Nga mësimet e Hixhretit: Bindja, vëllazëria dhe fuqizimi

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     04-01-1448 H    19-06-2026 D

Shejh Urvetu Ikrime Sabri   

Tema    Nga mësimet e Hixhretit: Bindja, vëllazëria dhe fuqizimi

Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë, udhëzim dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. “Sa për atë, që Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë, pikërisht ai është i udhëzuari. E sa për atë, që Ai e lë në humbje, ti, me siguri, nuk do të mund t’i gjesh mbrojtës që ta udhëzojë.”(El-Kehf 17) Lavdërimet janë për Allahun, i Cili na ka bekuar me mirësitë e Islamit, dhe ka dërguar tek ne më të mirën e njerëzimit, Muhamedin,  paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Lavdërimet janë për Allahun, i Cili i mundësoi thirrjes Islame emigrimin dhe mbështetjen. Lavdërimet janë për Allahun, i Cili  i bëri emigrantët dhe mbështetësit vëllezër, besimtarë, të dashur dhe të dhembshur ndaj njëri-tjetrit. Lavdërimet janë për Allahun, i Cili i bashkoi robërit e Tij besimtarë dhe i bërë ata vëllezër të bashkuar.

“Emigrove o më i miri i të gjitha krijesave, nga Meka pasi mundimi atje u shtua.

Emigrove kur pe njerëz në errësirë, ndërsa ti ishe një hënë që shkëlqente në errësirën e saj.

Emigrove kur pe përhapjen e injorancës, e keqja dhe mosbesimi mbizotëruan luginën e saj.

Emigrove për hir të Zotit, duke përshkuar shkretëtirën, i shoqëruar nga një mik besnik dhe fisnik, udhërrëfyes drejt saj.

Ai ishte Imam Ebu Bekri e historia e tij rrëfehet nga Zoti i Qiejve në Kuran.

Ai në shpellë i thotë shokut të tij mos u trishto, Zoti është i mjaftueshëm për ne. Sa të larta janë kuptimet e saj!”

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Atij i përket sundimi, Atij i takon çdo lavdërim,  Ai është i Plotëfuqishëm për çdo gjë.

Dëshmoj se Muhamedi është i dërguari  i Zotit, udhëheqësi i njerëzve të devotshëm, modeli i njerëzve të ditur punëtorë dhe shembulli i thirrësve të sinqertë deri në ditën e Kijametit. O Zot, fale dhe mëshiroje zotërinë tonë, Muhamedin në këtë botë, fale dhe mëshiroje atë në botën Tjetër, Ahiret, fale dhe mëshiroje atë në pozitën më të lartë deri në Ditën e Gjykimit.

“Zoti e bekoi atë në mbretërinë e Tij, sa kohë që robi qëndron në namaz dhe e madhëroi Atë.

Zoti e bekoi atë në mbretërinë e Tij, sa kohë që nata vjen pas ditës dhe ikën,

 Zoti e bekoi atë në mbretërinë e Tij, sa kohë që qiejt rrotullohen ose një yll udhëton.”

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71) 

Në vijim

Zoti i Plotëfuqishëm në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, thotë: “ Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.),  Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri të padukshme (engjëjsh) dhe bëri që fjala e mosbesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse Fjala e Allahut të jetë më e lartësuara. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”(Et-Teube 40)

LEXO  Nga vlerat e fjalës së teuhidit, Njësimit të Zotit

Adhurues të Zotit! Emigrimi i profetit themeloi një fazë të re në thirrjen Islame, pasi thirrja kaloi nga një fazë dobësie në një fazë fuqizimi. Kur profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe shokët e tij u prekën nga mundimet e politeistëve në Meke, për shkak të besimit të tyre dhe refuzimit të paganizmit të injorancës, Zoti i Plotfuqishëm caktoi që të ketë një zgjedhje të një strehe të sigurt për këtë thirrje, e cila ishte Medina e Ndritshme, qytet në të cilin u mbështetet dhe u fuqizua thirrja  në tokë. O ju muslimanë! Edhe pse emigrimi nga atdheu ishte i dhimbshëm për profetin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe shokët e tij, por se ajo ishte e domosdoshme  që të mbrohej thirrja Islame dhe përhapja e saj. Nga Ibn Abasi transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e  Zotit qoftë mbi të, ka thënë, duke ju drejtuar Mekes së Bekuar: “Nuk ka tokë më të mirë dhe më dashur për mua se ti, sikur populli im të mos më dëbonte nga ty, nuk do të kisha banuar diku tjetër përveç teje.”

Megjithatë, ky emigrim ishte i përkohshëm për disa vite, pasi i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i përgatiti shokët e tij për t’u kthyer në Meke si çlirues pas disa vitesh. Ata ndoqën rrugën e saktë të kthimit, duke iu përmbajtur një qasje të fortë hyjnore të bazuar në bindjen ndaj Zotit të Plotfuqishëm, në përmirësim, në zhvillimin e tokës dhe në vendosjen e drejtësisë në të.  “(Allahu i ndihmon edhe) ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në Tokë, kryejnë faljet, japin zeqatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.”(El-Haxhxh 41)

O ju muslimanë! Kuptimi i besimit dhe bindjes në Zotin e Lartësuar u manifestua në udhëtimin e emigrimit të profetit, i cili ishte i lidhur me parimin e marrjes së mjeteve materiale dhe planifikimit të kujdesshëm. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  emigroi fshehurazi dhe bëri zgjedhjen më të mirë të shoqëruesit të tij të udhëtimit, Ebu Bekrin, Zoti qoftë i kënaqur me të,  zgjodhi dikë për të kullotur delet për të fshehur gjurmët e udhëtimit të tyre, zgjodhi një udhërrëfyes për rrugën dhe caktoi dikë për t’i sjellë lajme për njerëzit e Mekes, dikë për t’i siguruar ushqim dhe pije, u fsheh në shpellën e Theurit dhe mori një rrugë që njerëzit nuk e ndjekin për në Medinen e Ndritshme.

Pavarësisht se ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mori masat materiale, bindja e tij në Zot ishte më e fortë, siç e shprehu këtë kur politeistët qëndruan në hyrje të shpellës së Theurit. Nga Ebu Bekri transmetohet se ka thënë: “ I thashë të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur isha në shpellë:  Nëse ndonjëri prej tyre do të shikonte poshtë tek këmbët e tij, do të na shikonte. I  dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, më tha: Çfarë mendon, o Ebu Bekër, për dy njerëz që Zoti është i treti i tyre?”

Kur Suraka Ibn Malik arriti të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  për t’ia dorëzuar politeistëve, thundrat e kalit të tij u fundosën në rërë dhe ai e kuptoi se ishte e ndaluar prej tij. Këtu, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  i premtoi Surakas byzylykët e Kisras, mbretit të Persisë në atë kohë, duke i premtuar me bindje të plotë, dhe pse ai po largohej nga Meka i dëbuar dhe i dobët. Premtim që vërtetë u përmbush gjatë kohës së Halifit të drejtë Omerit, Zoti qoftë i kënaqur me të.

LEXO  Këshilla për të qëndruar larg padrejtësisë

Adhurues të Zotit! Me të mbërritur i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në Medinen e Ndritshme, vendosi gur themelin e parë të shtetit Islam, i cili bazohet në themelet e qeverisjes së mirë dhe drejtësisë, zbatimin e konceptit të robërisë ndaj Zotit të Plotfuqishmit në kuptimin e tij gjithëpërfshirës, ​​dhe që shteti të jetë bërthamë për përhapjen e thirrjes Islame në të gjithë botën. Prandaj, dokumenti i famshëm i njohur si Karta e Medines së Ndritshme, e cila u përgatit në ditët e para të Hixhretit, shërbeu si kushtetutë për shtetin në zhvillim, ku organizoi marrëdhëniet e popullit të Medines në mes të Muhaxhirinëve dhe Ensarëve,  dhe të tjerëve përveç tyre. Ky dokument i parapriu sistemeve bashkëkohore në parimet kushtetuese që vendosi.

O ju muslimanë! Nga veprimet e ndërmarra nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, pas Hixhretit ishte vendosja e vëllazërisë midis Muhaxhirëve, emigrantëve, dhe Ensarëve, mbështetësve të tyre. Ajo vëllazëri formoi një model praktik të besimit, duke e përkthyer konceptin e vëllazërisë Islame në realitet të jetuar. Ensarët ndanë shtëpitë dhe pasurinë e tyre me vëllezërit e tyre Muhaxhirë me dëshirë dhe dashuri. Allahu i Plotëfuqishëm thotë: “Ndërsa ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndiejnë kurrfarë rëndimi, për atë që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.”(El-Hashr 9) Vëllazëria e besimit është valvul sigurie për komunitetin musliman. Përmes saj  komuniteti bëhet më i fortë, anëtarët e tij ngrihen mbi mosmarrëveshjet dhe konfliktet,  dhe çdo individ i përmbahet kufijve dhe detyrave të tij.

O ju muslimanë! Nga aspektet më të rëndësishme të vëllazërisë në besim është që muslimani të përmbahet nga dëmtimi i vëllait të tij musliman: “ Musliman është ai nga gjuha dhe dora e të cilit muslimanët e tjerë janë të sigurt. Emigrant është ai që braktis atë që Zoti e ka ndaluar.”

Prandaj, nuk është e pranueshme në shoqërinë muslimane ekzistenca e këtyre manifestimeve negative nga sulmet ndaj jetëve njerëzore,  shkatërrimi dhe djegia e pronave, sulmeve ndaj personaliteteve dhe përdorimit të familjeve për të ushtruar pushtet pasi këto manifestime ndikojnë në sigurinë e shoqërisë, paqen civile dhe stabilitetin e saj.

Këtu, duhet të ketë një rol për njerëzit e urtë, me dinjitet dhe ata me ndikim në rritjen e ndërgjegjësimit midis të rinjve dhe të rejave në lidhje me të drejtat e muslimanit kundrejt muslimanit, secili brenda kornizës së familjes së cilës i përket. Gjithashtu paralajmërojmë kundër rrezikut të zvarritjes së shoqërisë pas veprimeve të papërgjegjshme që kryhen nga budallenj dhe njerëz të papërgjegjshëm. Por se duhet të ketë një rol me ndikim për njerëzit e mirë në mbylljen e dyerve të konfliktit dhe parandalimin e shkaqeve të tij.

O ju muslimanë! Nga fenomenet negative që minon lidhjet e vëllazërisë së besimit, veçanërisht në qytetin e Kudsit, është drejtimi për në gjykata me qëllim shkaktimin e dëmit përmes padive keqdashëse që nuk synojnë të arrijnë drejtësi. Këto padi nuk rregullohen nga parimet fetare, por bazohen në gënjeshtra dhe mashtrime. Fatkeqësisht, për këto raste shpenzohen para, para që mbajnë avokatët që e kanë shitur veten për përfitime të paligjshme, të cilat do të jenë një burim keqardhjeje për ta në këtë jetë para jetës Tjetër, Ahiretit. Këta individë duhet të përmirësojnë rrugët e tyre dhe të mos jenë nxitës të përçarjes, e të mos jenë nxitës të përçarjes, që do të bartin gjynahet e tyre në Ditën e Gjykimit.

LEXO  Nga manifestimet e madhështisë së Islamit në adhurimin e agjërimit

Zoti na bëftë dobi me Kuranin Famëlartë, me këshillat dhe me përkujtimet e urta që ai përmban. Tek Zoti kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin e Tij, të besuarin, mbi familjarët dhe të gjithë shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Kijametit.

Në vijim

O ju adhurues të Zotit! I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, themeloi xhaminë pas mbërritjes së tij në Medinen e Ndritshme, për shkak të rëndësisë dhe simbolikës që përfaqëson xhamia në treguesin e natyrës Islame të shoqërisë. Xhamitë janë shtëpitë e Zotit, në të cilat kryhen ritualet e Islamit dhe prej tyre ngrihet zëri i thirrjes për namaz, zëri i së vërtetës dhe monoteizmit, Njësimit të Zotit.

Këto xhami ndërtohen për t’u frekuentuar nga namazfalësit, besimtarët. Muslimani është i obliguar të frekuentojë xhamitë dhe të kujdeset për kryerjen e namazeve me xhemat në to. Nuk lejohet braktisja e tyre. Xhamia më e merituar për tu vizituar në qytetin e Kudsit është Xhamia e bekuar e Aksasë, të cilën duhet ta mbushim, vizitojmë në të gjitha namazet dhe në të gjitha ditët e javës.

Vizita e xhamisë duhet të shoqërohet me aktivitete të ndryshme thirrëse dhe edukative. Xhamitë duhet të jenë kopshte edukativë për të rinjtë,  simbol i përmirësimit social dhe ombrellë për unifikimin e përpjekjeve të thirrjes.

O ju muslimanë! Për shkak të rëndësisë së emigrimit të profetit në historinë e thirrjes Islame, kalifi i drejtë Omer Ibn El Hatabi, Zoti qoftë i kënaqur me të, e mori si fillim i llogaritjes së kalendarit Islam,  bazuar në llogaritjen hënore të muajve. Pasi muajt hënorë ishin të lidhur me shumë vendime ligjore fetare, nga llogaritja e zekatit, përcaktimi i kohës së agjërimit dhe Haxhit, si dhe llogaritja e periudhës së pritjes, moshës së pubertetit, kujdestarisë dhe vendime të tjera fetare. Prandaj, ajo që kërkohet nga ne është t’i rikthejmë rëndësinë e kësaj historie duke e prezantuar atë së pari dhe pastaj duke punuar me të duke e përkujtuar atë kur lëshojmë dokumente zyrtare, korrespondencë, gazeta dhe revista. Ajo duhet të përdoret gjithashtu në shkolla dhe institucione arsimore, duke ua përkujtuar nxënësve çdo ditë, në mënyrë që të njihet dhe të ruhet.

Zotit të Plotëfuqishëm i lutemi që të na ndihmojë të ringjallim ligjet e Tij dhe sunetin e profetit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

O Zot, udhëzo të rinjtë dhe fëmijët tanë, mbroji ata nga të gjitha sprovat, të dukshmet dhe të fshehtat prej tyre.

O Zot, bashko zemrat e besimtarëve dhe unifiko radhët e tyre.

O Zot, bëj të dashur për ne besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona,  bëj të urryer për ne  mosbesimin, imoralitetin dhe mosbindjen.

O Zot, prano veprat tona,  na jep sinqeritet në fjalë dhe në vepra.

O Zot, ruaj për ne xhaminë e bekuar të Aksasë nga çdo e keqe, bëje atë të mbushur me Islam dhe musliman.

O Zot, shkruaj për ne shpërblimin e atyre që janë të lidhur me të deri në ditën e Kijametit.

O Zot, na dhuro dituri të dobishme,  zemër të përulur, gjuhë që të përkujton Ty dhe vepra të mira që pranohen.

O Zot, mëshiro të dobëtit dhe të shtypurit në çdo vend dhe largo vuajtjet prej tyre, o Zot i botëve.

O Zot, shëro plagët tona, mëshiro dobësinë tonë, largo pikëllimin tonë dhe lehtëso shqetësimin tonë. O i Gjallë, o i Përhershëm me Mëshirën Tënde kërkojmë ndihmë.

O Zot, përmirëso të gjitha çështjet tona dhe mos na lër në dorë të veteve tona as sa hap e mbyll sytë.

O Zot, na mëshiro, sepse Ti je i Mëshirshëm me ne. Mos na ndëshko, sepse Ti e ke të mundur ta bësh këtë. Ji i Butë me ne në lidhje me atë që ke përcaktuar për ne.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.

Falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

Lutja jonë e fundit është: Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve.

Fto për namazin,  Zoti  të mëshiroftë.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1598570798936261/1039513501853890

Post Author: endrit