Ripërtëritja e shpresës në kohë të vështira

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     13-07-1447 H   02-01-2026 D

Shejh  Halid  Ebu  Xhumua 

Tema    Ripërtëritja e shpresës në kohë të vështira

Lavdërimet janë për Zotin, Krijuesin e krijesave, Zotëruesi i gjithë Pushtetit, Rregulluesi i çështjeve. Zemrat e të dashuruarve janë të mbushura me dashurinë për Të dhe zemrat e besimtarëve janë të mbushura me madhërimin e Tij. Zemrat e të korruptuarve largohen prej Tij. Nuk poshtërohet ai që është besnik ndaj Tij dhe nuk lartësohet ai që është armiqësor ndaj Tij. Atë e lavdërojmë për veprat që ka përsosur, për mirësitë që ka përfunduar, për fatkeqësitë që ka shmangur,  për legjislacionin, sheriatin,  që  ka vendosur, për krijesat që i ka krijuar në mënyrë të përsosur, për çështjet që  ka urdhëruar dhe për gjykimet  që ka ekzekutuar. Sundimi është e Tij dhe krijimi është i Tij. Ai gjykon mbi ata me diturinë dhe urtësinë e Tij dhe i trajton ata me drejtësinë dhe mëshirën e Tij. “Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato. Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.” (En-Nahl 18)

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok. Zoti  Një e i Vetëm, Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim, Ai i Cili nuk ka as grua as bir, dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!

Dëshmoj se i dashuri, udhëheqësi, i madhi dhe zotëria ynë, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Ai është goditur me çështje të mëdha dhe sprova të rënda, palët, grupaconet, formuan një aleancë kundër tij dhe e rrethuan qytetin si byzylyku rreth dorës. Por i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, qëndroi i fortë dhe i palëkundur, i sigurt në premtimin e Zotit të tij dhe pa u luhatur. Ai u premtoi shokëve të tij thesaret e Kisras dhe Cezarit, dhe premtimi i Zotit të Lartësuarit u realizua, Zoti i dha fitoren robit të Tij, lartësoi  ushtrinë e Tij dhe i mundi palët, grupacionet, i vetëm. Mosbesimi dhe njerëzit  e tij u poshtëruan, hipokrizia dhe pala e tij u zhgënjyen.

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje zotërinë tonë Muhamedin dhe familjen e zotërisë tonë Muhamed. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me shokët e tij të nderuar dhe me ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Gjykimit.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Këshilloj  juve dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit të Plotfuqishëm, të jemi serioz në kërkimin, lutje, dhe të nxitojmë të bëjmë vepra të mira, sepse kënaqësitë e kësaj bote janë të përkohshme dhe nuk janë të sigurta fatkeqësitë e saj. O adhurues të Zotit! Mësoni nga mësimet e historisë,  bëni kujdes nga shenjat dhe provat, ruajuni nga paralajmërimet dhe qortimet. “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju! Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut).” (El-Hashr 18-19)

O ju të lidhur me këtë vend! Viti ynë ka kaluar me të gjitha të mirat dhe të këqijat e tij, kanë ikur gëzimet e tij dhe kanë mbetur hidhërimet e tij, kanë mbaruar shpresat e tij dhe kanë ikur dhimbjet e tij. Asgjë nuk ka mbetur prej tij përveç asaj që kemi depozituar nga veprat Kaloi një vit i ngarkuar me luftëra dhe me konflikte, me sëmundje dhe me lëngata. Vit, në të cilin zemrat ishin të mbushura me shqetësime dhe pikëllim, dhe popuj u prekën nga sprova, dhimbje dhe fatkeqësi.

Vite kalojnë dhe vite vijnë, ditë që përfundojnë dhe orët që kalojnë. E habitshme sa shpejtë kalojnë ditët, koha po afrohet, jetët tona bashkë me ditët po pakësohen dhe po gërryhen. Çdo ditë bie një gjethe nga pema e jetës. Fatlumi është ai që e kupton këtë, e shfrytëzon kohën e tij me adhurime bindjeje dhe përgatitet për atë që vjen pas vdekjes. Nga Abdullah Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Jeto në këtë botë sikur të ishe i huaj ose udhëtar.”

LEXO  Vazhdoni në punë të mira - Aksa 22.05.2020

O ju të lidhur me këtë vend! Jeta në këtë botë është një fazë kalimtare, kalimi i saj është i shpejtë, fundi i saj është i afërt, kënaqësitë e saj janë të pakta dhe ndryshimet e saj janë të rënda. Vështirë se ka kaluar një muaj i vit pa u shembur dhe u shkatërruar. Ajo që jetojmë sot në realitet mund të jetë e ëmbël dhe e këndshme për disa prej nesh, por  e hidhur dhe e rëndë për të tjerë. E të gjitha pas një kohe do të kthehen në kujtime dhe ëndrra. Ashtu siç flasim sot për njerëzit me të cilët jetuam, hëngrëm dhe pimë, e pastaj ata vdiqën dhe nuk mbeti asgjë tjetër përveç kujtimit të tyre, njerëzit do të flasin për ne nesër dhe do të përmendin se çfarë u ndodhi atyre me ne.

Numri gjithnjë në rënie i bashkëmoshatarëve tanë që njohim. Muaj pas muaji, vit pas viti duhet të jenë kujtesë për ne  se kjo botë nuk është një vendbanim i përhershëm, se për ne  nuk ka shpëtim e as ikje nga vdekja,  dhe se ne jemi thjesht si udhëtarë në këtë botë, të cilët pushojnë në hijen e një peme dhe se shpejt largohen prej saj. Zoti i Plotëfuqishëm është Ai që ka thënë: “ Ai krijoi natën dhe ditën që të vijnë njëra pas tjetrës, si këshillë për ata që duan ta kujtojnë ose duan ta falënderojnë.” (El-Furkan 62)

O ju besimtarë! Të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i pëlqenin oguret e mira. Oguri i mirë jep gëzim në zemër, mbjellën shpresë dhe optimizmin, jo dëshpërimin, dhe mendimin e mirë në Zotin e Plotfuqishëm. O ju durimtarë! Shpresa është një cilësi fisnike dhe një karakteristikë e çmuar, e ajo është një nga cilësitë më të rëndësishme të besimtarëve. Me të pajisen vetëm ata besimi i të cilëve është i fortë, bindja  e të cilëve është e lartë, mbështetja e të cilëve është e madhe në Zot dhe besimi i tyre në Zot është i fortë.

Shpresa në Zot i jep besimtarit forcë dhe vendosmëri, ambicie dhe energji të madhe. Ai e shikon të largëtën të afërt, të vështirën të lehtë dhe të pamundurën të mundshme. Atij i mjafton që i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për këtë cilësi të madhe ka thënë: “Më pëlqen mua.” Sa shumë që kanë nevojë njerëzit sot për dikë që t’u ngulisë shpresën në zemrat e tyre, të ndezë optimizëm në jetën e tyre dhe t’u kujtojë që të kenë mendim të mirë për Zotin, Krijuesin e tyre.  Veçanërisht kur dëshpërimi, mungesa e shpresës dhe pesimizmi kanë depërtuar tek shumica e tyre.

Adhurues të Zotit! Dëshpërimi është një sëmundje vdekjeprurëse. Nëse pushton zemrën e besimtarit ia djeg shpirtin, ia shpërndan punët, ia shkatërron shpresat, ia vret vendosmërinë dhe e çon drejt shkatërrimit. Prandaj, kemi nevojë të madhe të kujtojmë arsyet e shpresës, metodat e optimizmit, të kemi mendim të mirë për Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar dhe të jemi të duruar në këtë sprovë.

Kjo është rruga e profetëve, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ta. Zotërinë tonë Ibrahimin, paqja e Zotit qoftë mbi të, e shtyu optimizmi dhe mendimi i tij i mirë për Zotin e tij që t’i lutej Zotit dhe t’i thërriste Krijuesin e tij që t’i dhuronte një djalë të mirë, pavarësisht moshës së madhe të tij dhe të gruas së tij. Ai tha: “ O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!”(Es-Saffat 100) Zoti i tij iu përgjigj dhe ia dha Ismailin dhe Is’hakun.

LEXO  Vazhdimi në vepra të mira dhe pas Ramazanit

Po kështu, i dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte optimist në të gjitha punët e tij, i bindur në Zotin e tij në çdo kohë dhe duke pasur mendim të mirë për Të në të gjitha rrethanat e tij. Prandaj, jeta e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte e mbushur me shpresë dhe optimizëm, pavarësisht ashpërsisë dhe intensitetit të sprovave. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, gjithmonë mbillte shpresë në zemrat e shokëve të tij, dhe i përgëzonte ata për fitore dhe fuqizim, sikurse  i paralajmëronte ata nga dëshpërimi dhe nga pesimizmi,  mungesës së shpresës,  nga poshtërimi dhe nënshtrimi. Prandaj, zemrat e sahabeve, Zoti qoftë i kënaqur me ta, ishin të lidhura me Zotin, nuk i lëkundnin dot nga sprovat dhe fatkeqësitë, dhe ishin të paprekura nga dëshirat, dyshimet dhe tundimet. Zemra që e përballën  tiraninë me besim dhe lëndimin me vendosmëri. Zemra të qeta dhe të kënaqura me Zotin e tyre, të kënaqura me caktimin dhe vullnetin e Tij dhe të  bindura në fitoren dhe ndihmën e Tij. Dëshpërimi dhe pesimizmi nuk u futën brenda saj, pavarësisht se sa shumë u rrit shqetësimi dhe sa shumë i pushtoi ankthi. Historia e profetit është plot me lajme të mira që frymëzojnë optimizëm, që rinovojnë shpresën, forcojnë bidjen dhe konfirmojnë fuqizimin. Transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtet, Zoti më tregoi tokën e unë pashë lindjen dhe perëndimin e saj. Sundimi i umetit tim do të arrijë atë që më është treguar prej saj, dhe mua më janë dhënë dy thesare, i kuqi dhe i bardhi.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

Adhurues të Zotit! Optimizmi dhe shpresa janë nga udhëzimi i profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.  Ato janë far që ndriçojnë rrugën dhe jetën,  dhe agim i ndritshëm në errësirën e shqetësimit dhe sprovave.

O ju muslimanë! Umeti ynë Islam sot vuan nga rreziqe të mëdha dhe fatkeqësi të rënda. Umeti është goditur nga fatkeqësi, është goditur nga të gjitha format e fatkeqësive të errëta dhe sprovave të dhimbshme. Vuajtjet e tij janë intensifikuar,  fatkeqësitë e kanë goditur njëra pas tjetrës.

Adhurues të Zotit! Ato që po përjeton umeti  ynë musliman nga ngjarjet në pjesë të ndryshme të tokës, me marrjen e shpirtrave  dhe humbjen e jetëve njerëzore, me shkatërrimin e pronës, me zhvendosjen e njerëzve dhe persekutimin e besimtarëve, ne e dimë me siguri dhe me bindje se kjo është ligjshmëria e Zotit të Plotfuqishëm në të parën dhe të fundit. Popuj janë bërë arrogantë dhe tiranë,  disa vende kanë dominuar të tjerët dhe janë përhapur padrejtësia dhe korrupsioni, shthurja. Këta agresorë shtypës menduan se kontrolluan tokën dhe nyjet e saj, se zotëruan shpirtrat e njerëzve, planifikuan me dinakëri, mashtrim dhe dredhi, dhe i zbatuan planet e tyre me profesionalizëm dhe saktësi, por shumë dhe shumë larg. Sepse Zoti i të gjitha krijesave dhe Rregulluesi i caktimit, i informoi robërit e Tij në Librin e Tij, Kuranin Famëlartë, se këto ishin dhe shpresat e popujve të mëparshme të së kaluarës, nga ata që nuk besuan në Zotin e tyre dhe përhapën korrupsion në tokë. Vetëm sa kaluan disa vite e këta popuj të së kaluarës panë me sytë e tyre atë që Zoti u kishte premtuar nga ndëshkimi i rëndë. Fuqia e tyre u zhduk dhe forca e tyre u fshi. Në këto histori ka mësim dhe paralajmërim për çdo sundimtar tiran, arrogant dhe mosbesues, se fundi i tij është i afërt në duart e të Plotfuqishmit, Imponuesit.

Pavarësisht sa shumë i padrejtë tiran tregohet, ngrihet lart në pushtet dhe prishën, kërcënon  dhe zemëron, pavarësisht sa jetën e gjatë e ka dhe sa e madhe është fuqia dhe forca e tij, le të kujtojë ligjshmërinë e Zotit të Plotfuqishëm në mbështetjen e robërve të Tij dhe në shtypjen e armiqve të Tij. Ky është mendimi i besimtarëve për Zotin e tyre dhe bindja e tyre tek Ai, Zoti i Lartësuar. Pavarësisht se sa e gjatë është rruga për ne, sa shumë lodhje, mundim dhe rraskapitje që ka,  sa shumë lodhje futet në zemrat e dobëta, ne nuk kemi askënd tjetër përveç Zotit tonë të Cilit i drejtohemi, tek i Cili shpresojmë dhe të Cilit i lutemi, në mënyrë që shpresa të ripërtërihet tek ne për mundësinë e lehtësimit, largimin e shqetësimit dhe pikëllimit, dhe mbërritjen e gëzimit, lumturisë, paqes dhe kënaqësisë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Dhe, kur të dërguarit gati e humbën shpresën dhe menduan se do të shpalleshin gënjeshtarë, atëherë u arriti ndihma Jonë: Ne shpëtojmë atë që duam dhe dënimi Ynë nuk zmbrapset nga populli keqbërës.”( Jusuf 110)

LEXO  Mbrojtja dhe fuqizimi për besimtarët e vërtetë

O Zot, na mundëso që veprat tona të përfundojnë me të mira, zgjati jetët tona në bindje ndaj Teje, përmbushi shpresat tona në atë që të kënaqën Ty, na bëj nga të sigurtët kur të jemi në gjendje tmerri, ditën e Gjykimit,   dhe nga ata që nxitojnë për në Xhenetet e Tua.

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, fitorja është me ata që tek Zoti kërkojnë falje, tek Ai kërkoni falje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin e botëve. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi më të nderuarin e të dërguarve, zotërinë tonë Muhamedin, mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij.

Adhurues të Zotit! Zoti i Plotfuqishëm ka rrënjosur thellë në zemrat tona shenjtërinë e Xhamisë së bekuar të Aksasë dhe e ka lidhur atë me një lidhje të fortë dhe të thellë fetare, historike dhe shpirtërore. E kanë përcjellë atë  brez pas brezi, nga paraardhësit tek pasardhësit, tek ne dhe tek nipërit e mbesat, me një besim të shëndoshë, të pastër dhe të sinqertë me Zotin.

Xhamia Aksa do të mbetet e mbushur me Islam dhe myslimanë, ekskluzivisht për ne, pa e ndarë askush tjetër atë me ne. Brezat tanë pasardhës do të mbeten të duruar dhe të palëkundur në xhaminë e tyre derisa Zoti të trashëgojë tokën dhe gjithçka që është mbi të.

Adhurues të Zotit! Ata që janë të lidhur dhe të vendosur në këtë xhami, vizitorët e saj të vërtetë, i kanë dhënë jetë trupit të këtij vendi, sepse ata janë të sinqertët, besimtarët, të penduarit që i drejtohen Zotit të tyre në netët e tyre të ndritshme me ballë të përulur, me zemra të përulura, me sy të përlotur, me duar të ngritura dhe me zemra që i luten Zotit të tyre. Me këmbë që qëndrojnë drejt në vendin e tyre të lutjes dhe rreshta në këtë xhami me radhë. Zemra të lidhura me qiellin dhe trupat e tyre të ngritur lartë nga toka, shpresat e tyre tek Zotin janë rritur shumë, kështu që kanë braktisur tubimet dhe shtretërit.

O Zot, na bëj prej atyre që qëndrojnë të lidhur me këtë xhami, prej atyre që e mbrojnë atë dhe na e merr jetën me këtë qëllim. “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin për të qenë të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” (Al ‘Imran 200)

O Zot, ji ndihma dhe mbështetja jonë, mbrojtësi dhe ruajtësi ynë, ndihma dhe mbështetja jonë. O Zot, na mëshiro me mëshirën Tënde të madhe.

O Zot, shëro plagën tona, mundëso ushqim për të uriturit tanë, shuaj etjen tek njerëzit tanë, mbulo të  zbathur nga ne, vish të zhveshurit tanë, shëro të plagosurit tanë dhe mëshiro të vdekurit tanë. O Zot, ji i Butë me të moshuarit e përgjunjur, me foshnjat e vogla, që ushqehen me gji, me gratë që kanë mbetur të veja dhe me fëmijët që ngelen jetimë.

O Zot, ruaj xhaminë Aksa dhe ata që e ruajnë atë, janë të lidhur me të, vendin e udhëtimit në Isra dhe Miraxh të profetit Tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, fortifikoje atë me fortifikimin Tënd të fortë, merre atë nën kujdesit, ruajtjen, mbrojtjen, sigurinë dhe garancinë Tënde, o më i Madhi dhe më Bujari.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët. O Zot, na fal gjynahet tona, fshih të metat tona, shpëto të sprovuarit tanë dhe shëro të sëmurët tanë.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.

Falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

 “ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Ndërsa ti që fton për namaz, fto në namaz!

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1447654734027869/865808203081465

Post Author: endrit