Lehtësimi i martesës dhe ruajtja e nderit

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     24-02-1448 H    07-08-2026 D

Shejh Muhamed Selim 

Tema   Lehtësimi i martesës dhe ruajtja e nderit

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka thënë: “Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë (barrët), pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme.”(En-Nisa’ 28)

O muslimanë! Ky ajet tregon se Zoti i Plotëfuqishëm e di dobësinë e burrave para grave, se ata nuk mund të jenë të duruar me to, e  Ai ua bëri gjërat më të lehta në të gjitha vendimet e Sheriatit, legjislacionit Islam, dhe prej tyre vendimet, rregullat e martesës.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai na ka paralajmëruar që të mos i ndjekim jobesimtarët dhe të ligjtë në çështjet e martesës, Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Allahu dëshiron që t’jua pranojë pendimet tuaja, por ata që jepen pas epsheve, dëshirojnë që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë.” (En-Nisa’ 27)

Ajo që bëjmë kur martojmë djemtë dhe vajzat tona, që nga fejesa deri në ceremoninë e dasmës, në shumicën e tyre janë risi që njerëzit ndjekin tekat, shejtanin dhe jobesimtarët. Prandaj, kini kujdes nga tundimi i dëshirave në barkun tuaj dhe kini kujdes nga tundimi i dëshirave në pjesët tuaja intime.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i cili për të rinjtë ka thënë: “ O të rinj, kush prej jush që ka mundësi të martohet, le të martohet, sepse kjo është më e mirë për uljen e shikimit dhe më mbrojtëse e dëlirësisë, nderit. Kush nuk ka mundësi të martohet, le të agjërojë, sepse ai do të jetë mburojë për të.”

Prandaj, bëni durim, o të rinj muslimanë, bëni durim dhe ju, o vajza, dhe vazhdoni të vishni petkun e dëlirësisë dhe pastërtisë, derisa Zoti t’ju begatojë nga mirësia e Tij.

O Zot, na e bëj të dashur besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona, bëj të urryer për ne mosbesimin, shthurjen dhe gjynahin. Na bëj prej të udhëzuarve dhe të udhëzuarave në rrugë të drejtë.

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje poseduesin e moralit më të lartë, Muhamedin. O Zot,  fale dhe bekoje familjen e tij të pastër, shokët e tij të cilën ndihmuan fenë, Zot, fali dhe mëshiroi tabi’inët dhe  ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Kijametit.

Në vijim

O njerëzit tanë në Bejtul Makdis, Kudsit, dhe rrethinat e tij! Pas namazit të xhumasë së kaluar, një i ri më kërkoi që t’u drejtoja një thirrje prindërve që të shpejtojnë seriozisht përpjekjet për t’i ndihmuar fëmijët e tyre të martohen dhe që të kërkoj lehtësimin e mehrit, dhantisë së martesës.

Nga ana tjetër, një vajzë më është ankuar për babanë e saj, i cili refuzon ta martojë sa herë që i vjen një kërkesë e përshtatshme për martesë. Kjo vajzë është mësuese dhe babai ia merr të gjithë pagën, sepse, sipas pretendimit të tij, dëshiron t’ë rikthejë prej saj gjithçka që ka shpenzuar për të gjatë universitetit dhe çfarë ka shpenzuar për të që nga fëmijëria.

O ju të lidhur me këtë vend! Zotin e Madhëruar e lus që ky rast me këtë vajzë të jetë i vetmi i këtij lloji në shoqërinë tonë dhe që të mos jetë dukuri, sepse kjo është një prej padrejtësive më të mëdha, sidomos kur padrejtësia i bëhet vajzës nga babai i saj, i cili është ndër njerëzit më të dashur për të.

O kujdestarë! Djali i thotë babait të tij: “O babai im, më marto, sepse kam frikë nga imoraliteti dhe zinaja.” Ndërsa gjuha e gjendjes së vajzës i thotë babait të saj: “O babai im, më marto, sepse jam krijuar për dëlirësi, ndershmëri, dhe për bindje ndaj Zotit, andaj mos më sprovo, o babai im.”     O bij të Islamit madhështor! Martesa është adhurim dhe çifti i sapomartuar shpërblehet për të nëse, me martesën, synon dëlirësinë, ndershmërinë, mbulimin dhe drejtësinë, nëse me martesën, synojnë të krijojë familje që i bindet Zotit dhe të dërguarit të Tij, familje, e cila shkon në xhaminë Aksa dhe kthehet prej saj.

O besimtarë dhe besimtare! Çdokush që i ndihmon ata që duan të martohen shpërblehet dhe merr sevape në masën e ndihmës që u jep. Madje dhe paratë që u jepen dhuratë  të porsamartuarve, nëse jepen me qëllim dhuratë për çiftin, shpërblehet në masën e dhuratës dhe vlerës së tyre.

O ju kujdestarë! Nderi dhe dëlirësia e fëmijëve tuaj janë të shenjta, prandaj mos i çoni në sprovë duke ua vonuar ose penguar martesën. Ruani ata nga realiteti i sëmurë dhe nga devijimi i mjeteve të ndryshme të informimit, të cilat ua zbukurojnë imoralitetin dhe shkaqet e tij në shtëpi, në rrugë dhe në çdo vend tjetër, që nxisin instinktet e tyre me mjetet më të këqija të shejtanit. Prandaj, bëhuni ndihmë për ta në ruajtjen e dëlirësisë, nderit, që të shpërbleheni, të lavdëroheni para Zotit tuaj dhe që të falënderoheni tek bashkësia e besimtarëve.

O kujdestarë! Martoni fëmijët tanë, djem e vajza, për t’i mbuluar e ruajtur dhe për t’i përmirësuar, sepse martesa është rruga për ruajtjen e dëlirësisë, nderit të bijve dhe bijave tona. Zoti, duke na urdhëruar, ka thënë: “I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me mirësitë e Tij; Allahu është i Gjerë (në mirësi) dhe i Gjithëdijshëm.” (En-Nur 32)

LEXO  Hutbeja e Xhumasë në Kuds 29.Sheual.1439 - 13.7.2018 nga Dr. Ismail Neuahide

O bij të Islamit madhështor! Fjala e Zotit të Lartësuar: “të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju,” nënkupton ata burra dhe gra që nuk janë të martuar. Martesa e të pamartuarve bëhet detyrë e domosdoshme për kujdestarët kur ata kanë frikë se mund të pësojnë shkatërrim në fenë ose në jetën e tyre.

O ju kujdestarë! O ju muslimanë! Zoti e ka ndaluar padrejtësinë në të gjitha format e saj. Ndër to është dhe pengimi që babai i bën vajzës nga martesa e saj kur asaj i vjen një njeri i përshtatshëm për martesë, me mehrin e zakonshëm për vajzat e ngjashme me të, dhe kur të dy e dëshirojnë njëri-tjetrin.

Babai që e pengon vajzën e tij të martohet me një njeri të përshtatshëm, kur vajza e pranon atë, ai kryen krim të rëndë ndaj vetvetes dhe krim tjetër në të drejtën e vajzës së tij.

Sa i përket krimit ndaj vetvetes, kjo për shkak se ai guxon të bëjë atë që Zoti e ka ndaluar, nga se Zoti i Plotëfuqishëm për kujdestarët ka thënë: “Mos i pengoni ato…” (El-Bekare 232) “Pengimi” nënkupton padrejtësinë ndaj vajzës dhe pengimin e saj për t’u martuar me një kërkues të përshtatshëm. Pra, ai ka kryer një veprim të ndaluar nga të ndaluarat. Gjynahi dhe faji i tij bëhet dhe më i madh nëse ai bëhet shkak që vajza të devijojë dhe të shthuret. Atëherë, mjerë ky baba për dënimin e rëndë që do ta presë!

Sa i përket krimit ndaj të drejtës së vajzës së tij, kjo për shkak se ai e ka penguar atë nga e drejta për martesë dhe për të krijuar një familje muslimane në Bejtul Makdis, Kuds,  e cila do t’i shtohej numrit të burrave dhe grave që qëndrojnë të lidhur me këtë vend.

Ai kundërshton udhëzimin e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur nxiste shokët e tij të udhëtonin drejt Kudsit për t’u martuar atje dhe për të krijuar familje besimtare në lagjet e tij. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i ka thënë Dhu’l Asabi El Xhuhenij, Zoti qoftë i kënaqur me të: “Udhëto për në Bejtul Makdis, Kuds, sepse ndoshta do të të lindin atje pasardhës të cilët do të shkojnë dhe do të vijnë në atë xhami, Aksa.” O muslimanë dhe o muslimane! A e dini se sahabiu Dhu’l Asabi iu bind porosisë së të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, erdhi këtu, në Kuds, dhe u martua këtu me shpresën se Zoti do t’i dhuronte pasardhës? Mirëpo Zoti caktoi që ai të mos kishte pasardhës. Kështu, ai, Zoti qoftë i kënaqur me të, pati shpërblimin e bindjes ndaj urdhrit të të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe shpërblimin e qëllimit për të qëndruar i lidhur ngushtë me Bejtul Makdisit, Kudsit.

A do të jemi dhe ne si ky sahabi i nderuar, duke iu bindur urdhrit të të dërguarit tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në çdo gjë që ai ka urdhëruar, duke u larguar nga çdo gjë që ai ka ndaluar dhe qortuar,  e ti bindemi Zotit dhe të dërguarit të Tij?

O ju prindër dhe kujdestarë! Shpenzimi për vajzat tuaja është detyrë mbi ju dhe nuk është borxh që ato e kanë ndaj jush. Ju nuk keni të drejtë t’ua kërkoni atë mbrapsht, as sipas Sheriatit, as sipas zakoneve, as sipas ligjit dhe as sipas moralit. Vajza juaj është pjesë e juaja, ju jeni shkaku i ekzistencës së saj, e Zoti e ka bërë detyrë që shpenzimet për pasardhësit të përballohen nga prindërit.

Sa i përket shpenzimeve tuaja për vajzën tuaj gjatë universitetit, ato konsiderohen dhuratë dhe bamirësi ndaj saj. Ju shpërbleheni për to, e ato janë sadaka për ju nëse i bëni me nijetin e sadakasë. Babait nuk i lejohet t’i kërkojë vajzës së tij paratë që ka shpenzuar për tarifat universitare, sepse vajza i ka marrë dhe i ka shpenzuar ato. Dhurata bëhet e detyrueshme pas pranimit të saj. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Dikush që kthehet tek dhurata e tij, që dikur ka dhënë, është si qeni që vjell dhe pastaj kthehet tek të vjellat e veta.”

Në medhhebin Hanefi thuhet se, nëse prindi i dhuron një dhuratë fëmijës së tij, nuk ka të drejtë të kthehet më tek ajo.

O prindër dhe kujdestarë! Vërtetë kthimi tek dhurata që u është bërë fëmijëve sjell ndërprerjen e lidhjeve farefisnore dhe ndez zjarrin e mosmarrëveshjeve e të armiqësisë brenda familjes.

O baba musliman, o rob i Zotit! I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtet, vajza ime është pjesë e imja, më shqetëson ajo që e shqetëson atë dhe më lëndon ajo që e lëndon atë.”

O ti baba! Vajza jote është një pjesë nga ti  dhe ti je kujdestari i saj. Çdo dëm apo vuajtje që i bie asaj, të kthehet edhe ty. Prandaj ki frikë Zotin për vajzën tënde dhe martoje atë kur t’i vijë një njeri i përshtatshëm dhe ajo të jetë dakord me të, në mënyrë që Zoti të mos zemërohet me ty dhe të mos zemërohet Ai ndaj teje.

LEXO  Nga karakteristikat e njerëzve që arsyetojnë

O ju njerëz të Kur’anit dhe të veçantët e tij në Bejtul Makdis, Kuds dhe rrethinat e tij! Ajo që shikojmë sot, nga moszbatimi i dispozitave të Sheriatit në shumë fusha të jetës sonë, përfshirë pengimin e martesës së djemve dhe vajzave, si dhe shfaqjen e të këqijave, poshtërimit, nënçmimit, sprovave që godasin muslimanët, epsheve dhe dyshimeve që çojnë në humbje dhe devijim, përputhet me fjalët e poetit:

“Për një gjendje të tillë zemra shkrihet nga pikëllimi,  nëse në zemër ka Islam dhe besim.”

O ju kujdestarë! Martesa është mbrojtje për bijtë dhe bijat tuaja. Kur t’ju vijë dikush me moral dhe fe të mirë, martojeni dhe bëhuni ndihmë për të në bindjen e tij ndaj Zotit përmes martesës.

O baballarë! Ndihmoni fëmijët tuaj me mehrin dhe ndihmoni ata me shpenzimet e martesës. Shpresoni shpërblimin për të tek Allahu, ashtu siç shpresoni shpërblimin e agjërimit dhe të namazit të natës në Ramazan. Zoti ka caktuar një nga Melekët që çdo mëngjes thotë: “O Zot, jepi kompensim atij që shpenzon.”

O baballarë! Dijeni se disa prej dijetarëve muslimanë e kanë konsideruar detyrë që babai i pasur ta martojë djalin e tij të varfër, i cili punon, por të ardhurat e tij nuk i mjaftojnë për shpenzimet e martesës dhe për të cilin ekziston frika se mund të bjerë në imoralitet dhe devijim. Në një rast të tillë, martesa e këtij djali bëhet prej detyrave për  ju, o baballarë.

O ju të rinj! Luftoni me veten tuaj, përmbani veten dhe epshin tuaj dhe mos shikoni në gjëra të ndaluara. Sepse sytë bëjnë zina duke parë të ndaluarën. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtet, Zoti ia ka caktuar birit të Ademit pjesën e tij nga zinaja, dhe ai do ta arrijë atë pa dyshim. Dy sytë bëjnë zina dhe zinaja e tyre është shikimi.”

O ju të rinj! Kush prej jush që nuk ka mundësi të martohet për shkak të mungesës së pasurisë, pamundësisë për të paguar mehrin për çfarëdo arsye qoftë, Zoti i Madhërishëm, ju urdhëron të bëni durim dhe të ruani dëlirësinë, nderin, sepse Ai do t’ju pasurojë nga mirësia e Tij. Prandaj bëni durim, o bijtë tanë, dhe jini të bindur në dhënien, dhurimin e Zotit.

Zoti ju thotë: “Ata që nuk kanë mundësi për martesë, le të përmbajnë veten, derisa Allahu t’i begatojë me mirësitë e Tij.” (En-Nur 33) Zoti gjithashtu thotë: “Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me mirësitë e Tij; Allahu është i Gjerë (në mirësi) dhe i Gjithëdijshëm.” (En-Nur 32)

Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të,  transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Tre persona e kanë të drejtë që Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar  t’i ndihmojë.” Nga ata përmendi: “Ai që martohet duke kërkuar dëlirësinë, ruajtjen e nderit.”

O të rinjtë tanë! O bijtë tanë! Për Zotin, ne ju duam dhe dëshirojmë çdo të mirë për ju. Prandaj mos iu afroni zinasë dhe mos kryeni imoralitet në Kuds dhe në rrethinat e tij, sepse ndëshkimi për të keqen aty është i shumëfishuar. Mos u largoni prej tij vetëm për të kryer imoralitet diku tjetër, sepse toka jonë është e bekuar dhe nuk pranon prej muslimanit  zina, imoralitet, dhe të keqe.

Zoti juaj e ka ndaluar atë për ju, sepse në të gjendet shkatërrimi i fesë dhe i jetës suaj. Përfundimi i saj është i keq në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret. Ajo është prej gjynaheve të mëdha. Të bëni durim për një çast ndaj imoralitetit është më mirë për ju sesa një dënim i gjatë në zjarrin e Xhehenemit dhe sesa një mjerim që zgjat në këtë botë.

O ju muslimanë! O ju  muslimane!  Zoti  ju ka paralajmëruar dhe ka thënë: “Dhe mos iu qasni imoralitetit, se ajo është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar!.” (El-Isra 32)

Njeriu i mençur është ai që e ruan nderin e tij nga imoraliteti dhe nga rrugët që çojnë drejt tij. Prandaj kini frikë Zotin, bëni durim dhe qëndroni të palëkundur, derisa Zoti t’ju pasurojë me anë të dëlirësisë.

O njerëz! Besimi ynë tek ju është i madh se ju nuk do t’i pranoni marrëdhëniet e ndaluara si zëvendësim për martesën, të cilën Zoti e ka lejuar për ju, martesën. Prandaj, ndërpritini këto marrëdhënie dhe mos iu afroni atyre, sepse kjo është më e pastër për nderin tuaj. Mos e konsideroni mehrin si barrë të rëndë, sepse Zoti do t’ju ndihmojë për shpenzimet e tij, për sa kohë që nuk e përzieni me shpenzime të ndaluara.

O bij të Islamit madhështor! Mos kini frikë nga varfëria për shkak të martesës, sepse martesa është shkak për begati dhe pasuri për bashkëshortin. Omeri Ibn El Hatabi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Çuditem me atë që kërkon pasurinë diku tjetër përveç martesës, ndërkohë që Zoti thotë: “Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me mirësitë e Tij…” (En-Nur 32) Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, ka thënë:  “Kërkojeni furnizimin në martesë.”

LEXO  Ditët e Teshrikut: Në mes të vlerave të përkujtimit të Zotit dhe qëndrueshmërisë së besimit

O bijtë tanë dhe o të rinjtë tanë! Martesa është hallall, e lejuar, e Zoti ju ka premtuar begati nëpërmjet saj, ndërsa zinaja, imoraliteti, është haram, e ndaluar, e Zoti ju ka paralajmëruar prej saj dhe ju ka kërcënuar me dënim për të. Në hadithin e shenjtë ka ardhur: “Sytë e tre personave nuk do ta shohin zjarrin”, dhe në mesin e tyre përmendet: “Një sy që u përmbajt nga ato që Allahu i ka ndaluar.”

O Zot, na bëj ndër ata që e dëgjojnë fjalën dhe ndjekin më të mirën e saj.

Adhurues të Zotit! Kërkoni falje tek Zoti dhe pendohuni tek Ai, vërtetë Zoti  i Lartësuar, është Falës i madh, Pranues i pendimit dhe Mëshirues.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin,  vendimet, rregullat e Sheriatit, legjislacionit  të Tij janë të mjaftueshme për ne. 

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm,  Ai na ka ndaluar të kundërshtojmë urdhrin e Tij dhe të dërguarit të Tij. Zoti i Potëfuqishëm ka thënë: “Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij…” (El-Huxhurat 1)

O besimtarë! Bëni kujdes që fjalët dhe veprat tuaja të mos bien ndesh me atë që ju ka urdhëruar Zoti.

Dëshmoj se zotëria ynë Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i cili ka thënë: “ Poshtërimi dhe turpi do ta godasë atë që nuk i bindet urdhrit tim. Kush imiton një popull ai është prej tyre.” O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij, dhe ata që i pasojnë  në mirësi deri në Ditën e Kiametit.

Në vijim

O muslimanë! Që t’i ndihmojmë të rinjtë për të përballuar shpenzimet e martesës, duhet t’i kundërshtojmë dhe t’i bojkotojmë të gjitha shpenzimet e martesës që nuk janë të lejuara, të cilat i kanë shpikur njerëzit, që e rrisin barrën financiare të martesës dhe ia pakësojnë bereqetin gruas. Siç janë festat e fejesës, festat e lamtumirës së beqarisë, marrja me qira e grupeve muzikore, grupeve të grave që kërcejnë natën e dasmës dhe të tjera të ngjashme, të cilat ju i njihni dhe i kundërshtoni. Në hallall, të lejuar,  ka mjaftueshëm për t’ju larguar nga harami. Shtrenjtësia e martesës nuk qëndron vetëm tek ari dhe stolitë, por dhe tek gjërat që njerëzit bëjnë, duke e ditur se janë të papranueshme, por i veprojnë për shkak të dashurisë për mburrje, famë dhe reputacion, të cilat ua kanë verbuar sytë, ua kanë mbyllur mendjet dhe ua kanë errësuar zemrat. Nuk ka fuqi dhe forcë veçse me Allahun.

O ju kujdestarë! I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Gratë me bereqetin më të madh janë ato që kanë më pak shpenzime.” Ndërsa ju e rëndoni barrën financiare të gruas kur ajo fejohet. Prandaj ndihmoni bijtë tanë duke i lehtësuar shpenzimet e martesës dhe duke hequr ato kosto që ju vetë i keni shtuar.

O të lidhur me këtë vend! Fjala e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Gratë me bereqetin më të madh janë ato që kanë më pak shpenzime”, tregon se një prej shenjave të bereqetit të gruas së fejuar është pakësimi i kostove dhe shpenzimeve të martesës së saj. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nuk ka thënë: “Gratë me bereqetin më të madh janë ato që kanë mehrin më të vogël.”

Realiteti në të cilin jetojmë tregon se teprimi, shtrenjtimi, i vërtetë qëndron tek shpenzimet e martesës dhe jo te mehr-i, siç pretendojnë disa njerëz. Nëse njerëzit do t’i braktisnin këto shpenzime të tepërta, nuk do ta pengonin martesën e të rinjve dhe atëherë nuk do të ankoheshit për shtrenjtësinë e mehrit.

O bij të Islamit! Në çdo rast, feja jonë është fe madhështore. Ajo që shikojmë në realitetin e muslimanëve, e cila nuk e kënaq Zotin tonë, të Plotfuqishmin, dhe të cilën nuk e pranon i dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kërkon që i gjithë umeti të bëjë një vetë llogaritje të rreptë dhe ta vendosë fenë e tij si udhërrëfyes në të gjitha çështjet e jetës.

Gjendja e dobët dhe pasive, faji i së cilës po bëhet gjithnjë e më i madh tek ne, nuk i ka hije një umeti të cilit Zoti i ka ngarkuar detyrën e udhëheqjes së popujve për në drejtësi, siguri dhe paqe, dhe të cilin e ka bërë umetin më të mirë.

Në këtë rast, përmendim një sahabi të nderuar, i cili e drejtoi këtë umet dhe arriti të ishte ndër kalifët e drejtë. Nga përvoja e tij në qeverisje, nga fikh-u, dituria, njohja dhe përvoja e tij me njerëzit, ai tha fjalën e tij të famshme: “Me të vërtetë Zoti ndalon me anë të pushtetit atë që nuk e ndalon me Kuran.”

O Zot, na mundëso udhëheqje të drejtë sipas shembullit të të dërguarit Tënd.

O Zot, ndihmo fenë Tënde, Librin Tënd dhe sunetin e të dërguarit Tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

O Zot, lartëso Islamit dhe muslimanëve, poshtëro mosbesimin dhe jobesimtarët.

O Zot, largo brengën të brengosurve, lehtëso vështirësitë atyre që janë në hall, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve, kthe të larguarit tek familjet e tyre shëndoshë e mirë dhe mundëso shlyerjen e borxhit atyre që kanë borxhe.

O Zot, bëj Aksanë tonë të sigurt me sigurinë Tënde, të fuqishëm me fuqinë Tënde dhe na mundëso të shkojmë e të vinë në të në çdo kohë.

O Zot, na fal gjynahet, na mbulo të metat, na prano pendimin, na ngrit në gradë, përmirëso pasardhësit tanë,  fëmijëve tanë jepu dëlirësi e pastërti dhe bëji të pasur ata me hallall, të lejuar. O Zot, shëro të sëmurët tanë, mëshiro të vdekurit tanë, largo brengat, lehtëso vështirësitë dhe çështjet tona.

O Zot, të kërkojmë nga ajo që Ti ke. O Zot, derdh mbi ne nga mirësia Jote. O Zot,  shtri mbi ne mëshirën Tënde dhe zbrit mbi ne begatitë e Tua.

O Zot, na fal neve, prindërit tanë dhe familjet tona. O Zot, fali të gjithë muslimanët dhe muslimanet dhe bëj përfundimet e veprave tona të mira.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun, Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë e Ai do ju japë më shumë, kërkoni falje prej Tij sepse Ai ju falën.

Ti që fton për namaz, fto në namaz!

“…Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe, vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1642545637872110/4309604942516367

Post Author: endrit