Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 16- 11-1445 H 24-05-2024 D
Shejh Abdurrahman Sudejs
Tema Haxhi në mes shtyllave të adhurimit dhe mbushjes së zemrës
Lavdërimet janë për Allahun. Zoti im, Ty të lavdëroj, prej Teje ndihmë dhe falje kërkoj, Ty të lavdëroj për çdo të mirë, lavdërime dhe falënderime për Ty, o Zoti dhe Krijuesi im, e me këto falenderimi nuk mund të përmbushim mirësitë Tua që na ke dhuruar.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, dëshmi me të cilën mund të ngrihemi në majat më të larta.
Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, njeriu më i zgjuar që ka kryer ritualet dhe ka bërë Tava në Shtëpinë e lashtë të Zotit, Qabe, ka falur namaz, na i ka bërë të qartë rregullat e fesë dhe na i ka treguar ato. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të dhe mbi familjarët e tij të pastër, elita e të gjithë popujve, shokët e tij që trasuan rrugën e fortë dhe të sigurte, mbi tabi’inë dhe ata që i pasuan në vepra të mira, dhe mbi të gjithë ata që kanë për qëllim Haxhin e shtëpisë së Zotit, Qabes, dhe angazhohen në kryerjen e tij, lutje dhe përshëndetje të shumta deri në ditën e Kijametit.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut me frikë të vërtetë, sepse ajo ka vlerën më të çmuar dhe efektin më të nderuar nga të gjitha ritualet. “Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria.” (El-Bekare 197)
O ju muslimanë! Ditët e bekuara të Haxhit po afrohen, ndjenjat e mallit për të dashuruarit, e Qabes, rriten dhe bëhen gjithnjë e më të forta, zemrat e atyre që janë të lumtura me këtë vend të mbushur plot me lajme, të përgëzuar me sezonet më të mira. Ajo është thirrje e përjetshme për babain tonë Ibrahimin, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe kushti i pestë nga shtyllat e Islamit. “ Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara…” (El-Haxhxh 27-28)
Vëllezër të besimit! Këto janë dy vendet e shenjta, djepi i fesë dhe i Islamit, vend i nderit dhe madhështisë për gjatë shekujve dhe viteve. Këto dy vende të shenjta i ka përzgjedhur i Gjithëmëshirshmi, në pjesët e tyre ka zbritur Kuranin dhe ka adhuruar Zotin në këto dy vende zotëria i njerëzimit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.
“ Në të gjitha anët frynë flladi i dy vendeve të shenjta, që frymëzon çdo zemër në etjen për dritë,
Njerëzit nga të gjitha anët vinë në grupe, dhe të gjithë të barabartë janë para Krijuesit.”
Në këtë vend është shtëpia e parë që është ndërtuar në tokë për adhurim të Zotit. Ky vend, është simbol i Njësimit të Zotit dhe unitetit, i ritualeve dhe i ndjenjave, i paqes dhe i sigurisë. “ Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt.” (Al ‘Imran 96)
“Pashë shtëpinë dhe vizitova faltoren, përshëndeta dhe dhashë selamin,
Para shtëpisë, Qabes lotët nuk më janë tharë, unë mbetem i dashuri i dashuruar.”
O ju Haxhinjë të nderuar! Jeni të mirëseardhur dhe mbërritshi sa më lehtë. Urime për këtë përzgjedhje dhe këtë dallim. Kujtoni gjithmonë madhështinë e vendit, shenjtërinë, pastërtinë dhe shenjtërinë e tij, sepse je në hapësirën e shtëpisë së lashtë, Qabes, toka më e mirë e Zotit dhe vendi më i dashur tek Zoti. “Allahu e ka bërë Shtëpinë e Shenjtë të Qabesë, muajin e shenjtë, kurbanin dhe shenjat e tyre vlera të përhershme për njerëzimin…” (El-Maide 97) Ndërsa i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtetë këtë vend e ka bërë Allahu të shenjtë, ka ndaluar luftën në të, që ditën që ka krijuar qiejt dhe toka, dhe ai është i shenjtë, i ndaluar, me shenjtërimin e Zotit deri në ditën e Kijametit.” Muttefikun Alejhi. Madhërimi i tyre është madhërim i ritualeve të tij dhe të shenjtave të Zotit. “Këto (janë urdhërimet). Për atë që nderon ritet e shenjta të Allahut, do të jetë më mirë te Zoti i tij.” (El-Haxhxh 30) “ Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (El-Haxhxh 32)
Umeti musliman! Kjo siguri e madhe dhe qetësi e fortë nuk është vetëm me konfirmim dhe konsolidim, por u vendos dhe u plotësua me premtime e kërcënime dhe një qortim të fortë e të sigurt për këdo që tentoi ta shkelte, ose ta thyejë: “…dhe, ata që synojnë ta përdhosin (Xhaminë), me të keqe, Ne do t’i bëjmë të shijojnë dënim të dhembshëm.” (El-Haxhxh 25)
“ Do të nderojmë vendin e shenjtë dhe për dashurinë e të shenjtës nuk do fajësojmë,
Këto janë vendet e përkujtimit që i ka vendosur në horizonte duke fshirë errësirën.”
Siguria e dy xhamive të shenjta dhe atyre që kanë për qëllim vizitën e tyre është vijë e kuqe të cilën nuk mund të kalohet fare, në çdo legjislacion dhe cilat do qofshin perspektivat.
Vëllezër të akides, besimit, dhe Njësimit të Zotit! Haxhi është na adhurimet më madhështore. “ Kush kryen Haxhin dhe nuk u afrohet marrëdhënieve (me gruan) dhe nuk grindet do të kthehet si dita që e ka lindur nëna e tij, i pastër nga gjynahet.” Hadithin e kanë sjellë tek dy Sahihet, Buhariu dhe Muslimi, nga hadithet e Ebu Hurejres, Zoti qoftë i kënaqur me të.
“ Në cep, tek guri i zi, fillimi i Haxhit, tërhiqen gjynahet, duke mbledhur krahët e tyre në humbje,
Në cepin e përfundimit, mekami i Ibrahimit, ka ngjashmëri, nëse Haxhinjtë mbërrinë ka një shpërblim.”
Përmbushja e Njësimit të pastër për Zotin është gjëja më e rëndësishme që udhëheqësit e ndershëm të vendit duhet të arrijnë, si dhe zbatimin e tij në Qaben e Nderuar në veçanti, dhe në të gjitha vendet në përgjithësi. “Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim)…” (El-HAxhxh 26) Xhabiri, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, shpalli, erdhi me Njësim të Zotit.” Hadithin e ka sjellë Muslimi. Ky është udhëzimi më i madh dhe qëllimi më fisnik i arritur në hijen e shtëpisë së lashtë, Qabes. Haxhi është një adhurim legjitim, me rregulla njerëzore dhe me vlera kulturore të respektuara. Nuk është vend për demonstrata, marshime dhe tubime, apo debate dhe diskutime, apo argumente dhe retorika. Në Haxh nuk ka vend për slogane politike, apo propagandë partiake, sektare apo grupacioneve. Përkundrazi, është mbi çdo parim që bie ndesh me qasjen e Kuranit dhe sunetit dhe me metodologjinë e selefëve, paraardhësve të këtij umeti. “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” (Al ‘Imran 103)
Haxhinjë të shtëpisë së shenjtë të Zotit, Qabes! Gjëja më e madhe që rekomandohet për nderimin e dy xhamive të shenjta dhe që veprat më fisnike të kenë efekt në pasurimin e përvojës së atyre që kanë për qëllim vizitën e tyre është domosdoshmëria e shmangies nga gjërat e ndaluara dhe gjynaheve: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet.” (El-Bekare 197)
Vëllai Haxhi i nderuar! Bëj kujdes që të përdorësh fjalë të pastra dhe të buta, duke e parfumosur veten me adhurime dhe bindje, dhe duke e ruajtur zemrën tënde nga dëshirat, të kotat, dhe mangësitë. Sikurse bëj kujdes që të mos i dëmtosh vëllezërit e tu besimtarë në tubime dhe turma, gjatë Haxhit. “Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.” (El-Ahzab 58)
Këtu duhet të theksojmë rëndësinë e respektimit të rregulloreve, direktivave dhe udhëzimeve, duke përfshirë vendimin e qartë: “ Nuk ka Haxh pa leje.” E ai është një nga kërkesat e kushtit të mundësisë, për arritjen e objektivave madhore ligjore, në arritjen e interesave dhe përmbushjen e tyre, në shmangien e të këqijave dhe minimizimin e tyre, n në pasim dhe bindje ndaj kujdestarëve të çështjeve tona, udhëheqësve, me dashamirësi. “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja.” (En-Nisa’ 59)
Vendimi i udhëheqësit ndaj atyre që ka nën kujdestari bazohet në interesin ligjor, në arritjen e mjedisit të patër adhurimi, duke na lehtësuar udhëtimin e besimit dhe duke pasuruar përvojën fetare të atyre që vijnë e vizitojnë vendet e shenjta. Dhe duke pasur akses në monumentet historike, në Meke dhe në Medine, për mësime dhe përkujtim, pasurim dhe konsideratë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Në të ka shenja të qarta…” (Al ‘Imran 97)
“Pika referimi, historike, që nuk u fshinë gjatë epokës, u kanë ardhur sprova por secila prej tyre u ripërtëri, rinovuar.”
Allahu është përgjegjësi që të pranojë Haxhin nga hanxhinjtë, të ruaj sigurinë dhe stabilitetin e tyre, të bëj Haxhin e tyre Mebrur, të pranuar, përpjekjet e tyre të vlerësuara, gjynahet e tyre të falura, dhe t’i kthejë ata shëndosh e mirë dhe fitimtarë, vërtetë Ai është Dhurues Bujar.
Zoti na begatoftë të gjithëve në Kuran dhe synet, dhe na bëftë dobi nga argumentat dhe urtësitë e tyre. Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët dhe muslimanet nga të gjitha gjynahet dhe gabimet, Zotit kërkoni falje dhe tek Ai pendohuni, me të vërtetë Ai është i Butë, Falës i madh.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, ka bërë Haxhin një nga shtyllat e fesë dhe metodë, dhe shpërblimin më të madh ka përgatitur për ata që plotësojnë umren dhe Haxhin.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i miri që ka plotësuar ritualet, të lehtat dhe të vështirat. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, mbi ata që i pasojnë me vepra të mira, lutje dhe përshëndetje të shumta.
Në vijim
O Haxhin të shtëpisë së shenjtë të Zotit, Qabes! Frikësojuni Allahut të Madhërishëm dhe shfrytëzoni këtë kohë të nderuara dhe me vlera, kalojini dhe mbushini ato me vepra të bekuara dhe të mira, që të keni sukses dhe të fitoni dhe me mirësi dhe mëshirë të shpërbleheni.
Vëllezër në Islam! Nga mirënjohja për mirësitë e Dhuruesit, Allahut të Madhërishëm, është të flasësh për atë që Zoti ka dashur për vendin e dy xhamive të shenjta, që është në ndërgjegjen e çdo muslimani dhe drejtimi i të gjithë muslimanëve, Zoti e ruajte. E është nder tu shërbesh Haxhinjëve dhe atyre që bëjnë umren në të, duke llogaritur shpërblimin nga Allahu i Lartësuar dhe duke shpenzuar, e lavdërimi i takon Allahut të Madhërishëm, në shërbim të mysafirëve të Gjithëmëshirshmit, duke kërkuar ndihmë, udhëzim dhe sukses nga Zoti i Lartësuar dhe Fuqiplotë. Shërbimi ndaj Haxhinjëve, Umrexhive, vizitorëve dhe pelegrinëve në dy vendet e shenjta, kujdesi për sigurinë dhe qetësinë e tyre, është një nga përgjegjësitë e tij më të mëdha dhe në krye të shqetësimeve të tij, dhe nga detyrimet fetare dhe historike të tij, vendit. Këtu, është e nevojshme nderim, përshëndetje krenarie dhe vlerësimi, lutje dhe lavdërim për ata që punojnë në shërbim të mysafirëve të të Gjithëmëshirshmit, që Zoti t’i shpërblejë me më të mirat e Tij.
Nga gjërat që na kujton ky tubim Islam madhështorë është tragjedia e vëllezërve tanë të shtypur, të dashurit tanë të humbur në Palestinë tonë të dashur dhe në xhaminë e bekuar të Aksasë. Për shkak se vëllezërit tanë janë të pafuqishëm dhe besimi ynë fisnik na kërkohet që në këto ditë të bekuara t’i mbështesim, duke u lutur për ta, në mënyrë që Zoti t’i forcojë dhe t’u japë fitore ndaj armikut të Tij dhe armikut të tyre. Këtu lavdërohen qëndrimet e prera dhe të nderuara të Mbretërisë së Arabisë Saudite ndaj çështjes Palestineze dhe vendeve të shenjta Islame, edhe nëse u poshtëruan hundët e ofertuesve dhe atyre që janë të njëanshëm.
Zoti ju mëshiroftë, lutuni dhe dërgoni salavate për më të mirin që ka plotësuar ritualet dhe i ka bërë të qarta ato për të gjithë njerëzit, Sunduesi ynë, Allahu i Madhërishëm na ka urdhëruar në fjalën më të saktë dhe shpalljen më të besuar të Tij, në Kuran, që të lutemi dhe të dërgojmë selame për të, Allahu i Lartësuar ka thënë fjalë fisnike: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
“Lutjet dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, dhe paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, ajo që bënë haxhinjtë dhe hynë në ihram.
Dhe mbi të afërmit e tij, vlera e të cilëve është e madhe, mbi shokët e tij dhe mbi ata që janë si ata.”
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguari, modelin dhe të dashurin tonë, Muhamedin, të birin e Abdullahit, familjen e tij të pastër dhe shokët e tij të përzgjedhur, Muhaxhirinën prej tyre dhe Ensarët.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me Halifet e parë të drejtë, udhëheqësit e drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me tabi’inët dhe me ata që i pasojnë me mirësi deri në Ditën Gjykimit, dhe me ne së bashku me ata me Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, dhe mbro pasuesit e fesë. Bëj të përhershëm sigurinë dhe stabilitetin në vendin tonë dhe në vendet muslimane, bëj ato të mbushura me mirësi dhe begati, të mbrojtur nga të këqijat, fitnet dhe fatkeqësitë. Ruaj të gjitha vendet Islame nga çdo e keqe, të dëmshme dhe të urryer. Mbro Haxhinjtë dhe umrexhinjët, bëhu për ata Mbrojtësi dhe Mbështetësi më mirë.
O Zot, ruaj udhëheqësin tonë me mbrojtjen Tënde, kujdesu për të me kujdesjen dhe mbrojtjen Tënde, dhuroi atij petkun e shëndetit dhe mirëqenies, bëj atë që e ka prekur atë pastrim për të, o Zoti i botëve. Forco atë me pasuesin, mëkëmbësin e froni të tij besnik.
O Zot, shpërble kujdestarin e dy xhamive të shenjta dhe zëvendësin e fronit të tij me shpërblimet më të mira dhe më të plota, më të mëdha dhe më të bukura për këto arritje të mëdha në shërbim të dy xhamive të shenjta dhe atyre që kanë për qëllim ato të dyja, dhe në shërbim ndaj çështjeve të Islamit dhe muslimanëve.
O Zot, përmirëso dhe jepu sukses të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve që të punojnë me librin Tënd, dhe në pasimin e synetit të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.
O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë tonë dhe atyre që janë të lidhur dhe vigjilojnë në kufijtë tanë, forco shikimin dhe gjuajtjen e tyre.
O Zot, Ti je Ai që kërkojmë me shpresat tona dhe Ty të lavdërojmë me të gjitha fjalët dhe veprat tona.
O Zot, o më i Madhi më i Lartësuari, përmirëso marrëdhëniet e muslimanëve, bashko fjalën e tyre në Librin Tënd, Kuranin dhe sunet, o Dhuruesi i begative dhe mirësive. Furnizoi ata me udhëzim dhe devotshmëri, pastërti dhe pasuri. Jepu sukses atyre në unitet dhe bashkim, me Mirësinë dhe Bujarinë Tënde shmangi ata nga ndarjet dhe grupacionet, nga të këqijat dhe gjynahet, drejtoi ata në rrugën e paqes, mundësoju të arrijnë çdo dëshirë që plotëson kënaqësinë Tënde.
O Zot, sikurse i ke bashkuar këto grupe të bekuar në sunet në drejtësi dhe në bindje ndaj Teje, në vendim më të nderuar dhe në kohën më madhështore, bashkoi ata në Xhenetet e Tua, në Xhenetet e Amshuara, të jenë të ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.
O Zot, ruaj xhaminë e Aksasë nga sulmet e argresorëve dhe nga padrejtësitë e jehudëve pushtues, bëje atë të lartë, të nderuar dhe krenare deri në ditën e Kijametit.
O Zot, të lutemi të jesh në ndihmë të vëllezërit tanë të shtypur në Palestinë dhe në çdo vend, o Zoti i botëve.
O Zot, ruaj vendet e shenjta të muslimanëve nga kurthet e keqbërësve, nga intrigat e atyre që thurin kurthe dhe nga sulmet e armiqve, o Zoti i botëve.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)
“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)
O Zot, na fal ne, prindërit tanë, të gjithë muslimanët dhe muslimanet, të gjallët prej tyre dhe ata që kanë ndërruar jetë. Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon, je afër, ju përgjigjesh lutjeve.
“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180-182)
Afrim Smakaj