Turpi: Pjesë e besimit dhe mburojë e moralit

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    01-03-1448 H     14-08-2026 D

Shejh Halid El Muhana

Tema    Turpi: Pjesë e besimit dhe mburojë e moralit

Lavdërimet janë për Zotin, të Madhërishmin, më të Lartin, i Cili i di sekretet edhe më të fshehta. Allahu, nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Tij. Ai ka Emrat më të Bukur.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij i zgjedhur, dhe i dashuri i Tij i dalluar. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij fisnike dhe mbi shokët e tij, yjet që ndriçojnë errësirën.

Në vijim

O ju njerëz! Kini frikë Zotin, sepse devotshmëria ndaj Tij është shtylla e fesë dhe detyrimi i Tij që u takon të gjitha krijesave.

O besimtarë! Vërtetë devotshmëria ndaj Zotit të Lartësuar, duke iu bindur urdhrave të Tij dhe ju larguar ndalesave të Tij, është dëshmi e sinqeritetit të dashurisë së robit ndaj Zotit të tij dhe tregues i saktësisë së besimit të tij, virtytet e shpirtit do të ishin një ndihmë për të dhe bukuritë e moralit të tij do i hapin rrugën drejt saj. Kjo është e natyrshme, sepse besimi përbëhet nga degë të ndryshme, bindje, fjalë, vepra dhe moral. Kush i bashkon të gjitha këto ka plotësuar besimin dhe ka realizuar devotshmërinë. Ndërsa ai që lë pas dore një pjesë të tyre lë mangët nga besimi dhe devotshmëria e tij aq sa ka lënë pas dore prej tyre.

Vërtetë, nga degët e besimit, nga vlerat më të çmuara, moralet më të larta dhe gradat më madhështore është turpi. Ajo është  cilësi e lavdëruar në të gjitha ligjet hyjnore dhe virtyt i madhëruar tek të gjithë profetët. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Besimi ka shtatëdhjetë e disa, ose gjashtëdhjetë e disa degë. Më e larta prej tyre është fjala: ‘La ilahe il-lAllah’,  S’ka Zot tjetër përveç Allahut, ndërsa më e ulëta është largimi i pengesës nga rruga. Vërtetë turpi është degë, pjesë prej besimit.”

Adhurues të Zotit! Turpi është cilësi e shpirtit që e shtyn njeriun të bëjë atë që e pastron dhe e zbukuron, si dhe të braktisë atë që e ndot dhe e shëmton. Ai është moral i rrënjosur në shpirtin e besimtarit, që e shtyn atë të përmbushë të drejtat e Zotit të tij, duke respektuar urdhrat e Tij dhe duke falënderuar për begatitë e shumta dhe bujarinë e Tij të pafundme. Po ashtu, turpi e pengon njeriun nga devijimi, sepse ai e di se Zoti i tij e shikon dhe e di të fshehtën e tij dhe atë që pëshpërit në zemrën e tij. Kush pajiset dhe zbukurohet me këtë cilësi, ka bashkuar në vete shumë prej mirësive që janë të shpërndara tek vlerat e tjetrit.

O ju muslimanë! Nuk ka përsosmëri për muslimanin që Allahu e ka vendosur në këtë tokë përveçse me turp. Kjo sepse muslimani është urdhëruar të përpiqet për atë që plotëson fenë dhe burrërinë e tij, në mënyrë që ta realizojë adhurimin ndaj Allahut ashtu siç dëshiron Zoti i tij, i Cili e krijoi atë dhe e dalloi me mendje nga kafshët e tjera, duke i dhënë të kuptojë rrugën e shthurjes dhe rrugën e devotshmërisë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën!”(Esh-Shems  7–8)

Turpi, në thelb, është pjesë e natyrshmërisë së tij në shpirtrat e njerëzve. Vetëm ai që zhytet në baltën e gjynaheve largohet prej tij, derisa i verbohet shikimi i zemrës dhe i shuhet aftësia për të dalluar të vërtetën.

Ndërsa besimtari, turpi i tij shfaqet kur mendon të bëjë diçka që e zemëron Zotin e tij. Ky është turpi që lidhet me fenë dhe që është detyrë për të. Ndërsa turpi ndaj njerëzve e shtyn atë të mos i shfaqë haptazi gjërat që ata i konsiderojnë të pahijshme, e pengon atë të hyjë në atë që nuk u pëlqen atyre, të shqyrtojë atë e cila u përket vetëm atyre, nga neglizhenca për të mbajtur lidhjet me të afërmit dhe ngushëllimi i vëllezërit e tij në atë që kanë nevojë.

LEXO  Gëzimi i Ramazanit dhe i lidhjes me Aksanë

Kjo lidhet me fisnikërinë e tij njerëzore. Me përsosmërinë e fesë dhe fisnikërisë morale plotësohet njerëzorja. Prandaj, ai që nuk ka turp, nga njerëzorja nuk ka veçse pamjen e jashtme. Kjo nuk është për t’u habitur, sepse turpi është prej besimit dhe është një nga degët e tij. Baza e tij është e vendosur në zemrën e besimtarit, ndërsa degët e tij shfaqen tek ai sipas fuqisë së besimit të tij. Besimtari i vërtetë ka turp nga Zoti i tij, duke e madhëruar Atë nga njohja e madhështisë dhe përsosmërisë së Tij në emrat, cilësitë dhe veprat e Tij. Ai ka turp ta përdorë begatinë që Allahu i ka dhënë për të bërë gjynahe. Ai ka turp edhe për shkak të nënçmimit dhe vogëlsisë së vetes para madhështisë së Krijuesit të tij. Ndërsa njeriu me shpirt fisnik ka turp nga vetvetja që të kënaqet me gjëra të ulëta, të pranojë mangësinë dhe të ndotet me papastërti.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kaloi pranë një burri i cili po e qortonte vëllain e tij për shkak të turpit, sikur t’i thoshte: “Kjo të ka dëmtuar.” Atëherë i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i tha: “Lëre, sepse turpi është tërësisht mirësi.” Në një transmetim tjetër: “Turpi është prej besimit.” Dhe në një transmetim të tretë: “Turpi nuk sjell veçse mirësi.” Të gjitha këto transmetime gjenden në koleksionet e sakta të haditheve.

Adhurues të Zotit! Turpi është fryt i dy vëzhgimeve: I pari është vëzhgimi i mbikëqyrjes së Allahut, i cili e ngre robin drejt gradave më të larta të fesë, në gradat e ihsanit. Kur robi është i vetëdijshëm se Allahu e vëzhgon dhe e sheh, duke pasur gjithmonë para sysh fjalën e Zotit të Lartësuar: “a nuk e di ai se Allahu sheh (gjithçka)?!”(El-Alek, 14) dhe fjalën e Zotit të Madhërishëm: “Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)

Nëse njeriu e ndien këtë dhe e ka këtë vetëdije para syve në çdo fjalë dhe vepër, kjo i sjell atij turp nga Zoti i tij. Kështu që ai nuk bën veçse atë që e afron tek Zoti, që e bën të denjë për afërsinë e Tij, nuk e bën atë që e largon prej Tij dhe sjellën zemërimin e Tij.

Zoti i tij nuk e humb atë aty ku e ka urdhëruar të jetë dhe nuk e gjen aty ku e ka ndaluar të jetë. Momenti tjetër është ai  i mangësisë: Nga se robi, sado të përpiqet të përmbushë të drejtën e Allahut dhe urdhrin e Tij,  sado që të japë të gjithë mundin e tij për këtë, përsëri mbetet i mangët dhe se e drejta e Zotit të tij ndaj tij është shumë më e madhe. Kjo bëhet edhe më e dukshme kur robi kujton begatitë e shumta që Allahu i ka dhënë. Ajo që do të duhej të bënte robi në adhurim dhe bindje është shumë më tepër se ajo që ai mund të kryejë, madje me shumëfish. Madhështia dhe Lartësia e Zotit kërkojnë prej robit adhurim që i përshtatet Madhështisë së Tij. Kur robi i sjell ndër mend të gjitha këto, në zemrën e tij lind madhërimi, frika ndaj Zotit të tij, dhe ndjenjë të vazhdueshme turpi dhe droje nga Sunduesi i Tij.

LEXO  Haxhi në mes shtyllave të adhurimit dhe mbushjes së zemrës

O besimtarë! Turpi vazhdon të jetë i pranishëm para besimtarit sa herë që i paraqitet ndonjë e drejtë që i takon Zotit ose ndonjë e drejtë që u takon njerëzve. Ky turp e nxit dhe e shtyn derisa ta përmbushë detyrimin që ka ndaj tyre. Po ashtu, turpi nuk largohet prej tij kur i shfaqet ndonjë dëshirë shkatërruese, drejt së cilës e thërret vetja e tij, përkundrazi, ai e përmban veten prej saj dhe bëhet pengesë mes tij dhe asaj, në mënyrë që të mos bjerë në humnerën e saj dhe të mos zhytet në shkallët e saj të këqija.

O vëllezër të besimit! Turpi mund të jetë një cilësi e lindur tek njeriu dhe natyrshmëri me të cilën Zoti e ka krijuar robin. Në këtë rast, ai është një prej begative më të mëdha të Zotit ndaj robit. Por turpi mund të fitohet edhe përmes përpjekjes me veten dhe ushtrimit për të qenë i tillë,derisa kjo të bëhet zakon dhe natyrë e tij. Atëherë njeriu largohet nga çdo vepër e shëmtuar dhe e braktis atë, ndërsa drejtohet drejt çdo virtyti dhe i përmbahet atij.

Kur turpi rrënjoset thellë në shpirt, trupi e vesh veten me hijeshinë e tij dhe mbulon pjesët e turpshme, qoftë në prani të njerëzve apo kur është vetëm, duke pasur turp para Zotit para se të ketë turp para krijesave.

Sikurse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i ka thënë Muavije Ibn Hajdes, Zoti qoftë i kënaqur me të: “Ruaje auretin tënd, përveçse nga bashkëshortja jote ose nga ajo që ke në zotërim.” Ai tha: “I thashë: ‘O i dërguari i Allahut, po kur njerëzit janë së bashku?’ Ai tha: ‘Nëse mundesh të mos ia tregosh askujt, atëherë bëje.’ I thashë: ‘O i Dërguari i Allahut, po nëse njëri prej nesh është vetëm?’ Ai tha: ‘Allahu ka më shumë të drejtë që të kesh turp prej Tij sesa njerëzit.”

Zoti na bëftë dobi të gjithëve me udhëzimin e Librit të Tij, Kuranin Famëlartë, dhe me sunetin e të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të!

Zotit i kërkoj falje për vete dhe ju.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për  Zotin, të Butin, Mëshirëplotin, Zotëruesi i mirësive të mëdha dhe i Dhuruesi i begative të shumta.

Dëshmoj se Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij, për të cilin Zoti ka thënë: “se ti je me virtyte madhore.” (El-Kalem 4)

Në vijim

Vërtet, turpi është prej virtyteve të profetëve dhe të dërguarve, të njerëzve të devotshëm dhe i robërve të Zotit që i frikësohen Atij. Zoti i Plotëfuqishëm  ka thënë: “Kjo, me të vërtetë, e shqetësonte të Dërguarin e ai turpërohej (që t’jua thoshte këtë)…” (El-Ahzab 53)

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Musai ishte një njeri shumë i turpshëm dhe që e mbulonte shumë trupin e tij nga turpi ndaj Zotit, nuk shihej asgjë prej lëkurës së tij. Për këtë arsye, disa prej bijve të Izraelit e lënduan dhe e shqetësuan.”

Ebu Seid El Hudriu, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte më i turpshëm se një vajzë e virgjër në dhomën e saj. Kur shikonte diçka që nuk i pëlqente, ne e kuptonim këtë nga fytyra e tij.”

Zoti ka lavdëruar gjithashtu vajzën e Shuajbit, duke thënë: “Më vonë, njëra nga ato dyja, erdhi me ndrojtje…” (El-Kasas 25)

Turpi është perdja ndërmjet robit dhe kundërshtisë ndaj Zotit të tij. Mungesa, apo  pakësimi i tij është nga shenjat e mjerimit, vdekjes së shpirtit dhe zemrës. Fjala haja, turp lidhet me hajat, jetë, e ai që nuk ka turp, zemra e tij është e vdekur.

LEXO  “ Lutja është adhurim ”

Shejhul Islam Ibn Tejmije, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Turpi rrjedh nga jeta, zemra e gjallë e bën njeriun të gjallë dhe tek ai ka turp që e pengon nga gjërat e shëmtuara. Jeta e zemrës është ajo që e pengon njeriun nga veprat e këqija që e prishin zemrën.” Këtu përfundon fjala e tij.

Kush e humb turpin, bën çfarë të dojë, kryen çdo vepër të shëmtuar dhe zhytet në çdo imoralitet, ashtu sikurse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  ka thënë: “Nga fjalët e profetësive të hershme, para që njerëzit kanë trashëguar është: ‘Nëse nuk ke turp, atëherë bëj çfarë të duash.”

Mjafton turpi si virtyt që e pengon njeriun nga gabimet dhe gjynahet, sikurse imam Muxhahid Ibn Xhebr, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Sikur besimtari të mos fitonte prej turpit veç këtë, pengimin nga gjynahet, kjo do t’i mjaftonte.”

Sa bukur ka folur ai që ka thënë:

“Sa e sa vepra të shëmtuara nuk më pengoi t’i bëja asgjë tjetër përveç turpit.

Ai ishte ilaçi kundër tyre por kur turpi largohet, nuk mbetet më ilaç.”

O Zot! Sa e çuditshme është që njeriu i mençur ta heqë nga vetja petkun e dinjitetit, për të veshur, duke braktisur turpin, një petk nënshtrimi dhe përçmimi, duke e ekspozuar veten para shpifjes, turpit dhe poshtërimit?!

Sa shumë fatkeqësi i ka sjellë vetes njeriu i pacipë, kur e ka futur veten në vende dyshimi dhe të dyshimta, vetëm sepse e ka lënë mënjanë turpin dhe është kënaqur duke ndjekur dëshirat e vetes së tij!

O besimtarë! Turpi është stolia e burrit. Nëpërmjet tij ai respekton të drejtën e Allahut dhe e përsos fenë e tij, gjithashtu respekton zakonet dhe normat e njerëzve dhe kështu plotëson burrërinë dhe fisnikërinë e tij.

Ndërsa për gruan, turpi është bukuria e saj, nëpërmjet tij, turpit, ajo ruan modestinë, dëlirësinë dhe pastërtinë e saj dhe e plotëson feminitetin e saj.

Kush e ruan turpin e tij, ka ruajtur fenë e tij dhe ka mbrojtur dinjitetin e tij. Ai bëhet prej njerëzve më të denjë për gëzim, jetë të mirë dhe përmendje të bukur.

Ndërsa ai që nuk e ruan turpin e tij, e prish fenë, e humb dinjitetin, shtrembëron natyrën e tij të pastër dhe atëherë humbja e tij bëhet e plotë.

O Zot! Na zbukuro me bukurinë e besimit, na bëj udhëzues dhe të udhëzuar. O Zot, na udhëzo drejt moralit më të mirë, sepse askush nuk udhëzon drejt moralit më të mirë përveç Teje, largo prej nesh moralin e keq, sepse askush nuk mund ta largojë atë prej nesh përveç Teje.

Adhurues të Zotit! Në këtë ditë të bekuar kërkoni Zotit tuaj prej mirësive të Tij. Shtoni në këtë ditë atë që Ai ju ka urdhëruar në Librin e Tij, ku Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë:  “ Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me “selam!” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje zotërinë dhe të dërguarin tonë,  Muhamedin, aq sa ke krijuar, sa ke lindur dhe sa ke formuar. Fali dhe mëshiroi familjarët e tij, të cilët i ke nderuar dhe pastruar.

O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me shokët e tij (sahabët), të cilët i ke dalluar dhe i ke zgjedhur për shoqërimin e të dërguarit Tënd.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro  idhujtarinë dhe idhujtarët, shkatërro armiqtë e Tu, armiqtë e fesë.

O Zot, të lutemi që të jesh ndihmës dhe mbështetës, mbrojtës dhe përkrahës i robërve të Tu të shtypur. O Zot, ndihmoji ata në Palestinë kundër armikut të tyre dhe armikut Tënd, o Zot i botëve.

O Zot, bëje këtë vend të sigurt dhe të qetë, o i Gjallë, o Mbajtës i gjithçkaje, o Zotërues i madhështisë dhe nderimit.

O Zot, kush synon të keqen kundër vendit tonë, angazhoi ata me veten e tyre, kthe komplotin e tyre kundër tyre dhe bëj planin e tyre shkatërrim për ta.

O Zot, ruaji kufijtë tanë, ndihmo ushtarët tanë dhe jepi humbje kujt do që na sulmon.

O Zot, jepi sukses kujdestarit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Ti do dhe je i kënaqur. Udhëzoje atë drejt mirësisë dhe devotshmërisë. O Zot, jepi sukses atij dhe princit të kurorës së tij  në atë që është në të mirë të Islamit dhe muslimanëve, o Mbrojtës i besimtarëve.

Adhurues të Zotit! Përmendeni Zotin e Ai do t’ju përmendi ju, falënderojeni Atë për mirësitë e Tij e Ai do t’jua shtojë ato.

“…vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1647640837362590/1777295070382433

Post Author: endrit