Historia e profetit është metodologji për t’u ndjekur, jo shfaqje dhe risi

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    08-03-1448 H     21-08-2026 D

Shejh Abdurrahman Sudejs 

Tema   Historia e profetit është metodologji për t’u ndjekur, jo shfaqje dhe risi

Vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë, e tek Ai pendohemi. Zoti i Madhërishëm e lavdërojmë me lavdërime të shumta, të mira e të begata, pa kufi dhe pa përfundimin.

“Ty të takojnë falënderimet me të cilat kërkojmë afrim tek Ti, për ripërtëritjen e mirësive të shumta dhe përgëzuese.

Ty të takojnë falënderimet, duke madhëruar Madhështinë Tënde, vazhdimisht, për mirësitë njëra pas tjetrës që na ke dhuruar.”

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Ai na nderoi me dërgimin e profetit dhe të zgjedhurit të Tij. Madhështor është në emrat e Tij dhe në kuptimin e tyre! Dëshmoj se i dërguari, zotëria dhe udhëheqësi ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij,  zemra e tij ishte e mbushur me përmendjen e Zotit. Paqja dhe mëshira e  Zotit qoftë mbi të, sa numri i pikave të shiut, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, mbi ata që pasojnë rrugën dhe udhëzimin e tij, dhe mbi pasuesit e tyre me mirësi, lutje dhe përshëndetje të shumta, deri në Ditën e takimit me Të.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Këshilla më e mirë që mund t’i jepet njeriut dhe furnizimi më i madh që mund të grumbullojë është devotshmëria ndaj Zotit, në fshehtësi dhe publikisht, dhe marrja shembull njeriun më të mirë, profetin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Prandaj, adhurues të Zotit, frikësojuni Allahu,  sepse ajo është furnizimi më i mirë: “O ju (ithtarë të Librit) që besuat (në Musain dhe Isain), ruajuni Allahut dhe besoni në të Dërguarin e Tij (Muhamedin), se Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë; Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (El-Hadid 28)

O besimtarëve! Kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë shekuj që kur vendet dhe horizontet u parfumosen me dërgimin e zotërisë së të dërguarve dhe profetëve, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë  mbi të. Jeta e tij e ndritur dhe e bukur u mbush me madhështi e hijeshi, frikë respekt e solemnitet, si dhe me urtësi të shfaqur qartë në fjalët dhe veprat e tij: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Et-Teube 128)

Ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë  mbi të, e mbushi botën me drejtësi, siguri dhe paqe, dhe në të gjitha anët e tokës përhapi themelet e së vërtetës dhe drejtësisë, tolerancës, butësisë dhe mëshirës: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (El-Enbija 107)

O vëllezër të besimit! Sira, historia profetike e pastër është thesar historik, burim qytetërues, metodologji shkencore dhe udhëzues praktik që e çon umetin drejt lavdisë e madhështisë, drejt suksesit dhe saktësisë. Ajo është jeta e atij që e udhëzoi njerëzimin nga humbja, e mësoi nga padituria dhe e drejtoi drejt majave të vlerave dhe madhështisë.

Ai është profeti i mrekullive, ai që na largoi nga zjarri duke na kapur pas shpëtimit, udhëzimit, njeriu që ka bërë më shumë mirësi për çdo musliman e muslimane dhe ai që, si nga transmetimi ashtu edhe nga arsyeja, e meriton më së shumti dashurinë tonë të sinqertë dhe bindjen tonë të vërtetë.

LEXO  Të jesh i dalluar - Meka 21.02.2020

“Kur madhështia mburret me lartësinë e saj, i dashuri ynë shfaqet si më fisniku ndër të gjithë.

Kur krenaria na mahnit me jehonën e saj, ai shfaqet mes njerëzve si më i larti në pozitë.”

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Askush prej jush nuk ka besuar plotësisht derisa unë të jem më i dashur për të sesa prindërit e tij, fëmijët e tij dhe të gjithë njerëzit e tjerë.” Muttefikun alejhi.  “Askush prej jush nuk ka besim të plotë derisa dëshira e tij të jetë në përputhje me atë që kam sjellë unë.” Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (El-Ahzab 21)

Kjo është dashuria që çon drejt bindjes, pasimit dhe dorëzimit, për të cilën tregon fjala e Zotit Bujar: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.” (En-Nisa’ 65)

O ju muslimanë! Sira, historia profetike dhe suneti i ndritur, mbi autorin e tyre qofshin lutjet, paqja dhe përshëndetjet më të mira, janë themeli i krenarisë dhe fitores dhe rruga më e qartë që i siguron umetit lartësi dhe qëndrueshmëri.

Prandaj, duhet të ringjallet historia e tij e ndritur, të rikthehen kuptimet dhe synimet e saj dhe, me kalimin e ditëve, lidhja jonë me të të bëhet gjithnjë e më e fortë, në aspektin e imitimit, ndjekjen e shembullit të tij, kuptuarit, njohjes, sjelljes, mendimit dhe  konsideratës.

“Ai me të cilin u përsos morali ishte përfundimi i ti, e nga një herë përfundimi e tejkalon dhe fillimin.

Të parët erdhën me një mijë virtyte, ndërsa ai erdhi duke qenë autoritet mbi gjithçka që ata sollën.”

Popujt duhet të përjetojnë dhe të mishërojnë vlerat fetare dhe cilësitë e larta profetike, sepse ato janë drita udhëzuese dhe udhërrëfyesi i sigurt. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “E, nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugën e drejtë.” (En-Nur 54) “Se ti je me virtyte madhore.” (El-Kalem 4)  “Me të vërtetë jam dërguar për t’i plotësuar virtytet e moralit.”

Bashkësia  e kësaj Sireje, historie dhe e rrugëtimit më të pastër! Mbilleni dhe edukojini fëmijët dhe familjet tuaja me dashurinë për të zgjedhurin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dashuri që sjell udhëzim dhe pasim të shembullit, ndjekje dhe marrje të tij si model. Nderoni burimet e Sires në sunetin profetik, si dy Sahihet dhe veprat e tjera të ngjashme. O të nderuar! Zbukurohuni me mbrojtjen e nderit të dijetarëve të mëdhenj, të familjes dhe shokëve fisnikë të profetit.

Umeti Islam! Influencuesit dhe krijuesit e përmbajtjeve në rrjetet sociale duhet të kujdesen për përhapjen e sunetit të saktë profetik, kuptimin e tij, objektivat e tij dhe vlerat e tij edukative, si dhe metodologjinë e tij në çështjet e besimit. Ata duhet të përfitojnë nga ngjarjet e sirës për të realizuar teuhidin, Njësimin e Zotit, për të forcuar ekuilibrin dhe mesataren, për t’iu përmbajtur rregullave të nxjerrjes së përfundimeve dhe argumentimit prej saj, për të paraqitur metodologjinë e selefëve në këtë çështje dhe për ta zbatuar në mënyrë të drejtë Siren mbi çështjet dhe problemet bashkëkohore. Duhet të bëhet shumë kujdes nga risitë në fe, nga teprimi dhe nga neglizhimi. Në këtë mënyrë arrihet metodologjia e saktë në trajtimin e ngjarjeve dhe episodeve të Sires, historisë profetike.

LEXO  Përfitime nga shpërngulja e Profetit... dhe gjendja e Palestinës së lavdishme

O pasues të të dërguarit të Islamit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të! Le të jetë suneti dhe sira burimi i pastër e i ëmbël nga i cili marrim drejtimin për të korrigjuar rrugëtimin tonë. Le të pijë prej tij çdo i etur dhe le të kthehet tek ato çdo i udhëzuar dhe çdo udhëzues, në mënyrë që të mos humbasim e të mos vuajmë, por në rrugët e lavdisë të jemi të lumtur dhe të ngrihemi gjithnjë më lart. Kjo është dëshmia më e qartë e sinqeritetit në pasimin e profetit të Islamit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” (Al  ‘Imran 31)

Zoti na begatoftë të gjithëve me Kuran dhe sunet, na bëftë dobi me përkujtimet dhe urtësitë e tyre.

Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar  i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët dhe muslimanet, nga të gjitha gjynahet dhe gabimet,  Zotit kërkoni falje dhe tek Ai pendohuni, vërtetë Ai e pranon pendimin dhe është Mëshirues.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, e ka bërë kapjen pas sunetit të ndritur rrugë drejt kënaqësisë së Tij. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.                                   Dëshmoj se Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij,  i nderuar në të gjithë botën. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi familjen e tij të pastër, shokët e tij të mirë e të zgjedhur, të dalluarit dhe të preferuarit,  mbi tabi’inët dhe ata që i pasojnë me mirësi, lutje dhe përshëndetje që pasohen mëngjes dhe mbrëmje.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar, dhe dijeni se fjala më e mirë është Libri i Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, çështjet më të këqija janë ato të shpikura në fe dhe çdo bidat është humbje. Pasoni profetin tuaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që të arrini mirësinë dhe përmirësimin, shpëtimin, suksesin dhe fitoren.

Umeti Islam! Lidhja dhe dashuria e umetit me të dërguarin e tij, umetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe me historinë e tij të pastër, nuk duhet të jetë vetëm një lidhje e kufizuar në kohë, raste të veçanta, paraqitje dhe formalitete. Përkundrazi, ajo duhet të jetë lidhje e fortë në çdo rrethanë, në të gjitha çështjet dhe në çdo gjendje të jetës deri në vdekje. Kjo dashuri kurorëzohet me marrjen e tij si shembull, ndjekjen dhe imitimin e tij, me largimin nga bidatet dhe risitë në fe, si dhe me kundërshtimin e pasuesve të dëshirave dhe devijimeve.

“Kush do që shpik në këtë çështjen tonë, në fe, një gjë që nuk i përket asaj, ajo është e refuzuar.”  “Kush do që bën një vepër e cila nuk është sipas çështjes, fesë, sonë, ajo është e refuzuar.”

Zotin e Madhrishëm dhe të Lartësuar e falënderoj që e ka bërë vendin tonë, Mbretërinë e Arabisë Saudite, vend të Teuhidit dhe pishtar e strehë të sunetit. Nuk ka shërim për ato që janë futur në fe nga kundërshtimet, bidatet dhe risitë, përveçse përmes ndërgjegjësimit, kuptimit të saktë të dispozitave të fesë dhe dritës së dijes, e cila largon errësirat e injorancës dhe risive.

LEXO  Paralajmërim kundër ruajtjes së degëve dhe neglizhencës së parimeve

Prandaj, ndërsa përgatitemi për të pritur një vit të ri shkollor, duhet t’i kushtojmë rëndësi kërkimit të dijes në përgjithësi dhe dijes së bazuar e të saktë fetare në veçanti. Duhet të përmbushim amanetin dhe sinqeritetin në përvetësimin dhe përcjelljen e saj, të respektojmë dijetarët dhe mësuesit dhe të kemi vendosmërinë e plotë për një kthim serioz që nga fillimi i vitit të ri shkollor. Kështu, viti shkollor duhet të jetë i ngritur mbi kuptimin e saktë, ndërgjegjësimin e shëndoshë, përmbushjen e së drejtës së dijes dhe dijetarëve, si dhe edukatën ndaj mësuesve dhe nxënësve.

Dijeni, Zoti ju mëshiroftë, se nga shenjat e dashurisë, ndjekjes dhe imitimit të tij, është dërgimi i vazhdueshëm i salavateve dhe selameve mbi udhëheqësin e të drejtëve dhe zotërin e të zgjedhurve. Kush është i vazhdueshëm në dërgimin e lutjeve dhe përshëndetjeve mbi të, Zoti i largon atij shqetësime të panumërta dhe i lehtëson brenga të pallogaritshme.

Dërgoni salavate mbi të, salavatet e atij që e do dhe e ndjek, dhe jo të atij që e tepron dhe shpik në fe.

“Sa i lumtur është ai që dërgon salavate mbi të nga njerëzit, sepse me këtë i rëndohet peshorja e veprave të mira.”

Zoti i Madhërishëm dhe Plotëfuqishëm ka thënë fjalë fisnike, në nderim dhe lartësim për të dërguarin tonë dhe duke i udhëzuar njerëzit dhe i mësuar ata: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale dhe mëshiroje profetin e zgjedhur. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me familjen e tij të pastër dhe me shokët e tij të nderuar e të mirë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me dhjetë të përgëzuarit me Xhenet, me të gjithë sahabët e tabi’inët, na përfshi dhe ne me ata, me Mirësinë, Bujarinë dhe Fisnikërinë Tënde, o i Plotëfuqishëm, o Falës i Madh.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, bëje këtë vend të sigurt, të qetë, të begatë e të mirë, si dhe të gjitha vendet e muslimanëve.

O Zot, na jep siguri në vendet tona, jepu sukses udhëheqësve dhe kujdestarëve të çështjeve tona,  mbështet me të vërtetën dhe me drejtësi, udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona. O  Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, dhe princin e kurorës së tij, në atë që sjell krenarinë e Islamit, përmirësimin e muslimanëve dhe në atë që është e mirë dhe e drejtë për popullin dhe vendet. O Zot, bëji ata të dy mbështetje dhe ndihmë për Islamin dhe muslimanët.

O Zot, ruaj vendin tonë nga çdo e keqe dhe të urryer, dhe të gjitha vendet muslimane. O Zot, jepu sukses të gjithë udhëheqësve të muslimanëve. O Zot, jepu sukses njerëzve tanë të sigurisë dhe ata që janë të vendosur në kufijtë dhe vijat tona mbrojtëse.

O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, bashko zemrat e tyre, udhëzoji në rrugët e paqes, largo brengën të brengosurve, lehtëso vështirësinë të pikëlluarve, mundëso shlyerjen borxhit nga ata që kanë borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve, mëshiro të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.                                     O Zot, kush do që na dëshiron të keqen ne, vendit tonë, Islamit dhe muslimanëve, angazhoje me veten e tij, kthe kurthin e tij kundër tij dhe bëj planifikimin e tij shkatërrim për të, o Dëgjues i lutjeve.

O Zot, bashko fjalën e muslimanëve mbi Librin dhe sunetin, o Zotërues i Bujarisë, Mirësisë dhe Begatisë.

O Zot, ruaj xhaminë Aksa dhe largo prej saj këdo që është shmangur nga feja Jote. O Zot, bëje atë të fortë e krenar deri në Ditën e Gjykimit. Shpëto të dobëtit dhe të shtypurit nga muslimanët në Palestinë dhe në çdo vend tjetër, o Zot i botëve. Ndihmoji ata kundër armiqve të Tu dhe armiqve të tyre, o i Fuqishëm, o i Plotfuqishëm.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)

“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)

O Zot, na fal ne, prindërit tanë dhe prindërit e tyre, të gjithë muslimanët dhe muslimanet, vërtetë, Ti je që i dëgjon të gjitha, je afër dhe u përgjigjet lutjeve.

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1654682996658374/2596117107474348

Post Author: endrit