Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 01-03-1448 H 14-08-2026 D
Shejh Halid Ebu Xhumua
Tema Bindja e besimtarit në të Vetmin, Ngadhënjimtarin dhe siguria e Aksasë
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka zbukuruar me përmendjen e Tij gjuhët e përkujtuesve, ka ndriçuar me dritën e dijes zemrat e njohësve të Tij, ka zbukuruar mendjet e vepër mirëve dhe ka ngritur me të pozitën e të devotshmëve. Ai ka shfaqur me bukurinë e emrave të Tij, cilësive dhe veprave të Tij atë me të cilën ka gëzuar zemrat të devotshmëve. Atë e kanë lavdëruar të dalluarit dhe të veçuarit në Njësimin e Tij në adhurim, nga të parët dhe të fundit.
Zotin e Lartësuar e lavdëroj dhe e falënderoj.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Përjetësia e Tij nuk shuhet dhe begatitë e Tij nuk mund të numërohen. “Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato.”(El-En’am 59)
Ai është i Gjithëdijshmi i së fshehtës, Rregulluesi i çdo gjëje, Sunduesi i çdo gjëje dhe Ai që përfshin çdo gjë.
Dëshmoj se i dashuri, udhëheqësi, shembulli dhe ndërmjetësi ynë, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Nëpërmjet tij Zoti largoi shqetësimin, ndriçoi errësirën, forcoi fenë dhe këshilloi umetin. Paqja, dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij fisnikë dhe mbi ata që i pasojnë me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
Në vijim
Këshilloj ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit. “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)
Frikësojuni Zotit të Madhëruar dhe binduni Atij, përmbajuni fesë së Tij dhe mos e braktisni atë, kapuni fort pas litarit të Tij, Kuranit, dhe mos e lëshoni atë, lexoni Librin e Tij dhe mos e braktisni, sepse do të ktheheni tek Zoti juaj dhe do të jepni llogari për veprat tuaja. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Ez-Zelzele 7–8)
O ju të lidhur me këtë vend! Dijeni se Zoti, Një dhe i Vetëm, Absoluti, nuk i ka krijuar njerëzit për të qëndruar përgjithmonë në këtë botë. Por se , Ai u ka caktuar në këtë tokë një jetë të kufizuar, frymëmarrje të numëruara dhe afate të përcaktuara, të cilat nuk mund t’i shtyjnë as edhe për një orë dhe as që t’i përshpejtojnë. Ata do të vdesin dhe do të kthehen tek Zoti, Sunduesi i tyre i Vërtetë. “Vetëm Atij i takon të gjykojë dhe Ai është më i shpejtë në llogari..”(El-En’am 62)
Ditët kalojnë, vitet përfundojnë, njerëzit largohen njëri pas tjetrit dhe nuk kthehen. Çdo vit fëmijët rriten, të rinjtë plaken, të moshuarit dobësohen dhe pleqtë vdesin. Humbim fytyra që dikur i shihnim dhe largohen prej nesh njerëz që dikur ishin pjesë e pandashme e jetës sonë. I Lartësuar dhe i Madhëruar është Ai, e ka bërë përjetësinë vetëm për Veten e Tij dhe është i Vetmi që zotëron mbretërinë, krijimin, urdhrin dhe drejtimin e gjithçkaje. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “ Për Ditën, kur ata do të paraqiten të zbuluar, kur asgjë e tyre nuk do të jetë e fshehtë për Allahun. Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!”(Gafir 16)
Po, o ju namazfalës! Ai është Zoti, i Vetmi, Ngadhënjyesi i Plotfuqishëm. Ky është emër madhështor që mbush zemrën e besimtarit me frikë-respekt ndaj Zotit të Madhëruar, me nderim e madhërim për Të, me frikë dhe dashuri, me shpresë dhe drojë.
Veprat e Tij, Zotit të Lartësuar, dëshmojnë për këtë. Zoti i Madhëruar dhe i Lartësuari ka nënshtruar krijesat e Tij me pushtetin dhe fuqinë e Tij dhe i drejton ato sipas vullnetit të Tij, me dëshirë ose me detyrim. Të gjitha qafat janë përulur para Madhështisë së Tij dhe të gjitha krijesat janë nënshtruar para Fuqisë dhe Krenarisë së Tij.
Zoti i Lartësuar dhe i Madhërishëm, ka mposhtur kundërshtarët me atë që ka vendosur nga shenja dhe argumentet e Njëshmërisë dhe Fuqisë së Tij. Ai ka mposhtur tiranët dhe kryeneçët nga krijesat e Tij me ndëshkim, i ka shkatërruar plotësisht dhe i ka kapur me kapjen e të Plotëfuqishmit.
Ai, Zoti i Madhërishëm, ka mposhtur armiqtë, zullumqarët, tiranët kriminelë dhe mendjemëdhenjtë agresorë. Ai Zoti i Madhërishëm, ka nënshtruar robërit e Tij përmes vdekjes, sëmundjeve dhe shkatërrimit. Askush nuk mund ta largojë nga vetja atë që Zoti i ka caktuar. Zoti i Madhërishëm i ka nënshtruar ata ndaj asaj që ka përcaktuar për ta. Krijesat janë të paafta, të nënshtruara dhe nën pushtetin e Tij. A nuk ka thënë Zoti në Librin e Tij: “Ai është i Sunduesi mbi robërit e Vet; Ai është i Urti dhe ka dijeni për gjithçka.”(El-En’am 18)
O muslimanë! Besimi i sinqertë në zemër se Zoti i Madhëruar është Një dhe Ngadhënjyesi i Plotfuqishëm sjell në shpirtin e besimtarit qetësi dhe siguri dhe e nxit besimtarin që ta madhërojë dhe më shumë Zotin, t’i frikësohet Atij dhe ta respektojë Madhështinë e Tij. Ky besim e udhëheq robin besimtar që të mos lidhet me askënd e me asgjë tjetër përveç Zotit dhe të mos mbështetet tek askush tjetër përveç Tij. Ai i këput lidhjet e varësisë nga gjërat dhe krijesat, sepse ato janë të nënshtruara. Besimtari nuk lidhet me atë që është i mposhtur, por lidhet me të Plotfuqishmin, Ngadhënjyesin, Zotin e Madhëruar.
Besimtari nuk e humb shpresën dhe nëse çlirimi vonohet dhe pritja zgjatet. Ai nuk ndihet i mposhtur nga sprovat dhe kur vuajtja rëndohet, sepse vështirësitë kanë fund, lotët kanë ngushëllim, zemrat kanë shërim dhe ditët e vështirësisë pasohet nga lehtësimi.
Të gjithë janë nën pushtetin e Tij. Sado të shtohet padrejtësia dhe errësira, sado të shtohet dhuna dhe shtypja, Zoti është Ngadhënjyesi mbi ta, sepse Ai është Ngadhënjyesi i Plotfuqishëm që i mposht ata. Ai Vetë nuk mposhtet kurrë, Ai është Ngadhënjyesi mbi robërit e Tij.
Sado të shumtë të jenë ata dhe sado të fuqishëm të duken, krijesat më të mëdha, me gjithë fuqinë e tyre, zvogëlohen, zhduken dhe mposhten përballë Pushtetit, Fuqisë dhe Madhështisë së Zotit. Ata treten dhe shkatërrohen, ndërsa ky umet besimtar do të ndihet i sigurt dhe i qetë në lidhje me caktimin e Zotit të tij.
Me këtë gjendje shpirtërore muslimani jeton si monoteist, duke medituar, duke e përmendur Zotin dhe duke e madhëruar Atë, duke e falënderuar dhe lavdëruar, duke u penduar dhe duke kërkuar falje, i bindur dhe i përulur, me zemër të ndjeshme ndaj Zotit, duke shpresuar dhe duke pasur frikë, duke falur namazin, duke dhënë nga pasuria e tij dhe duke madhëruar simbolet dhe shenjtëritë e Zotit.
Ai nuk i frikësohet padrejtësisë së zullumqarit, shtypjes së tiranit apo tradhtisë së tradhtarit. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Zotit dhe askush nuk mund ta kundërshtojë gjykimin e Tij. “Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!”(Gafir 16)
Ku janë pra tiranët dhe perandorët? Ku janë ata që kur u shfaq kjo thirrje vishnin rrobat e tyre? Ku janë njerëzit e padrejtësisë dhe tiranisë, ata që sundonin me forcë mbi të dobëtit? Ku janë njerëzit e devijimit, hipokrizisë dhe gjynahit? Të gjithë kanë ikur dhe kanë marrë fund. Shpirtrat e tyre janë marrë, gjendja e tyre ka ndryshuar, trupat e tyre janë shkatërruar, gjymtyrët e tyre janë shpërndarë. Ka mbetur Vetëm Një, i Gjalli, i Përjetshmi, që nuk vdes kurrë.
Si mund të mashtrohen disa prej nesh nga fuqia e disa shteteve sot dhe nga madhështia e tyre, deri në atë pikë sa të mendojnë se ato nuk mund të mposhten e as të nënshtrohen, për shkak të shumicës së armatimit, mjeteve dhe numrit të tyre, duke harruar dhe mosnjohur Zotin e fuqisë dhe madhështisë, Zotëruesin e mbretërisë dhe të gjithësisë?! Zoti i Madhëruar e ka shënuar këtë në Librin e Tij, Kuran. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Vallë, a nuk e dinin ata se Allahu që i kishte krijuar, është më i fuqishëm se ata?!” (Fussilet 15)
O ju besimtarë! Të sjellësh ndër mend fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ai është Sunduesi mbi robërit e Vet. Ai ju dërgon rojtarë (engjëj)…” (El-En’am 61) i jep muslimanit frikë respekt ndaj Zotit të Madhëruar. Kjo e bën jetën e tij të drejtë, jetesën e tij të qetë dhe lumturinë e tij më të madhe. Përballë kësaj, çdo tiran i madh bëhet i vogël dhe dobësohet çdo sundues arrogant e shtypës.
Me këtë besim, sahabet e nderuar e kuptuan këtë fjalë të Zotit të Madhëruar. Ata e pritën me zemrat dhe gjuhët e tyre, duke ndier se Zoti po u drejtohej drejtpërdrejt atyre. Prandaj qëndruan të palëkundur në ditën e Uhudit, pavarësisht nxitjes së hipokritëve për t’i frikësuar, dobësuar, dekurajuar dhe përhapur përçarje, lajme të rreme dhe propagandë helmuese, siç bëjnë ata në çdo kohë.
Hipokritët u thanë atëherë sahabeve të mëdhenj: “Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!” (Al ‘Imran 173) Por ata u përgjigjën me fjalën e tyre: “Neve na mjafton Allahu, Ai është Mbrojtës i mrekullueshëm!” (Al ‘Imran 173) Rezultati ishte: “Ata u kthyen me dhuntitë dhe mirësitë e Allahut, nuk i gjeti asgjë e keqe dhe fituan kënaqësinë e Allahut. Allahu është Zotërues i mirësive të mëdha.” (Al ‘Imran 174)
Prandaj, na mjafton Zoti në caktimin e Tij, na mjafton Zoti në sprovat e Tij, na mjafton Zoti në drejtimin dhe përcaktimin e Tij. Me të vërtetë, është vendimi i Allahut, si për të parën dhe për të dytën. Atij i takon falënderimi në vështirësi dhe në mirëqenie, në ngushtim dhe në begati, në privim dhe në dhënie.
O ju durimtarë! Dijeni se vështirësia ka kohëzgjatje, sprova ka masë, fatkeqësia ka kufi, sprovat kanë fund, ndërsa pikëllimi do të përfundojë dhe do të largohet. Prandaj duhet të jeni të kënaqur me caktimin e Tij, t’i nënshtroheni vendimit të Tij, të besoni në urtësinë e Tij dhe të keni mendim të mirë për caktimin e Tij.
Këto janë caktime që Zoti ynë i ka përcaktuar për të gjitha çështjet tona. Nuk ka humbur ai që ia ka dorëzuar çështjen Zotit, nuk ka devijuar ai që është nënshtruar ndaj Tij dhe nuk është shkatërruar ai që është kënaqur me caktimin e Tij. Por se është shkatërruar ai që ka kundërshtuar Zotin e tij në caktimin e Tij, që ka kundërshtuar vendimin e Tij dhe që, ky i mjerë, ka dashur të rregullojë për veten e tij atë që Zoti tashmë e ka rregulluar për të.
O ju muslimanë! Përhapja e lajmeve të këqija dhe publikimi i tyre, lajme që dobësojnë vendosmërinë, prishin qëllimet, shoqërohen me kërkim të gabimeve, ndjekje të të metave dhe mbjellje të dëshpërimit në radhët tona, shoqërohen edhe me vënien në dyshim të themeleve të fesë sonë, sulmin ndaj sunetit të profetit tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe përhapjen e dyshimeve rreth dispozitave të Sheriatit tonë.
Kjo bëhet nga njerëz të paguar dhe hipokritë prej nesh, të cilët zbatojnë planet e armiqve tanë. Kjo është luftë psikologjike që armiqtë kanë nisur kundër nesh dhe këta hipokritë e përdorin sot. Zoti i mallkoftë në këtë botë para botës Tjetër, Ahiretit, kanë shkaktuar shqetësim dhe pështjellim në mendimet e të rinjve tanë dhe kanë tronditur bindjen në zemrat e tyre. Ky është qëllimi i tyre i synuar dhe goditja që duan të arrijnë, për të cilën kanë në dispozicion shuma të mëdha parash.
Adhurues të Zotit! Ky umet lidhet ngushtë dhe fort me themelet e fesë së tij, trashëgiminë dhe kulturën e tij. Ai i merr këto si metodë dhe rrugë për të tashmen dhe të ardhmen e tij. Umeti ynë Islam dallohet nga popujt e tjerë për qëndrueshmërinë e besimit dhe Sheriatit të tij, si dhe për qartësinë e metodës, identitetit dhe mesazhit të tij.
Identiteti i umetit është kriteri i veçimit të tij, burimi i krenarisë së tij dhe dëshmia e fuqisë dhe nderit të tij. Kur ky identitet zbehet dhe zhduket, umeti humbet tiparet e tij dhe e humbet dritën e qytetërimit të vet.
O ju të lidhur me këtë vend! Umeti ynë është umet i gjallë që nuk vdes. Është i gjallë me fuqinë e Zotit të tij, i gjallë me fuqinë e fesë së tij, i gjallë me dashurinë e fortë për profetin e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe gjithashtu i gjallë me ju dhe me fuqinë e bijve të tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Për ta bërë të Vërtetën (Islamin) ngadhënjyese dhe për ta zhdukur të pavërtetën edhe pse keqbërësit e pafe e urrejnë këtë.” (El-Enfal 8)
Nga Temim Ed Dariu, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: E dëgjova të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “Kjo çështje (Islami) do të mbërrijë aty ku ka mbërritur nata dhe dita. Zoti nuk do të lërë shtëpi e tendë pa e futur këtë fe, me krenarinë e krenarit ose me nënçmimin e të nënçmuarit. Krenari me të cilën Zoti e bën krenar Islamin dhe nënçmim me të cilin Zoti e nënçmon kufrin (mosbesimin).”
Apo sikurse ka thënë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, fitorja është me ata që tek Zoti kërkojnë falje, tek Ai kërkoni falje.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi më të nderuarin e të dërguarve, zotërinë tonë Muhamedin, mbi familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij.
Në vijim
Ndjenja që ka dikush ndaj xhamisë së bekuar të Aksasë nuk është një ndjenjë e zakonshme si ndaj xhamive të tjera. Kjo tokë është përshkruar nga Zoti i Lartësuar se është tokë e bekuar në Librin e Tij të Shenjtë në disa vende. Ajo është djepi i profetësive, vendi ku kanë zbritur shpalljet, tokë e qëndresës dhe e njerëzve të lidhur e të vendosur me të. Ajo është gjithashtu toka e tubimit dhe e ringjalljes. Është toka ku i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, fali namaz imam përpara profetëve, argument dhe shenjë e udhëheqjes së tij fetare për mbarë njerëzimin.
Duke u nisur nga kjo pozitë dhe nga kjo shenjtëri, muslimanët, që nga sahabët dhe tabi’inët, kalifët, emirët dhe sulltanët, e kanë parë xhaminë Aksa me krenari dhe nderim, me madhërim dhe respekt. Ai është vend i nderuar për t’u vizituar, vend i bekuar dhe hapësirë e shenjtë e çmuar. Për këtë arsye, ata udhëtonin drejt tij, merrnin prej tij ihramin për haxh dhe umre, e vizitonin posaçërisht për të falur namaz dhe për të fituar shpërblimin, si dhe kujdeseshin për të me përkushtim fetar.
O ju të lidhur me këtë vend! Qyteti i Kudsit dhe xhamia e bekuar e Aksasë janë amanet mbi qafat tona dhe mbi qafat e të gjithë muslimanëve, sundimtarëve dhe të sunduarve. Neglizhenca ndaj këtyre dy vende është të lësh pas dore, neglizhosh në fenë e Zotit të Madhëruar. Zoti do të na pyesë për këtë amanet: A e ruajtëm apo e humbëm? Zoti i Madhëruar thotë: “Ndalini ata, sepse do të pyeten.” (Es-Saffat 24) I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Secili prej jush është kujdestarë, përgjegjës dhe secili prej jush do të pyetet për ata që janë nën përgjegjësinë e tij.”
Kjo është Aksa, para madhështisë së të cilës janë përulur breza dhe kanë ulur kokën nga nderimi burra. Xhamia Aksa do të vazhdojë të qëndrojë e bekuar, madhështore si një mal i lartë dhe e palëkundur si malet. Thirrja e Zotit do vazhdojë të ngrihet dhe emri i Tij do përmendet në të. Jehona e saj, thirrjes së Ezanit, do vazhdojë të dëgjohet në qytetin tonë të shenjtë, në rrugicat dhe shtëpitë e tij, derisa Zoti të trashëgojë tokën dhe gjithçka që gjendet mbi të.
Ky është Kudsi im dhe shenjtëria e tij, këtu janë rrënjët e mia dhe historia e paraardhësve të mi. Këtu është vendlindja dhe fëmijëria, rinia dhe pleqëria. Toka është toka jonë dhe xhamia është xhamia jonë.
O Zot, mos na lidh shpirtrat tanë me askënd tjetër përveç se Ty, mos e bëj shpresën tonë tek askush tjetër përveç tek Ti dhe mos e bëj udhëtimin tonë drejt askujt tjetër përveç drejt Teje. O Zot, na bëj prej atyre që janë të lidhur me xhaminë Aksa dhe na mbaj në këtë gjendje, pa ndryshuar dhe pa u lëkundur.
O Zot, të lutem të jesh ndihmë e dobishme, mbështetje e fortë dhe mbrojtje për ne.
O Zot, na mëshiro me mëshirën Tënde të gjerë. O Zot, ruaj xhaminë Aksa dhe ata që janë të lidhur me të, vend udhëtimin e të dërguarit Tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, fortifikoje atë me fortifikimin Tënd të fortë, vendose nën kujdesin dhe përkujdesjen Tënde, dhe vendose atë nën mbrojtjen, sigurinë dhe garantimin Tënd, o Zot i Madhërisë dhe i Nderit.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, fali besimtarët dhe besimtarët, muslimanët dhe muslimanet, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.
O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me bashkëshortet e tij të pastra, nënat e besimtarëve, me shokët e tij fisnikë, imamët e drejtë dhe pishtarët e botës, me tabi’inët dhe pasuesit e tyre në mirësi deri në Ditën e Gjykimit. Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve.
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë për mirësitë e Tij do t’ju jap më shumë.
“… vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Ndërsa ti që fton për namaz, fto për namaz!
Afrim Smakaj