Zoti të sheh vazhdimisht – Shejh Husejn ibn Abdilazijz al Shejh – 14.09.2018

Medine 14.9.2018

Zoti të sheh vazhdimisht

Shejh Husejn ibn Abdilazijz al Shejh

 

Falënderimet i takojnë Allahut që nuk i fshihet asgjë gjendet në qiej e në tokë, dëshmojmë vazhdimisht se Zoti është një, i vetëm dhe i pashoq, sikurse dëshmojmë se profeti ynë Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij i përzgjedhur!

Të nderuar besimtarë! Ju këshilloj ju por dhe veten time, që ta kemi droje Allahun, se vetëm në këtë mënyrë do mund të kemi siguri në sprovat e kësaj jete dhe tjetrës.

Ndër emrat e Allahut është dhe Mbikëqyrësi: “Allahu është Mbikëqyrës ndaj jush” Nisa 1.

Dhe thotë: “Allahu është Mbikëqyrës ndaj çdo sendi” Ahzabë 52.

Ai është Mbikëqyrës dhe sheh atë që fshihet në gjokset e njerëzve, Ai është Ruajtësi që nuk i shpëton gjë nga veprimet dhe gjendjet e tyre.

Thotë ibn Kajimi: “Ai është afër në meditimet, vështrimet, veprat dhe lëvizjet.”

Ngulitja e këtij besimi në zemër, bën që njeriu të jetë vigjilent vazhdimisht në veprimet e tij, pasi që e din se Zoti e vështron në çdo gjendje dhe kjo prodhon një bindje të fortë, se Zoti është Mbikëqyrës, e shikon, e dëgjon, e vështron veprën e tij vazhdimisht dhe asgjë nuk i shpëton diturisë së Tij.

Vetë përkujdesja që bëhet nga njeriu është adhurim i Zotit, Mbikëqyrësit, të Gjithëditurit, të Butit, Ai që di të fshehtat dhe të dukshmet.

Zoti është Dëshmitar dhe vështron gjithçka, Ai dëgjon zërat e qartë dhe pëshpëritjet, Ai sheh gjithçka me imtësi, Ai është afër gjithkujt me diturinë, shikimin dhe mbikëqyrjen e Tij.

Ai që i kupton këto emra të Tij dhe e adhuron nëpërmjet tyre, arrin të realizojë një bazë përkujdesjeje që të shoqëron në çdo çast dhe hap që hedh.

Të nderuar besimtarë! Detyra e njeriut në jetën e kësaj bote është të jetë vazhdimisht i ndërgjegjshëm në lidhje me Zotin Mbikëqyrësin, kështu nuk ia kthen shpinën, nuk i frikësohet tjetërkujt përveç Tij, i zbaton urdhrat e Tij, largohet nga ato që ka ndaluar, përpiqet maksimalisht në atë që e kënaq Atë, dhe kur njeriu përpiqet ta respektojë Zotin në këtë formë lind dhe turpi prej Zotit, madhërimi i Tij, frika, dashuria, kthimi si dhe nënshtrimi për Atë që e krijoi.

Mbarëvajtje e dy jetëve ndodhet në respektimin e Zotit dhe kërkimin e kënaqësisë së Tij, në të adhuruarit Atë sipas metodës Profetike, të jesh i sinqertë me të.

Të jesh i sinqertë, do të thotë të besosh se Ai di të jashtmen dhe të brendshmen tënde, sikurse thotë: “S’ka dyshim se Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë në tokë dhe në qiell” Ali Imran 5.  Dhe thotë: “Dijeni se Allahu e di çka fshihni në vete, pra kini frikë prej Atij!” Bekare 235.

LEXO  Muaji Shaban - Medine 12.4.2019

Respektimi i Zotit e obligon njeriun që t’i kërkojë llogarisë vetes së tij, sikurse thotë Allahu: “O ju që besuat! Kini parasysh frikën ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çka bërë për nesër dhe kini frikë Allahun e s’ka dyshim se Allahu është që e di në detaje atë që punoni” Hashr 18.

Thotë ibn Kajimi: “Njeriu vështron në veprat e bëra, vallë janë të mira që e shpëtojnë, apo janë prej atyre që e shkatërrojnë? Kjo do të thotë se kërkimi llogari ndaj vetes ta ndreq zemrën, ndërsa neglizhenca dhe lënia e lirë ta prish atë.

Të nderuar besimtarë! Fakti se Zoti të vështron vazhdimisht, e nxit njeriun që të përpiqet dhe më shumë në vepra të mira, si dhe të largohet nga çdo gjë që e kundërshton urdhrin e Tij, thotë Allahu: “Ata përpiqeshin për punë të mira, na luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj nesh” Enbija 90.

Besimtari duhet të jetë vazhdimisht i kujdesshëm me Zotin e tij, nëpërmjet sinqeritetit dhe zbatimit të urdhrave, në kapitullin e të ndaluarave, duke iu kthyer Zotit dhe ndaluar veten prej të ndaluarave.

Kufijtë e Zotit ruhen duke ju frikësuar, duke e pasur autoritet, Zoti na bëftë prej të tillëve.

Thotë Allahu: “E për atë që i qe frikësuar paraqitjes para Zotit të vet janë dy xhenete” Rahman 46.

Dhe thotë: “E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të tij dhe ndaloi veten prej epsheve, xheneti është vendi i tij” Naziat 40-41.

Ibn Xheuzi ka thënë: “Allahu është më afër me robin, se damari që i rreh në qafë, por injorantët e ndjej larg ndaj dhe bien në mëkate, se nëse do e kuptonin afërsinë e Tij  nuk do kryenin të tilla krime.”

Dikush e pyeti një ndër selefët: -Si mundem ta ruaj shikimin?

Ai i tha: -Duke ia përkujtuar vetes se shikimi i Zotit bien mbi ty para se ti të lëshosh shikimin.

Në këtë kontekst flet dhe hadithi i Profetit a.s ku thotë: “Shtatë persona do strehohen në hijen e Allahut, ditën kur nuk do ketë hije tjetër përveç hijes së Tij: Prijësi i drejtë, i riu që kalon rininë në kënaqësi të Zotit, njeriu që e lidh zemrën me xhamitë, ata dy persona që u deshën për hir të Allahut, u bashkuan dhe u ndanë për hir të Tij, atë burrë që e fton një grua e bukur dhe me post e ai i thotë unë e kam frikë Allahun, ai njeri që jep lëmoshë fshehurazi aq sa e majta nuk di se çfarë jep e djathta, ai njeri që e përmend Allahun në vetmi dhe qan” Muslimi.

Respektimi i Zotit e largon njeriun nga bërja e gjynaheve dhe harameve, zemrën e pastron nga çdo gjë që ia prish, dhe kështu mundësohet përmirësimi i mbarë shoqërisë, thotë Allahu: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur me njëri-tjetrin, urdhërojnë për mirë dhe ndalojnë nga e keqja, e falin namazin, e japin zekatin, e respektojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do ti mëshirojë Allahu, Allahu është Ngadhënjyes, i Urtë” Teube 71.

LEXO  Kurani Famëlartë udhëzim për besimtarët

Respektimi i Zotit ndërton një shoqëri larg lajthitjeve dhe krimeve, shoqëri që karakterizohet nga sjellja e mirë, nga jetesa e këndshme, bashkëpunojnë në të mira e devotshmëri, kapen pas litarit të Zotit dhe bashkohen në fjalën e tij, duke shmangur mënjanë çdo përçarje dhe çdo mendim dhe rrugë ekstreme.

Jetojnë nën dritën e bazave të fesë së tyre, të drejtësisë dhe lirisë që ajo bart, të mesmes dhe tolerancës, butësisë dhe dashurisë, sikurse thotë Allahu në përshkrimin e besimtarëve: “Të butë ndaj besimtarëve, të ashpër ndaj jobesimtarëve” Maide 54.

Jetojnë nën kujdesin e Zotit të tyre të qëndrueshëm në rrugën e drejtë, të sigurt e të stabilizuar, adhurojnë Zotin dhe e falënderojnë, i bashkojnë taborët e tyre nën sloganin e dashurisë së besimit dhe harmonisë fetare: “Vërtetë besimtarët janë vëllezër” Huxhuratë 10.

Profeti a.s ka thënë: “Mos kini smirë, mos shtoni në tregti kur s’doni të blini, mos u urreni, mos ndërhyni në tregtinë e tjetrin, jeni robër të Zotit vëllezër, myslimani është vëlla i myslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e zhgënjen dhe as nënçmon.

Respektojeni Zotin duke i kryer detyrat e tij, duke i kryer detyrat ndaj robërve të Tij, që të shpëtoni e të jetoni të lumtur.

Të nderuar besimtarë! Duke qenë se po flasim për respektin ndaj Zotit, është tepër e rëndësishme të cekim një pikë që është shumë e me vlerë.

Dijetarët dhe thirrësit duhet të bëjnë kujdes shumë në atë që u shërbejnë njerëzve, të kuptojnë rrezikun e fetvasë dhe sinqeritetin që duhet t’i shoqërojë me Zotin, duke kujtuar në mënyrë të vazhdueshme se Zoti i mbikëqyr, di të dukshmen dhe të padukshmen e tyre dhe se një gjë të tillë ua ka lënë amanet.

Të gjithë duhet të bëjnë kujdes nga fetvatë vetjake që kanë lidhje me gjëra bashkëkohore, situate në të cilat nuk duhet të nxitohemi, por ta marrim me të qetë, t’i mbështetemi dhe Allahut për t’ia qëlluar të vërtetës.

Duhet të kemi kujdes që të kuptojmë gjërat dhe t’i përmbahemi rregullave të fesë e synimeve të saj, të vrojtojmë imtësisht në rregullin e përftimit të të mirave dhe largimit të këqijave, duke treguar një kujdes të madh për unitetin e Umetit dhe largimin prej çdo gjëje që mund të ndikojë për përçarje.

Për fetva të ndryshme duhet t’u kthehemi dhe dijetarëve të pjekur, të cilët kanë eksperienca të shumta, nëpërmjet vizionit të së cilëve mund të arrijmë të zgjedhim më të mirën dhe t’i rregullojmë gjërat.

LEXO  Përfundimi i Ramazanit - Medina 22.05.2020

Nëse nuk kujdesemi për këto baza dhe zhytemi në turbullira të ndryshme, do të kemi pasoja të këqija, sikurse na njofton dhe Profeti a.s: “Derisa të mos mbetet asnjë dijetar e njerëzit të zgjedhin prijës injorant, të cilët  pyeten dhe përgjigjen me padituri, humbasin veten, por dhe të tjerët.”

E lusim Allahun të na ruajë prej diçkaje të tillë dhe e lusim të na udhëzojë drejt çdo gjëje që i pëlqen Madhërisë së Tij.

Falënderimet e pandara dhe më të plota qofshin për Allahun, dëshmojmë se nuk ka Zot tjetër veç Allahut të vetëm dhe pa ortak, dëshmojmë se profeti ynë Muhamedi a.s është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe bekimet e zotit qofshin mbi të, familjen dhe shokët e tij.

Kini frikë Zotin, kjo është porosia e të parëve dhe e të mbramëve, ju jeni në një muaj të shenjtë ndaj tregojini Zotit përkushtim. Ebu Hurejre përcjell se Profeti a.s ka thënë: “Agjërimi më i mirë, është agjërimi i muajit të Zotit Muharrem” Muslimi.

Pëlqehet që të agjërohet dita e Ashurasë, e cila është  dita e dhjetë e këtij muaji, Ebu Katade përcjell se Profeti a.s është pyetur për agjërimin e ditës së Ashurasë dhe ka thënë: “Ajo shlyen gjynahet e vitit të kaluar” në një tjetër transmetim thuhet: “Shpresoj tek Zoti se ajo shlyen gjynahet e vitit të kaluar” Muslimi.

Sikurse është synet që myslimani ta shoqërojë me agjërimin e ditës së nëntë, siç është transmetuar se Profeti a.s ka thënë: “Nëse do jem gjallë vitin e ardhshëm do e agjëroj dhe të nëntën” Muslimi.

Ka dhe gjëra të tjera që përmenden për vlera të kësaj dite, por e vërteta sikurse kanë thënë dijetarët është se nuk qëndrojnë.

Dijeni të nderuar besimtarë se zoti ju ka urdhëruar me një vepër të vyer siç është salavati për Profetin a.s.

Zot lavdëroje e bekoje Profetin tonë Muhamedin, kalifët e tij të drejtë si dhe mbarë shokët, familjarët e tij dhe gjithë ata që e ndjekin rrugën e tyre me sinqeritet!

Zoti ynë lartësoje islamin dhe myslimanët, poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët!

Zot ruaji myslimanët kudo qofshin, lehtësojua hallet dhe brengat e tyre, shëroji të sëmurët e tyre, fali Zot myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret të gjallët dhe të vdekurit!

Zot bjerua mbarë Haxhilerëve dhe Umrexhijve, si dhe ktheji në vendet e tyre, shëndoshë e mirë!

Zot jepi sukses shërbëtorit të dy haremeve dhe zëvendësit të tij për çdo gjë që Ti pajtohesh e kënaqesh dhe që i shërben vendit dhe popullatës!

Përmendeni Allahun t’ju përmendë, falënderojeni për mirësitë e shumta t’ua shtojë dhe e mbyllim me falënderimin e Allahut!

Post Author: admin