Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 11-08-1447 H 30-01-2026 D
Shejh Bander Ibn Abdul Aziz Balejla
Tema Këshilla e mirë: Etiketa e saj dhe efekti i saj në zemra
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin ka bërë këshillën pastrim për zemrat dhe dritë për rrugët. Zotin e Madhërishëm e lavdërojmë dhe e falënderojmë, Falësin e gjynaheve dhe Mbuluesin e të metave.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, dëshmi që është, strehë e çdo personi të pikëlluar dhe siguri e çdo personi të tmerruar.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij, Zoti i tij e dërgoi atë para Kijametit mëshirë për popujt. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, njerëzit e pendimit të vazhdueshëm, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi me lindjen e diellit dhe perëndimin e tij.
Në vijim
O ju njerëz! Këshilloj ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit. Zoti ju mëshiroftë, kini frikë Zotin dhe kapuni fort pas litarit dhe lidhjes së Tij, në mënyrë që të jeni të lumtur në këtë botë dhe në Ditën e Gjykimit.
Adhurues të Zotit! Shpirti ka uljet dhe ngritjet e tij, ardhjet dhe ikjet e tij, e shërimi i tij është në Librin e Zotit dhe sunetin e të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Në to është udhëzimi dhe drita, dhe përmes tyre është arritja e suksesit në Ditën e Ringjalljes. Ato janë bekimi më i madh dhe favori më bujar që Zoti u ka dhuruar robërve të Tij. Zoti i Lartësuar ka thënë: “O njerëz! Ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët. Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.”(Junus 57-58)
Këshillimi, porosia është nga atributet, cilësitë aktive të Zotit të Lartësuarit, të cilën Vetë Zoti i Lartësuar e ka ndërmarrë, Ai ka thënë: “ Kujtoni begatitë që ju ka dhënë Ai, si dhe Librin (Kuranin) dhe diturinë e hollësishme, që jua ka zbritur për t’ju këshilluar. Kini frikë Allahun dhe ta dini se Allahu është i Dijshëm për çdo gjë!” (El-Bekare 231) Zoti i Lartësuar ka thënë: “ Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.”(En-Nahl 90) Zoti i Plotfuqishëm dhe i Lartësuar urdhëroi profetin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qofzë mbi të, që të këshillonte popullin e tij dhe ka thënë: “ Këta janë ata për të cilët Allahu e di se ç’kanë në zemrat e tyre. Largohu prej tyre, këshilloji dhe thuaju fjalë që i prekin në zemër.” (En-Nisa’ 63)
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e përmbushi vetë këtë urdhër, andaj dhe u bë një nga detyrat më të rëndësishme dhe nga adhurimet më të mëdha të përkushtimit ndaj Zotit të tokës dhe të qiejve. Këshilla e mirë është traditë e të parëve dhe praktikë e njerëzve të drejtë, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen. “(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.” (Lukman 13) Këshillat më të mira, më sublime, më të dobishme dhe më me ndikim nga të gjitha është Libri i Zotit të Lartësuar, Kurani, nëpërmjet të cilit marrin jetë zemrat dhe trupat, dhe me të ushqehen shpirtrat dhe ndërgjegjet e njerëzve. “Dhe ashtu (siç u kemi dërguar Shpallje profetëve të mëparshëm), të kemi dërguar edhe ty (Muhamed) Shpallje me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (Kuranin), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë. Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë, (në) rrugën e Allahut, të Cilit i përket gjithçka që ndodhet në qiej dhe gjithçka që ndodhet në Tokë. Dhe vërtet, tek Allahu kthehen të gjitha çështjet!”(Esh-Shura 52-53)
Kush nuk këshillohet me Librin e Zotit, Kuranin, ai është i vdekur dhe i humbur në errësirën e mashtrimit, dhe nëse ecën në këtë tokë duke u përpjekur në të. “A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?! Kësisoj, jobesimtarëve u duken të bukura veprat që bëjnë.”(El-En’am 122)
Adhurues të Zotit! Këshillimi dhe përkujtimi janë diçka pa të cilat askush nuk mund të bëjë, sepse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, veçoi më të krijesat më të nderuara pas profetëve dhe të dërguarve, mbi ta qofshin lutjet më të mira dhe paqja më e pastër, brezat më të mirë dhe më të mirët e të gjitha kohërave, shokët e tij, Zoti qoftë i kënaqur me ta. Deri sa prej tyre, këshillave, sytë e tyre mbushenin me lot dhe zemrat e tyre dridheshin nga frika. Në të vërtetë, të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, sytë e tij i pikonin lot nga ajo që gjente në Librin e Zotit nga këshillat, përkujtimi, ndikimi dhe mësimi. Transmetohet se Abdullah Ibn Mesu’di, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i ka thënë: “ Lexo, recito për mua Kuran.” Unë kam thënë: “A të ju recitoj, lexoj Kuran, kur ai të është shpallur ty?” Ai më ka thënë: “Unë preferoj ta dëgjoj nga dikush tjetër.” Kështu që i lexova atij nga Sureja Nisa’ derisa arrita në ajetin: “ Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?!”(En-Nisa’ 41) Ai tha, “ Ndalo,” dhe sytë e tij filluan të mbusheshin me lot. Muttefikun Alejhi.
O ju muslimanë! Kini frikë Zotin dhe kujdesuni për shpirtrat tuaj, për zemrat tuaja, për vëllezërit dhe për të dashurit tuaj dhe për ata që kanë të drejtë mbi ju, me këshilla dhe përkujtim. Zemrat ndryshken siç ndryshket hekuri, e pastrimi, mbrojtja e tyre është në Librin e Zotit, të Lartësuarit dhe të Madhërishëm.
Zotit i kërkoj falje për veten, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, lavdërime të shumta, të pastra dhe të bekuara, ashtu siç Zoti ynë do dhe është i kënaqur me to.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Ai di sekretet dhe bisedat që ne pëshpëritim.
Dëshmoj se Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij, kush kapet pas sunetit të tij është udhëzuar drejtë një lidhjeje të fortë. Paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, njerëzit e devotshmërisë dhe frikës ndaj Zotit.
Në vijim
Dijeni se këshilla është vërtet e dobishme dhe përfitohet me të vërtetë prej saj vetëm nga ata që i drejtohen Zotit me zemrat e tyre dhe kërkojnë udhëzim nga libri i Tij, Kurani, Zoti i Plotëfuishëm thotë: “Prandaj këshillo me Kuranin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim!”(Kaf 45)
Ky është qëllimi i çdo dijetari dhe synimi i çdo reformatori. E gjithë kjo në përputhje me metodologjinë e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe shokëve të tij fisnikë, me dituri, mençuri dhe këshilla të mira. “Thuaj: “Kjo është rruga ime: të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë, unë dhe çdokush që më pason mua. I përlëvduar qoftë Allahu; unë nuk jam prej idhujtarëve!”( Jusuf 108) Me thjeshtësi dhe shkurt, koncizitet, në mënyrë që njerëzit të mos mërziten dhe të mos bezdisen, që të mos arrihet e kundërta e qëllimit të Sheriatit, legjislacionit Islam, e kjo është diçka nga e cila Sheriati është shumë larg. Nga Abdullah Ibn Mesu’di, Zoti qoftë i kënaqur me të, është transmetuar se: “Profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na mbante këshilla në ditë të caktuara, në mënyrë që të mos bëhet i mërzitshëm për ne.” Muttefikun Alejhi.
Adhurues të Zotit! Lutuni dhe dërgoni përshëndetje për më të mirin e krijesave të Zotit, sikurse Zoti juaj ju ka urdhëruar për këtë, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë, Muhamedin. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me të gjithë shokët e tij, me tabi’inët dhe ata që i pasojnë me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
O Zot, lehtëso shqetësimin e të pikëlluarve në mesin e muslimanëve, lehtëso vuajtjet e të munduarve, mundëso shlyerjen e borxheve atyre që kanë borxh, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën, me sukses dhe vendosmëri udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta. O Zot, zgjat jetën e tij me shëndet të mirë, në mirësi dhe begati të shtuar. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij besnik, në atë që është në dobi të vendit dhe popullit, dhe në lavdi të Islamit dhe muslimanëve.
O Zot, ruaj ushtarët tanë që vigjilojnë në kufi. O Zot, ruaj ata me syrin Tënd që nuk fle dhe mbroji ata me forcën Tënde që nuk pakësohet, o më i Madhi dhe më Bujari.
O Zot, të lutemi të jesh me vëllezërit tanë të dobët në çdo vend ndihmës dhe përkrahës, mbështetës dhe mbrojtës i tyre. O Zot, të lutemi të jesh me ata në Palestinë dhe në çdo vend që ata janë, o Zoti i botëve. O Zot, zëvendëso dobësinë e tyre me forcë, frikën e tyre me siguri, paqe, dhe mjerimin e tyre me lehtësi dhe begati, bashko fjalën e tyre mbi të vërtetën dhe udhëzimin, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, kë do që ka ndërmend të bëjë keq kundër nesh dhe vendit tonë, tokës së dy xhamive të shenjta, dhe të gjitha tokave të muslimanëve, merre me veten e tij, kthe komplotin e tij kundër tij dhe shkatërrimi i tij le të jetë në planet e tij, o i Plotfuqishëm dhe i Lartësuar.
O Zot, bëje Kuranin e Madhërishëm burim të zemrave tona, dritën e gjokseve tanë dhe larguesin e shqetësimeve dhe hidhërimeve tona. O Zot, na mëso prej tij atë që nuk e dimë, na kujto atë që kemi harruar dhe na jep mundësinë ta lexojmë atë natën dhe ditën në atë mënyrë që Ti të jesh i kënaq me ne, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj