Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 12-05-1448 H 23-10-2026 D
Shejh Salih Ibn Abdullah Ibn Humejd
Tema Ëmbëlsia e besimit dhe qetësia shpirtërore e kënaqësisë me caktimin e Zotit
Lavdërimet janë për Zotin, Krijuesi i të gjitha krijesave dhe regjistruesi i tyre, Drejtuesi trupave qiellorë dhe Ai që i vë në lëvizje. I Lartësuar dhe i Madhëruar është Ai në lartësinë dhe fuqinë e Tij, i Vetëm në pushtetin dhe forcën e Tij. Zotin e Madhëruar e lavdëroj për mëshirën e Tij të gjerë dhe Atë e falënderoj për mirësitë e Tij të shumta.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, i pa shok, në Emrat dhe Cilësitë e Tij, në Sundimin dhe në Hyjninë e Tij.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Zoti e nderoi me mesazhin e Tij dhe e zgjodhi me profetësinë e Tij. Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, mbi tabi’inët dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë në mirësi, lutje dhe përshëndetje të shumta, të panumërta dhe të vazhdueshme.
Në vijim
O ju njerëz! Këshilloj ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit. Kini frikë Zotin, Allahu ju mëshiroftë! Bëhuni të sinqertë me Zotin që të shpëtoni, zbatoni sunetin e profetit tuaj, Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që të udhëzoheni dhe nxitoni drejt veprave të mira që të fitoni.
Kush është në një mirësi dhe nuk e falënderon Zotin për të mund të dali prej saj pa e kuptuar. Vdekja do t’ju përfshijë të gjithëve, varret do t’ju mbajnë brenda tyre, Kijameti do t’ju mbledhë dhe Zoti do të gjykojë mes jush. “…andaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni te Allahu…” (El-Ma’ide 48)
O ju muslimanë! Ai që i vëzhgon me kujdes çështjet e jetës dhe gjendjet e njerëzve, vëren se disa njerëz jetojnë në mirëqenie dhe begati të shumta. Ata janë të kënaqur me veten, sillen mirë me të tjerët, kanë zemër të mirë, shpirt të pastër dhe fytyrë të çelur, qeshur. Pastaj, po ky vëzhgues shikon një grup tjetër njerëzish të cilët përjetojnë lloje të ndryshme mundimi dhe vuajtjeje. Shpirtrat e tyre janë të mbushur me pakënaqësi dhe ankesa. Shqetësim dhe mjerim që tronditën sigurinë dhe qetësinë e tyre, largon rehatinë dhe lumturinë, ndërsa kënaqësia dhe paqja e brendshme zhduken prej tyre. Shpirtra njerëzorë të zhytur në urrejtje, armiqësi, pesimizëm dhe egoizëm.
Çfarë i ka larguar këto dy grupe nga njëri-tjetri? Çfarë i ka bërë kaq të ndryshëm?
O adhurues të Zotit! Ai është besimi dhe ëmbëlsia e besimit! Zoti ju ruajt! Ëmbëlsia e besimit është ëmbëlsi e brendshme që buron nga shpirti i kënaqur dhe zemra e qetë, e cila përhapet në shpirt ashtu siç përhapet uji në trungun e pemës dhe rrjedh nëpër të ashtu siç rrjedh gjaku nëpër damarë. Ai shpirt njerëzor, nuk ka pagjumësi, as ankth, as ngushtësi dhe as shqetësim, por ka gjerësi shpirtërore, mëshirë, kënaqësi dhe mirësi. “Ajo është mirësia e Allahut, që Ai ia jep kujt të dojë; e Allahu ka mirësi të pafundme.” (El-Hadid 21) “Kjo dhunti është nga Allahu, e mjafton që Allahu e di çdo gjë.” (En-Nisa’ 70)
Besimi në Zot është qetësi për shpirtin dhe udhëzim për zemrën. Besimi është dritë për ata që ecin në rrugën e drejtë, shpresë për të dëshpëruarit, siguri për të frikësuarit, ndihmë për luftëtarët në rrugën e Zotit, përgëzim për të devotshmit dhe dhuratë për ata që janë privuar, nga mirësitë. Besimi është babai i shpresës, vëllai i guximit dhe shoqëruesi i optimizmit. Ai është vetëbesim, lavdia e umetit dhe shpirti i popujve.
O ju muslimanë! Mënyra e parë për të arritur ëmbëlsinë e besimit dhe shijen e lumturisë të jemi të kënaqur me Allahun të Plotëfuqishmin dhe të Bekuarin si Zot dhe Sundues i të gjitha çështjeve. Ai kujdeset për çdo shpirt sipas asaj që ka fituar me veprat e veta. Ai është Mëshiruesi dhe Mëshirëbërësi i kësaj bote dhe i botës Tjetër, Ahiretit, Mbajtësi i qiejve dhe i Tokës, Krijuesi i vdekjes, i jetës dhe i të gjitha botëve. Ai është plotësuesi i mirësive të Tij, i përgjigjet lutjes së nevojtarit dhe largon fatkeqësitë. “…Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar”..” (Ta Ha 50) Zoti e krijoi njeriun në formën më të bukur, i fryu atij nga shpirti që krijoi, e ushqeu kur ishte i uritur, e veshi kur ishte i zhveshur, i dha siguri kur ishte i frikësuar, e udhëzoi pasi ishte në humbje dhe e mësoi atë pas injorancës, kur nuk dinte.
O vëllezër! Shija e dytë e ëmbëlsisë së besimit është të jemi të kënaqur me Islamin fe. Islami është feja që vjen nga Zoti, të cilën ja shpalli të dërguarit të Tij, e zgjodhi për robërit e Tij dhe që nuk pranon fe tjetër përveç saja, Islamit. “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami.” (Al ‘Imran 19) “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.” (Al ‘Imran 85)
Dëgjoni këtë shembull të mrekullueshëm të kënaqësisë me fenë e Zotit!
Omer Ibn El Hatabi, Zoti qoftë i kënaqur me të, një herë u zemërua me bashkëshorten e tij, Atiken, dhe i tha: “Pasha Zotin, do të të bëj të vuash!” Ajo iu përgjigj: “A mund të më largosh nga Islami, pasi që Allahu më ka udhëzuar drejt tij?” Ai tha: “Jo.” Atëherë ajo i tha: “Atëherë, çfarë mund të më bëjë të vuajë?” Zoti është më i Madhi! Ajo ishte e sigurt dhe e qetë, e kënaqur dhe e patundur, përderisa feja e saj ishte e ruajtur. Edhe sikur sprovat të binin mbi të njëra pas tjetrës, kjo nuk do ta largonte nga besimi i saj. Madje, sakrifikimi i jetës në rrugën e Zotit është një nder i madh, pavarësisht se si mund të ndodhë vdekja për hir të Tij. Islami është burim i kënaqësisë dhe i dritës, burim i lumturisë dhe i udhëzimit.
O ju muslimanë!
Shija e tretë e ëmbëlsisë së besimit të jemi të kënaqur me Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, të dërguar dhe profet. Muhamedi, këshilluesi besnik, mëshira e dhuruar për njerëzimin dhe shembulli më i mirë për t’u ndjekur, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Askush nuk duhet të vendoset përpara bindjes ndaj tij dhe askush nuk duhet të parapëlqehet mbi gjykimin e tij. “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.” (En-Nisa’ 65)
Të jemi të kënaqur me Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, do të thotë ta ndjekim udhëzimin e tij, ta marrim atë si shembull, të ndriçohemi me sunetin e tij dhe të veprojmë sipas tij.
O vëllezër të dashur për hir të Zotit! Kush shijon ëmbëlsinë e besimit, jeta i bëhet e mirë dhe ai e njeh rrugën e vet. Kush e njeh rrugën e tij, ecën me vetëdije dhe bindje të qartë. E kush ecën me bindje të qartë, arrin kënaqësinë dhe përmbushjen e synimit. Ëmbëlsia e besimit mbush zemrat me kënaqësi ndaj caktimit të Zotit në jetë, duke sjell qetësi përballë asaj që ndodh me caktimin e Tij. Kënaqësi që vendoset në zemrën e besimtarit, i cili e përballon jetën me qetësi, rehati dhe lumturi, pavarësisht se si ndryshojnë rrethanat dhe si ndërrohen gjendjet.
Ai nuk pikëllohet për atë që i ka kaluar dhe nuk gëzohet me mendjemadhësi për atë që ka fituar. Rrethanat e jetës dhe sprovat e saj nuk ia turbullojnë pastërtinë shpirtërore dhe as nuk ia lëkundin durimin. “Çështja e besimtarit është e habitshme. Në fakt e gjithë çështja e tij është mirësi. Nëse i vjen një e mirë, ai falënderon dhe kjo është mirë për të. Nëse e godet një e keqe, ai duron dhe kështu është mirë për të. Kjo i ndodh vetëm besimtarit.”
Nëpërmjet besimit të palëkundur, besimtari çlirohet nga frika, ankthi, paniku dhe padurimi. “Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!” (Et-Teube 51)
Askush nuk mund ta pengojë atë që Zoti ynë e ka dhënë, askush nuk mund ta japë atë që Ai e ka ndaluar dhe askush që është i pasur nuk do të përfitojë nga pasuria e tij.
Në vijim
Zoti ju ruajt! Besimtarit kur i jepet diçka, ai e pranon dhe falënderon, kur i mohohet, privohet nga diçka, ai kënaqet me caktimin e Zotit dhe duron, kur urdhërohet, nxiton të bindet, kur ndalohet nga diçka, largohet menjëherë prej saj, e kur bën ndonjë gjynah, pendohet dhe kërkon faljen e Zotit. “Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” (El-Bekare 157) “Allahu ka skalitur besimin në zemrat e tyre dhe i ka fuqizuar ata me Shpalljen e Vet.” (El-Muxhadile 22) “…kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim.” (Ta Ha 123) “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (En-Nahl 97)
Zoti na bëftë dobi të gjithëve me udhëzim nga Libri i Tij, Kurani i Madhërishëm, dhe nga suneti i të dërguarit të Tij, Muhamedit, paqja dhe mëshira Zotit qoftë mbi të.
Zotit i kërkoj falje për vete, ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, Zotit kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, me mirësinë e të Cilit udhëzohen të udhëzuarit, me drejtësinë e të Cilit humbin të devijuarit dhe gjykimit të Tij i nënshtrohen të gjitha krijesat. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe Atë e falënderoj: “Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!” – dhe ajo bëhet.” (Ja Sin 82)
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. “Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten.” (El-Enbija’ 23)
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, me të cilin u vulosën profetët dhe të dërguarit. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, të cilët ishin pararendësit dhe shembujt tanë, mbi tabi’inët dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë në mirësi, lutje dhe përshëndetje të shumta, të panumërta dhe të vazhdueshme deri në ditën kur të ringjallemi.
Në vijim
O ju muslimanë! Ai, të cilit i është dobësuar besimi, ankohet me zë të lartë kur e godet sprova, sepse nuk e njeh Atë që e sprovon, i frikësohet udhëtimit, sepse nuk ka përgatitur furnizimin e nevojshëm, dhe e humb rrugën, sepse nuk ka udhërrëfyes me vete. Sa të humbur janë ata që ndihen të vetmuar dhe të pasigurt! “Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu!” (Ez-Zumer 22)
Kush e humb besimin, atij i shthuren punët dhe i prishet lidhja. Ai flet dhe vepron pa e ndier se dikush e mbikëqyr, ecën në jetë pa dhënë llogari. Sjellja e tij karakterizohet nga egoizmi dhe interesat personale. Ai nuk ka besim as në veten e tij dhe as te njerëzit. Në vend të mëshirës, tek ai mbizotëron largimi dhe armiqësia; në vend të bashkëpunimit, përçarja.
Pa besimin dhe ëmbëlsinë e tij, njerëzit shndërrohen në egërsira të pamëshirshme. Ata shkëpusin lidhjet me Zotin dhe me njerëzit, u nënshtrohen shpirtrave të tyre që i nxisin drejt së keqes dhe devijohen nga shejtanët prej xhinëve dhe njerëzve.
Prandaj, kini frikë Allahun, Zoti ju mëshiroftë! Besoni në Zotin tuaj, binduni të dërguarit tuaj dhe kapuni fort pas fesë suaj!
Jemi të kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, të dërguar dhe profet.
Lutuni dhe përshëndeteni mëshirën e dhuruar, mirësinë e dhënë, të dërguarin tuaj, Muhamedin, të dërguarin e Zotit, për këtë ju ka urdhëruar Zoti juaj në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, Ai ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin, familjen e tij të mirë, bashkëshortet e tij dhe pasardhësit e tij.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabi’inë, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit, dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot, na jep siguri në vendin tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, bëj udhëheqjen tonë në duart e atyre që të frikësohen, janë të devotshëm ndaj Teje dhe që kërkojnë kënaqësinë Tënde, o Zot i botëve.
O Zot, kujtdo që dëshiron të keqen për vendin tonë dhe për vendet muslimane, kthe kurthin kundër vetes së tij dhe na trego mrekullitë e fuqisë Tënde ndaj tij!
O Zot, na ruaj me mbrojtjen Tënde, na përfshi nën kujdesin Tënd dhe na mbro me syrin Tënd që nuk fle!
O Zot, na mjafto me mbështetjen Tënde, na ruaj me mbrojtjen Tënde, na mbulo me mbulesën Tënde dhe na ruaj fenë, sigurinë, stabilitetin dhe begatinë tonë!
O Zot, na ruaj familjet tona, shtëpitë tona, pasuritë tona dhe qetësinë e zemrave tona! Ti je Mbrojtësi ynë më i mirë!
O Zot, mbështet me të vërtetë, me udhëzim dhe me sukses udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, jepi atij sukses në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur, udhëzoje atë në drejtësi dhe devotshmëri. Jepi atij këshilltarë të drejtë, forco me të fenë Tënde dhe lartëso përmes tij fjalën Tënde. Bëje atë burim fitoreje për Islamin dhe muslimanët, dhe bashko me të fjalën e muslimanëve në të vërtetën dhe në udhëzim.
O Zot, udhëzoje atë dhe zëvendësin e tij drejt së vërtetës, udhëzimit dhe drejtë çdo gjëje që sjell mirësi për popullin dhe vendin!
O Zot, ruaj dhe jepu fitore ushtarëve dhe njerëzve të sigurisë tonë të stacionuar në kufijtë dhe frontet tona. O Zot, mbështeti ata me mbështetjen Tënde dhe jepu atyre fitore me fitoren Tënde. O Zot, drejto goditjet dhe mendimet e tyre. O Zot, forco këmbët e tyre, ruaj ata nga përpara dhe nga prapa, nga e djathta dhe nga e majta. Kërkojmë mbrojtjen Tënde, o Zot, që të mos goditen papritur nga poshtë këmbëve të tyre!
O Zot, shëro të plagosurit e tyre, mëshiro dëshmorët e tyre dhe kujdesu për familjet e tyre në mungesë të tyre! Jepu fitore kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre, o i Fuqishëm, o Ngadhënjimtar!
O Zot, vepro kundër armiqve të fesë dhe të besimit, kundër huthijve terroristë dhe atyre që i mbështesin! O Zot, përçaj radhët e tyre, shpërndaj bashkimin e tyre, shkatërro planet dhe mbill përçarje në zemrat e tyre!
O Zot, me ndihmën Tënde përballemi me ta dhe tek Ti kërkojmë mbrojtje nga e keqja e tyre! O Zot, bëje që e keqja t’u kthehet atyre dhe bëji shembull për ata që marrin mësim, o i Fuqishëm, o Ngadhënjimtar, o Zot i botëve!
O Zot, të lutemi që të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë. O Zot, jepu atyre fitoren me fitoren Tënde dhe mbështeti ata me mbështetjen Tënde. O Zot, mëshiro dobësinë e tyre, shëro krisjet e tyre dhe kthe rrethin e së keqes kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre, o i Plotfuqishëm, O i Lartësuar.
O Zot, ruaj xhaminë Aksa të fortë dhe krenare deri në Ditën e Gjykimit, me Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot, na mbro ne, vendet tona dhe vendet e muslimanëve nga e keqja e të ligjve, nga komplotet e të korruptuarve dhe nga të këqijat e atyre që këpusin rrugët natën dhe ditën.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)
“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180-182)
Afrim Smakaj