Xhamia Aksa… Doktrina e Israsë dhe përgjegjësia për ta mbrojtur atë

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     27-07-1447 H   16-01-2026 D

Shejh Urvetu Ikrime Sabri   

Tema     Xhamia Aksa… Doktrina e Israsë dhe përgjegjësia për ta mbrojtur atë

Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë, udhëzim dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Zoti  ai është i udhëzuar, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili, e barti mikun dhe të dashurin e Tij, në një udhëtim nate nga xhamia e shenjtë, Qabe,  në xhaminë e bekuar të Aksasë. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili e nderoi profetin e Tij Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, me ngjitjen në qiejt e lartë. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na ka bekuar me lidhjen tonë në tokën e Israsë dhe Miraxhit.

“Zoti të ngriti në pozitën më të lartë,  tek Mbreti i Mbretërve, i rrethuar me drita.

Drejt një pozite të lartë që askush përveç jush nuk mund ta arrijë, nëpërmjet vlerësimit dhe nderimit.

Kërkesa jote u plotësua me udhëzim dhe bujari, u ktheve fitimtar me bekime dhe lajme të mira.”

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Atij i takon sundimi dhe për Atë është lavdërimi, Ai është i Fuqishëm për të bërë çdo gjë.

Dëshmoj se Muhamedi  është i dërguari  i Zotit, udhëheqësi i njerëzve të devotshëm, model për dijetarët aktiv, punëtorë, dhe shembull i predikuesve të sinqertë deri në Ditën e Kijametit. O Zot, fale dhe mëshiroje zotërinë tonë, Muhamedin, në këtë botë,  fale dhe mëshiroje atë në botën Tjetër,  fale dhe mëshiroje atë në pozitën më të lartë deri në Ditën e Gjykimit.

“Jetim por ke mbushur tokën me dhembshuri,  analfabet por ia ke shtuar lavdinë diturisë.

Ti e mbushe tokën me mëshirë dhe drejtësi, kur ajo rënkonte nga hidhërimi dhe shtypja.

Bekimet e Zotit tim qofshin mbi ju në çdo kohë, bekime që i mbushin shpirtrat me pastërti.

Prandaj, lutuni dhe përshëndeteni atë, sepse kush e përshëndet atë, Bujari dhe i Mëshirshmi do ta shpërblejë dhjetëfish.”

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71) 

Në vijim

Zoti i Plotfuqishëm në Librin e Tij të shenjtë thotë: “I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.”(El-Isra’ 1)

Adhurues të Zotit! Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit përmban shumë mësime dhe njohuri që duhen medituar dhe marrë në konsideratë. Kjo mrekulli erdhi nderim për profetin Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në një kohë kur thirrja Islame po kalonte nëpër rrethana të vështira refuzimi dhe persekutimi. Ajo ishte mbështetje për profetin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe shokët e tij. Mesazhi i Israsë dhe Miraxhit për thirrësit është: Nëse toka nuk është e hapur për ta përmbajtur thirrjen qiejt janë mjaftueshëm të gjerë për ta përmbajtur atë. Lehtësimi po vjen në mënyrë të pashmangshme nga vendi ku thirrësi tek Zoti nuk e pret. Sikurse  arritja e disa rezultateve në këtë botë është nga lajmet e gëzueshme të menjëhershme për besimtarin, sepse shpërblimi i vërtetë është shpërblimi i madh tek Zoti i Plotfuqishëm në botën Tjetër, në Ahiret.  O ju muslimanë! Udhëtimi i Israsë për në xhaminë e bekuar të Aksasë erdhi për të konfirmuar lidhjen doktrinare të saj me xhaminë e shenjtë në Mekë, Qaben. Ato janë dy xhamitë e para të ndërtuara në tokë për adhurimin e Zotit të Vetëm.  Nga Ebu Dheri tregohet se ka thënë: Unë thashë: “O i dërguar i Zotit, cila xhami u ndërtua e para në tokë?” Ai tha: “Xhamia e Shenjtë, Qabeja.”  Unë thashë: “Po pastaj cila?” Ai tha: “Xhamia Aksa.” Unë thashë: “Sa kohë kishte midis tyre?” Ai tha: “Dyzet vjet,  kudo që të gjejë koha e namazit, falu, sepse çdo vend është xhami.”

LEXO  Përmirsimi i mardhënijeve mes muslimanëve - Aksa 12.4.2019

Dy xhamitë përfaqësojnë gjithashtu drejtimin e lutjes, kiblen, për muslimanët. Xhamia Aksa është kibla e parë ndërsa xhamia e shenjtë, Qabeja, është kibla e dytë. Për shkak të lidhjes së tyre, udhëtimi drejt të dyja xhamive inkurajohet, bazuar në hadithin e transmetuar  nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, se profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Udhëtimi nuk kërkohet përveçse në tre xhami: Për në xhaminë e shenjtë, në Qabe, për xhaminë e profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në Medine,  dhe për në xhaminë Aksa.” Për më tepër, shpërblimi për lutjen shumëfishohet në të dyja xhamitë, ashtu siç shumëfishohet shpërblimi për namaz në xhaminë e profetit, në Medine.

O ju muslimanë! Për shkak të rëndësisë së xhamisë Aksa dhe lidhjes së saj me xhaminë e shenjtë në Meke, kjo do të thotë që xhamia e bekuar e Aksasë u përket vetëm muslimanëve,  ashtu si xhamia e shenjtë, dhe askush nuk mund ta kundërshtojë të drejtën e tyre për të. Çdo pretendim nga jomuslimanët për të drejtë në Aksa është  pretendim i rremë i bazuar në mite dhe legjenda të sajuara të nxitura nga racizmi i urrejtjes.

Adhurues të Zotit! Udhëtimi i Israsë për në Kuds, i cili i parapriu ngritjes së tij në qiejt e lartë, Miraxhit,  përfaqësoi një çlirim shpirtëror për xhaminë e bekuar të Aksasë dhe gjithashtu erdhi për të konfirmuar të drejtën e muslimanëve në të. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, udhëhoqi të gjithë profetët në namaz në këtë xhami, për të që kjo deklaratë dhe pohim  se përgjegjësia për këtë xhami është vetëm e muslimanëve. Sikurse gjithashtu konfirmon se mesazhi i Islamit është mesazhi i fundit, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,është profeti i fundit  dhe se ligji, sheriati, Islam shfuqizon ligjet e mëparshme. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre.” (El-Ma’ide 48)

O ju muslimanë! Shokët e profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e kuptuan rëndësinë e xhamisë së bekuar të Aksasë. Prandaj, një nga qëllimet më të rëndësishme të çlirimeve të Levantit, Shamit,  gjatë kohës së prijësit të drejtë të muslimanëve, Omer Ibn Al Hattabit,  Zoti qoftë i kënaqur me të, ishte çlirimi i Kudsit, kujdesi për xhaminë Aksa dhe restaurimi i saj pasi që ishte lënë pas dore.

LEXO  Kurthet e Armiqve - Shejh Muhamed Husejn - Aksa 22-3-2019

Zoti i Plotfuqishëm kishte caktuar që Kudsi të çlirohej pa luftë në duart e tij, dhe të thirrte në të ezanin muezini i të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, Bilal Bin Rebah, Zoti qoftë i kënaqur me të, thirrte ezanin në afërsi të tij, në mënyrë që thirrja e monoteizmit dhe e të vërtetës të ngrihet mbi zërin e gënjeshtrës.

Kjo thirrje nga Bilali është e njëjta thirrje që u ngrit mbi Qaben e Shenjtë pas çlirimit. Bilali ishte i pari që thirri Ezanin në xhaminë e shenjtë, në Qabe, pas çlirimit të Mekes, e ai ishte i pari që thirri Ezanin në xhaminë e bekuar të Aksasë pas çlirimit të Kudsit. Ai ishte i denjë për këtë pozicion, sepse ishte ai që shpalli monoteizmin nën kamzhikët e shtypësve dhe ky zë ishte më i denjë për të ngritur thirrjen pas fuqizimit.

Kjo thirrje për namaz mbeti, namazi dhe përkujtimi i Zotit të Plotfuqishëm vazhduan në këtë xhami të bekuar për qindra vjet. Sahabët fisnikë e vizituan atë, dijetarët dhe njerëzit e drejtë nga të gjitha anët e tokës vinin në të, duke konfirmuar natyrën Islame të kësaj xhamie. Ata gjithashtu jetuan në Kuds dhe ishin fqinjë të xhamisë së bekuar për shumë vite.

O ju muslimanë! Gjatë një periudhe dobësie dhe neglizhence nga ana e muslimanëve, tokat e muslimanëve u pushtuan nga fushata të urryera kryqtare, të cilat përhapën korrupsion në vend dhe shkatërruan të korrat dhe pasardhësit. Kjo xhami ra rob në duart e tyre për një periudhë kohore. E kjo ishte një nxitje për të menduar dhe punuar për të reformuar kushtet e umetit në mënyrë që të ishte në gjendje ta rikthente Aksanë në gjendjen e saj natyrore pasi ta çlironte nga kryqtarët.

Zoti i Plotfuqishëm deshi që çlirimi i Kudsit të ndodhte më 27 të muajit Rexheb nga duart e Salaudin Ejubit, Zoti e mëshiroftë. Ajo ishte një ditë e rëndësishme nga ditët e Zotit, nga se drejtësia iu rikthye pronarëve të saj të ligjshëm dhe xhamia rifitoi lavdinë e saj. Aktiviteti shkencor dhe misionar lulëzoi brenda mureve të saj, dijetarët u dyndën drejt saj nga të gjitha anët e tokës, duke e bërë atë një pishtar qytetërimi. I lutemi Zotit të Plotfuqishëm që kjo xhami të kthehet në lavdinë e saj të mëparshme dhe që Islami dhe muslimanët të forcohen dhe nderohen brenda saj.

Adhurues të Zotit! Ndërsa kujtojmë statusin e xhamisë së bekuar të Aksasë, jemi të habitur, nuk e miratojmë dhe hedhim poshtë zërat e papajtueshëm që burojnë nga disa arabë hipokrit të cilët vënë në dyshim vendndodhjen e xhamisë së bekuar të Aksasë dhe përpiqen të krijojnë një të drejtë për jomuslimanët mbi të, ose përpiqen të ndajnë oborret e xhamisë prej saj dhe t’i konsiderojnë ato sheshe publike! Ne themi: Xhamia e bekuar e Aksasë është në qytetin e Kudsit dhe është vendi ku ne po falemi tani. Kjo çështje është përcaktuar përfundimisht dhe është transmetuar përmes rrëfimit të vazhdueshëm, dhe e kanë transmetuar atë brezat, njëri pas tjetrit, brez pas brezi. Kjo xhami përfshin oborret, muret, rrugicat, vendet e lutjes, platformat dhe shkollat ​​që e rrethojnë, përfshin atë që është poshtë dhe sipër xhamisë.

Këto fushata dyshimi dhe përpjekjet për t’i promovuar ato nuk do t’u japin pretenduesve të drejtë, as dyshuesve atë që duan, sepse e vërteta është e fortë dhe e qëndrueshme, ndërsa gënjeshtra është e dobët dhe kalimtare. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “ Por Ne e godasim të pavërtetën, me të vërtetën, e cila e shkatërron atë dhe ajo zhduket. Dhe, mjerë ju për atë që i vishni (Allahut!).” (El-Enbija’ 18)

LEXO  Mësime dhe dobi nga Hixhreti dhe Ashura

Zoti na bëftë dobi të gjithëve  me Kuranin Fisnik, me ajetet dhe me përkujtimet e urta që ai përmban. Zotit kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin e besueshëm të Allahut, mbi familjarët dhe të gjithë shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Kijametit.

Në vijim

O ju adhurues të Zotit! Vërtetë nga bekimet e Zotit mbi ne se Ai ka caktuar që të jemi banorë të Kudsit dhe të falim namaz në xhaminë e bekuar të Aksasë. Ky është një bekim për të cilin duhet të tregojmë mirënjohjen tonë duke vazhduar të bindemi dhe të adhurojmë në këtë xhami dhe duke nderuar ritualet e saj. Kjo është xhami e bekuar dhe është qendër bekimi për ata përreth saj. Kjo është xhami në të cilën janë falur profetë, shokë të tyre, njerëz të drejtë dhe dijetarë. Prandaj, kujtoni, kur vendosni ballin tuaj në sexhde,  që vendi i sexhdes tuaj mund  të jetë vendi i sexhdes së një profeti fisnik, ose një shoku të madh, ose një çliruesi të fuqishëm. Pra, ndjeni madhështinë e këtij vendi dhe dijeni se vetëm qëndrimi juaj në këtë xhami, duke iu përmbajtur etiketës së saj,  ka gjykimin e i’tkafit dhe lidhjes në të, diçka për të cilën do të shpërbleheni nga Zoti i Plotfuqishëm.

Gjithashtu kërkohet nga ne, banorët e Kudsit, veçanërisht lagjet pranë xhamisë së bekuar të Aksasë, ta popullojmë atë me lutje gjatë të gjitha namazeve dhe në të gjitha ditët,  që secili prej nesh të ketë një praktikë të caktuar, fikse, në ndarje të kohës për Aksanë për lutje, namaz, dhe izolim, i’tikaf,  në të. Duhet të ketë një praktikë të përditshme në jetën e banorit të Kudsit, që të vijë në xhaminë Aksa për t’u falur sa herë që është e mundur, E kjo praktikë duhet të ngulitet tek brezi i ri nga  fëmijët tanë, që ata të rriten duke e dashur xhaminë e tyre dhe duke qenë të lidhur me të. Natyrshmëria në shoqërinë muslimane është që xhamitë të vizitohen dhe jo të braktisen, e kjo është pjesë e madhërimit të rregullave të Zotit.

Adhurues të Zotit! Nga çështjet  e rëndësishme që duhen theksuar rreth rregullave të sheriatit Islam që lidhen me xhaminë e bekuar të Aksasë  dhe rregullat e namazit të xhumasë është ndalimi i blerjes dhe shitjes gjatë hytbes së xhumasë. Nuk është e lejuar që vëllezërit tanë tregtarë muslimanë, as blerësit muslimanë, që të thirren për namazin e xhumasë nga Aksa ndërsa ata të shpërqendrohen ndaj kësaj thirrjeje me blerje dhe shitje. Ajo që është tek Zoti në aspektin e sevapit dhe shpërblimit është më e mirë për ta sesa pasuria që fitojnë, e cila nuk do t’u sjellë asnjë dobi para Zotit. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe ndaloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!”(El-Xhumu’a 9)

O Zot, na mundëso këmbënguljen në vizitën e xhamisë së bekuar të Aksasë në çdo kohë.  O Zot, mbro për ne xhaminë e bekuar të Aksasë nga çdo dëm dhe mbushe atë me Islam dhe muslimanë.

O Zot, na dhuro dituri të dobishme,  zemër të përulur, gjuhë që të përkujton Ty dhe vepra të mira që pranohen.

O Zot, mëshiro të dobëtit dhe të shtypurit në çdo vend dhe largo prej tyre vuajtjet, o Zot i botëve. O Zot, shëro plagët tona, mëshiro dobësinë tonë, largo pikëllimin tonë dhe lehtëso shqetësimin tonë.

O Zot, na mëshiro, sepse Ti je i Mëshirshëm me ne. Mos na ndëshko, sepse Ti je i Mundshëm ta bësh këtë. Ji i Butë me ne në lidhje me atë që ke përcaktuar për ne.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.

Falënderojeni për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

Lutja jonë e fundit është: Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve.

Fto për namazin,  Zoti  të mëshiroftë.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1458981336228542/1550999442829116

Post Author: endrit