Padrejtësia rruga drejt shkatërrimit, drejtësia jetë për njerëzimin

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    06-07-1447 H     26-12-2025 D

Shejh Abdurrahman Sudejs 

Tema    Padrejtësia rruga drejt shkatërrimit, drejtësia jetë për njerëzimin

Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Zoti ynë Ty të falënderojmë, prej Teje ndihmë dhe falje  kërkojmë dhe tek Ti pendohemi. O Zot, të gjitha lavdërimet të takojnë vetëm Ty për Madhështinë Tënde, lavdërime që të përkasin vetëm Ty dhe askujt tjetër përveç Teje.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Ai e veçoi këtë umet me një fe dhe legjislacion, e udhëzoi atë drejt një metode të mrekullueshme për t’i shpëtuar padrejtësive. Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, ai erdhi me udhëzim dhe me dritën e vërtetë. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjarët dhe mbi shokët e tij, mbi tabi’inën dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën që të do të ringjallen të gjitha krijesat, o Zoti i Lartësuar atyre u dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

O adhurues të Zotit!  Frikësojuni  Zotit dhe falënderojeni Atë që ju udhëzoi në Islam, sepse ajo është feja e vlerave dhe e lavdërimeve të mëdha.

“Kërkoni një rrugë për tek Zoti dhe mos kërkoni udhëzues tjetër përveç devotshmërisë.

Mos u mbështet në këtë botë, por mbështetu tek Zoti yt dhe bëje Atë mbrojtësin tënd.”

O besimtarë! Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të zhytjes së njerëzve në materializëm, në tiraninë e tundimeve dhe në zhurmat e mëdha, që e mposhtin kuptimin e qartë, të vërtetë, e që rezulton nga  një qasjeje irracionale ndaj argumenteve themelore, mosmarrëveshjeve të shumta dhe mungesës së drejtësisë në mosmarrëveshje dhe konflikte lind nevoja për t’u kujdesur për të drejtat e njerëzve dhe për t’i shpëtuar padrejtësive të tyre. Nga se problemi është më i thellë se mosmarrëveshjet kalimtare: Ai është dobësia e ndërgjegjes fetare, boshllëku intelektual, shpërbërja shoqërore dhe mungesa e vlerave dhe qëllimeve ideale. Gjendje që prodhon individë, shqetësimi i vetëm i të cilëve është padrejtësia dhe ndjekja e gabimeve në vend që të angazhohen në përparime pozitive.

Prandaj lind nevoja për të na kujtuar vullnetin gjithëpërfshirës që e adreson këtë boshllëk që nga rrënjët e tij dhe rikthen rëndësinë e vlerave më të larta, ndikimin e modeleve frymëzuese, rëndësinë e qartësimit të qëllimeve të qarta,ekuilibrin njerëzor dhe kohezionin komunitar, shoqërorë. Kjo duke marrë parasysh themelet ligjore dhe të dhënat e rehabilitimit psikologjik, social dhe edukativ,  që të forcojmë mesazhin e ndërgjegjësimit dhe të konsolidojmë ndikimin e formimit të komunitetit.

“Mos nxito t’i bësh padrejtësi askujt, sepse pasojat e padrejtësisë janë të tmerrshme.”

Imam Maverdiu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Arsyeja që parandalon padrejtësinë nuk është pa njërën nga këto katër gjërat: Ose një mendje e shëndoshë frenuese, ose një fe e shëndosë kufizuese, ose një autoritet i fuqishëm pengues, ose një pengesë e fortë ndaluese.” Prandaj, janë të shumtë tekstet në Libër, Kuran, dhe në sunet që dënojnë padrejtësinë dhe njerëzit e saj, sepse ajo është origjina e çdo të keqeje. Padrejtësia është errësirë, për këtë Zoti i tokës dhe i qiejve paralajmëroi kundër saj. Në një hadith Kudsi, Zoti ka thënë: “ O robërit e Mi, Unë ia kam ndaluar padrejtësinë Vetes dhe e kam bërë të ndaluar atë midis jush, prandaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Mjerë ata që kanë bërë padrejtësi – për dënimin e Ditës së dhembshme!” (Ez-Zuhruf 65)

Vëllezër në Islam! Nga format më të urryera të padrejtësisë është padrejtësia ndaj njerëzve. Ajo është e mbushur me gjemba të përgjakur që e çojnë autorin e saj në humnerë. Sa shumë gënjeshtra ka vendosur, sa shumë të drejta ka shkatërruar dhe sa shumë dëm ka shkaktuar! Ajo vetëm hapën plagë  dhe nuk shëron lotë. Ajo përfshin gjakun, paratë dhe nderin. Ka ardhur hadith i saktë nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, fjala e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, se ka thënë: “ Gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjta për ju, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë e juaj, në këtë vend të shenjtë tuajin dhe në këtë muaj tuaj të shenjtë.”

LEXO  Siguria e monoteizmit, besimit në Një Zot

Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ A e dini se kush është i falimentuar?” Kanë thënë: “ I falimentuar tek ne është ai që nuk ka dirhem, lek, dhe nuk ka pasuri.”  Ai ka thënë: “ I falimentuari nga umeti im është ai që vjen në Ditën e Kiametit me namaz, me agjërim dhe me zekat, mirëpo e ka ofenduar filanin, ka shpifur për filanin dhe ka ngrënë pasurinë e filanit. Rrjedhimisht, filanit do t’i jepen nga të mirat e këtij, atij tjetrit do t’i jepen nga të mirat e këtij, e, kur t’i harxhohen të mirat para se t’i lajë padrejtësitë ndaj tyre, atëherë do të merren gjynahet e tyre, do t’i hidhen këtij e më pas do të hidhet në Zjarr.”

Zoti ju ruajt! Mendoni dhe analizoni këtë njeri që ka kryer namazin, zekatin dhe agjërimin, domethënë, ai ka përmbushur shtyllat e Islamit, ka sjellë vepra të mira sa malet, të cilat ai beson se do ta shpëtojnë, por ai ka ardhur i ngarkuar me padrejtësi ndaj njerëzve që kanë bërë që përfundimi i tij të jetë në Xhehenem, Zoti na ruajtë.  Ai nuk përmendën këtu pirjen e alkoolit, dhe pse është një gjynah i rëndë dhe një nga gjynahet e mëdha, ai që e kryen atë do ti nënshtrohet gjykimit të Zotit, ku Ai mund ta falë ose ta ndëshkojë. Por se padrejtësitë që lidhen me të drejtat e njerëzve duhet të përmbushen dhe kompensohen, sepse ato janë të drejta private, dhe të drejtat e njerëzve bazohen në llogaridhënie të rreptë, jo në falje. Për këtë dhe Sufjan e Theuriju, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Është më e lehtë për ty të takosh Zotin e Plotfuqishëm me shtatëdhjetë gjynahe që janë në mes teje dhe Tij sesa të takosh Atë me një gjynah  të vetëm që është në mes teje dhe robërve të Tij.”

Ibn El Kajjmi, Zoti e mëshiroftë, e shpjegon më hollësisht përshkrimin e këtyre njerëzve, pavarësisht shqetësimit të tyre për të drejtat e Zotit, ka thënë: “Nga të drejtët mund të gjeni njerëz që mezi e humbasin një namaz, agjërim, përkujtim ose lutje, por ata shpifin për reputacionin e njerëzve.”

Ai përmend se padrejtësia është tre llojesh: Padrejtësi që Zoti nuk e fal fare, e që është politeizmi. Padrejtësi nga e cila Zoti nuk lë asnjë gjë jashtë saj, që është padrejtësia e njerëzve ndaj njëri-tjetrit, dhe padrejtësi për të cilën Zoti nuk shqetësohe fare, që është padrejtësia e njeriut ndaj vetes në marrëdhënien e tij me Zotin e tij.

“O i padrejtë që u ke bërë padrejtësi atyre që nuk kanë ndihmës tjetër përveç të Plotfuqishmit, mos u mashtro nga afati.

Nesër do të vdesësh dhe Zoti do të gjykojë midis ju të dyve me urtësinë e së vërtetës e jo me gënjeshtra dhe dredhi.”

Vëllezër në besim! I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na ka urdhëruar të kërkojmë falje për padrejtësitë e kryera në këtë botë përpara se të takohemi me Zotin e botëve,  në botën Tjetër, Ahiret. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoft i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush i ka bërë padrejtësi vëllait të tij, qoftë në lidhje me nderin e tij apo me ndonjë gjë tjetër, le t’i kërkojë falje sot, përpara se të mos ketë më dinar e as dirhem. Nëse ka ndonjë vepër të mirë, ato do t’i merren në përpjesëtim me të keqen që ka bërë. Nëse nuk ka më vepra të mira, disa nga veprat e këqija të viktimës së tij do të merren dhe do t’i ngarkohen atij, dhe pastaj do të hidhet në Zjarr.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush thotë për besimtarin diçka që nuk është e vërtetë për të, Zoti do ta bëjë atë të banojë në baltën e Xhehenemit në Ditën e Ringjalljes derisa të nxirret nga aty me përmbushjen e asaj që ka thënë.” Hadithin e ka transmetuar Ebu Daudi me zinxhir transmetimi të saktë.

LEXO  Dashuria dhe kujdesi për xhamitë - Meka 26.06.2020

O adhurues të Zotit! Bëni kujdes dhe mos i shkelni të drejtat e njerëzve ose t’i dëmtoni ata, kërkoni falje nga kushdo që i keni privuar nga të drejtat e tij pasa se nuk do të mbetet as dinar as dirhem, sepse çështja është shumë serioze.

“Do shkojmë tek Gjykatësi i Drejtë i Ditës së Gjykimit, e para Zotit do mblidhen kundërshtitë.”

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është lutur për mëshirë për ata që nxituan të kërkojnë falje nga vëllai i tyre, në mënyrë që veprat e tyre të mira të mos u merren në Ditën e Gjykimit. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Zoti e mëshiroftë atë njeri të cilit i është bërë një padrejtësi nga vëllai i tij në aspektin e nderit ose të parave, pastaj ai ka ardhur dhe i ka kërkuar falje para se ta merrnin, pa pasur asnjë dinar ose dirhem të përfshirë.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.

Padrejtësia është e mjaftueshme për të dekurajuar njerëzit dhe e mjaftueshme për të paralajmëruar shtypësit, të padrejtët. Ajo është përmendur në Kuran si sinonim i politeizmit, Zoti na ruajt.

Nga padrejtësitë që kanë ngritur kokën dhe  përhapur brirët e tyre, në epokën e teknologjisë dhe dixhitalizimit, është ajo që promovohet përmes disa faqeve të mediave sociale nga ndërmjetësit, hakerët e mendjes dhe promovuesit e terrorizmit intelektual. Të cilët  duke u kënaqur me përgojimin dhe shpifjen kundër të pafajshmëve, gënjeshtrat dhe shpifjet, zilinë dhe urrejtjen, ligësinë dhe mërinë, dhe imoralitetin në mosmarrëveshje. Kjo është një nga padrejtësitë më të qarta dhe më të mëdha, më shtypësë dhe më ogurzezë. Vepruesi i saj duhet të nxitojë ta shfajësojë, pastrojë veten prej saj  para se të mos mbetet më dinar apo dirhem.

O adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin dhe veproni para se të mos jetë tepër vonë me ardhjen e shkatërruesit të  kënaqësive dhe ndarësit të grupeve, vdekjes, e  të pendoheni kur të mos ketë kohë për pendim, për t’i shpëtuar padrejtësive që u bëhen njerëzve dhe lëndimin e tyre, në ndjenjë dhe në kuptim, në fjalë dhe në vepra. “Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.” (El-Ahzab 58)

Zoti na begatoftë të gjithëve në dy shpalljet, në Kuranin Famëlartë dhe në synet, na bëftë dobi me udhëzimin e zotërisë së dy botëve.

Zotit të Madhërishëm i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah,  Zotit kërkoni falje dhe tek Ai pendohuni, me të vërtetë për ata që pendohen Ai është Falës i Madh.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili përsosi dhe sqaroi Sheriatin, legjislacinine fesë së Tij,  dhe e bëri umetit tonë të lumtur në fe dhe në çështjet e kësaj bote.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok.

Dëshmoj se i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjarët dhe  shokët e tij, më të drejtët e umetit në zemër dhe më të devotshmit, dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin ashtu siç duhet pasur frikë prej Tij, dhe dijeni se fjala më e mirë është libri i Zotit, Kurani, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ndërsa gjërat më të këqija janë ato që shpiken rishtas në fe, e çdo shpikje është devijim. Përmbajuni xhematit, bashkësisë sepse dora e Zotit është me xhematin dhe kush do që shmanget prej tij, do të devijojë dhe do përfundojë në zjarr.

O besimtarë! Jemi në fillim të muajit Rexheb,  këtij muaji të shenjtë,  prandaj kapuni fort pas udhëzimit të profetit tuaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe pas asaj që ndoqën brezat e preferuar, selefët. Bëni kujdes nga risitë dhe praktikat e sapo futura. Dijeni se  nga i dërguari,  paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, se nuk është vërtetuar apo provuar diçka specifike në lidhje me vlerën e këtij muaji. Të gjitha lajmet që transmetohen rreth të preferuarit e veprave të mira në të janë transmetime të dobëta ose të trilluara, siç është mendimi i njerëzve të dijes, Zoti i mëshiroftë.

LEXO  Durimi dhe shpërblimi i vuajtjeve dhe sprovave

Vëllezër në besim! Në këto kohë, një padrejtësi e madhe është përhapur gjerësisht: Kjo është ajo që disa popuj të shtypur po përjetojnë nga padrejtësia kolektive, siç është populli krenar Palestinez, rrethinat e xhamisë Aksa dhe Kudsi, të cilët vuajnë rrethimin dhe shkatërrimin, zhvendosjen dhe vrasjen, migrimin dhe shpërnguljen  e detyruar dhe abuzimin nga armiku brutal sionist. Veçanërisht kur stina e ashpër e dimrit ka ardhur mbi ta dhe i ftohti i tij i hidhur i ka kafshuar me dhëmbët e tij therës. I lutemi Zotit që të largojë padrejtësinë nga të shtypurit dhe të padrejtët kudo. I lutemi Zotit që të zbresë mbi ta nga ngrohtësia e mirësisë dhe mëshirës së Tij atë që do t’i sigurojë ata që kanë frikë, do t’i ushqejë të uriturit, do t’i veshë të zhveshurit, do t’u largojë dëmin dhe padrejtësinë, do t’i forcojë dobësinë e tyre dhe do t’i shërojë plagët e tyre me mirësinë dhe bujarinë e Tij.

Përgëzojmë qëndrimet e forta, të palëkundura dhe të ndershme të vendit tonë të dashur, Mbretërinë e Arabisë Saudite, ndaj kauzës Palestineze dhe vendeve të shenjta Islame. Zoti e ruajtë Mbretërinë dhe të gjitha vendet muslimane në lindje dhe perëndim të tokës nga çdo e keqe dhe dëm,  largoftë nga ne dhe muslimanëve komplotet e komplotistëve, skemat e intrigantëve dhe sulmet e agresorëve, Vërtet, Ai i dëgjon të gjitha dhe u përgjigjet (lutjeve).

Zoti ju mëshiroftë! Lutuni dhe përshëndeteni me selam, fshehurazi dhe haptazi, më të mirin e të gjithë krijimit, më të nderuarin dhe më të dalluarin midis tyre, profetin tonë, Muhamed Ibn Abdullah El Hashimij El Kureshij, sikurse ju ka urdhërua me këtë Zoti juaj Bujar dhe i Lartësuar, Allahu i Madhërishëm në fjalën e Tij të vërtetën, ka thënë:  “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar.

O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar.

O Zot, të lutemi ji i kënaqur, me katër Kalifët, imamët e drejtë me pozitën të lartë dhe nderi  që të qartë: Ebu Bekrin e sinqertë, Omer Faruku, dalluesin, Othmanin, zotëruesin e dy dritave, dhe Aliun, babain e dy nipërve të profetit,  me familjen dhe të gjithë shokët, dhe çdo njërin që ndoqi rrugën e tyre dhe i pasoi ata, o  më i Miri nga ata që anashkalojnë dhe fal,  dhe me ne së bashku me ta me Mirësinë, Bujarinë dhe Begatinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët.                                                           

O Zot, bëje këtë vend të paqtë,  të sigurtë, të qetë dhe me stabilitet, dhe të gjitha vendeve  muslimanëve.    

O Zot, na jep siguri në vendet dhe shtëpitë tona, jepu sukses udhëheqësve dhe kujdestarëve të çështjeve tona. O Zot, mbështet me të vërtetën dhe në të drejtën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, dhe zëvendësit të fronit të tij, në atë që është lartësimi i Islamit dhe përmirësimi i muslimanëve, dhe në atë që është  e mirë dhe e dobishme për  vendin dhe për popullin.      

O Zot, jepu sukses të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve.        

O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë tonë dhe atyre që janë të vendosur dhe vigjilojnë në kufijtë tanë.

O Zot, largo ankthin dhe shqetësimet nga muslimanët, largo fatkeqësitë atyre që janë prekur nga fatkeqësitë, mundëso shlyerjen e borxheve atyre që kanë borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe  të sëmurët e muslimanëve.                                                                                                                                                               

O Zot, na fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët prej tyre dhe të vdekurit, me të vërtet, Ti i dëgjon të gjitha, je afër dhe u përgjigjet (lutjeve).

O Zot, zbrit mbi ne shi! O Zot, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj nga të dëshpëruarit.

O Zot, jepu bijve dhe bijave tona sukses, arritje dhe begati.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)

“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)

O Zot, na fal ne, prindërit tanë, prindërit e prindërve tanë, të gjithë muslimanët dhe muslimanet, të gjallët prej tyre dhe ata që kanë ndërruar jetë, me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon, je afër, ju përgjigjesh lutjeve.

“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1441679574625385/1571795200508907

Post Author: endrit