Këmisha e Jusufit mes gënjeshtrës, pafajësisë dhe lajmit të mirë

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    19-05-1448 H     30-10-2026 D

Shejh Abdul Bari  Ibn Avad Eth-Thubejti 

Tema     Këmisha e Jusufit mes gënjeshtrës, pafajësisë dhe lajmit të mirë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili thotë: “Vallë, a nuk e shohin ata se si Ne u kemi dhënë atyre një vend të shenjtë e të sigurt (Mekën), ndërkohë që njerëzit rreth tij po grabiten?” (El-Ankebut 67) Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar e lavdërojmë dhe e falënderojmë për mirësinë e sigurisë dhe të besimit.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok. Ai ndihmoi robin e Tij, i dha fitore ushtrisë së tij dhe mposhti i vetëm grupet e armiqve.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Ai la umetin e tij në rrugë të qartë, nata e së cilës është si dita e saj dhe prej së cilës nuk largohet askush përveç atij që është i shkatërruar. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij, të cilët ndriçuan rrugën për çdo udhëtar.

Në vijim

Këshilloj ju dhe veten time që ta kemi frikë Zotin, sepse frika ndaj Tij, devotshmëria është furnizimi i besimtarit gjatë udhëtimit të tij në këtë jetë, drita e zemrës së tij kur çështjet bëhen të paqarta dhe mburoja e tij nga sprovat. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Prandaj ruajuni Allahut! Allahu ju mëson ju…” (El-Bekare 282)

Historia e profetit të Zotit, Jusufit, paqja e Zotit qoftë mbi të, në suren Jusuf është e mbushur me mësime dhe urtësi. Këmisha e Jusufit është një prej elementeve më të spikatura të kësaj historie, e cila përmendet në tri raste të ndryshme.

Jusufi, paqja e Zotit qoftë mbi të, pa një ëndërr dhe i tha babait të tij: “Kur Jusufi i tha babait të vet: “O babai im! Unë pashë në ëndërr njëmbëdhjetë yje, Diellin dhe Hënën! I pashë të më përuleshin në sexhde.” (Jusuf 4)

Babai i tij, Jakubi, paqja e Zotit qoftë mbi të, e kuptoi se të folurit për këtë mirësi mund të zgjonte ndjenjat e zilisë në shpirtrat e njerëzve, madje edhe kur bëhej fjalë për njerëzit më të afërt. Prandaj i tha: “Ai i tha: “O biri im! Mos ua trego ëndrrën tënde vëllezërve  të tu, që të mos kurdisin ndonjë gjë kundër teje…” (Jusuf 5) Këtu, në këtë çështje, qëndron një mësim i madh, se  urtësia ndonjëherë kërkon që njeriu ta mbajë të fshehtë mirësinë, të mos flasë për të, të mos e publikojë dhe të mos e ekspozojë para të tjerëve. Parandjenja e Jakubit doli e vërtetë. Zjarri i zilisë u ndez në zemrat e vëllezërve të Jusufit, të cilët thanë: “Jusufi dhe vëllai i tij, janë më të dashur se ne për babanë tonë…” (Jusuf 8) Ky lloj krahasimi dhe kjo xhelozie brenda familjes, mes vëllezërve, në vendin e punës dhe në mes të njerëzve të së njëjtës pozitë, është shkatërrues për shpirtin, fenë dhe marrëdhëniet njerëzore. Pastaj zilia u shndërrua në sjellje agresive, duke kaluar çdo kufi, ata thanë: “Vriteni Jusufin ose braktiseni në ndonjë vend të largët, se pastaj babai juaj do të kthehet nga ju…” (Jusuf 9)

Kushdo që i lëshon frerët e shpirtit të tij përpara zilisë, ajo do ta çojë drejt humnerave të shkatërrimit.

LEXO  Mësime nga surja Asr - Medina 13.12.2019

Ata e morën Jusufin dhe e hodhën në fundin e errët të pusit. “Dhe në mbrëmje ata shkuan te babai i tyre, duke qarë.” (Jusuf 16) Këtu shfaqet këmisha për herë të parë, si dëshmi e gënjeshtrës së tyre: “Dhe sollën këmishën e tij të përgjakur, me gjak të rremë.” (Jusuf 18)

Në këtë moment shfaqet njeriu i mençur, i cili nuk mashtrohet dhe nuk gënjehet nga fjalët e bukura apo pamja e jashtme. “Ai tha: “Nuk është kështu, por ju keni sajuar diçka (tjetër nga sa thoni). Por, durim!” (Jusuf 18) Sepse jo çdo njeri që derdh lot dhe shtiret sikur qan është i dëmtuar, ashtu siç jo çdo njeri kundër të cilit ngrihet një akuzë është fajtor.

Në kohën tonë, kur lajmet janë përhapur gjithandej, kur shpërndarja e tyre është bërë shumë e lehtë dhe kur gënjeshtra është bërë e përhapur në to, kemi nevojë të verifikojmë informacionet dhe të mos nxitohemi në dhënien e gjykimeve, qoftë në familjet tona, në vendet tona të punës apo në mosmarrëveshjet tona.

Jusufi doli nga pusi dhe përfundoi në shtëpinë e ministrit. Kjo është një prej kuptimeve më të bukura të caktimit të Zotit, njeriu ndonjëherë nuk e di se nga do t’i vijë shpëtimi. Sa herë ndodh që njeriu ta konsiderojë një ngjarje si fatkeqësi, por pas një kohe kupton se pas saj fshihej një mirësi e madhe!

Pastaj ngjarjet vazhduan dhe Jusufi kaloi në një sprovë tjetër, sprovën e epshit. Në të vërtetë, e gjithë jeta është e mbushur me sprova. “Por ajo, në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi ta joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert…” (Jusuf 23)

Megjithëse ishin krijuar të gjitha kushtet për të kryer mëkatin dhe ai ndodhej larg familjes e në një ambient të huaj, Zoti e ruajti me argumentin dhe ndihmën e Tij. Jusufi i rezistoi tundimit, luftoi dëshirat e vetes dhe tha me një zemër të mbushur me besim, duke qenë i vetëdijshëm për mbikëqyrjen dhe mirësitë e Zotit: “Allahu më ruajt! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua…” (Jusuf 23)

Ky është kriteri i vërtetë i devotshmërisë. Si është gjendja jote atëherë kur njerëzit nuk të shikojnë? Jusufi nxitoi të largohej për të shpëtuar veten, duke braktisur vendin e gjynahit dhe duke u larguar nga ambienti i sprovës. Kështu duhet të jetë edhe gjendja e besimtarit gjatë jetës së tij, të mbylli portat që çojnë drejt sprovave, të largohet nga tubimet ku bëhen gjynahe dhe të qëndrojë larg vendeve që nxisin tundimet, në mënyrë që të ruajë fenë, shpirtin, mendjen, pasurinë dhe nderin e tij. Gruaja e ministrit nxitoi ta akuzonte Jusufin: “Ajo tha: “Çfarë dënimi meriton ai që kërkon t’i bëjë të keqe gruas sate, përveç burgosjes apo dënimit të dhembshëm?” (Jusuf 25)

Këtu këmisha shfaqet për herë të dytë, si dëshmi e së vërtetës që dikush dëshironte ta fshihte dhe e një ngjarjeje që dikush përpiqej ta mbulonte. “Nëse këmisha e tij është shqyer përpara, atëherë ajo thotë të vërtetën, kurse ai gënjen. Por, nëse këmisha e tij është shqyer prapa, atëherë ajo gënjen, ndërsa ai thotë të vërtetën”. Kur burri i saj pa se këmisha e Jusufit ishte shqyer nga mbrapa, tha: “Patjetër që kjo është një nga dredhitë tuaja (të femrave).” (Jusuf 26–28) Kështu, këmisha u bë dokument i pafajësisë dhe dëshmi e dëlirësisë së tij.

LEXO  Porosi të qarta në përdorimin e rrjeteve sociale

Prandaj, mos u ngutni në gjykimin e caktimeve të Zotit kur ato ndodhin. Pas sprovave që shikoni mund të fshihen mirësi dhe urtësi që ju nuk i kuptoni. E sa të mëdha janë ato mirësi!  Nëse urtësia e një ngjarjeje mbetet e fshehtë për ty dhe nuk arrin të shikosh përfundimin, atëherë mendo mirë për Zotin, i Cili është i Urti dhe Mëshirëploti. Jusufi hyri në burg, por e shndërroi atë në një vend ku përhapi udhëzimin dhe vlerat e larta,  sa që banorët e burgut thanë për të: “Ne, me të vërtetë, shohim se ti je njeri i mirë.” (Jusuf 36)

Kështu duhet të jetë gjendja e besimtarit, të jetë i dobishëm dhe i bekuar kudo që të vendoset dhe kudo që të shkojë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Atë që ruhet (nga gjynahet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve.” (Jusuf 90)

Zoti na begatoftë të gjithëve me Kuranin Famëlartë dhe na bëftë dobi të gjithëve me argumentet dhe me përkujtimet e urta që gjendet në të.

Zotit  i kërkoj falje, tek Ai kërkoni falje, vërtet, Ai është Falësi i madh, Mëshirëploti.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve, Ai që di çdo gjë dhe ka fuqi mbi çdo gjë.   Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok,  para Madhështisë së Tij është nënshtruar çdo gjë.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është robi  dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi ata që ndjekin rrugën e tyre dhe bënë Njëshmërinë e Zotit synim dhe udhërrëfyes të tyre.

Në vijim

Këshilloj ju dhe veten time që ta kemi frikë Zotin.

Ditët kalojnë dhe Jusufi del nga burgu, ndërsa mbreti e emëron atë përgjegjës për depot e tokës. “Dhe erdhën vëllezërit e Jusufit e hynë tek ai. Ai i njohu, por ata nuk e njohën.”(Jusuf 58) Këto duar që dikur e hodhën në pus dhe i bënë atë që i bënë, tani qëndrojnë para tij duke kërkuar ushqim për të përmbushur nevojën e tyre. Jusufi tashmë kishte arritur një pozitë ku zotëronte pushtet dhe fuqi, madje kishte mundësi të hakmerrej. Por njerëzit e mëdhenj nuk e humbin madhështinë dhe moralin e tyre, as në vështirësi e as në begati, as në kohë fuqie e as në kohë dobësie. Ata ngrihen mbi interesat personale, u japin përparësi të drejtave të vëllazërisë, farefisnisë dhe miqësisë ndaj dëshirave të egos dhe cytjeve të shejtanit. Shenja e tyre është falja dhe toleranca.

Jusufi, paqja e Zotit qoftë mbi të, nuk e hapi përsëri faqen e së kaluarës dhe nuk i riktheu dhimbjet e vuajtjet që kishte përjetuar. Përkundrazi, ai e ktheu shikimin drejt së ardhmes, duke përhapur shpresë dhe duke bashkuar familjen. Ai iu drejtua vëllezërve të tij me këto fjalë, duke thënë: “Ai u tha: “Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është më i Mëshirshmi i mëshiruesve!” (Jusuf 92)  Këto janë shpirtra madhështorë që falin dhe tregojnë mirëkuptim. Përtej kësaj, luten për ata që u kanë bërë keq, duke kërkuar për ta faljen dhe mëshirën e Zotit. Ata mbjellin gëzim në zemra dhe përhapin lajme të mira kudo.

LEXO  Divorci në mes të domosdoshmërisë së trajtimit dhe kufijve të Islamit

Këtu këmisha rikthehet për herë të tretë në këtë ngjarje, këtë herë e kurorëzuar me lajmin e gëzueshëm. Jusufi u thotë vëllezërve të tij: “Shkoni me këtë këmishë timen dhe vëreni në fytyrën e atit tim e ai do të shohë…” (Jusuf 93)

Po, ai do të kthehet me shikim! Këtë e tha Jusufi me bindjen e njeriut që e njeh Zotin. Këmisha ishte vetëm shkak, ndërsa Shëruesi është Zoti. Lajmëtari niset me këmishën dhe Jakubi, paqja e Zotit qoftë mbi të, u thotë bijve të tij: “Unë, me të vërtetë, po ndiej erën e Jusufit…” (Jusuf 94)

Vite të tëra kishin kaluar, por dëshpërimi nuk kishte depërtuar në zemrën e Jakubit dhe as dyshimi nuk e kishte kapluar se premtimi i Zotit është i vërtetë. Kur Zoti dëshiron t’i japë zemrës ngushëllim, Ai e shëron atë në një mënyrë që tejkalon çdo përfytyrim.

Medito për caktimet e mrekullueshme të Zotit, për madhështinë e urtësisë dhe të planifikimit të Tij dhe për rolin e kësaj këmishë! Si Zoti e vuri atë në shërbim të robit të Tij, Jusufit! Zoti vë në shërbim të besimtarëve ushtritë e Tij, të cilat vetëm Ai i njeh. “Askush tjetër, përveç Tij, nuk e di numrin e ushtrisë së Zotit tënd.” (El-Muddeththir 31)

Sa e bukur është mbyllja e kësaj historie, kur Zoti i Lartësuar thotë: “Ai i ngriti prindërit e tij në fron, ndërsa ata të gjithë ranë në sexhde para tij. Ai tha: “Ai tha: “O babai im, ky është shpjegimi i ëndrrës sime të dikurshme. Zoti im e përmbushi atë. Mua më bëri mirësi, kur më nxori nga burgu, kurse juve ju solli nga shkretëtira, pasi djalli pati futur ngatërresë midis meje dhe vëllezërve të mi. Vërtet, Zoti im është i Butë me kë të dojë; Ai është i Gjithëdijshmi dhe i Urti!” (Jusuf 100)

Lutuni  dhe përshëndeteni krijesën më të mirë të Zotit, Muhamedin, të birin e Abdullahut. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet e parë të drejtë, me familjen dhe shokët e tij fisnikë, dhe me ne së bashku me ta, me faljen Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët!

O Zot, ruaj këtë vend të bekuar, Mbretërinë e Arabisë Saudite, nga kurthet e atyre që kurdisin komplote dhe nga intrigat e keqbërësve!

O Zot, ruaj njerëzit tanë sigurisë dhe ata që qëndrojnë në kufijtë e vendit! Drejto goditjen e tyre, forco këmbët e tyre, prano dëshmorë të rënët e tyre në rrugën Tënde dhe shkruaju atyre shpërblimin e dëshmorëve!

O Zot, bëje këtë vend të sigurt dhe të qetë! Mbulo të gjitha vendet muslimane me mirësi, begati, mirëqenie dhe stabilitet!

O Zot, kush synon të keqen kundër nesh dhe vendeve tona angazhoje me veten e tyre dhe shkatërro planet e tyre.

O Zot, të lutemi të jesh kundër grupit zullumqar dhe agresor Huthi! Shkatërro bashkimin e tyre, përçaje radhët e tyre, krijo mospajtime ndërmjet tyre dhe kthe kurthet e tyre kundër vetë atyre! Ne kërkojmë mbrojtjen Tënde nga e keqja e tyre, dënoi ata ashtu siç dënon i Plotfuqishmi i Plotpushtetshëm, o Ngadhënjimtar, o Imponues, o Hakmarrës, o i Zoti për shpagim!

O Zot, të lutemi që të jesh Ndihmës, Përkrahës dhe Mbrojtës për popullin e Palestinës! Forco zemrat e tyre dhe fuqizo qëndrimet e tyre! O Zot, ata janë të uritur, prandaj furnizoji me ushqim, janë zbathur, prandaj siguroju këpucë, janë të zhveshur, prandaj mbuloji, janë të shtypur padrejtësisht prandaj ndihmoji dhe jepu fitore!

O Zot, ruaj Bejtul Makdis, Kudsin nga papastërtitë e sionistëve agresorë!

O Zot, jepi sukses udhëheqësit tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta në atë që do dhe je i kënaqur, jepi sukses zëvendësit të tij në çdo të  mirë, bëj punën e atyre të dyve të jenë  në atë që të kënaqin Ty dhe ndihmo me ata të dy Islamin dhe  muslimanët!

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1725755209551152/1165578472812385

Post Author: endrit