Agjërimi zgjat disa ditë… prandaj nxitoni para se të jetë tepër vonë

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    25-08-1447 H   13-02-2026 D

Shejh Dr. Abdul Muhsin El Kasim

Tema   Agjërimi zgjat disa ditë… prandaj nxitoni para se të jetë tepër vonë

Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet,  e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për të gjithë dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit me frikë të vërtetë dhe binduni Atij në fshehtësi dhe hapur. O muslimanë! Feja Islame është fe e fortë e ndërtuar mbi shtylla, e mbështetur në detyrime dhe e zbukuruar me vepra të pëlqyera. Veprat më të dashura tek Zoti janë ato që Ai i ka bërë të detyrueshme për robërit e Tij. Zoti i Plotfuqishëm në hadith Kudsi ka thënë: “Robi Im me asgjë nuk mund të më afrohet Mua më shumë sesa me atë që Unë ia kam obliguar.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.

Obligimet e detyrueshme dhe më të dashura tek Zoti janë pesë shtyllat e Islamit. Disa prej tyre janë të pandashme nga besimtari gjatë gjithë ditës dhe natës së tij, këto janë dy dëshmitë e besimit. Prej tyre janë ato që kryhen disa herë në ditë dhe natë, namazet. Prej tyre është ajo që kryhet një herë në jetë, haxhi. E prej tyre është çfarë rinovohen në çdo vit, agjërimi.

Agjërimi i Ramazanit kthehet çdo vit. Kur afrohet koha e tij, i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, përgëzoi shokët e tij  për të, duke u thënë atyre: “Ju ka ardhur Ramazani, një muaj i bekuar. Zoti, i Plotfuqishëm dhe i Madhërishëm,  ka bërë agjërimin në të obligim për ju. Në këtë muaj hapen portat e Qiellit, mbyllen portat e Xhehenemit dhe lidhen me zinxhirë shejtanët rebelë. Për Zotin në këtë muaj ka një natë që është më e mirë se një mijë muaj. Kush  privohet nga mirësia e saj është vërtet i privuar.” Hadithin e ka transmetuar Nesaiu.

Muaji i Ramazanit është mysafir bujar dhe sezon çmuar, që mirëpritet me lajme të gëzuara, hare dhe lumturi. Nga mënyrat më të mira për ta mirëpritur Ramazanin është duke kryer vepra të mira para mbërritjes së tij, sepse fillimi është një shenjë e veprave të mira që do të pasojnë.

I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, përgatitej për të që nga muaji Shaban si paraprirje e tij. Aisha, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Nuk e kam parë kurrë të dërguarin e  Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, që të agjërojë më shumë në ndonjë muaj sesa në Shaban.” Muttefikun Alejhi.

Mysafir që largohet, kalon, shpejt, “ Agjërimi zgjat disa ditë…” (El-Bekare 184) Kështu që ata me aspirata të larta duhet t’i ekspozohen bekimeve të të Gjithëmëshirshmit gjatë kësaj kohe, të jenë të vendosur në kryerjen e aktit më fisnik të adhurimeve duke përmbushur obligimin më të detyruar, Njëshmërinë e Zotit të Botëve, sepse nëpërmjet saj, aktet e adhurimit bëhen të lehta dhe robi shijon ëmbëlsinë e tyre. Zoti i Madhërishëm,  Musait, paqja e Zotit qoftë mbi të, i ka thënë:  “Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!”(Ta Ha 14)

LEXO  “ Allahu i sheh vërtet robërit e Vet ”

Themeli i veprave të mira është sinqeriteti, pastërtia e qëllimit ndaj Zotit. Allahu i Lartësuar profetit të Tij i ka thënë: “Thuaj: “Unë jam urdhëruar që ta adhuroj Allahun me përkushtim të sinqertë.”(Ez-Zumer 11)

Falja e gjynaheve gjatë agjërimit është e kushtëzuar nga kërkimi i shpërblimit nga Zoti. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut, do t’i falen gjynahet e kaluara.” Muttefikun alejhi.

Pranimi i namazit të natës në Ramazan varet nga të shpresuarit e shpërblimin vetëm nga Zoti i Vetëm. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush falet gjatë Ramazanit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut, do t’i falen gjynahet e kaluara.” Muttefikun alejhi. Nëse qëllimi është i sinqertë dhe i fortë, shpërblimi do të shumëfishohet, Allahu i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë…”(El-Bekare 261) Ibn Kethiri, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Domethënë, në varësi të sinqeritetit të tij në punën e tij.” Zoti e veçoi agjërimin duke ia lënë atë Vetes së Tij të Lartësur dhe premtoi ta shpërblejë atë. Nëse Bujari e merr përsipër të japë, dhurojë  atëherë mos pyet për sasinë e dhuratës. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Zoti i Plotfuqishmi dhe i Madhërishëm ka thënë: Çdo vepër e birit të Ademit, njeriut është për të përveç agjërimit, ai është për Mua,  Unë do ta shpërblej për të.” Muttefikun Alejhi.

Ibn Haxheri,  Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Ata kanë rënë dakord se ajo që nënkuptohet me agjërim këtu është agjërimi i individit që e ruan agjërimin e tij të  pastër nga gjynahet në fjalë dhe në vepra.”

Zotëria i muajve, muaji i përpjekjeve, këmbënguljes, durimit dhe bindjes. Kurani i Madhërishëm u shpall në të, në natën më të nderuar të tij, muaj në të  cilin Xhebraili,  paqja e Zotit qoftë mbi të,  përsëriste Kuranin me të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Kur vinte muaji i Ramazanit, muslimanët e parë, selefët,  braktisnin mësimet e dadithit dhe jurisprudencës, fik’hut, dhe i përkushtoheshin Kuranit. Katade, Zoti e mëshiroftë, e përfundonte një lexim të Kuranit çdo tre ditë gjatë Ramazanit, e kur vinin dhjetë ditët e fundit, ai e përfundonte një lexim të plotë të Kuranit çdo natë. Prandaj, shtoni leximin e Librit të Zotit tuaj gjatë këtij muaji, ditën dhe natën, sepse përmes tij ngushëllohen zemrat.

Namazi më i mirë pas namazit të detyrueshëm është namazi i natës. Të bashkuarit e njerëzve për të kryer namazin e natës është nga karakteristikat e Ramazanit. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush falet me imamin derisa të mbarojë, në fund të namazit, i shkruhet sikur të ketë falur namaz nate.” Hadithi është transmetuar nga Tirmidhiu.

Njerëzit nuk mund të bëjnë asnjëherë pa Zotin,  për asnjë një çast në çdo kohë. Agjëruesi është ndër ata, lutja e të cilëve nuk refuzohet kurrë. Prandaj kërkoni Zotit çfarëdo që dëshironi, sepse Ai që përgjigjet është  Bujar. I dërguari i Allahut,  paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ka asnjë musliman në tokë që i lutet Zotit me një lutje, vetëm se Zoti ose ia plotëson atë, ose largon prej tij një të keqe të ngjashme, për sa kohë që nuk lutet për diçka që është gjynah, ose për ndërprerjen e lidhjeve farefisnore.” Një burrë nga sahabet prezent tha: “Atëherë duhet të lutemi më shumë.” Ai tha: “Zoti është që do të japi më shumë.” Që do të thotë;  Ai është që përgjigjet më shumë dhe më mirë se njerëzit. Hadithi është transmetuar nga Tirmidhiu.

LEXO  Haxhi, mësime nga historia e Ibrahimit

Ramazani është muaji i bujarisë dhe mëshirës me të dobëtit. I dërguari i Allahut,  paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte më bujari i njerëzve, e ai ishte në kulmin e bujarisë së tij gjatë Ramazanit kur takohej me Xhebrailin, paqja e Zotit qoftë mbi të.  “I dërguari i Allahut,  paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur e takonte atë Xhebraili, ishte më bujar në bamirësi se era që frynë.”  Muttefikun alejhi. Era që fryn sjell dobi të përhapura dhe mirësia e saj është e vazhdueshme. Lëmosha, bamirësia do ta mbrojë dhënësin e saj në Ditën e Gjykimit.

Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, nuk e prishte agjërimin gjatë Ramazanit përveçse me jetimët dhe të varfërit.

Dyert e pendimit janë të hapura në çdo kohë dhe asnjë rob i Zotit nuk mund të arrijë afërsi të përsosur me Zotin përveçse nëpërmjet tyre. Zoti i ka urdhëruar të gjithë besimtarët të pendohen për të arritur sukses, dhe ka thënë: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (En-Nur 31)

Zoti e ka quajtur Veten e Tij Pranues i pendimit  në mënyrë që robërit e Tij të kthehen tek Ai. Kush vjen tek Zoti me pendim Ai gëzohet me të, i jep strehim dhe zëvendëson veprat e tij të këqija me vepra të mira. Dita më e mirë në jetën e njeriut është dita në të cilën Zoti ja pranon atij  pendesën.

Kërkimi i faljes sjell mirësi dhe largon fatkeqësitë. Shejhul Islami, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Nëse njeriu e di se e keqja i vjen vetëm nga vetja e tij, nëpërmjet gjynaheve të tij,  ai kërkon falje dhe pendohet tek Zoti, në këtë mënyrë shkaku i së keqes largohet prej tij. Kur njeriu është gjithmonë mirënjohës dhe që kërkon falje tek Zoti, atëherë e mira do të vazhdojë të shtohet për të dhe e keqja largohet prej tij.”

Përkujtimi i Zotit gjatë Ramazanit është zbukurimi i agjëruesit. Ibn El Kajjmi, Zoti e mëshiroftë,  ka thënë: “Më të mirët e njerëzve në çdo vepër janë ata që e përkujtojnë Zotin e Plotfuqishëm më shumë në atë vepër. Më të mirët e agjëruesve janë ata që e përkujtojnë Zotin e Plotfuqishëm më shumë në agjërimin e tyre.”

Pastërtia e zemrës nga papastërtitë dhe gjynahet është ngritje për agjëruesin. Zoti i Lartësuar ka thënë: “ në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!”(Esh-Shu’ara’ 88-89)

Fudejl ibn Ijad,  Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Askush prej nesh nuk e arriti atë që e arriti  përmes agjërimit ose lutjes së shtuar, por se e arriti atë nëpërmjet bujarisë së shpirtit dhe pastërtisë së zemrës.”

Agjërimi është abstenimi, ndalimi nga ushqimi dhe pija, dhe frenimi i gjymtyrëve nga gjynahet, nga përgojimi që shkatërron veprat e mira, ose  nga shikim i ndaluar që e pakëson agjërimin. “Mundohuni që të jeni të qetë dhe dinjitoz në Ramazan, mos i bëj të njëjta ditën që nuk agjëroni, ditën normale,  me ditën e agjërimit, ditën e Ramazanit.”

Në vijim

O ju muslimanë! Portat e mirësisë janë të hapura në Ramazan. Ramazani është pistë garash, ata që garojnë për vepra bindjeje fitojnë.  I suksesshëm është ai që i diversifikon veprat e bindjes në Ramazan. I dërguari i Allahut,  paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në Ramazan bashkonte lloje adhurimesh që nuk i bashkonte në muajt e tjerë, jashtë tij. Shpërblimi është nga i njëjtit lloj i veprës.

LEXO  Surja El-‘Asr: Përfitime dhe rregulla

Ibn El Kajjmi,  Zoti e mëshiroftë,  ka thënë: “Kush ka vepra të ndryshme që i pëlqejnë Zotit dhe i janë të dashura për të në këtë jetë, kategoritë e gjërave që ai i shijon në atë jetë, domethënë në Xhenet,  do të jenë të ndryshme dhe do të shtohen për të sipas shtimit të veprave të tij këtu. Shtimi në shumëllojshmërinë e tyre,  gëzimi që do të ketë me to dhe kënaqësinë që do arrijë prej tyre atje do të jetë sipas shtimit të veprave të tij dhe shumëllojshmërisë së tyre në këtë jetë.”

Bëni kujdes nga përtacia dhe letargjia, sepse këto janë vetëm pak ditë që do të kalojnë shpejt. Urime për atë që i përjeton ato, përgëzim për atë që agjëron, fal namaz gjatë tyre dhe i shton adhurimet e tij në to.

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, me qëllim që të ruheni (nga gjynahet).”(El-Bekare 183)

Zoti na begatoftë në Kuranin Famëlartë, Zoti na bëftë dobi nga argumetet dhe urtësitë e tij të mëdha.

Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Zoti kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirbërës.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet i takojnë Zotit për mirësitë e Tij, Atë e falënderojmë për suksesin dhe arritjet. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai meriton Madhërime.

Dëshmoj se i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij. Paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, atyre u dërgojmë selame të shumta.

O ju muslimanë! Ditët dhe netët lajmërojnë shkurtimin e jetës dhe afrimin e largimit nga kjo botë. I mençur është ai që reflekton dhe vepron, punon. Kujtoni ata që agjëruan me ju në të kaluarën, por sot ata mbahen përgjegjës, merren në llogari, në varret e tyre për veprat e tyre, ku do të donin që të agjëronin qoftë dhe një ditë të vetme nga Ramazani. Zoti ju ka dhënë një afat në jetëgjatësinë tuaj, shfrytëzojeni atë para se të zhduket. Sa njerëz e presin atë por një ditë e humbin, nuk e përfundojnë, dhe sa njerëz shpresojnë ta arrijnë të nesërmen por që nuk e arrijnë kurrë!  

Dijeni se  Allahu ju ka urdhëruar që të bieni në Salavate dhe ta përshëndesni  të dërguarin e Tij, ku  në Librin e Tij,  në Kuranin Famëlartë, ka thënë:  “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me “selam!” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje  të dërguarin tonë,  Muhamedin.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me halifet e parë të drejtë,  të cilët gjykuan me të vërtetën dhe me të bënë drejtësi, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, dhe me ne së bashku me ta, me  Bujarinë dhe Mëshirën Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro politeizmin dhe politeistët, dhe shkatërro armiqtë e fesë.

O Zot, bëje të paqtë, të sigurt dhe të begatë këtë vend  dhe të gjitha vendet muslimane.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë dhe zëvendësin e fronit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, udhëzoi ata në drejtësi dhe devotshmëri, o Zot, bëji ata të dy të dobishëm për Islamin dhe muslimanët.

O Zot, bëj vendet  muslimane vende sigurie, paqeje dhe begatie, o më i Madhi dhe më Bujari. “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

O Allah, Ti je Zoti, nuk ka Zot tjetër përveç Teje, Ti je i Pasur, nuk ke nevoj për diçka, e ne jemi të varfër, që kemi nevojë për Ty, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj prej të dëshpëruarve. O Zot, na furnizo me shi.

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf  23)

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju,

Falënderojeni për të mirat dhe begatitë e Tij që t’ua shumojë ato.

“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

 Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1482463710546971/4254125361400648

Post Author: endrit