Vetë-pëlqimi, mendjemadhësi, shfaqjet e tij dhe metodat e trajtimit

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    13-07-1447 H     02-01-2026 D

Shejh Fejsal Gazaui     

Tema   Vetë-pëlqimi, mendjemadhësi, shfaqjet e tij dhe metodat e trajtimit

 Lavdërimet janë për Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar, i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai, mbron këdo që kërkon strehim tek Ai dhe kujdeset për këdo që ia beson çështjet  e tij Atij. Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, nuk ka Zot tjetër të denjë për adhurim përveç Tij. Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit i dërguari dhe i përzgjedhuri i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi ata që pasojnë udhëzimin e tij.

Në vijim

O ju muslimanë! Frikësojuni Allahut, vërtetë frika ndaj Zotit është çelësi i çdo të mire, suksesi në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret. “O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe.” (El-Enfal 29)

Adhurues të Zotit! Nga cilësitë e njeriut është dobësia, e ajo është gjendja e tij, themeli i tij për nga natyra e tij.  Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Allahu është Ai që ju ka krijuar të dobët…” (Er-Rum 54) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “…pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme.” (En-Nisa’ 28) Domethënë, i paaftë të shkojë kundër dëshirave të tij, i paaftë të përmbushë nxitjet dhe fuqitë e tij, sa që ai nuk mund të jetë i duruar në ndjekjen e dëshirave, as nuk mund ta kontrollojë veten përballë tundimeve, përveç atyre që Zoti i ka mbrojtur.

Kjo sepse, pavarësisht sa të mëdha mund të jenë aftësitë e njeriu dhe sa të shumta janë talentet dhe shkathtësitë e tij, ai nuk duhet të mbështetet te vetja pa kërkuar ndihmë nga Zoti i tij. Nga se sa herë që ai bëhet mendjemadh dhe e harron Zotin e tij, ai do të poshtërohet, do të braktiset dhe do të humbasë rrugën e drejtë. Sepse ai nuk mund të bëjë pa Zotin e tij as edhe për një moment, nuk ka dyshim apo mëdyshje për këtë. Përkundrazi, ai duhet t’i tregojë Zotit të tij dobësinë dhe varfërinë, nevojën e tij për Të dhe varësinë prej Tij. Prej Zotit të Lartësuar dhe të Lavdëruar kërkohet ndihmë, udhëzim, frymëzim dhe drejtësi. Sikurse ka ardhur në një hadith Kudsi: “ O robërit e Mi, të gjithë ju jeni të humbur përveç atyre që Unë i kam udhëzuar, prandaj kërkoni udhëzim nga Unë që të ju udhëzoj.”

Kjo ishte metoda e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në marrëdhënien e tij me Zotin e tij, kthimi i tij drejt Tij dhe përulësia e tij para Tij. Ndër ato që ai thoshte në lutjen e tij ishte: “Unë jam me Ty dhe për Ty”, që do të thotë: Unë mbështetem tek Ty dhe tek Ty kthehem për strehim.

Në Betejën e Hendekut, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbante dhe duke hapur hendekun me shokët e tij, duke recituar fjalët e Ibn Ravahas, që thoshte:

“Pasha Zotin, po të mos ishte Zoti, nuk do të ishim udhëzuar, nuk do të kishim dhënë lëmoshë e as nuk do të kishim falur namaz.

Prandaj, na dërgo qetësi dhe na i forco këmbët kur të takojmë armiqtë tanë.”

Me gjërat që i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, këshilloi vajzën e tij Fatimen, se ai i ka thënë asaj: “Çfarë të pengon të dëgjosh atë që të këshilloj të thuash? Që të thuash kur të zgjohesh dhe kur të flesh: “O i Gjallë, i Përjetshëm, Mbajtësi i gjithçkaje, me mëshirën Tënde kërkoj ndihmë. Përmirëso të gjitha çështjet e mia dhe mos më lër vetëm as për një çast as sa hap e mbyllë sytë.”

Adhurues të Zotit! Ai që vërtet ka arritur mbështetjen tek Zoti nuk do t’ia besojë veten askujt tjetër dhe se Ai do të kujdeset Vetë për të, ashtu siç u kujdes për profetin e tij të zgjedhur Muhamed.  Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar, duke na kujtuar për mirësinë e Tij mbi të dhe mbrojtjen e Tij nga ata që e kundërshtojnë, ka thënë: “ Dhe sikur mos të  kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata.” (El-Isra’ 74) Kjo fjalë e Zotit është dëshmi se sa shumë kemi nevojë që Ai të na forcojë. Ne duhet t’i lutemi gjithmonë Zotit dhe Mbështetësit tonë që të na forcojë në besim, duke u përpjekur në çdo mënyrë që çon në këtë në çdo moment dhe kohë. Ne duhet t’i drejtohemi gjithmonë Zotit tonë, sepse Ai është i mjaftueshëm për ne, Ai është nga i Cili kërkohet ndihmë dhe tek Ai mbështetemi.

LEXO  Kujtoni mirësitë e Allahut ndaj jush -Meka 25.09.2020

“O Zot, na udhëzo në rrugën e drejtë në punët tona, bëje ndihmën Tënde të mirë burim mbështetjeje për ne.

Mos na lër të menaxhojmë veten tonë, sepse njeriu është i paaftë të përmirësojë atë që ka prishur.”

Adhurues të Zotit! Vetadmirimi dhe vlerësimi lartë i vetes janë format më të këqija dhe më të liga të mendjemadhësisë,  dhe nga gjërat më shkatërruese dhe prishëse  për zemrën e njeriut. Kur njeriu lihet në mëshirë të fatit të tij, ai do mposhtet, nënshtrohet, burgoset dhe shkatërrohet nga vetja e tij, do të braktiset nga kujdesi i të Gjithëmëshirshmit dhe  do të rrethohet nga braktisja. Ja se si Iblisi, shejtani i mallkuar u bë mendjemadh për gjendjen e tij, u mashtrua me veten dhe origjinën e tij kur tha: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta.”(El-A’raf 12) Zoti e përjashtoi nga mëshira e Tij, ai meritoi zemërimin dhe urrejtjen e Tij.

Pronarët e dy kopshteve, ai i cili mohoi favorin e Zotit të tij, kur u impresionua me veten dhe tha atë që tha për shkak të neglizhencës së tij të tepruar dhe shpresave të tij të madhe, fati i tij ishte që e gjithë pasuria e tij të zhdukej dhe ai u mbush me keqardhje dhe pendesë.

Kur ata që ishin të impresionuar në Hunejn u kënaqën nga numri i madh dhe thanë: “Ne nuk do të mposhtemi sot nga një numër i vogël, i armikut”, ata u lanë në mëshirë të fatit për shkak të numrit të tyre të madh, kështu që u zhgënjyen dhe u mundën. Pastaj Zoti u erdhi në ndihmë me fitoren e Tij derisa triumfuan.

Adhurues të Zotit vërtetë, vetë-admirimi dhe vetëpëlqimi janë ndër pengesat më të mëdha që pengojnë udhëtimin tonë drejt Zotit tonë dhe na largojnë nga rruga e drejtë e qëllimit tonë. Dikush nga muslimanët e hershëm, selefët ka thënë: “Frika nga Zoti të afron më shumë me Zotin, ndërsa krenaria dhe arroganca brenda teje të ndajnë nga Zoti. Përçmimi i njerëzve brenda teje është sëmundje e madhe që nuk mund të shërohet.” Fundi i fjalës së tij,  Zoti e mëshiroftë.

Nga ana tjetër, përballë kësaj, duhet të kuptojmë se kushdo që mbështetet në mëshirën e Zotit të tij dhe nuk mbështetet në asgjë tjetër, dhe beson se mbështetet tek Zoti dhe jo te vetja, as te dija, intelekti, forca apo pushteti i tij, me të vërtetë ka arritur mbështetjen e plotë tek Zoti i tij  në udhëzimin, suksesin dhe përmirësimin e punëve të tij. Ai është i vetëdijshëm për mbrojën dhe ruajtjen e Zotit të tij dhe  nuk do ta lërë atë në dor të të vetes së tij. Kjo është ndër të mirat më të mëdha dhe bekimet më sublime. Ndër gjërat për të cilat Jusufi, paqja e Zotit qoftë mbi të, ju lut Zotit është: “ Bëj që të vdes si musliman dhe më shoqëro me punëmirët (në botën tjetër)!”(Jusuf 101) Kjo thënie e tij nuk ishte gjë tjetër veçse përulje e vetes dhe pranim i nevojës së tij për favorin e Zotit të tij.

LEXO  Ruajuni nga përgojimi

Nga lutjet e Ibn Mesudit, Zoti qoftë i kënaqur me të, është thënia e tij: “Nëse Ti më lë në dorën time, do të më afrosh me të keqen dhe do të më largosh nga e mira, e unë mbështetem vetëm në mëshirën Tënde.”

Adhurues të Zotit! Sikurse vetpëlqimi, vetë-admirimi, për më tepër është një nga tiparet shkatërruese, siç thuhet në hadith: “ Sa i përket gjërave shkatërruese, ato janë: bindja ndaj lakmisë, ndjekja e dëshirave dhe vetë-admirimi i njeriut.” Ndëshkimi për këtë tipar të keq të karakterit është i rëndë, sepse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Ndërsa një burrë po ecte me hapa të mëdhenj, duke ecur me dy rrobat e tij, i kënaqur me veten, Zoti bëri që toka ta përpijë atë dhe ai do të vazhdojë të zhytet në të deri në Ditën e Ringjalljes, Gjykimit.”

E gëlltiti toka është i njëjti ndëshkim që iu dha Karunit, i cili u bë arrogant ndaj të mirave që kishte, kështu që ai mohoi mirësinë e Zotit të tij dhe krenaria e çoi atë në gjynah, ai u bë mendjemadh, i pëlqeu vetja, dhe i tha popullit të tij: “Kjo më është dhënë vetëm prej diturisë sime.”(El-Kasas 78)

Zotit i kërkoj falje për veten dhe për ju.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, Zotin tonë, nuk ka shpëtim dhe nuk ka strehim nga Ti vetëm se prej Teje, ne nuk mbështetemi diku tjetër vetëm se tek Ti,  çdo mirësi është në duart e Tua, i Madhërishëm dhe i Lartësuar je Ti.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet me të vërtetë përveç Tij.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i përzgjedhuri i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij dhe mbi ata që e pasojnë.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Admirimi i vetes nga njeriu është dëshmi e injorancës së tij për veten dhe natyrën e tij të vërtetë. Prandaj, shpesh gjejmë se Kurani përcakton origjinën dhe natyrën e vërtetë të njeriut, nga dobësia, padija, pafuqia dhe nevoja e vazhdueshme për atë që do ta rregullojë dhe forcojë atë.

O muslimanë! Admirimi i vetes dhe mbështetja te vetja kanë shumë manifestime dhe forma të ndryshme. Njeriu mund të admirojë aftësinë dhe qetësinë e tij, dhe vërshon  në portat e së keqes dhe tundimit, duke pretenduar se nuk preket nga asgjë, për shkak të imunitetit dhe mbrojtjes që ai imagjinon në vetvete. Njeriu mund të admirojë atë që Zoti i ka dhuruar atij nga të kuptuarit dhe zgjuarsisë, e ai mendon se ka një nivel të arritjes që as më fisniku nuk mund ta arrijë.

Njeriu mund të impresionohet nga njohuritë e tij të mëdha dhe të mashtrohet nga bollëku i tyre. Kjo mund ta pengojë atë të kërkojë më shumë dhe të përfitojë prej tyre. Ai mund të mburret me njohuritë e tij, të mburret me to, të debatojë rreth tyre dhe të jetë kokëfortë për to.

Njeriu mund të jetë i impresionuar nga pasuria e shumtë që i është dhënë dhe të pretendojë se është i denjë për të. Kështu ai e shpërdoron atë si një budalla dhe mohon të drejtën e Zotit në të, sadakanë.

Njeriu mund të bëhet mendjemadh për përpjekjet e veta dhe mjetet me të cilat e ka arritur qëllimin e tij, duke besuar se nëpërmjet mundit të tij e ka arritur objektivin e tij dhe ka marrë atë që kërkonte. Madje mund ta lavdërojë veten në mënyra që çojnë në rrënimin dhe shkatërrimin e tij. Do t’i gjeni duke thënë: “Me punën time, me mundin tim, me përpjekjet e mia, me djersën e ballit tim…” e kështu me radhë, duke ia atribuar meritën vetes dhe duke mohuar mirësinë e Zotit të tyre.

LEXO  Këshilla për të fituar dy botët

Njeriu mund ta admirojë vlerën e tij dhe të jetë krenar për veten, duke mohuar begatinë e Zotit dhe dhurimin e Tij dhe shikon se ajo që ka marrë është më pak sesa meriton. Përkundrazi, ai e ka zili shokun e tij për bekimin dhe shpreson që ai të bjerë në fatkeqësi, dhe thotë: Pse nuk më është dhënë e njëjta gjë si filanit? A është filani më i mirë se unë?

Njeriu mund të bëhet mendjemadh për nderin e tij dhe mburret me prejardhjen dhe origjinën e tij, rri duar kryq, neglizhon, duke mos arritur madhështinë, nuk përpiqet për përsosmëri dhe harron se atë, veprat e të cilit e kanë ngadalësuar, nuk do ta lartësojë prejardhja e tij.

Njeriu mund të admirojë bukurinë e pamjes dhe të formës së tij dhe harron se vlera e njeriut qëndron në pastërtinë e shpirtit dhe fisnikërinë e moralit të tij.

Kështu, kush mbështetet te vetja dhe është i kënaqur me veten, e admiron veten dhe mbështetet në të,dhe neglizhon të mbajë veten përgjegjës, bëhet kokëfortë në mendimin e tij dhe e izolon veten, dhe distancohet nga konsultimi. Ai largohet nga ata që e kritikojnë dhe i përçmon ata që e korrigjojnë dhe e udhëzojnë. Kështu, zemra e tij errësohet, mprehtësia e tij verbohet, mbyllën çdo derë për përmirësim,  bëhet arrogant dhe i humbur pa kthim.

Adhurues të Zotit! Për të shmangur sëmundjen e mendjemadhësisë dhe arrogancës, njeriu duhet të dijë se bekimi që është në duart e tij mund t’i merret nga Dhuruesi i tij, Mëshiruesi, Bujari. Ai duhet të dëshmojë madhështinë dhe mirësinë e Zotit të tij,  udhëzimin dhe ndihmën e Tij, të shikojë të metat e shpirtit të tij dhe atë që është në mosbindje. Sepse dëshmimi i mirësive e obligon atë në dashuri, lavdërim dhe falënderim për  Zotin e begative dhe mirësive. Sikurse,  shikimi i të metave të shpirtit dhe të veprës e obligon atë në ndjejën e përulësisë, thyerjes, nevojës dhe në pendim në çdo kohë.

Kush e njeh vërtet Zotin e tij, shikon realitetin e gjendjes dhe të fatit të tij, vetja e tij do të bëhet e vogël në sytë e tij dhe nuk do të shikojë në të asgjë tjetër përveç pafuqisë, nevojës dhe mangësisë së plotë.

Zoti ju mëshiroftë! Lutuni dhe dërgoni salavate, përshëndetje mbi mëshirën dhe mirësinë e dhuruar, të dërguarin tuaj, Muhamedin, të dërguarin e Zotit,  sepse Zoti juaj ju ka urdhëruar ta bëni këtë në shpalljen e Tij të qartë, në Kuran, e Ai është i Vërteti në fjalët e Tij, ka thënë në fjalën fisnike: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd,  Muhamedin, familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët. O Zot, ndihmo robërit besimtarë që të Njësojnë Ty, shkatërro armiqtë e Tu dhe armiqtë e fesë, bëje këtë vend dhe të gjitha vendet muslimane të sigurta dhe të mbrojtura.

O Zot, jepu fitoren atyre që mbështesin fenë dhe braktisi ata që braktisin besimtarët. O Zot, jepu fitoren të shtypurve, atyre që luftojnë në rrugën Tënde, atyre që janë të vendosur në kufij dhe mbrojtësve të kufijve.

O Zot, na jep siguri në vendet dhe shtëpitë tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, bëj që udhëheqja jonë të jetë në duart e atyre që të kanë frikë Ty, që janë të devotshëm ndaj Teje dhe që kërkojnë kënaqësinë Tënde, o Zot i botëve.

O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që do dhe je i kënaqur, nga fjalët dhe veprat, o i Gjallë, o i Përhershëm.

O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në udhëzimin Tënd dhe në devotshmërinë ndaj Teje. O Zot, kërkojmë tek Ty fitore, lavdi dhe fuqizim për robërit e Tu besimtarë.

O Zot, të lutemi të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë dhe në çdo vend, o Zoti i botëve.  O Zot, lehtëso vuajtjet e tyre, largo shqetësimet e tyre, shpëto të sprovuarit  e tyre, mbroji ata, ji i mirë me ta, kurse gjakun e tyre, përmirëso marrëdhënijet e tyre, merru në dorën Tënde çështjet e tyre, shuaj urinë e tyre, mbroi ata nga frikërat e tyre, hakmerru ndaj atyre që u kanë bërë padrejtësi dhe i kanë shtypur, dhe kthe rrethin e së keqes kundër të padrejtëve.

O Zot, ne jemi të pastër nga besimi në dikë tjetër përveç Teje, nga shpresa në dikë tjetër përveç Teje, në nënshtrimin ndaj dikujt tjetër përveç Teje dhe në dorëzimin e punëve tona ndaj dikujt tjetër përveç Teje.

O Zot, shpresojmë në mëshirën Tënde, mos na lër vetëm për asnjë çast dhe rregullo të gjitha çështjet tona. Nëse Ti na lë vetëm me vetet tona, na lë në shkatërrim dhe vështirësi, në gjynahe dhe në shkelje, e ne mbështetemi vetëm në mëshirën Tënde.

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robi dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1446663980793611/883845607527087

Post Author: endrit