Hytbeja e Medinës
6.Dhul Ka’deh.1439 17.8.2018
Shejh.Salah el’Budejr
Allahun e falënderojmë për ç’do mirësi e begati që na ka dhuruar! Atë e dëshmojmë si Një të vetëm dhe të pashoq, askush nuk e meriton të adhurohet me të drejtë veç Tij, sikurse dëshmojmë se zotëria dhe Profeti ynë është rob dhe i dërguar i Tij, i përzgjedhuri i Tij, miku dhe krijesa e Tij më e dashur, bekimet e Zotit qofshin për të në mënyrë të pandalur.
Të nderuar besimtarë! Frikësojuni Zotit duke nxituar në vepra të mira dhe duke u larguar prej veprave të këqija!
“O besimtarë! Frikësojuni Allahut ashtu si i takon Atij dhe mos vdisni, vetëm duke qenë myslimanë”, Ali Imran 102.
Të nderuar besimtarë! Flladet që kundërmojnë aromë të ndritur prej aromës dhe flladit të Haxhit, të shenjave dhe vendeve tija të shenjta, të obligimeve, të vendit të sigurt, të cilin e ka madhëruar, stolisur e zbukuruar.
Karvanët e gjata të hanxhinjve, të cilët vijnë nga vise dhe treva të largëta kanë mbërritur, dhe gëzimi e harmonia i ka pushtuar zemrat e tyre.
Këta janë delegacione të nisura për te Zoti, duke i shtrirë duart e tyre në shenjë përgjërimi e dëlirësie, lutjet dhe përgjërimet e tyre kanë pushtuar vendin.
Drejt Teje o Zot kam ardhur duke t’u përgjigjur, begatoje Zot Haxhin dhe lutjen time!
Ty të drejtohem i përgjëruar e me lot në sy dhe Ti je Ai që nuk e refuzon të qarën time!
Kam ardhur pa përgatitje, duke lakmuar në bujarinë Tënde, dhe kurrë s’është zhgënjyer ai që lakmon bujarinë Tënde.
Të nderuar besimtarë! Nderojeni vendin e Shenjtë dhe madhërojeni shenjtërinë e tij! Kujdesuni për pozitën dhe autoritetin e tij, përmbajuni rregullave e udhëzimeve, si dhe largohuni prej gjërave që e prishin çiltërsinë e Haxhit, apo që bien në kundërshtim me synimet dhe qëllimet e tij.
Haxhi nuk është për grindje, konflikte apo debate, nuk është vend për protesta e marshime, as vend për parulla partiake e ndasore.
Haxhin është diçka më madhështore, nuk bën që të shndërrohet në një arenë e konflikteve partiake, apo ndasive fetare e politike.
Të nderuar haxhilerë dhe Umrexhinj! Mësoni rregullat e Haxhit, formën e kryerjes dhe shpërblimit të tij, para se të vishni ihramët e të drejtoheni për në Qabe.
Këtë e them se ka dhe haxhinj që veshin ihramin e nisen për në Mekë, duke mos ditur rregullat e tij, apo vazhdimin e tij, e kthehet në vendin e tij duke lënë mangët ndonjë shtyllë apo detyrë e kusht të Haxhit, apo duke bërë ndonjë vepër që s’duhej ta bënte.
Të nderuar haxhilerë! Besimi islam është ai që ju ka mbledhur, detyra e Haxhit është ajo që ju ka vënë në sistem, e shpërblimi fetar ju ka unifikuar, ndaj mëshirohuni e tregohuni të butë me njëri-tjetrin e bashkëpunoni, mos u grindni, mos u shtyni, dhe as mos polemizoni!
Tregohuni të mëshirshëm me më të dobëtin, drejtojeni atë që ka humbur, ndihmojeni nevojtarin!
Jini të butë, të matur, të qetë, tolerantë dhe falës, mbillni urtësi dhe le të shihet tek ju devotshmëria.
Përmbajuni butësisë dhe respektit, mos u grindni e as mos polemizoni, ruani gjuhën nga fjalë të pahijshme e të papërshtatshme!
Largohuni nga sharja, ofendimi, mallkimi e çdo fjalë e ndyrë, e cila ua pakëson shpërblimin e haxhit!
Mbrojeni Haxhin tuaj prej shirkut e risive, jini larg padrejtësive, guralecët gjuajini të vegjël si mollëzat e gishtërinjve!
Në kryerjen e haxhit dhe ritet e tij, ndiqni Profetin a.s, shpejtojeni sa më shumë dhikrin dhe istigfarin, shpreheni nënshtrimin dhe nevojën për Zotin!
Lutuni dhe pendohuni sa më shumë, dhe mos harroni se jeni në kohët e mëshirës dhe në vende ku pritet pranim i lutjeve!
Kujtojani vetes vendin dhe kohën se ku ndodheni, kujtojeni fjalën e të dashurit tonë ku thotë: “Kush e bën Haxhin duke mos kryer marrëdhënie intime e duke mos bërë ndonjë paudhësi, kthehet si ditën që e ka lindur e ëma.”
Dijeni se Haxhi i pranuar, shpërblim ka vetëm xhenetin, Zoti ua pranoftë lutjet tuaja, i pranoftë pendimet tuaja!
Zoti ua pranoftë Haxhin, qoftë përpjekja juaj e pranuar, gjynahet tuaja të falura, ecja juaj e lavdëruar!
Kjo ishte ajo që doja të thosha. Zotit i kërkoj falje për çdo lëshim dhe ju lutuni Atij për falje, se me të vërtetë Ai i fal ata që pendohen!
Lavdet qofshin për Allahun, Atë e dëshmojmë si Një të vetëm e të pashoq, shërim për ata që nuk gjejnë më shpresa, sikurse dëshmojmë se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të dhe familjen e tij në mënyrë të pandarë.
Të nderuar myslimanë! Frikësojuni Allahut, dijeni se Ai ju vështron vazhdimisht ndaj binduni e mos e kundërshtoni!
“O ju të cilët keni besuar! Frikësojuni Allahut dhe jini me të sinqertët!”.
Të nderuar besimtarë! Dita e Arafatit është një ditë madhështore dhe e famshme, është dita ku falen gjynahqarët, bëjnë lutje dhe pranohen, ditë në të cilën Zoti ka vendosur mirësi të shumta.
Nuk ka ditë ku Zoti liron njerëz prej xhehenemit se dita e Arafatit. Ai afrohet dhe u krenohet Melaikeve e u thotë: “Çfarë synojnë këta?”
Dita e Arafatit është dita ku lutjet janë më të begata, më të shpërblyeshme dhe më të prirura për t’u pranuar, ndaj përpiquni e shfrytëzojeni me madhërim e me lutje!
Është mirë që dita e Arafatit të agjërohet përveç se për haxhiun, agjërimi i saj fal gjynahet e dy viteve.
Është e pëlqyeshme që të bëhen tekbire pas çdo namazi farz, nga sabahu i ditës së Arafatit e deri në ditën e tretë të bajramit, po ashtu dhe ai që fal namaz të kaluar, ndërsa haxhijtë fillojnë me tekbiret e tyre, duke filluar me drekën e Kurban Bajramit.
O ju besimtarë! Bëni tekbire kudo që të ndodheni, në shtëpi e xhami, në rrugë e ara, në mëngjes e mbrëmje, bëni tekbir derisa tekbiret tuaja të arrijnë dyert e qiellit!
Zoti është më i madhi, Zoti është më i madhi, nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi, i gjithë falënderimet i takon Atij.
Dërgoni salavatë mbi profetin, të dashurin dhe ndërmjetësuesin në ditën e gjykimit, në mënyrë të vazhdueshme dhe dijeni se kush bien në salavat mbi të një herë, bien Zoti mbi të 10 herë!
Zot bekoje e begatoje Profetin tënd Muhamedin, ji i Kënaqur prej familjes dhe shokëve të tij, edhe ndaj nesh bashkë me to. o Bujar dhe Dhurues i Madh!
Zot lartësoje islamin dhe myslimanët, poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët, siguroji dhe jepu stabilitet mbarë vendeve myslimane, o Zot i gjithësisë!
Zot drejtoje prijësin tonë dhe shërbëtorin e dy xhamive të shenjta për gjithçka që Ti do dhe pajtohesh me të, drejtoje për në të mira, drejtoje atë dhe zëvendësin e tij për çdo vepër që nderon islamin dhe myslimanët!
Zot ndihmoji ushtarëve tanë që shërbejnë në kufijtë tanë dhe në trevat e nxehta, ruaji të gjithë ata që punojnë për sigurinë tonë dhe shpërbleji me të mira!
Zot shëroji të sëmurit tanë, gëzoji të sprovuarit tanë, mëshiroji të vdekurit tanë, liroji të burgosurit tanë dhe ndihmona ndaj armiqve tanë!
Zot pranojua Haxhin haxhilerëve, bëje Haxhin e tyre të pranuar, përpjekjen e tyre të konsideruar e falënderuar, falua gjynahet!
Zot pranojua veprat e tyre të mira dhe pastrojua ato, lartësoji në gradë, realizojua dëshirat dhe jepja mirësitë!
Zot pranoji lutjet tona, lartësoji thirrjet tona, për hatër të madhrisë tënde, o Bujar dhe Mëshirues i Madh!