Nevoja për Zotin: Pasuria e zemrave dhe hyrja në vitin e ri

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar     04-01-1448 H     12-06-2026 D

Shejh Salih Ibn Abdullah Ibn Humejd 

Tema    Nevoja për Zotin: Pasuria e zemrave dhe hyrja në vitin e ri

Lavdërimet janë për Allahun, Ai është i Lartësuar në Veten e Tij, në fuqinë dhe madhështinë e Tij, Ai është Mbrojtësi i Lavdëruar, më afër robërve të Tij sesa damari i qafës së tyre. Zotin e Madhërishëm e lavdërojmë dhe e madhërojmë,  Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë, Dëshmitar mbi çdo gjë, Atë e falënderoj për bekimet e Tij të shumta, falënderimet shtohen me falënderime. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi përmes së cilës shpresoj të arrij më shumë mirësi.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, ngriti flamurin e besimit dhe të monoteizmit, Njësimit të Zotit. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, njerëzit me gjykim të shëndoshë dhe qasje të mençur, mbi tabi’inët dhe ata që i ndoqën ata në mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

Në vijim

O ju njerëz! Këshilloj ju dhe veten time që të kemi frikë nga Zoti. Kini frikë Zoti,  Zoti ju mëshiroftë dhe bëni kujdes që të mos mashtroheni nga shpresat dhe ëndrrat, sepse çdo qenie e gjallë është në prag të largimit nga kjo botë dhe pranë vdekjes. Ku janë ata që grumbulluan pasuri dhe e shtuan atë, që u mburrën dhe i përçmuan të tjerët? I ka gëlltitur varri, mbuluar toka dhe i kanë ngrënë krimbat. Nuk ka mbetur asgjë tjetër përveç asaj që kanë vpruar duart e tyre. “Çfarë do të ndodhë me ata, kur t’i tubojmë në Ditën (e Gjykimit), për të cilën s’ka pikë dyshimi, kur çdokujt do t’i jepet shpërblimi i veprave të veta e askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi?”(Al ‘Imran 25)

Të dashur! Po mirëprisni një vit të ri, Zoti e bëftë një vit të bekuar, na përmirësoftë kushtet në të, na bekoftë jetën, veprat, furnizmin dhe pasardhësit tanë.

O Zot, na i fal gjynahet e kaluara, na mbulo të gjitha të metat tona me mëshirën Tënde,  na mundëso të pendohemi dhe të kthehemi tek Ti, dhe hap për ne portat e mëshirës dhe pranimit.

Adhurues të Zotit! I lumtur është ai që jetën e tij e mbushën me vepra të mira, dhe i pafat është ai kundër të cilit dëshmojnë fjalët dhe gabimet e tij. Zoti ju ruajt! Ruani ditët e jetës suaj para se të ju vijë vdekja, sepse e dini se vdekja ua heq ëmbëlsinë dëshirave dhe atëherë nuk do të ketë ndonjë dobi as ajo që ruhet dhe as ajo që fitohet. Robin nuk e shoqëron asnjë gjë përveç asaj që bëri dhe asaj që fitoi.

O muslimanë! Vendbanimet e kësaj bote përshkohen me këmbë, ndërsa vendbanimet e botës Tjetër, Ahiretit, përshkohen me zemra. Udhëtimi për në botën Tjetër përshkohet nga udhëtimi i zemrave, ndërsa udhëtimi i kësaj bote përshkohet nga udhëtimi i trupave. Zemra më e dashur për Zotin është ajo në të cilën është rrënjosur përulësia ndaj Zotit të saj  dhe të cilën e ka pushtuar përulësia ndaj Zotit të saj. Është ajo zemër që ka kokën e ulur, që nuk e ngre kokën nga turpi dhe modestia para Zotit të saj. Zemër vigjilente, vazhdimisht në lutje, kërkon strehim tek Zoti i saj dhe i lutet Atij për ndihmë me lutjen  e nevojtarëve dhe të përulurve. “A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarin)?!”(Ez-Zumer 9)

O ju vëllezër të besimit në Zot! Ndjenja e domosdoshmërisë për Zotin është pozitë nga pozitat e mëdha të robërisë, adhurimit, e ndjenja më e madhe dhe e vërtetë është kur robi mendon për dobësinë, varfërinë, pafuqinë, nevojën, paaftësinë dhe mangësitë e tij, astaj i ngre të gjitha këto tek Mbreti i Pasur, i Plotëfuqishëm dhe Dhurues. Sipas shkallës së ndjenjës së domosdoshmërisë së tij për Zotin e tij do të jetë suksesi, furnizimi i tij, pasuria dhe lumturia e tij.

LEXO  Sinqeriteti është shpëtim, gënjeshtra humbje

Adhurues të Zotit! E vërteta e ndjenjës së nevojës, domosdoshmërisë është dija e robit dhe bindja e tij e fortë se ai nuk mund të bëjë pa Zotin e tij as edhe për një moment, por realiteti i tij është të jetë i vetëmjaftueshëm me Zotin e tij nga çdo gjë tjetër. Nevoja për Zotin është besimi i fortë dhe bindja e sinqertë se Zoti i Madhërishëm është i Mjaftueshmi Mbështetësi dhe Ndihmuesi. Robi nuk ka pushtet, forcë apo aftësi përveçse me lejene Zotit, vullnetin, fuqinë, lehtësimin dhe ndihmën e Tij. Ai që ka nevojë për Zotin është ai që vazhdimisht dëshmon varfërinë e tij në çdo aspekt të fesë së tij dhe çështjeve të kësaj bote, i lutet Zotit të tij, duke i kërkuar Atij që të mos e lërë vetëm për asnjë moment dhe ta ndihmojë në të gjitha çështjet e tij.

Vëllezër të dashur! Porta e nevojës drejt Zotit është rruga më e shkurtër që të çon tek Zoti. Sahl El Tustari thotë: “Në mes të robit dhe Zotit të tij nuk ka rrugë më të afërt se nevoja.”

Sa më i përulur të jetë një rob ndaj Zotit të tij është aq më afër Tij. Sa më i nevojshëm të jetë ai ndaj Zotit të tij është aq më i nderuar prej Tij dhe aq më shumë e do Atë. Zoti i Lartësuar, është më bujar kur ju keni më shumë nevojë për Të, aq më afër Tij jeni kur keni më shumë nevojë për Të. Sa më i ditur të jetë një rob për Zotin, aq më e madhe është nevoja e tij dhe aq më e sinqertë është përulësia e tij ndaj Tij.

Fudejl Ibn Ijad, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Personi që e njeh më mirë Zotin është ai që i frikësohet Atij më shumë.” Ai gjithashtu ka thënë: “Frika e një robi ndaj Zotit është në përpjesëtim me njohurinë e tij për Të.”

Më e vërtetë dhe më elokuente se kjo është thënia e të zgjedhurit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Kush ka frikë udhëton natën, dhe kush udhëton natën arrin destinacionin.”  Disa nga paraardhësit tanë, selefët, kanë thënë: “Asnjë rob nuk ka kërkuar ndihmë për fenë e tij me diçka sikur frika nga Zoti.”

Zoti të ruajt! Konsidero, medito në këtë kontrast të mahnitshëm në këtë urtësi gjithëpërfshirëse: “Nëse nevoja e robit për Zotin është e vërtetë, atëherë  dhe mjaftueshmëria e tij me Të është e vërtetë,  e nëse është e vërtetë mjaftueshmëria e tij me Të, atëherë është e vërtetë nevoja e tij për Të.”

O muslimanë! Robi arrin në gjendjen e nevojës para Zotit nëpërmjet lutjes, kërkimit të ndihmës, besimit, vetëdijes, përuljes, dëshirës, ​​kthimit tek Zoti, frikës, dashurisë, kujtimit të vazhdueshëm të Zotit, kërkimit falje, frikës së Zotit fshehurazi dhe publikisht, dhe lartësimit të urdhrave të Zotit. Përsosmëria e nënshtrimit ndaj Zotit qëndron në përsosmërinë e përulësisë dhe nevojës.

Përmes kërkesës drejtuar Zotit, arrihet pasuria, rrjedhin bekimet dhe zbret mëshira. Kush dëshiron pasuri duhet të kapet pas portës së të Pasurit, të trokasë me dorën e nevojës dhe të përulësisë, të përgëzohet, marrë lajmin e mirë të dhënies së bollshme dhe dhuratave të mëdha nga Bujari dhe Madhështori.

Imam Shafiu, Zoti e mëshiroftë, thotë: “Kush shikon dobësinë në vetvete, arrin drejtësi tek Zoti.” Përmes nevojës vjen lumturia e plotë dhe fitorja e madhe. Sa më i përulur të jetë robi ndaj Zotit të tij dhe për Sunduesin e tij më nevojtarë,  aq më i nderuar dhe më afër Tij është ai.

Në vijim

Zoti ju ruajt!

Kur dikush vërtet ndien nevojë për Zotin, adhurimi bëhet i pastër dhe shqetësimi i tij për Zotin e tij ndërpret të gjitha shqetësimet e tjera. Kush e lidhën zemrën me Zotin e tij gjen kënaqësinë e bindjes. Kush dëshiron lumturinë le t’i përmbahet pragut të robërisë ndaj Zotit, nga bindja nënshtrimi dhe përulësia.

LEXO  Reflektim pas haxhi - Usama ibn Abdilah el Khajat - 31.8.2018

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd. Nëse do, Ai ju zhduk dhe sjell krijesa të reja. Kjo gjë nuk është e vështirë për Allahun.”(El-Fatir 15-17)

Zoti na bëftë dobi të gjithëve me udhëzim nga Libri i Tij, Kurani i Madhërishëm, dhe nga suneti i të dërguarit të Tij, Muhamedit, paqja dhe mëshira Zotit qoftë mbi të.

Zotit i kërkoj falje për vete, ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, Zotit kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin. “ Ai është Zot i lindjes dhe i perëndimit, s’ka zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Tij, drejtoju Atij si rregullues i punëve të tua!” (El-Muzzemmil 9) Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj, mirësitë e Tij mbi ne vazhdojnë në mëngjes e në mbrëmje.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi që e rezervoj për atë ditë në të cilën llogaria do të jetë e rëndë.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, adhuroi Zotin e tij derisa iu ajtën këmbët dhe iu përkushtua plotësisht Zotit të tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij. “Kështu që disa prej tyre e kanë kryer zotimin (duke vdekur në luftë për Çështjen e Allahut), kurse të tjerët presin, pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.” (El-Ahzab 23) Mbi tabi’inët, pasuesit,  dhe ata që i ndoqën në mirësi, lutje dhe përshëndetje të shumta, të vazhdueshme dhe të përhershme.

Në vijim

O muslimanë! Robëria e zemrës është më e madhe se robëria e trupit, dhe nënshtrimi i zemrës është më i rëndë se nënshtrimi i trupit. Njerëzit më të çorientuar dhe humbësit më të mëdhenj janë ata, zemrat e të cilëve janë të lidhura me dikë tjerë përveç Zotit. Prirja dhe dorëzimi përballë dëshirës është një lloj adhurimi. “A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot?”(El-Furkan 43) I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ I mjerë është robi i dinarit, i mjerë është robi i dirhemit.”  Kush e lidhën zemrën e tij me një krijesë do t’i nënshtrohet asaj  dhe do bëhet rob i saj në masën e këtij nënshtrimi. Humbjet më të mëdha janë: Humbja e zemrës dhe humbja e kohës. Humbja e zemrës është duke preferuar këtë botë mbi botën Tjetër, Ahiretin. Humbja e kohës është duke pasur shpresa të gjata. Shkatërrimi vjen duke ndjekur dëshirat dhe duke pasur shpresa të gjata, ndërsa drejtësia vjen duke ndjekur udhëzimin dhe duke u përgatitur për takimin.

Mos nënshtrimi ndaj Zotit të çon në arrogancë: “Me të vërtetë, ata që e përçmojnë adhurimin Tim, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar!”(Gafir 60)

Dijeni se ekzistojnë tre pengesa: Politeizmi, bidati dhe mosbindja. Politeizmi hiqet nga monoteizmi, bidati hiqet duke ndjekur sunetin dhe mosbindja hiqet nga pendimi i sinqertë.

Zoti ju mëshiroftë! Kini frikë Zotin dhe mirëpriteni vitin tuaj me pendim dhe vepra të mira, sepse ditët janë masa e jetëgjatësisë dhe kohëzgjatja e veprave. Jeta kalon shpejt dhe të gjitha ditët kalojnë. Puna e besimtarit nuk mbaron derisa të vijë koha e tij. Zoti nuk ka caktuar një kohë fikse për punën e besimtarit përveç vdekjes. “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!”(El-Hixhr 99)

Nuk ka asnjë orë të jetës në të cilën Zoti nuk i ka caktuar një detyrë bindjeje. Robi i afrohet Zotit të tij përmes shpresës dhe frikës.

Nga gjërat më të mira me të cilat mund t’i afroheni Zotit gjatë këtyre ditëve është ajo në të cilën ju ka nxitur profeti juaj Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nga agjërimi në ditën e Ashures. Zoti ju mëshiroftë, përpiquni të agjëroni këtë ditë. Nga Enesi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Me agjërimin e ditës së Ashures, shpresoj që Zoti do t’i shlyejë gjynahet e vitit të mëparshëm.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

LEXO  Mbuloi të metat e të tjerëve - Meka 23.10.2020 

Nga Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, transmeton një hadith që i atribohet të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, se ka thënë: “ Ndryshoni nga hebrenjtë, agjëroni një ditë para saj, ose një ditë pas saj.”  Ndërsa në një transmetim tjetër: “Agjëroni një ditë para saj dhe një ditë pas saj.” Hadithin e ka transmetuar Ibn Huzejme.  

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nëse do jetoj deri vitin tjetër, do të agjëroj ditën e nëntë.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi nga hadithet e Abdullah Ibn Abasit, Zoti qoftë i kënaqur me të.

Zoti e pranoftë prej nesh dhe prej jush, e bëftë të tashmen tonë më të mirë se të kaluarën tonë, dhe të ardhmen tonë më të mirë se të tashmen tonë.

Lutuni dhe përshëndeteni mëshirën e dhuruar, mirësinë e dhënë, të dërguarin tuaj, Muhamedin, të dërguarin e Zotit, për këtë ju ka urdhëruar Zoti juaj, Zoti i Plotëfuqishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin,  familjen e tij, bashkëshortet  dhe pasardhësit e tij.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabi’inë, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit,  dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët, dhe mbro ndjekësit e fesë, ndihmo robërit e Tu besimtarë, mposht tiranët, ateistët dhe të gjithë armiqtë e tjerë të umetit dhe fesë.

O Zot, ndihmo fenë Tënde, librit Tënd, sunetin e të dërguarit Tënd Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe robërit e Tu të mirë.

O Zot, na jep siguri në vendin tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët  e çështjeve tona,  bëj udhëheqjen tonë në duart e atyre që të frikësohen, janë të devotshëm ndaj Teje dhe që kërkojnë  kënaqësinë Tënde, o Zot i botëve.

O Zot, mbështet me të vërtetë, me udhëzim dhe me sukses udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta. O Zot, jepi atij sukses në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur,  udhëzoje atë në drejtësi dhe devotshmëri. Jepi atij këshilltarë të drejtë, forco me të fenë Tënde dhe lartëso përmes tij fjalën Tënde. Bëje atë burim fitoreje për Islamin dhe muslimanët, dhe bashko me të fjalën e muslimanëve në të vërtetën dhe në udhëzim. O Zot, atij, princit të tij të kurorës, vëllezërve dhe mbështetësve të tij jepu sukses në të vërtetën dhe udhëzimin, dhe në gjithçka që sjell dobi popullit dhe vendit.

O Zot, ruaj dhe jepu fitore ushtarëve dhe njerëzve të sigurisë tonë të stacionuar në kufijtë dhe frontet tona. O Zot, mbështeti ata me mbështetjen Tënde dhe jepu atyre fitore me fitoren Tënde. O Zot, drejto goditjet dhe mendimet e tyre dhe jepu atyre fitore mbi armikun Tënd dhe armikun e tyre, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar.

O Zot, jepu sukses kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve që të punojnë me Librin Tënd, dhe me sunetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, bëji ata mëshirë për robërit e Tu besimtarë, bashko fjalën e tyre në të vërtetën dhe udhëzimin, o Zot i botëve.

O Zot,  të lutemi që të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë. O Zot, jepu atyre fitoren me fitoren Tënde dhe mbështeti ata me mbështetjen Tënde. O Zot, mëshiro dobësinë e tyre, shëro krisjet e tyre dhe kthe rrethin e së keqes kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre, o i Plotfuqishëm, O i Lartësuar.

O Zot, ruaj xhaminë Aksa,  bëje atë të fortë dhe krenare deri në Ditën e Gjykimit, me Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, na mbro nga e keqja e të ligjve, nga komplotet e të korruptuarve dhe nga të këqijat e atyre që këpusin rrugët natën dhe ditën.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)

“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1597618032364871/1278960294056336

Post Author: endrit