzoj me një porosi të shkurtër që të mos e harrosh, të porosis për dy gjëra dhe të ndaloj nga dy gjëra; Ato të dyja me të cilat të porosis,  Zoti përgëzon me to ty dhe njerëzit e mirë të Tij, e ato të dyja e shtojnë të afruarit për tek Allahu i Madhërishëm. Të porosis me fjalën  La Ilahe Il-la Allah, S’ka Zot tjetër përveç Allahut. Sepse vërtetë qiejt dhe toka sikur të ishin të lidhura do ti kishte ndarë, dhe sikur të ishin në peshore do ti peshonte ato, do të ishte më e rëndë se ato. Të porosis me fjalën Subhan Allahi Ve Bi Hamdihi, Madhërimi dhe Lavdërimi është për Allahun. Sepse ato janë lutjet e njeriut dhe me ato furnizohen krijesat, njerëzit. “ Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata. Ai, me të vërtetë, është i Butë dhe Falës.” (El -Isra’ 44) Ndërsa ato të dy gjërat nga të cilat të ndaloj, Zoti do t’ju ruajë prej tyre ju dhe njerëzit e mirë të Tij:Ttë ndaloj nga politeizmi dhe mendjemadhësia.”

Zoti na begatoftë me Kuranin Famëlartë, dhe na bëftë dobi nga argumentat dhe urtësitë e tij. Zotit  i kërkoj falje për vete dhe ju,  tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, të Lartësuarin Fuqiplotin.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Mbrojtësin dhe Ndihmuesin.

LEXO  Mësime dhe dobi nga Hixhreti dhe Ashura

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, pishtari ndriçues. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin, deri në ditën e Fundit. “O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe.” (El-Enfal 29) 

Adhurues të Zotit! Dijeni se agjërimi më i mirë pas muajit të Ramazanit është agjërimi në muajin e shenjtë të Zotit, Muharrem. Në këtë muaj është dhe dita e dhjetë e tij, ditë në të cilën Allahu shpëtoi të dërguarin e Tij, Musain, paqja e Zotit qoftë mbi të, me popullin e tij nga Faraoni dhe ushtarët e tij. Prandaj këtë ditë e ka agjëruar i dërguari ynë, Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, sepse ai është më i afërt me Musain se jehudët, dhe ka nxitur në agjërimin e kësaj dite duke thënë: “ Shpresoj tek Zoti që agjërimi i kësaj ditë të shlyejë gjynahet e vitit para saj.” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka vendosur të agjërojë ditën e nëntë të këtij muaji nëse Zoti do ti jepte afat, jetë, por Allahu e mori atë pranë Vetes pa e arritur këtë.

Në vijim

Vërtetë Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka përmendur të dërguarin e Tij, Nuhun, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe ka thënë: “ Paqja qoftë me Nuhun ndërmjet gjithë krijesave!” (Es-Saffat 79) Zoti përmendi dy vëllezërit fisnik, Musain dhe mëkëmbësi i tij, paqja qoftë mbi ta, dhe ka thënë: “Paqja qoftë mbi Musain dhe Harunin!” (Es-Saffat 120) Ka përmendur Jahjan, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe ka thënë: “Paqja qoftë mbi të ditën kur ka lindur, ditën kur të vdesë dhe në ditën kur do të ringjallet.” (Merjem 15) I dha shpirtin dhe fjalën e tij Isait, paqja e Zotit qoftë mbi të, që në djep duke thënë: “ Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem 33) Ndërsa kur ka përmendur robin, mikun, të dashurin, shpëtimtarin dhe mëshirën e Tij, të dërguarin tonë, Muhamedin, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, filloi me Veten e Tij të Lartësuar, e vazhdoi me Melaiket në qiell, dhe e pasoi me ndjekësit e besimit nga njerëzit, lajmëroi dhe urdhëroi, pohoi dhe zbuloi, madhëroi dhe lartësoi, dhe zbukuroi qëllimin me artin e të folurit dhe ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

LEXO  Përkujtimi i mirësive të Zotit dhe falënderimi i Tij për ato

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin. O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin tonë, Muhamedin, familjen, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e mëshirove familjen e Ibrahimit.

O Zot, bekoje zotërinë tonë, Muhamedin, familjen, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij siç e bekove familjen e Ibrahimit, lutje dhe përshëndetje të shumta deri në ditën e Kijametit. Lutje sa numri i krijesave Tua, kënaqësia e Vetes Tënde, pesha e Arshit Tënd dhe numri i fjalëve Tua, dhe sikurse Ti do për të dashurin dhe mikun Tënd dhe familjen e tij. Lutje me të cilën Ti je i kënaqur dhe e kënaqën atë, dhe me të cilën je  i kënaqur ndaj nesh, o Zoti i botëve.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me halifet e drejtë, udhëheqësit e udhëzuar, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabiinët dhe me të gjithë ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur dhe me ne së bashku me ata me Mëshirën, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro  idhujtarinë dhe idhujtarët, shkatërro armiqtë e umetit tonë dhe  fesë.

O Zot, jepi paqe dhe siguri, begati dhe mirësi këtij vendi dhe të gjitha vendeve  muslimane.

O Zot, na jep siguri ne vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, bëj që udhëheqja e muslimanëve të jetë në dorë të atyre që të frikësohen, të binden dhe kërkojnë kënaqësinë Tënde, o Zoti i Botëve.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarin e dy xhamive të shenjta,  në udhëzimin Tënd, bëj veprat e tij të meritojnë kënaqësinë Tënde. O Zot,  furnizoje atë me mbështetë të mirë dhe këshillues të cilët e drejtojë në të mirë dhe e ndihmojnë në të.

O Zot, jepu sukses, zëvendësit të tij, mbështetësve dhe vëllezërve të tyre, o Zoti i Botëve.  

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

O Zot, të lutemi ndihmo vëllezërit tonë muslimanë të dobët dhe të shtypur në Palestinë. O Zot, ndihmoi ata përballë armiqve Tu dhe armiqve të tyre. O Zot, të lutemi të jesh mbështetës, përkrahës dhe ndihmues  i tyre, o Zoti i botëve. O Zot, zbritu atyre nga begatitë e qiellit dhe jepu atyre nga begatitë e tokës. O Zot, forco këmbët e tyre dhe drejto goditjet e tyre, o i Fortë, o i Gjithëfuqishëm. O Zot, ndihmo të gjithë muslimanët në çdo vend, o Zoti i botëve.

“O Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona dhe teprimin në punën tonë, na i forco këmbët tona dhe na ndihmo kundër popullit jobesimtar!”

“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i madh!” ( Al ‘Imran 8)

“Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!” (El-Bekare 286)

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun, Ai ju kujton ju, Falënderojeni për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/457231017196166

Post Author: endrit